Nga të
gjitha fjalët që nuk i kemi në shqip kjo është më befasuesja. Si është e mundur që pikërisht kjo fjalë të mos ketë një të
barazvlefshme të plotë në gjuhën tone; si është e mundur që një populli kaq letërsidashës,
ose më saktë, kaq letërsiprodhues t’i mungojë një prej fjalëve më thelbësore të
fjalorit të prodhimit letrar – fiction? Si është e mundur që një komb që mund të
ketë përqindjen më të lartë të fiction-shkruesve dhe fiction-botuesve në botë të
mos ketë fjalë për përshkruar termin fiction? Si është e mundur që zanatçinjve
të profesionit më të përhapur në vend t’iu mungojë fjala më thelbësore e mundit
dhe djersës së tyre intelektuale?
E di, do të
thoni që kemi fjalë të tjera, që përdorim fjalën ‘roman’, ose ‘tregim’, ose
‘letërsi artistike’. Por asnjëra nga këto nuk është e njëjtë me fjalën
‘fiction’. Roman dhe tregim janë zhanre të letërsisë. Letërsi artistike është
tepër e përgjithshme. Në fund të fundit, një letërsi mund të jetë ‘fiction’ dhe
t’i mungojë arti, të mos jetë fare artistike. Ose mund të jetë non-fiction dhe
të jetë shkruar gjithë art.
Fjala
‘fantazi’? Jo, as kjo nuk e zëvendëson. Trillim, siç e përkthen ‘google
translate’? Diku afër, por trillim është më e gjërë, sepse është më pranë fjalës
‘gënjeshtër’.
Ja si përkufizohet ‘fiction’ në një fjalor anglisht:
1.
Letërsi në formë proze, veçanërisht tregimesh
dhe romanesh, që përshkruan ngjarje dhe personazhe të përfytyruar
2.
Shpikje dhe gënjeshtra, e kundërta e fakteve
3.
Besim ose thënie që është e rreme, por që shpesh
mbahet si e vërtetë sepse kështu është më e leverdisshme
Nga të tre përkufizimet, unë mendoj se kyçi për zgjidhjen e enigmës
se përse nuk ka në shqip një fjalë e barazvlefshme me fjalën ‘fiction’ qëndron
te i dyti. Pikërisht te përballja e ‘fiction’ me të kundërtën e vet ‘fakt’ qëndron
përgjigja – ne, si popull, e kemi të vështirë të dallojmë faktin nga fiction. Për
ne, të dyja këto nocione janë të shkrira te njëra tjetra, të pandashme, të
pakundërvënëshme. Kjo është edhe arsyeja që nuk kemi fjalë për të shprehur
dallimin midis tyre.
Në lëmin e letërsisë, për shembull, ne thuajse na mungon
plotësisht letërsia faktike, dokumentare, e bazuar në të dhëna dhe e besueshme
për vërtetësinë e saj. Autorët shqiptarë të letërsisë ‘non-fiction’ s’e kanë
pasur asnjëherë për gjë të përzjejnë fantazinë me ralitetin, të shpërfillin
ndarjen midis tyre, të ngatërrojnë faktet ose t’i zgjedhin dhe interpretojnë ato sipas qefit të tyre. Vepra
dokumentare të mirëfillta, biografi të njerëzve të shquara, histori të
periudhave të caktuar, që të jenë bazuar plotësisht në fakte dhe në
interpretimin e paanshëm dhe jopolitik të tyre gjenden shumë rrallë të shkruara
në gjuhën shqipe. Letërsia faktike është ndoshta pjesa më e dobët e korpusit të
letrave shqip (të më falin ata pak autorë që kanë bërë punë të shkëlqyera në këtë
fushë).
E gjitha kjo e le letërsinë fiktive (ou, po përpiqem të përshtat
një fjalë të huaj) pa të kundërtën e saj, duke ia hequr fare nevojën për t’u përcaktuar
si e tillë. Prandaj edhe më së shumti ne përdorim fjalën ‘letërsi’, pa marrë
mundimin të sqarojmë që ajo është prodhim i imagjinatës. Në fund të fundit, ne
e marrim të mirëqënë që kur njeriu ulet të shkruajë gërma të zeza në fushë të
bardhë, kombinimi i tyre duhet të jetë patjetër frut i fantazisë dhe dëshirave
tona dhe nuk ka nevojë të ketë asnjë lidhje me realitetin. Fakt dhe fiction
për ne janë një, prandaj s’kemi pasur anjë nevojë t’i dallojmë nga njëra tjetra
me fjalë të ndryshme.