Është më se e
natyrshme që dhënia e Nobelit në Letërsi të pritet me më shumë interes se sa
çmimet në Fizikë, në Ekonomi, apo në Mjekësi. Shumë më tepër njerëz lexojnë dhe
janë në gjendje të japin mendim për librat, se sa mund të jenë në gjendje të përcaktojnë
nëse kjo teori ekonomike është më e saktë se sa ajo tjetra, ose kjo arritje në
mjekësi është më e vlefshme se tjetra..
Nobeli në Letërsi
shumë herë i ka befasuar lexuesit me shkrimtarë të panjohur, nga vende dhe letërsi
jo tepër të promovuara dhe të përkthyer. Në këto raste, ata që dijnë të lexojnë,
në vend që të reagojnë, kanë pritur me durim derisa të kenë rastin të njihen me
autorin në fjalë, dhe pastaj ta japin mendimin e tyre. Kur shkrimtari kinez Mo
Yan mori Nobelin në 2012, unë u çudita, pasi nuk e kisha dëgjuar kurrë. Madje mendova se çmimi do t’i ishte dhënë për
motive jashtë letrare. Por kur më ranë në dorë libra të tij, u binda që Nobeli
i ishte dhënë me të drejtë.
Dy vjet më
parë Nobeli iu dha tregimtares kanadeze Alice Munro. Unë kisha lexuar tregime të
Munrose më parë dhe nuk më kishin tërhequr shumë. Për mua ka shkrimtarë të tjerë
kanadezë, veçanërisht Margaret Atwood, që do ta kishin merituar më tepër Nobelin.
Megjithatë, kjo është punë shijesh dhe unë nuk
mund ta hedh poshtë Alice Munro.
Sivjet punët
rrodhën ndryshe. Komisioni i Nobelit vendosi t’ia kalojë çmimin një autori këngësh
dhe këngëtari. Natyrisht që këtë rradhë do të kishte shumë më tepër, jashtëzakonisht
shumë më tepër njerëz që kanë dëgjuar dhe shijuar këngët e Bob Dylan-it. Unë
jam i bindur që ka shumë më tepër njerëz sot që kanë dëgjuar këngët dhe vargjet
e Bob Dylan-it se sa njerëz që kanë lexuar Tolstoin, Hygonë, Markezin,
Heminguein, e këdo shkrimtar tjetër.
E kam pëlqyer
dhe vazhdoj ta pëlqej Bob Dylan si këngëtar, si autor këngësh. Ai ka tekste këngësh
të mrekullueshme, me nënkuptime të holla dhe mesazhe të fuqishme. Është autor
intelektual, që i jep tjetër përmasë këngës. Është muzikant me vizion. Rradhën
e fundit kur erdhi në Toronto unë bleva një biletë jo të lirë për ta parë drejtpërdrejt
në koncerti. E, megjthatë, nuk jam i bindur që dhënia e Nobelit një këngëtari
apo autori këngësh, qoftë ky edhe Bob Dylan është zgjidhja më e mirë.
Mund të
thuhet që Bob Dylan ka arritur të përcjellë një poezie të mirë te sa më shumë
njerëz. Por mund të thuhet edhe që ai është bërë i njohur si poet vetëm pasi ka
pasur sukses në një fushë tjetër, në muzikë. Kënga është një formë artistike
shumëplanëshe, ku ndërthuren një larmi elementësh - melodia, interpretimet
instrumentale, vokali, arranxhimet, teksti, momenti i lançimit, komunikimi me
audiencën, etj. Teksti, ose poezia, është vetëm një element dhe, në shumë
raste, siç mund ta dëshmojnë edhe ata që shkruajnë poezi për muzikë, shpesh
suksesi i këngës varet jo aq te vlerat poetike se sa te fjalët kyçe.
Bob Dylan ka
botuar një libër autobiografik dhe një vëllim me poezi. Kjo është letërsia e
tij. Nëse i janë shitur libra, kjo ka ndodhur sepse kanë emrin e këngëtarit Bob
Dylan, dhe jo për vlerat poetike (të cilat nuk po i diskutoj). Ai nuk ka shkuar
te masa e njerëzve me vlerat e poezisë, por me vlerat e këngëve. Atë nuk e ka bërë
të njohur poezia, letërsia. E ka bërë të njohur një zhanër tjetër.
T’i japësh
Nobelin një autori për vargjet e këngëve, sado të suksesshme ato, sado të
fuqishme si mesazhe, është njëlloj si të thuash: “Tani po e shohim që shumë
njerëz nuk lexojnë më libra, prandaj po heqim dorë nga dhënia e çmimit atyre që
bëjnë letërsi. Po ia japim një forme arti që ka më shumë pasues.’ Kjo tërheqje
e komisioni i Nobelit, kjo braktisje e letërisë, mua nuk më pëlqen. Ky është
mendimi im, dhe unë do të kisha qef ta debatoja këtë mendim në këtë plan me këdo
që do të ishte i interesuar. Mbase edhe jam gabim dhe ka argumenta që e hedhin
poshtë atë. Këtë mendim e kam parë të shprehur në forma të ndryshme, madje edhe
më mirë të organizuara nga shumë të tjerë.
Çuditërisht
(ose jo) kundërshtimi ndaj një mendimi të tillë këto ditë po shprehet me…një
batare fyerjesh e sharjesh për Ismail Kadarenë. Çdo rezervë e shprehur për dhënien
e Nobelit kantautorit Bob Dylan është marrë si shenjë zhgënjimi që Nobelin nuk
e ka marrë Kadare.
Po, unë do të
desha që Nobelin ta marrë Kadare, sepse është shkrimtar i shkëlqyer shqiptar
dhe unë mendoj se e meriton. Do të desha, kam pritur dhe do të pres çdo vit që
ai ta marrë. Por kur Nobeli i është dhënë dikujt tjetër nuk kam pasur asnjë
lloj inati me atë që e ka marrë. Kjo do të ishte marrëzi. Letërsia është art,
nuk është stadium futbolli. Edhe në stadium, kur kundërshtari luan më mirë,
s’ke përse e merr inat.
Nuk kuptoj se
përse për të kundërshtuar idenë që Nobeli nuk i duhej dhënë një kantautori
ngrihen njerëz dhe gërmojnë në vargjet e fëmijërisë të Kadares, fusin kokat
thellë në kazanet e plehërave të kohës së komunizmit për të gjetur pisllëqe që
t’ia hedhin përsipër shkrimtarit. Nëse unë kam mendimin që Nobeli nuk duhet dhënë
për vargje këngësh, atëherë këtë mendim e kam edhe për vargjet e këngëve që ka
shkruar Kadare. Për mua Kadare nuk duhet ta marrë çmimin as për vargjet e këngëve,
as për poezitë, as për fjalimet, as për mendimet e shprehura nëpër gazeta. Ai
duhet të vlerësohet për romanet e tij më të mirë, për Pallatin e Endrrave, për
Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, për Dosja H, për Viti i Mbrapshtë, për Darka e
Gabuar…
Fajin në këtë
mes e ka padyshim komisioni i çmimit Nobel që e ka ulur nivelin e diskutimit
letrar në nivelin e teksteve të këngëve, ose më saktë, në nivelin e atyre që
nuk lexojnë kurrë letërsi dhe që letërsinë e njohin vetëm përmes teksteve të këngëve.
Një njeri që nuk lexon një libër, edhe po ta lexonte Kadarenë nuk do ta
kuptonte. Por këngët e Bob Dylan di t’i dëgjojë kushdo. Kushdo di të postojë në
Facebook ‘Knocking on Heaven’s Door’, që është nga tekstet më të pa vlerë të
Bob Dylan, për të provuar se çfarë poeti i fuqishëm është Dylan. Ja, këtë bëri
Komisioni i Nobelit. E uli diskutimin letrar nga niveli i librave te niveli i
këngëve. Pikërisht për këtë unë isha kundër zgjedhjes së sivjetme, jo sepse kam
ndonjë gjë kundër Bob Dylan, të cilin vazhdoj ta dua si këngëtar dhe autor
vargjesh.