Friday, March 31, 2017

Tre veçori të një katedraleje – dhe ca mendime shtesë



Fasada e Bazilikës me shqiponjën dykrenare
Kjo është Katedralja e Basilikës Santa Maria de Menor në Santo Domingo, kryeqyteti i Republikës Dominikane. Emri është paksa i gjatë, por kisha, në pamje të parë një ndërtesë e zakonshme kulti e stilit gotik, të bën përshtypje me të tjera veçori të saj.
Së pari, Santa Maria de Menor është katedralja e parë e ndërtuar në Botën e Re. Guri i themelit u vu në vitin 1512 dhe ndërtimi përfundoi në 1540. Tepër interesante po të mendosh që Kristofor Kolombi kishte vetëm 30 vjet që kur ishte bërë europiani i parë që shkelte në Botën e Re.  Kisha është goxha e madhe dhe duhet të ketë kërkuar shumë fuqi punëtore për t’u ndërtuar. Dhe duhet të kenë qënë të kryesisht skllevër të porsa sjellë nga Afrika, pasi në kohën kur është filluar ndërtimi i saj Kolombi dhe horrat e tij kishin arritur ta shfarosnin të gjithë popullsinë vendase.
Së dyti, mua s’kishte se si të mos më bënte përshtypje simboli i shqiponjës dy krenare mbi portalin e fasadës kryesore të katedrales. Kuptohet që fillimisht mendja më shkoi që arkitekti, ose mjeshtrat që e kanë punuar fasadën të kenë qënë shqiptarë. Por pastaj, e qetësova veten dhe fillova të vrisja mendjen se si ky simbol, aq i përhapur në mesjetë, tani në kohët moderne na ka mbetur vetëm ne, shqiptarëve, ndërsa të tjerët e kanë braktisur.
Së treti kisha, dhe sidomos historiku i saj më bënë të vras pak mendjen për interpretimin e historisë. Ciceroni, një vendas me njohuri mjaft të mira mbi historinë ndër të tjera vuri në dukje faktin që katedralja ishte plaçkitur dikur nga pirati Francis Drake.  Këtë fakt e theksoi jo një herë, por tri, si për të na kujtuar se kjo ishte tepër e rëndësishme dhe duhej mbajtur mirë parasysh.
Interiori i Katedrales

Francis Drake është figurë historike kontradiktore. Ai është hero për dikë, dhe pirat plaçkitës për dikë tjetër. Për anglezët ai ka qënë një kapiten, lundrues dhe politikan i periudhës Elisabetiane. Është lundërtari i dytë që ka kryer rrethrrotullimin përqark globit në 1577 – 1580, dhe i pari që arriti ta përfundonte atë si kapiten (Magelani vdiq në gjysmë të rrugës). Mbretëresha Elizabetë I i dha titull aristokratik dhe anglezët e vunë të dytin në komandë në kohën kur flota e tyre luftonte me armadën spanjolle.
Ndërkohë, nga spanjollët ai shihet si një pirat plaçkitës, që vërtitej në ujrat e karaibeve dhe iu sulmonte anijet dhe fortifikimet. Ata e njihnin me emrin El Draque. Aq i padëshirueshëm ishte, saqë Mbreti Filip II kishte premtuar 20,000 dukate për kokën e tij (rreth 6.5 milion dollarë me paratë e tanishme).  
Në një moment të caktuar historik El Draque kishte sulmuar Santo Domingon, e kishte pushtuar atë dhe kishte plaçkitur gjithë vlerat e grumbulluar në katedralen e Basilikës të Santa Maria de Menor. Ishte vërtet për t’u revoltuar, se si një anglez lëshohej nga deti, hynte me dhunë në qytetin e porsa themeluar dhe iu vidhte spanjollëve sendet me vlerë të grumbulluara në faltoren e tyre.
Megjithatë, duke dëgjuar këtë histori revoltuese nuk mund të mos më bënte përshtypje se si nuk revoltohej ciceroni me faktin që këta spanjollët kishin mbërritur aty pesëdhjetë vjet më parë, kishin gjetur rreth 3 milion njerëz të qetë, a paqedashës, që jetonin në tokat e tyre prej mijëra vjetësh dhe, jo vetëm që iu kishin marrë gjithçka – tokën, detin, shtëpitë - por edhe i kishin vrarë dhe zhdukur nga faqja e dheut me burra, gra, fëmijë, foshnja (vetë ciceroni përmendi shkarazi, por pa emocion, se spanjollët kishin zhdukur njëqind përqind të popullsisë së ishullit).
Mauzoleumi i Kristofor Kolombit në Santo Domingo
Ja ku ishte, një njeri krejtësisht normal dhe logjikisht i moralshëm, i arsimuar dhe elokuent, por që i vënë përpara dy fakteve historike, revoltohej me një vjedhje të thjeshtë sendesh që edhe mund të kenë qënë me vlerë, dhe injoronte, ose nuk arrinte të kapte dramacitetin e zhdukjes së një qytetërimi të tërë dhe të gjithë popullsisë që e ruante atë prej shekujsh. Dhe, ndërsa pirati El Draque urrehet dhe përbuzet nga dominikanët, vrasësist masiv Kristofor Kolombi i është ngritur një mauzoleum gjigand, doshta ndërtesa më impresionuese në të gjithë vendin dhe nderohet e respektohet si super hero.

Sa të indoktrinuar jemi nga mënyra se si na është injektuar historia e popullit dhe kulturës tonë nga shkolla dhe familja? Sa të droguar jemi nga propaganda nacionaliste? A jemi ne në gjendje, dhe jo vetëm ne, por kushdo në botë, që t’i shohim gjërat me gjak të ftohtë dhe me sy objektiv, përtej bindjeve të krijuara që në fëmijëri dhe të përforcuara në mënyrë subjektive? Shumë nga ne kemi bindjen që anë të caktuara të historisë janë të padiskutueshme, të paprekshme, të shenjta dhe nuk duhen ngacmuar. A s’do të ishte më mirë të ishim më mendjehapur dhe më të vëmendshëm për të dëgjuar dhe pranuar edhe interpretime alternative?

No comments: