Wednesday, October 12, 2016

Fjala e Princit

(Leka II i drejtohet të ftuarve mbretërorë të Europës):
Të nderuar miq të ftuar,
Së pari dua të falenderoj të gjithë përfaqësuesit e familjeve mbretërore që kanë ardhur nga të katër anët të më nderojnë me pjesmarrjen e tyre në dasmën time.
Do t’ia nis me Princeshat Maria Pia dhe Maria Gabriella të Savojës, mbesat e Perandorit Viktor Emanueli III. Unë dhe familja ime do t’i mbetemi në jetë të jetëve mirënjohës Italisë dhe Perandorit Viktor Emanueli III për sa ka bërë për familjen time dhe për kombin shqiptar. Në kohërat më të vështira, si në 7 Prill të vitit 1939, kur gjyshi im ishte i detyruar ta linte Shqipërinë, duke marrë me vete babanë tim të shkretë që kishte vetëm dy ditë që kishte lindur dhe të syrgjynosej me gjithë familjen nëpër botë, Perandori Viktor Emanuel III me guxim të pashembullt mori përsipër shpalljen edhe mbret edhe perandor i Shqipërisë, duke mbuluar kështu boshllëkun mbretëror të lënë nga gjyshi.
Thonë se ushtria e Musolinit dhe e Perandorit Emanueli III hynte në vendin tonë për të luftuar me ushtrinë greke në mënyrë që të merrte nga Greqia territoret që kjo na i mbante pa të drejtë, si dhe për ca më tepër. Por fakti që këtu ndodhen edhe Princesha Irenë me Princin Majkëll e Princeshën Marina, tregon që ato s’e vrasin shumë mendjen për të kaluarën. As unë nuk dua të mbaj mëri për luftën e mbretërisë greke kundër përpjekjeve të paraardhësve të mij për pavarësi; për shtypjen që i kanë bërë gjuhës shqipe; për përpjekjet e tyre për asimilimin e jugut të Shqipërisë. Ne mbretërorët s’mbajmë mërira. Për më tepër, të gjitha përpjekjet e mbretërisë greke ndaj shqiptarëve kanë pasur si synim kthimin e shqiptarëve në grekë, gjë që flet për dashurinë e madhe që kjo familje ka pasur për popullin tim. Ata nuk e kanë kursyer kurrë gjakun e shqiptarëve për t’ia arritur këtij synimi.
Meqë ra fjala për mirënjohje, unë dua t’i shpreh mirënjohjen e veçantë këtu edhe Princit dhe Princesësh Majkëll dhe Kent të Britanisë së Madhe për përkrahjen që i ka dhënë Familja Mbretërore e Mbretërisë së Bashkuar familjes mbretërore të Savojës për ta kontrolluar Shqipërinë pas largimit të gjyshit tim. Ata i dhanë një ndihmë shumë të madhe e të sinqertë drejtpërdrejtë edhe gjyshit tim duke mos e pranuar të shkelte në Britani ku, po të kishte shkuar, me atë shtrenjtësi jetese dhe me atë kurs këmbimi që kishte paundi britanik, ai do t’i kishte prishur shumë shpejt ato pak lingota ari që kishte arritur të merrte me vete kur u largua nga Shqipëria. Por duke jetuar në Egjipt, në Afrikën e Jugut dhe ne vende të tjera të botës, gjyshi i pati të gjitha mundësitë të kursente. Britania i dhanë bekimin e vet Perandorit Viktor Emanuel III që të bëhej monarku i shqiptarëve, një veprim që ia lehtësoi jashtëzakonisht zemrën gjyshit.
Për këtë mund të dëshmojë edhe Princa Aliu nga Egjipti. Por unë s’do të ndalem shumë në emrat e princave nga vendet muslimane, si Irani, Egjipti, Maroku etj., pasi gjyshi im bëri gjithë përpjekjet e mundshme për t’u kthyer nga monarkitë e vendeve katoliko-protestante dhe për t’u lidhur me familjet mbretërore të Europës, të cilat u treguan shumë krahëhapur duke i dhënë për grua gjyshen time, pavarësisht se asnjëherë nuk e njohën gjyshin si mbret të ligjshëm.
Le të mbetemi te fqinjët dhe të falenderojmë në mënyrë të veçantë Princin Aleksandër dhe Princeshën Katerinë të Serbisë, me familjen e të cilëve familjen time e lidh një miqësi e veçantë. Nuk po flas për dashurinë që kanë treguar tradicionalisht mbretërit serbë për trojet shqiptare, veçanërisht ato të Kosovës dhe të Shqipërisë së veriut; nuk por flas për ekspeditat e vazhdueshme ushtarake që dërgonin në këto troje për të ndihmuar fshatarët shqiptarë në mënyra nga më krijueset që t’i jepnin fund jetës së tyre të vështirë dhe t’iu finin flakën shtëpive dhe gjithçka kishin; nuk po sjell aspak ndërmend luftrat e lavdishme Ballkanike dhe bëmat e ushtrisë mbretërore Serbe për të shprehur dashurinë për popullsitë shqiptare me anë të therrjeve, përdhunimeve, plaçkitjeve, etj. Dua të përqëndrohem vetëm te ndihma e sinqertë që i dhanë babait tim në kohërat më të vështira të grushtit të shtetit të vitit 1924, ndihmë që gjyshi im ua shpërbleu duke iu dhënë pa kursim troje shqiptare.
Tani, meqë jemi te dhënia dhe marrja e trojeve, më lejoni t’i uroj mirëseardhjen dhe të përshëndes Princ Nikolan II Petrovic-Njegoc, paraardhësit e të cilit me aq zemërgjerësi morën përsipër administrimin e Pllajës dhe të Gucisë, të malësive të Shqipërisë së Veriut. E ç’na duheshin ne shqiptarëve ato kullota alpine pa pikë vlere? Sido që të vinte puna ne nuk i administronim dot.
Këtu nuk mund të mos shpreh falenderimet e veçanta dhe mirënjohjen e pakufi që ne kemi për familjen mbretërore të Rusisë, të përfaqësuar këtu nga Dukesha Maria dhe Duka George. Familja mbretërore e Rusisë ka punuar pa u kursyer për asimilimin e shqiptarëve nga sllavët, duke shprehur kështu dashurinë e tyre të madhe për kombin shqiptar dhe dëshirën për të na parë ne si popullsi sllave. Për këtë ata s’kanë kursyer asgjë dhe kanë ndihmuar me gjithë shpirt mbretërit e shteteve sllave të Ballkanit – serbë, malazezë, bullgarë, por edhe grekë, që të reduktojnë sistematikisht popullsitë shqiptare me të gjitha mjetet, ushtarake, politike, gjeopolitike, ekonomike.
Së fundi, dua të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen për të gjithë përfaqësuesit e familjeve të tjera mbretërore që na kanë nderuar me pjesmarrjen e tyre. Edha ata që s’na kanë ndihmuar konkretisht, si këta që përmendëm, nuk na kanë ndihmuar sepse nuk iu është dhënë rasti. Jam i bindur se po të kishin pasur rastin, si monarkë të vërtetë, të njëjtën gjë do të kishin bërë.
Rrofshin Monarkitë, sistemet më moderne të shoqërisë njerëzore! Gëzuar! Le të shërbejë ky rast për të treguar se sa fort e duam dhe e kemi dashur gjithmonë ne mbretërorët njeri-tjetrin. Ne nuk mbajmë kurrsesi mëri, sepse jemi gjak blu. Kur luftojmë, ne nuk vrasim njëri tjetrin, por lemë turmat të bëjnë punën e tyre. Ne nuk derdhim gjak blu, por lemë të derdhet gjak i kuq. Gëzuar!

No comments: