Wednesday, January 18, 2012

"Si gjejnë ateistët kuptim në jetë?"

Nga Paula Kirby ("Washington Post" 18 Janar 2012)
Gazetari tregohet fare i drejtpërdrejtë: "Po ju ateistët, pse e zgjasni dhe nuk ia mbani vetes?"
Edhe unë e pranoj se një pjesë e mirë e të krishtrëve e formulojnë të njëjtën pyetje më me kujdes. Sidoqoftë, për ateistët është më se e zakonshme që të dëgjojnë besimtarë që iu thonë se, meqë nuk besoni te zoti, ju s'keni se si të kini vlera. Dhe shtojnë se s'ka kuptim të bëhesh i mirë, i dashur, i dhembshur për vuajtjet e të tjerëve, s'ka kuptim të bësh diçka, nëse dikur do vdesim të gjithë dhe s'ka jetë të përtejshme.
Eshtë e vërtetë që, në mungesë të një plani hyjnor jeta nuk mund të ketë qëllime të përcaktuara nga jashtë: individët nuk lindin me qëllim që të bëhen mjekë, apo që të krijonë kryevepra arti, apo që të gërmojnë puse uji në zonat e thata të Afrikës. Po a mund të thuhet se të sëmurët janë lihen pa mjekuar, artdashësit janë lënë pa kryevepra, dhe fshatarëve po iu thahet buza për ujë thjesht ngaqë njeriu ndjek qëllimin e vet në jetë dhe nuk zbaton urdhërat nga lart? A kemi vërtet nevojë për Zotin për ta kuptuar që një jetë kushtuar gjetjes së kurës së kancerit është më e vlefshme se sa një jetë duke lypur rrugëve i dehur?
Mos vallë fakti që do të vdesim një ditë nuk na lë të gjejmë kënaqësi te ndihma që japim për të lehtësuar vuajtjet e të tjerëve dhe për të luftuar padrejtësitë? Vetë fakti që kemi vetëm këtë jetë për të jetuar na shtyn edhe më tepër që të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të lehtësuar vuajtjet e shkaktuara nga varfëria, sëmundjet, padrejtësitë dhe padija. T'i përshkruash këto përpjekje si pa kuptim është njëlloj si të thuash se vuajtja që mund të shmanget s'ka pikë rëndësie, dhe kjo s'më duket shumë e moralshme.
Shumë të krishterë thonë se po të mos ketë Zot, atëherë s'ka asnjë arsye përse duhet të kujdesemi për të tjerët. Por ky, në vetvete është thjesht pretendim fetar, që buron nga koncepti teologjik i Mëkatit Fillestar, i cili e shpall njeriun në thelb të pamoralshëm dhe të korruptuar. Ne fare mirë mund ta injorojmë këtë, sepse në të vërtetë për t'u nxitur që të bëjmë mirë as që na duhen përrallat e kalamajve me shpërblime apo mallkime të përjetshme: studimet tregojnë se shoqëritë më pak fetare kanë edhe shkallën më të ulët të sëmundjeve shoqërore, duke përfshirë këtu krimin dhe dhunën. Njerëzit e shëndetshëm e kanë dhembshurinë në vetvete dhe shpjegimi për këtë gjendet në psikologji dhe në biologjinë evolucionare; s'ka fare nevojë për perëndi.
Jeta nuk mund të jetë e pakuptimtë përderisa të vazhdojmë të kemi aftësinë për të ndikuar mbi mirëqënien e vetes dhe të të tjerëve. Nëse do të kërkonim pakuptimshmëri të mirëfilltë, atëherë po, do të na duhej t'i drejtoheshim parajsës.
Në gjendjen e lumturisë së përjetshme dhe të përsosur, që është edhe kuptimi thelbësor i parajsës, është e përjashtuar çdo mundësi "për ndryshim". Sepse, nëse ndryshimi do të sillte përmirësim, atëherë gjendja e mëparshme nuk do të kishte qënë e përsosur. Nëse ai do t'i keqësonte gjërat, atëherë përfundimi nuk do të ishte i përsosur. Në parajsë nuk është e mundur asnjëra. As ribashkimi me njerëzit e dashur nuk do t'i shtonte asgjë lumtërisë së tyre apo tuajës, pasi parajsa do të ishte, sipas kufizimit, një gjendje që nuk mund të përmirësohet.
Mjafton të mendoni, për një çast absurditetin e tmerrshëm të parajsës. Në ekzistencën tonë reale, veprimet tona të paktën kanë një lloj ndikimi, për mirë apo për keq, dhe prandaj ia vlen të përpiqesh që të bësh mirë. Në një jetë të amëshuar, ku nuk mund të kemi asnjë efekt, qoftë edhe të vogël, as që ia vlen të jetosh.
Nëse je i bindur që jeta pa Zot dhe pa besim nuk ka kuptim, a thua beson vërtet se njerëzit e familjes dhe miqtë nuk kanë asnjë vlerë në vetvete? Vërtet mendon se s'ka pikë kuptimi të mbrosh dhe të ndihmosh fëmijët e tu po të mos ketë jetë ferr dhe parajsë? Vërtet?
Nëse me të vërtetë mendon kështu, atëherë nuk është ateisti, po je ti ai që e poshtëron njerëzimin; dhe është Krishtërimi, jo atizmi, ai që ia heq vlerën dhe kuptimin e vërtetë jetës. Ne ateistët e gjejmë kuptimin te bota ashtu siç është dhe te jeta jonë e vërtetë; ne i konsiderojmë qeniet njerëzore të vlefshme në vetvete, në të drejtën e tyre; i shohim ato si krijesa që meritojnë vëmendjen dhe përkushtimin tonë vetëm ngaqë edhe ato, si edhe ne, ndjejnë dhimbje dhe kënaqësi.
Vështirë të përfytyrosh një pozicion më pak të moralshëm; më të mbyllur ndaj dhembshurisë se sa pikpamja e shtrembëruar dhe zemërngushtë e njerëzimit që ofron Krisitianizmi. Ajo është vështrim pervers i realitetit. Në fund të fundit, nëse mendojmë që e vetmja gjë e vlefshme e ekzistencës sonë është fakti që atë na e ka dhuruar Zoti, atëherë kjo do të thotë që dhuratën në vetvete as që ia vlen ta kesh. Krijimi i Zotit do të ishte njëlloj si ajo trikoja e gjerë dhe pa formë e me ngjyra të zbërdhylëta që nuk ke qef ta veshësh kurrë, por që megjithatë nuk e flak dot tutje sepse ta ka bërë dhuratë gjyshja. Në thelb, kjo përqasje thotë se ti je mirënjohës për dhuratën që të ka bërë Zoti, megjithëse në fakt nuk të pëlqen edhe aq shumë; se, me përjashtim të besimit te përjetësia në parajsë, me të cilën do të shpërblehesh që po e duron këtë jetë, ti nuk sheh asnë arsye tjetër se përse duhet pranuar kjo dhuratë.
Besimi fetar e katandis jetën në diçka që nuk ka asnjë vlerë veçse si krijim i një perëndie me imagjinatë. Ai përcakton se qëllimi dhe kuptimi mund të gjenden vetëm në të qënit kukull e kësaj perëndije, që nuk ka qëllim tjetër veç qëllimit të tij; që nuk ka vlerë tjetër veçse si krijesë e tij. Besimi fetar merr gjithçka që është më e mirë dhe më fisnike nga mpulset dhe përpjekjet e njeriut dhe i hedh poshtë si pa kuptim dhe pa vlerë -- ose edhe më keq: si të korruptuara -- nëse nuk bëhen në emër të Zotit. Ka ardhur koha të hiqet dorë nga kjo pikpamje pa baza. Ka ardhur koha ta mohojmë besimin fetar dhe të fillojmë ta shohim veten dhe të tjerët rreth nesh me dinjitet të vërtetë, si qenie me vlerë në të drejtën tonë dhe jo si hije të shtrembëruara të një krijuesi imagjinar.
Paula Kirby | Jan 18, 2012 12:53 PM

http://www.washingtonpost.com/blogs/on-faith/post/how-do-atheist-find-meaning-in-life/2012/01/18/gIQAbiFP8P_blog.html

No comments: