Keni dëgjuar të flitet për Mbretëreshën Nzinga, prijësen nga
Afrika Perëndimore që iu vuri dërmën tregëtarëve të skllevërve dhe nuk i la të
nënshtronin popullin e vet? Ka shumë mundësi që jo, pasi historia e Afrikës
tregohet më së shumti sipas varjanteve të europianëve, dhe jo si ka ndodhur në
të vërtetë.
Në shekullin e 17të pjesa perëndimore e Afrikës, pak a shumë
aty ku sot ndodhet Anglola, ishte e ndarë në dy mbretëri. Këto dy mbretëri do t’i
bashkonte në një të vetme dhe të fuqishme një grua me aftësi të rralla – Mbretëresha
Nzinga.
I ati i Nzingës ishte King Ndongo, i cili sundonte mbi gjysmën
e kombit të ndarë të Angolës. Në atë kohë mbretëria e Ndongos ishte në luftë me
armiqtë e tyre në Kongo. Kjo ishte situata nga e cila përfituan misionarët
portugezë në tregëtinë e tyre të skllevërve. Mbreti Ndongo u vu në anën e
portugezëve me kusht që këta të mos merrnin skllevër nga Anglola, dhe portugezët
e respektuan marrëveshjen për sa kohë që ai ishte gjallë. Por pas vdekjes së
tij ata nuk e panë fare të arsyeshme që t’i qëndronin fjalës. I rrasën në burg edhe
të birin edhe të nipin dhe vunë nën kontroll gjithë mbritërinë.
Këtu fillon historia e Nzingës, e cila s’kishte ndërmend ta
linte mbretërinë e të atit t’i rrëshqiste nga duart. Ajo vajti drejt e në zyrën
e guvernatorit portugez për t’i kërkuar jo vetëm lirimin e të vëllait, por edhe
të të gjithë skllevërve angolezë.
Sipas legjendës, guvernatori nuk denjoi as t’i ofronte Nzingës
të ulej në karrige dhe e la të fliste në këmbë. Por Nzinga, që gjithmonë mbante
nja 50 shërbëtërë me vete, nuk e prishi terezinë. Ajo urdhëroi njërin nga shërbëtorët
të ulej në gjunjë dhe të mbështetej në bërryla dhe vetë iu ul mbi kurriz. Gjesti
i Nzingës pati efektin e duhur gjatë bisedimeve. Por efektin më të madh e pati
kur nga fundi i bisedës ajo e urdhëroi shërbëtorin të ngrihej dhe pa i bërë
syri tërr ia shqeu gurrmazin me thikë. Guvernatori e kuptoi se kishte të bënte me një njeri të fuqishëm.
Portugezët
i liruan të burgosurit angolezë, duke përfshirë edhe vëllanë dhe nipin e Nzingës.
Ndërsa kjo i vrau të dy, pasi nuk kishte ndërmend të mbante rrotull rivalë për
fronin. Pas një lufte të ashpër për pushtet në 1624ajo u shpall mbretëreshë.
Ajo pati vazhdimisht kundërshtarë të shumtë, pasi ideja e një sovraneje femër nuk
pranohej lehtë. Në vitin 1629 Mbretëresha Nzinga arriti të krijonte një koloni
të madhe në rajon të quajtur Matamba, dhe shpresonte t’i mposhtte përfundimisht
portugezët ose të paktën t’i bindte ata të hynin në marrëveshje me të. Më në
fund portugezët u dorëzuan në vitin 1656 dhe për dhjetë vitet që pasuan Mbretëresha
Nzinga sundoi e patrazuar duke arritur ta shmangte kolonializimin e popullit të
saj. Në fakt, Angola ruajti një farë pavarësie për një kohë të gjatë. Mbretëresha
Nzinga vdiq në 1663 kur i kishte kaluar të tetëdhjetat dhe mbahet mend si një
luftëtare e ashpër. Ajo nderohet sot në të katër anët e Afrikës.