A duhet dhënë
feja si lëndë mësimore në shkollë? Unë pa hezitim përgjigjem me nje PO të
madhe. Është domosdoshmëri, veçanërisht për ne që qarkullojmë një tollovi idesh
dhe përfytyrimesh të paqarta për fenë. Dhënia e lëndës së fesë në shkollë është
ide e shkëlqyer nëse zbatohet mirë dhe ndershëm.
Nuk e di në
detaje kurikulumin e shkollave sot, por ma do mendja se po të kenë vazhduar në
traditën e arsimit klasik aty vazhdojnë të jepen njohuri mbi historinë, kulturën
dhe mitologjinë e Greqisë dhe Perandorisë Romake. Shpresoj, ndonëse nuk besoj,
që të jepen edhe ide për mitologjinë Norse, atë Kineze, apo Indiane, për eposin
e kreshnikëve, për legjendat e popujve të ndryshëm.
Në këtë vështrim
është jashtë çdo logjike që në shkolla të mos mësohet asgjë për mitologjitë mbizotëruese
sot. Dikush që mëson në shkollë për Zeusin e Athinën, Jupiterin, Marsin e
Venusin, nuk ka përse të mos dijë edhe për Perëndinë që lindi vetveten duke
mbarsur një virgjëreshë dhe që pastaj u sakrifikua dhe u ringjall për të shpëtuar
mëkatet e njerëzimit; nuk ka përse të mos mësojë për Perëndinë që i pëshpëriti
në majë të malit një libër të tërë një analfabeti dhe që ky e pastaj e mbajti
mend fjalë për fjalë për t’ia diktuar atë të tjerëve; nuk ka përse të mos dijë
për krijimin e gruas nga brinja e burrit, në mënyrë që në përjetësi të mbetej nën
hyqmin e tij; për atë njeriun primitiv që ndërtoi një anije aq të madhe sa të mbartte
nga një çift prej të gjitha kafshëve, bimëve, insekteve, dhe organizmave që
popullojnë planetin dhe t’i shpëtonte ato nga përmbytja e gjithë planetit; për
atë tjetrin që u martua me motrën dhe pastaj ia lëshoi atë me qera Faraonit, për
ta marrë prapë dhe për të bërë një fëmijë me shërbëtoren dhe një tjetër me të
shoqen kur kjo ishte 90 vjeç, fëmijë të cilin u bë gati ta therrte për ta
bindur Zotin se sa i devotshëm ishte. Këto, dhe të tjera si këto është mirë të
jepen mësim në shkollë, nga njerëz që i dijnë dhe që dijnë t’i trajtojnë për atë
çka janë, sepse janë gjëra me të cilat luhet çdo të premte e çdo të djelë nëpër
faltore e tempuj.
Nxënësit e
shkollave do të jenë më të përgatitur për jetën nëse mësojnë si ka lindur feja;
përse ka lindur; kush e ka krijuar; për çfarë dhe si e ka përdorur dhe vazhdon
ta përdorë. Duhet të dijnë se si që në fillimet e saj, çdo fe, çdo besim, është
përpjekur të ushtrojë autoritet dhe të justifikojë autoritetin; se si çdo
strukturë fetare i ngjan një piramide, krejtësisht e ngjashme me piramidën e
shtetit, dhe se si në krye qëndron ai që e quajnë jo rastësisht Zot, domethënë diçka
që zotëron, ose zotëria, të cilit je i detyruar t’i bindesh. Se si nocioni i
Zotit ngatërrohet shpesh me atë të Mbretit; se si Zoti është i gjithëpushtetshëm,
ka pushtet, lidhet me pushtetin.
Nxënësit e
shkollave duhet të mësojnë për moralin e fesë. Jo të interpretuar sipas
konteksteve që i leverdisin këtij apo atij grupi apo individi në një çast të
caktuar, por për moralin e vërtetë që mund të nxirret nga tekstet fetare me
syrin e paanshëm të një intelektali të shekullit të 21të. Për mësimet e mira të
saj – mos vidh, mos fli me gruan e komshiut, mos fyej, por edhe për mësimet e
saj jo dhe aq të mira mbi mënyrën se si duhen trajtuar skllevërit; si dhe kur duhen
rrahur gratë; me çfarë dhe sa duhen mbuluar ato; ose si duhen vrarë apo
masakruar, plaçkitur e përdhunuar popullsitë që i nënshtron me luftë; si të bësh
mëkate sa të duash dhe të të falen ato duke u lutur e duke hedhur pare në
faltore, etj. Shkolla është për të dhënë dije, jo për të predikuar. Duke dhënë
dije, jashtë predikimit, shkolla do të përgatisë njerëz të ndërgjegjshëm, që
dijnë të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe t’i marrin vetë vendimet për jetën e
tyre.
Shkolla ka
mundësinë t’iu mësojë nxënësve të vërtetën se si janë përhapur fetë. Se si dhe
kur dolën fetë monoteiste, si u shpikën ato abrahamike nga njerëzit primitivë të
Lindjes së Mesme të katërmijë vjetëve të shkuara, si u përhapën ato me shpatë e
me kërbaç, me dredhi e sa me mashtrim. Si kanë luftuar me njëra tjetrën për
ndarje territoriale – të mësojnë për perandoritë fetare, për fushatat fetare, për
kryqëzatat dhe kryqëzimet, turrat e druve dhe gjuetitë e shtrigave,
monopolizimin e dijes dhe mostolerimin e të menduarit ndryshe, shkatërrimin e
kulturave paraardhëse dhe kontrollin total. T’iu mësojë se si janë futur fetë e
ndryshme në popullin tonë dhe çfarë ka qënë roli i tyre i vërtetë në (pengimin
e) krijimit të kombit. Të mësojnë edhe ç’mendonin rilindasit, ata që ngritën
kombin shqiptar për fetë dhe rolin e tyre.
Nxënësit do
të kenë mundësi të mësojnë se si predikohen fetë nga njerëz të ndryshëm. Se si
ndryshimet në predikim dhe interpretim kanë sjellë ndarje – ndarje të Krishtërimit
në katolikë, ortodoksë, anglikanë, evangjelistë, pentakostianë, presbiterianë,
metodistë, të bashkuar, mormonë, koptikë, luterianë, e dhjetra sekte të tjera.
Ndarjen e muslimanëve në shia, suni, bektashinj, sufi, bahai, druzë, alevis,
etj. Se si të gjitha sektet janë të bashkuara dhe të ndarë nga njeri-tjetri; se
si jetojnë në paqe dhe harmoni me njeri-tjetrin, por edhe ia kanë shqyer dhe
vazhdojnë t’ia shqyejnë gurmazin njeri-tjetrit sa herë iu jepet rasti.
Vetëm duke
mësuar për fenë, nxënësit do të jenë në gjendje të mbajnë qëndrim të vetedijshëm,
intelektual, të ndërgjegjshëm dhe bindës në lidhje me to, të vendosin nëse do të
duan t’i ndjekin apo t’i braktisin. Normalisht, në nëntëdhjetë përqind të
rasteve, dikush që është lindur i krishterë mbetet gjithë jetën i krishterë,
siç edhe ata që lindin nga prindër muslimanë mbeten të tillë, budistët mbeten budistë,
hindutë mbeten hindu. Por edhe që Shqiptarët përbëjnë përjashtim, pasi pjesa më
e madhe e tyre nuk e ka për gjë ta ndërrojë fenë për arsye strategjike,
ekonomike, apo politike, të kthehen në muslimanë kur ua kërkon turku apo arabi
me pallë e me para në dorë, në katolikë kur ua kërkon pronari italian, dhe në
ortodoksë kur emigrojnë në Greqi. Megjithatë, do të ishte diçka e mrekullueshme
sikur t’i lihej shkollës, një shkolle laike dhe të pavarur, roli i informimit të
brezit të ri, dhënies së dijeve të nevojshme për të vendosur nëse do të besosh
apo jo dhe, nëse po, çfarë feje do të ndjekësh, kujt do t’ia falësh besimit,
priftit, paput, hoxhës apo babait të teqesë. Apo që nuk do të ndjekësh asnjë
denominim fetar zyrtar por do të besosh në diçka universale që s’ka lidhje me mënyrat
e predikimit. Ose që do të arrish në përfundimin që të gjitha këto janë
mitologji, dhe nuk do të besosh asnjërën prej tyre, megjithëse, ose më saktë, për
shkak të faktit që i njeh kaq mirë ato ngaqë i ke bërë në shkollë.
Në këtë
kuptim, shkolla do t’i mësonte nxenësit se si feja nuk ka asnjë lidhje me
shkencën, përveç pengesës që i është bërë dhe vazhdohet t’i bëhet asaj. Nuk ka
dhe nuk duhet të ketë asnjë lidhje me politikën, me mënyrën se si drejtohet
shteti, me vendimet që duhet të marrë një shtet, përveç përkrahjes që i bën
krahut më anti-shoqëror të politikës, mbështetjes që iu bën atyre që pasurohen
dhe duan të përjetësojnë pushtetin. Se si qytetarët e një shteti nuk ka përse,
dhe nuk duhet kurrsesi të paguajnë taksa për të mbajtur në këmbë institucione
fetare, të cilat shfrytëzohen vetëm nga një fraksion i popullsisë. Që shteti
nuk ka punë të lejojë konkurrencën për ngritjen e objekteve të kultit në mes të
kryeqytetit, për t’i bërë qefin Vatikanit, Riadit, Athinës e kujtdo kryeqyteti
tjetër fetar të botës.
Nëse vërtet
qeveria shqiptare ka synim që ta japë në mënyrë të arsyeshme, të paanshme,
jo-partizane, mësimin e fesë në shkollë, unë e përkrah atë me gjithë forcën.
Kur them në mënyrë të arsyeshme e të paanshme, nënkuptoj që ai duhet dhënë jo
nga njerëz fetarë, që kanë si synim të përhapin këtë apo atë fe, por nga mësues
laikë, që kanë synim përhapjen e dijes, përhapjen e të vërtetës, ndriçimin e mendjeve
dhe zhvillimin e intelektit të nxënësve të tyre.