Thursday, November 17, 2016

"Komunisti" George Soros

A mund të më shpjegoni pak se në çfarë universi, ose me çfarë rregull treshi, apo katërshi, del George Sorosi komunist? Me sa di unë, Soros është një derr kapitalisti që s’e ka shokun, një nga më të pasurit në botë, me nja 25 miliardë dollarë nëpër xhepa. Unë e di që ai përdor një pjesë të vogël të tyre për hobin e tij – futjen e hundës në punët e brendshme politike të vendeve të ndryshme. Di që ka edhe një fiksim me shoqëritë e hapura (Open Society) dhe që për shkak të këtij hobi ka bërë shumë armiq. Por s’di se si t’i bëj llogaritë që ai të më dalë komunist. Madje edhe ‘stalinist’ siç e përcaktonte një zonjë e nderuar në një koment.
Kam lexuar edhe disa të tjerë që në mbështetje të akuzës për veprimtari komuniste përmendin faktin që ai mbështet Hillary Clinton. Në fakt, duke mbështetur Hillary Clinton Soros provon pikërisht të kundërtën, që është një kapitalist nga ata më të thekurit. Soros nuk hyn në listën e donatorëve më të mëdhenj të fushatës së Clintonit. Atë listë e kryesonjnë organizma me reputacionin më të keq të mundshëm të kapitalizmit si JPMorgan Chase & Co., Goldman Sachs, Citgroup Inc. etj. Në listën e donatorëve të pa shpallur të Clinton flitet se janë edhe ca sheikë nga Arabia Saudite. Por s’ma do mendja se gjendet ndonjë komunist.
Pyetja ime është e thjeshtë: Si del Sorosi komunist? Dhe përpara se të më vërsulet ndonjëri duke më quajtur mua Sorosian komunist, dua të theksoj se s’kam asnjë simpati për Jorgon e Budapestit.

Post-Truth

Fjalori i Oksfordit ka përcaktuar fjalën “post-truth” (pas-të-vërtetës) si fjalën më të rëndësishme të vitit 2016. Fjala ‘post-truth’ përcakufizohet nga fjalori si mbiemër ‘që ka lidhje me ose që përcakton rrethana në të cilat faktet, të vërtetat objektive ndikojnë shumë më pak në formimin e opinionit publik se sa ndjellja që iu bëhet emocioneve apo besimeve personale të paracaktuara. Redaktorët e fjalorit vunë në dukje se përdorimi i termit ‘post-truth’ në vitin 2016 ishte rritur gati 2000 % në krahasim me vitin e kaluar. Kjo rritje e jashtëzakonshme ka pasur lidhje të drejtpërdrejtë me referendumin për BE-në në Mbretërinë e Bashkuar dhe fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Edhe në shqip ne përdorim togfjalësha si ‘pas-luftës’, ‘pas-dasmës’ ose edhe shprehjen popullore ‘si kofini pas-të-vjeli’, për të përshkruar një periudhë në të cilën diçka ka mbaruar dhe një situatë krejt tjetër mbizotëron. ‘Post-truth’ pra përdoret për të treguar se të vërtetës i ka ikur koha, me faktet s’merret më njeri, dhe njerëzit orientohen nga emocionet, nga ndjenjat dhe paragjykimet. Pikërisht këtyre dijnë t’iu drejtohen më së mirë politikanët, duke i shfrytëzuar ato për përfitimet e tyre. Faktet janë kthyer në diçka të bezdishme, të neveritshme, që ua ngrenë nervat njerëzve. Nuk është çudi që urrejtja, racizmi, nacionalizmi ekstrem, e kanë mbytur logjikën dhe faktet. Prandaj sheh njerëz jeta e të cilëve varet nga programet sociale të votojnë në masë për partinë që premton shkurtimin e programeve sociale; punëtorë të varfër që ankohen se nuk iu dalin paratë, të votojnë për kandidatin që iu premton se do t’i pakësojë taksat e të pasurve; imigrantë që votojnë për masa të rrepta kundër imigrantëve; njerëz që dëshirojnë të lutfojnë korrupsionin dhe votojnë për kandidatët më të korruptuar; konservatorë që duan familje të rregullta e të pastra, që votojnë për manjakë seksualë të deklaruar. Rëndësi ka kush të prek telat e zemrës, jo kush të jep fakte me të cilat duhet të lodhësh kokën. Eshtë epoka e pas-të-vërtetës.


Friday, November 4, 2016

Kurajoja për t’u qytetëruar



Në luftën e Parë Botërore Kanadaja, e rreshtuar me forcat aleate, luftonte ndër të tjera edhe kundër Perandorisë Austro-Hungareze, ku përfshihej një pjesë e Ukrainës së sotme. Nga 1914 deri në 1920 qeveria kanadeze internoi dhe izoloi në 24 kampe pune me mijëra familje ukrainase. Në 25 Nëntor, 2005 Senati Kanadez miratoi një ligj që pranonte përgjegjësinë e qeverisë kanadeze për këtë veprim të shëmtuar, duke i hapur rrugën bisedimeve me komunitetin ukrainas për mënyrën e dëmshpërblimit, kryesisht përmes projekteve edukues dhe përkujtues për këtë ngjarje.
Në Luftën e Dytë Botërore qeveria kanadeze kreu një veprim të ngjashëm, kësaj rradhe ndaj qytetarëve me prejardhje japoneze. Pavarësisht se shërbimet  informative në vend jepnin garanci se qytetarët kanadezë  me prejardhje japoneze nuk përbënin rrezik për vendin, politikanët ndërmorën hapin e turpshëm të shpërnguljes me forcë të mijëra familjeve dhe izolimit të tyre në kampe pune. Në 1988, Kryeministri Brian Mulroney iu kërkoi publikisht ndjesë personave dhe familjeve që ishin prekur drejtpërdrejt nga internimet. Qeveria akordoi një paketë simbolike kompensimi prej 300 milion dollarësh.
Në 11 Qershor 2008 Kryeministri Stephen Harper bëri një deklaratë ku iu kërkonte ndjesë mijëra nxënësve aborigjinalë që ishin detyruar me forcë të ndiqnin Shkollat Residenciale. Shkollat Residenciale ishin një sistem asimilimi i hartuar nga Qeveria Kanadeze në bashkëpunim me Kishën e Krishterë për t’i detyruar fëmijët e banorëve aborigjinalë të hiqnin dorë nga identiteti i tyre etnik, kulturor dhe fetar, për t’u konvertuar në të krishterë, për të harruar gjuhën e të parëve. Sipas një programi familjeve aborigjinale iu merreshin fëmijët që në moshën 5 ose 6 vjeç për t’i  dërguar  të ndiqnin shkollën në konvikte të posaçme. Që në vitin 1880 e deri në  1996 mbi 150,000 fëmijë vuajtën poshtërimin, dhunën fizike, seksuale dhe mendore, proces që solli si rezultat humbje jete, trauma psikologjike dhe rrënim shpirtëror për breza të tërë vendasish. Pasojat e kësaj politike ndihen edhe sot në shumë komunitete të Kombësive të Para, Inuite dhe Meti.  
Qeveritë dhe politikanët gabojnë. Edhe shoqërit ë gabojnë. Ata pasqyrojnë mendësinë e kohës me të mirat dhe të metat e veta. Dallimi midis shoqërive dhe kombeve të përparuar nga ato të prapambetur është padyshim dëshira, vullneti për t’i parë dhe pranuar gabimet, për të kërkuar ndjesë, dhe për të  korriguar vetveten. Pa një proces të tillë nuk mund të ketë përparim.
Muajin e kaluar Presidenti Bujar Nishani dekoroi 82 viktima të një krimi të pashembullt të kryer nga komunistët shqiptarë, një pushkatim masiv krejtësisht i panevojshëm. Krimi nuk mbaroi aty. Ai vazhdoi me persekutimin e vazhdueshëm të familjeve dhe të afërme të 82 viktimave gjatë gati gjysmë shekulli të regjimit komunist, njerëz të cilët me anë të një logjike krejtësisht të mbrapshtë që vetëm perversiteti i regjimit komunist mund ta shpikte, u konsideruan armiq – u burgosën, u dërguan në kampe pune e internime, iu mohua e drejta për të studiuar në universitet, iu mohuan vende pune, iu mohuan e drejta për të qënë anëtarë të barabartë të shoqërisë. Viktima të drejtpërdrejta të këtij krimi nuk janë vetëm 82 të pushkatuarit, por edhe me qindra familjarë të tyre.
Shtatëdhjetë e dy vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri vazhdon të mbizotërojë e njëjta mendësi. Një pjesë e madhe popullsisë vazhdon të mbetet e ndarë në të nëjtat kampe – komunistët dhe ballistët, komunistët dhe anti-komunistët. Dy partitë kryesore të vendit janë pozicionuar de-juro pak a shumë në të njëjtat pozicione antagoniste – pro komunistëve, pro anti-komunistëve. Vendi s’ka bërë as hapin më të vogël për t’i dhënë fund këtij antagonizmi pa kuptim.
Dekreti nuk kërkonte as identifikimin e vrasësve dhe persekutorëve, as hakmarrje, as shpagim. Kërkonte vetëm njohje institucionale të një krimi të kryer. Sipas të gjitha standarteve bashkëkohore, vrasja masive e njerëzve, ekzekutimi në grup, pa gjyq të rregullt, me urdhër nga lart, përbën krim. Mbas dekretit të Presidentit Nishani (që i përket kampit anti-komunist) vërshuan komentet komuniste, duke bartur të njëjtin mentalitet sikur të ishte 1943, 1973 apo 1983. “Po na dekorojnë ballistët; po na dekorojnë armiqtë dhe tradhëtarët; po dekorohen ata që u lidhën me fashistët, me nazistët.” Në ndihmë, si gjithmonë, erdhi nje grupim i pështirë propagandistësh amatorë partiakë që gëlon në të gjithë mediat dhe që nuk mënguan të sjellin ofshamat e Vito Kapos e rënkimet e kufomave të tjera të komunizmit që s’merret vesh përse vazhdojnë të trembin kalamajtë në mes të ditës.
Dekreti i Nishanit ishte veprimi më minimal që mund të bëhej për ato 82 viktimave dhe qindrave të tjerëve rreth tyre. Mënyra e reagimit ndaj tij tregoi se institucionet e tjera të shtetit dhe një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë nuk e përkrahën atë. Turp!
E vetmja rezervë që kam kundër atij dekreti është që atë duhet ta kishte inicuar krahu tjetër politik, ai që është de-facto pro-komunist, megjithëse botës i hiqet sikur i ka prerë lidhjet me komunizmin. Dekretin duhet ta kishte propozuar Edi Rama, duhet ta kishte shkruar Gramoz Ruci, ta kishte financuar Koço Kokëdhima, ta kishin firmosur gjithë kasketat dhe kostumet e dokut që janë ende gjallë por që s’shprehin asnjë pendim, asnjë shenjë turpi për atë që është bërë dhe asnjë shenjë keqardhje për viktimat e shkaktuara. Vetëm nëse do ta kishin nisur ata vetë debatin shqiptarët do të mund të mendonin seriozisht për pajtimin.
Në çdo vend të botës shoqëritë janë të detyruara të merren me plagët e të kaluarës. Ato kanë dy rrugë – ose të kapërcejnë vetveten, t’i pranojnë ato dhe të ripërtërihen për të ecur më tej, ose t’iu shmangen, t’i injorojnë apo, edhe më keq ende, të vazhdojnë t’i majisin. Shumë vende, duke përfshirë edhe Kanadanë, kanë përfituar nga shembulli Afrikës së Jugut në mënyrën se si ata vepruan në fillim të viteve 1990të kur hoqën qafe aparteidin. Fatmirësisht jetën politike të Afrikës së Jugut të asaj kohe e dominonin dy politikanë, dy njerëz me të vërtetë të mençur dhe me vizion për të ardhmen, Nelson Mandela dhe F.W. de Klerk – jo rastësisht ndarës të çmimit Nobel për paqe. Këta kërkuan dhe gjetën një precedent të ngjashëm me Afrikën e Jugut – atë që kishte ndodhur në Kili pas rënies së Pinoçetit. Ata i kërkuan takim presidentit të atëhershëm të Kilit dhe biseduan gjatë me të. Rezultati ishte Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit (Truth and Reconciliation Commission).
Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit ishte një institucion pak a shumë gjyqësore i ngritur për të rivendosur drejtësinë në Afrikën e Jugut. Ai organizonte në të katër anët e vendit seanca publike, më së shumti të transmetuara edhe në TV, ku njerëzit dëshmonin për përndjekjet politike që iu ishte bërë në kohën e aparteidit. Në to dëshmonin viktimat, dhe ftoheshin që të flisnin edhe ata që kishin kryer krime me motiv politik. Atyre që flisnin publikisht për krimet e tyre nuk iu kërkohej asgjë tjetër, vetëm të dëshmonin me hollësi ç’kishte ndodhur. Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit kishte të drejtën që atyre që dëshmonin t’iu jepte amnisti.
Nuk bëhej fjalë për fitues të rinj të arenës politike që donin të hakmerreshin ndaj torturuesve të tyre të hershëm. Nuk bëhej fjalë për hakmarrje. Bëhej fjalë për pajtim. Bëhej fjalë për pranim haptazi të një armiku të përbashkët të kombit afrikan – racizmi dhe aparteidi – dhe për demaskim të tij. Bëhej fjalë për gjetjen e rrugës më efikase për ta shpëtuar kombin nga një e keqe e madhe.
Gjatë luftës së Dytë Botërore për shqiptarët armik i përbashkët ishin ata që na pushtuan. Ne gjetëm mënyrën të vrasim më shumë njeri-tjetrin se sa armikun e përbashkët. Pastaj, për pesëdhjetë vjet armiku i përbashkët u bë varjanti enverist i komunizmit. Kjo formë perverte, dështake e diktaturës që e ktheu vendin në një burg gjigand me disa shtresa burgimi ishte armiku i të gjithëve shqiptarëve, me përjashtim të një grushti të vogël njerëzish të afërm të Enver Hoxhës. Ky armik mbetet ende i pacënuar. Jo vetëm kaq, por ka ende parti politike, duke përfshirë edhe partinë në pushtet, që nuk pranojnë dhe nuk dëshirojnë të dalin dhe të dënojnë komunizmin enverist. Ne kemi ende forca politike dhe shoqërore që mbështesin krimet e përbindshme të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, duke përfshirë edhe pushkatimin e 82 shqiptarëve të pafajshëm dhe persekutimin për pesëdhjetë vjet të familjeve të tyre. Për aq kohë sa kjo pjesë e popullsisë nuk do të gjejë mënyrën të pranojë krimet e kryera, qoftë edhe 72 vjet më parë vendi nuk mund të ketë asnjë mënyrë pajtimi dhe zhvillimi normal. Në këtë rast fajin, topin në dorë, e kanë jo vetëm politikanët, por edhe zgjedhësit e tyre, jo vetëm aktivistë e partisë, por edhe gazetarët, edhe gjithë media që i fryn urrejtjes dhe përçarjes.
Nuk është e nevojshme që Shqipëria të ndjekë hap pas hapi të njëjtin proces që u praktikua në Kili dhe në Afrikën e Jugut. Por diçka duhet bërë sepse Lufta e Dytë Botërore ka 73 vjet që ka mbaruar, Komunizmi ka 25 vjet që ka rënë dhe ne vazhdojmë, për turp të botës, me të njëjtën mendësi t’i hakërrehemi njeri-tjetrit, pa pasur kurajon për t’u qytetëruar.