Thursday, December 4, 2014


Gomerë dhe Miza
        Naumi shkruante në statusin e tij se dikush në mëmëdhe është bezdisur nga mizat, në një kohë kur aty po ngordhin në masë gomerët.
        Që t’i hyet më mirë kuptimit të muhabetit, Naumi është arkitekt. Që këtu nga Kanadaja ai ka shprehur në shtypin shqiptar, në facebook, dhe në letra të drejtpërdrejta autorëve indinjatën e tij si profesionist dhe qytetar për një përçudnim që po i bëhet qendrës së Korçës. Naumi nuk është thjesht arkitekt – ai është arkitekt shumë i mirë dhe intelektual me peshë në Korçë, ku e njohin të gjithë. Kur ai u ngrit të kundërshtonte shëmtimin nga një firmë arkitekturore gjermane dhe krerët e Bashkisë së Korçës të qendrës së qytetit, shumë korçarë e mbështetën me komente, duke bërë “like” dhe duke i dërguar mesazhe. Unë i di mirë këto, sepse kam qënë pranë kësaj historie.
         Çudia ishte se disa nga ata të cilët ia kishin pëlqyer shkrimet, që i kishin bërë “like” Naumit, po i bënin “lajka” edhe kryetarit të Bashkisë së Korçës dhe të tjerëve që kishin gisht pikërisht në atë që kritikonin shkrimet e Naumit. Mirëpo Naumi nga ata që s’ta përton dhe nuk e mbyll gojën kollaj kur sheh legenllëqe të tilla. Ai shkruajti përsëri, kësaj rradhe për ata që e kthejnë pllakën sa në një anë në tjetrën, duke iu qarë hallin për sikletin që i ka zënë.
        Kjo s’i ka shkuar për shtat të gjithëve, ndaj edhe ka dalë dikush që është ankuar se “sos gomerët që na ngordhën, po s’na lenë rehat as mizat.” Për sqarim të figurës letrare, mizat jemi ne, shqiptarët në emigracion që, si puna e Naumit, shkruajmë lartë e poshtë që nga përtej deteve dhe oqeaneve për problemet e atyre që kanë mbetur atje, në atdhe, me gomerët e ngordhur.
        Po të ishte një zë i veçuar s’do t’ia vlente të merreshe me të. Halli është që sikur janë shtuar ca si shumë këta që ankohen dhe akërrohen ndaj nesh, mizave të emigracionit. Prandaj them se ia vlen të futem edhe unë në këtë histori me bzzzz-in tim të bezdisur.
        Ne që kemi lënë Shqipërinë që nga viti 1990të e këtej duhet të jemi ndonja 1 milion e ca. Këtë e them me hamendje, pasi me sa di unë ata që kanë në dorë të mbajnë statistika, domethënë ata që kanë defterët në atdhe, nuk kanë marrë mundimin të na numërojnë.
        Mes nesh ka gjithçfarësh – hajdutë, prostituta, horra, mashtrues, burgaxhinj e kriminela. Por ka edhe shumë njerëz të ndershëm – ka plot punëtorë, zanatçinj të mirë, mjekë, ingjinerë, ekonomistë, gazetarë, mësues, shkencëtarë, profesorë universitetesh. Ka të ndershëm e të pandershëm. Ka nga ata që kanë ikur nga Shqipëria duke menduar që përtej kufijve është parajsa e dembelave. Por ka edhe nga ata kanë ikur me mendjen top, që do të bëjnë çdo lloj pune për të siguruar një jetë të ndershme. Këta më duket se janë shumica.
        Disave nuk iu ka ecur gjithçka si në vaj – janë rregulluar ku kanë mundur, me punëra poshtë nivelit të asaj që kanë bërë në Shqipëri, larg aftësive të tyre. Por ka shumë, shumë më tepër nga ç’ua pret mendja disave që bezdisen në Shqipëri, që kanë arritur sukses – ka ingjinerë që punojnë si ingjinerë, arkitektë që punojnë si arkitektë, kirurgë që operojnë, profesorë që japin leksione, financierë që drejtojnë kompani të mëdha – ka drejtorë uzinash, ka CEO, ka zëvendës-presidentë firmash të njohura në gjithë botën, ka gazetarë, poetë, dhe shkrimtarë që botojnë. Të arrish në këto nivele në vend të huaj, ku flitet gjuhë e huaj nuk është pak. Është shumë, dhe këta njerëz janë për t’u admiruar, jo për t’u injoruar si miza të bezdisshme.
        Pra ne jemi gjithfarësojësh – të mirë e të këqij, të suksesshëm e jo aq të suksesshëm, të ndershëm e të pandershëm, të aftë e të paaftë. Megjithatë, kemi një gjë të përbashkët – jemi larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë. A e kemi arritur atë? Them se përgjithësisht po. Po të mos e kishim arritur, do të ishim kthyer, siç janë kthyer shumë prej nesh. Për t’u kthyer në Shqipëri nuk kërkohet vizë.
        Një gjë tjetër që mendoj se e kemi të përbashkët është se, pavarësisht se ndoshta mund të jemi larguar me idenë që “të ikim, se ai vend nuk bëhet”, përsëri, thellë në zemër nuk e besojmë këtë. Ne sinqerisht shpresojmë dhe dëshirojmë që ai vend të bëhet – të bëhet një vend i zhvilluar, i denjë, ku njerëzit të respektojnë ligjin, të drejtën, njeri-tjetrin. Prandaj edhe nuk rrijmë rehat dhe herë pas herë japim ndonjë mendim për atë që ndodh aty. Ndoshta na gënjen mendja se mund të vazhdojmë të ndihmojmë sadopak përmes përvojës së ketushme.  
        Po a kemi të drejtë ne të japim mendim për ato që ndodhin aty? Kemi që ç’ke me të. Ne, mizat, jemi po aq shqiptarë sa edhe ata të bezdisurit që qajnë gomerët e ngordhur. Ne flasim po aq shqip sa edhe ata, ndoshta edhe ca më shumë. Ne na dhemb vendlindja po aq sa iu dhemb edhe atyre.
        Natyrisht, jo të gjitha ato që themi janë gjëra me mend. Mes nesh ka budallenj e të mençur, llafazanë e të heshtur, kritizerë dhe eruditë. Si ka midis ç’do grupimi tjetër. Por kjo s’do të thotë që dikush mund të ketë të drejtë të na heqë të drejtën e fjalës dhe të drejtën të japim mendim për atë që ndodh në Shqipëri. Ne do flasim e do japim mendim sa të na dojë qefi. Nëse ato që themi do t’i pëlqejnë dhe do t’i vlejnë njeriu, mirë. Nëse nuk i pëlqejnë, le t’i flakin tutje. Gjykimi mendimeve bëhet në bazë të atyre që thuhen apo shkruhen, jo në bazë të paragjykimit ndaj një grupi ku përfshihet ai apo ajo që e ka shkruar.  
        Shkurt muhabeti, gjërat nuk janë bardhë e zi dhe ne këtej nuk para na vjen mirë kur na krahasojnë me mizat. Atë vend të quajtur Shqipëri e duam po aq sa edhe ata që jetojnë atje. Ia duam të mirën dhe përpiqemi të japim ndonjë mendim duke i parë gjërat nga larg. Nëse dikujt nuk i pëlqejnë ato që themi ne vetëm e vetëm ngaqë ne nuk jetojmë në Shqipëri, atëherë le të vazhdojë të merret me gomerët e ngordhur.

No comments: