Friday, April 21, 2017

Mbretëresha Nzinga



Keni dëgjuar të flitet për Mbretëreshën Nzinga, prijësen nga Afrika Perëndimore që iu vuri dërmën tregëtarëve të skllevërve dhe nuk i la të nënshtronin popullin e vet? Ka shumë mundësi që jo, pasi historia e Afrikës tregohet më së shumti sipas varjanteve të europianëve, dhe jo si ka ndodhur në të vërtetë.
Në shekullin e 17të pjesa perëndimore e Afrikës, pak a shumë aty ku sot ndodhet Anglola, ishte e ndarë në dy mbretëri. Këto dy mbretëri do t’i bashkonte në një të vetme dhe të fuqishme një grua me aftësi të rralla – Mbretëresha Nzinga.
I ati i Nzingës ishte King Ndongo, i cili sundonte mbi gjysmën e kombit të ndarë të Angolës. Në atë kohë mbretëria e Ndongos ishte në luftë me armiqtë e tyre në Kongo. Kjo ishte situata nga e cila përfituan misionarët portugezë në tregëtinë e tyre të skllevërve. Mbreti Ndongo u vu në anën e portugezëve me kusht që këta të mos merrnin skllevër nga Anglola, dhe portugezët e respektuan marrëveshjen për sa kohë që ai ishte gjallë. Por pas vdekjes së tij ata nuk e panë fare të arsyeshme që t’i qëndronin fjalës. I rrasën në burg edhe të birin edhe të nipin dhe vunë nën kontroll gjithë mbritërinë.
Këtu fillon historia e Nzingës, e cila s’kishte ndërmend ta linte mbretërinë e të atit t’i rrëshqiste nga duart. Ajo vajti drejt e në zyrën e guvernatorit portugez për t’i kërkuar jo vetëm lirimin e të vëllait, por edhe të të gjithë skllevërve angolezë.
Sipas legjendës, guvernatori nuk denjoi as t’i ofronte Nzingës të ulej në karrige dhe e la të fliste në këmbë. Por Nzinga, që gjithmonë mbante nja 50 shërbëtërë me vete, nuk e prishi terezinë. Ajo urdhëroi njërin nga shërbëtorët të ulej në gjunjë dhe të mbështetej në bërryla dhe vetë iu ul mbi kurriz. Gjesti i Nzingës pati efektin e duhur gjatë bisedimeve. Por efektin më të madh e pati kur nga fundi i bisedës ajo e urdhëroi shërbëtorin të ngrihej dhe pa i bërë syri tërr ia shqeu gurrmazin me thikë. Guvernatori e kuptoi se kishte të bënte me një njeri të fuqishëm.
Portugezët i liruan të burgosurit angolezë, duke përfshirë edhe vëllanë dhe nipin e Nzingës. Ndërsa kjo i vrau të dy, pasi nuk kishte ndërmend të mbante rrotull rivalë për fronin. Pas një lufte të ashpër për pushtet në 1624ajo u shpall mbretëreshë. Ajo pati vazhdimisht kundërshtarë të shumtë, pasi ideja e një sovraneje femër nuk pranohej lehtë. Në vitin 1629 Mbretëresha Nzinga arriti të krijonte një koloni të madhe në rajon të quajtur Matamba, dhe shpresonte t’i mposhtte përfundimisht portugezët ose të paktën t’i bindte ata të hynin në marrëveshje me të. Më në fund portugezët u dorëzuan në vitin 1656 dhe për dhjetë vitet që pasuan Mbretëresha Nzinga sundoi e patrazuar duke arritur ta shmangte kolonializimin e popullit të saj. Në fakt, Angola ruajti një farë pavarësie për një kohë të gjatë. Mbretëresha Nzinga vdiq në 1663 kur i kishte kaluar të tetëdhjetat dhe mbahet mend si një luftëtare e ashpër. Ajo nderohet sot në të katër anët e Afrikës.


No comments: