Monday, July 1, 2019

Kaos

Forcat politike në Shqipëri i kanë hyrë një rruge pa krye dhe askush nuk ka ndërmend të lëshojë pè. Të dy krahët janë zhytur në llum deri në fyt dhe partizanët e tyre kanë plotësisht të drejtë kur akuzojnë palën tjetër për korrupsion, paaftësi, mendjeshkurtësi, keqdrejtim, e gjithçka tjetër. Është provuar se kreu i partisë në pushtet është e lidhur me krimin, ka manipuluar zgjedhjet dhe duhet të kishte dhënë dorëheqjen shumë kohë përpara se t’i hynte punës për organizmin e zgjedhjeve të tjera, ndërkohë që dihet mirëfilli se kryetari i opozitës është i paaftë t’i drejtojë të vetët drejt fitores dhe ka bërë lëvizje nga më të gabuarat, ndër të cilat largimi nga parlamenti është më i vogli kurse mos-distancimi dhe marrja me vete e bagazheve të vjetra ndoshta më i rëndësishmi. Edhe forca e tretë e përfshirë në këtë valle dyshe, e cila shprehet përmes çiftit me konflikt të hapur interesi President-Kryetare Partie është po aq ose më tepër e korruptuar se të dy të tjerat. 
Në rrafshin institucional, Presidenti ka shtyrë zgjedhjet, vendim të cilin nuk e pranon Kryeministri që organizon një farsë më qesharake se poturet e veta për ta quajtur zgjedhje, ndërsa Parlamenti bëhet gati të shkarkojë Presidentin përpara se ky të shpërndajë Parlamentin, veprime që duhet t’i gjykonte të ligjshme apo jo vetëm një Gjykatë Kushtetuese të cilën Kryeministri e ka shpërbërë me kohë për të kryer një Reformë në Drejtësi që ai s’ka të drejtën morale as ta kërkojë dhe as ta bëjë.
Me një fjalë është një çorbë politike, një krizë institucinale e papërfytyrueshme të cilën të huajt duket qartë se s’dijnë si ta kuptojnë dhe prandaj s’mund të japin asnjë këshillë tjetër veç porosive për shmangien e dhunës. Aq e çoroditur është situata për ndërkombëtarët dhe ata që janë brenda në Shqipëri, saqë është arritur që krahu pro-Merkel të marrë kërcënime nga gjermanët, ndërsa krahut pro-Trump t’i tundet kartoni i verdhë nga një zëvendës-sekretar shteti, veprime që, kuptohet, janë pritur me injorimin e zakonshëm që liderat politikë dhe analistët iu bëjnë ndërkombëtarëve sa herë që këta iu venë kundër avazit.
Kopetë e mbështetësve të bindur të të dy krahëve janë lëshuar entuziastë nga të dy anët e një ure të ngushtë dhe janë gati t’i shqyejnë gurrmazin njëri-tjetrit vetëm e vetëm që të mos hapin rrugë, ndërkohë që të gjithë e dijnë fare mirë se përleshja do të hajë vetëm kokat e tyre dhe të gjitha gjasat janë që ata, krerët, përgjegjësit kryesorë të gjendjes, të dalin pa lagur nga i gjithë ky rrebesh.
Individualisht, krerët e partive dhe institucioneve e kanë humbur krejtësisht torruan. Njëri u vërtit në një fushatë imagjinare duke bërë shakara pa kripë, me zhargon halabaku dhe me një kapelë alla trump që ua ngre zemrat peshë enveristëve që e brohorasin ngado shkon dhe që i hedhin votat e tyre, si gjithmonë me idenë se ato janë plumb për armikun. Tjetri ulëret kot më kot, kërcënon, hedh shashka dhe nxjerr kalamaj në rrugë duke kërkuar gjëra që edhe vetë është i bindur që nuk mund të realizohen. Ai i treti, ai i presidencës, nxjerr dekreta pa vlerë, kërkon t’i vijnë në takim ata që s’ia varin dhe shkruan hartime që të pështjellojnë zorrët e barkut. Vendi kapërcen datën e zgjedhjeve sepse nuk mund të ndalë kalendarin, por zgjedhjet as janë bërë dhe as janë çbërë. Të dy kryetarët janë vënë në kërkim të mbështetësve ndërkombëtarë dhe s’është fare çudi që njëri të gjejë dikë që të thotë se zgjedhjet janë në të pranueshme, dhe tjetri të gjejë dikë tjetër që të thotë se ato nuk janë. Tridhjetë Qershori as nuk mund të zgjidhte, dhe as zgjidhi gjë. 
A ka zgjidhje?  
Pyetja është a ka zgjidhje të vërtetë, përveç zgjidhjeve idiote që propozojnë analistët në emisionet e Fevziut dhe Zhejit të cilët duken më të bezdisur dhe më të acaruar se kurrë nga ato që thonë të ftuarit në studio dhe s’i lënë rradhë njeriu të lidhë një fjali nga fillimi deri në fund? Pra, a ka zgjidhje përtej zgjidhjeve të pamundura për t’u realizuar që jep sozia që drejton opozitën dhe shakarave pa kripë të reinkarnimit të Duçes si Kryeministër i Shqipërisë? A ka zgjidhje përtej shpresës perverse të disa ‘inteligjentëve’ që mendojnë se demokratizimin, pastrimin, katharsisin mund ta sjellë vetëm një masakër vëllavrasëse dhe përtej të gënjyerit e vetes dhe të të tjerëve se duke bërë një palo zgjedhje të rreme, në një pjesë të bashkive, me nga një kandidat të vetëm të një partie, do të arrish të legjitimizosh pushtetin dhe do të vazhdosh të mbretërosh i lumtur forever after? 
Ka dy zgjidhje - një afatshkurtër dhe një afatgjatë. 
Zgjidhja afatshkurtër është dalja nga kriza e fortë për momentin. Tërheqja një herë e mirë nga politika e të dy përgjegjësve kryesorë - Ramës dhe Bashës. Organizimi i zgjedhjeve për të ripërtërirë kryesitë e të dyja partive. Krijimi i një qeverie teknike, mundësisht me njerëz sa më pak të angazhuar e cila do të mbikqyrë përsëritjen e zgjedhjeve lokale - jo këtë vit, tjetrin. Deri në atë kohë le të vazhdojnë të kullosin kryetarët e tanishëm të bashkive, se nuk u bë qameti. 
Zgjidhja afatgjatë, që kërkon domosdoshmërisht të kuptuarit e problemit afatgjatë. Dhe problemi është te ekonomia - te paraja. Kërkon të kuptohet se si është e mundur që nuk arrijmë të bëjmë dot një shtet demokratik dhe që kushdo që vjen në krye korruptohet, vepron si autoritar, grumbullon pushtet më shumë se i takon, fillon të vjedhë vota dhe nuk do të largohet nga pushteti. Po nuk u gjet arsyeja se përse ndodh kjo, atëherë do të ndodhë përsëri e njëjta gjë, jo vetëm me Edin dhe me Lulin, por edhe me Tedin dhe me Bulin, me këdo që të vihet. 
Përgjigja është si gjithmonë te ekonomia, ta paraja, te arsyeja përse votojnë njerëzit. Njerëzit në Shqipëri nuk votojnë për ta bërë vendin më mirë. Njerëzit në Shqipëri votojnë për të zgjedhur atë që do t’i garantojë qëndrimin në punë nëse e kanë, ose kapjen e një vendi pune, nëse nuk e kanë ose e kanë humbur. 
Përderisa Shqipëria të ketë një papunësi marramendëse dhe përderisa punëdhënësi më i madh, me ndryshim të ndjeshëm nga të gjithë punëdhënësit e tjerë të marrë së bashku, të mbetet shteti, njerëzit do të vazhdojnë të votojnë për të kapur vendet e punës, ndërsa demokracia ka për të mbetur një mirazh në shkretëtirë. 
Ndarjet në ‘të majtë‘ e në ‘të djathtë‘ në Shqipëri janë budallëqe me brirë, janë arbitraritete dhe për shumicën e shqiptarëve nuk kanë pikë kuptimi. Pjesa më e madhe e atyre që votojnë për Partinë Socialiste nuk e bëjnë këtë ngaqë duan kthimin e Enver Hoxhës, kthimin e kooperativave, heqjen e pronës private dhe vendosjen e diktaturës së proletariatit. Nuk e bëjnë as ngaqë shpresojnë të vihen programe sociale, të ndihmohen të varfërit, të zvogëlohen ndryshimet midis të ardhurave të punëtorit të thjeshtë dhe fitimeve të super të pasurve. Po të urrenin të pasurit ata do të ishin të gjithë kundër Edi Ramës dhe horrave të tjerë rreth tij. Por nuk janë. Ndërsa shumica e atyre që mbështesin Partinë Demokratike as që e vrasin mendjen se po luftojnë komunizmin, një sistem që ka tridhjetë vjet që është fshirë dhe që shumë prej tyre as ia kanë idenë çka qënë.  Ata nuk votojnë për lehtësimin e taksave për bizneset e mëdha, në mënyrë që kapitalistët e pasur të kenë mundësi të investojnë më shumë dhe të punësojnë sa më shumë shqiptarë. Dhe nuk besoj se duan që shteti të ketë sa më pak buxhet, që të thithen sa më pak taksa dhe të hiqen investimet nga shkollat, spitalet, rrugët, infrastruktura. Në fakt, të dy anët e zgjedhësve në Shqipëri duan që shteti të ketë sa më shumë buxhet, sa më shumë punë, se vetëm kjo ua shton shanset e punësimit atyre vetë. 
Praktikisht, të dyja partitë në Shqipëri janë e njëjta gjë. Ato nuk i dallon absolutisht asgjë, veç emrave në krye të tyre. Ndërsa shteti shqiptar është një dosë e shtrirë me cica të thara nga thithat e të cilave të gjithë duan të pijnë nga pak qumësht. Partia në pushtet (kushdo që ka qënë ajo këto tridhjetë vjetët e fundit) ia ofron thithat e dosës vetëm simpatizantëve të saj. Me ndërrimin e pushtetit, ndërrohen edhe ata që pijnë qumësht, gicat pirës zëvendësohen me të tjerë gica pirës. Lufta për thithat e dosës është luftë për mbijetesë.  
E vetmja mënyrë për ta zgjidhur situatën është që dosa të mos jetë burimi kryesor i ushqimit dhe synim i politikës. Ideale do të ishte që shteti (dhe me këtë kam parasysh edhe pushtetin qendror, edhe atë lokal, sepse në Shqipëri ndarja mes tyre është tepër e mjegullt) të kishte mundësi të punësonte sa më pak njerëz duke ia lënë këtë barrë sektorit privat. 
Krahas kësaj do të duhej të garantohej me ligj paprekshmëria e punëve të shtetit nga forcat politike, në mënryë që ato të mos cënohen nga rezultati i zgjedhjeve. Kjo do të thotë që kur ndërrohen qeveritë, të mos ndërrohen thuajse të gjithë punonjësit e të gjitha kabineteve, administratorët dhe aparatçikt e çdo niveli, duke përfshirë edhe shoferët e pastruesit. Ne jemi ndoshta i vetmi vend në botë që me ndërrimin e partive në pushtet ndërrojmë drejtorët e shkollave, madje edhe mësuesit. Te ky ndërrim qëndron e keqja. Në vendet demokratike ndërrimi i partisë në pushtet nuk sjell as ndërrimin e zëvendës-ministrave, e jo më pastaj ata që janë poshtë tyre. Ndërrohet Ministri, kuptohet, dhe ky është funksion politik. Por gjithkush tjetër qëndron në vendin e vet të punës. Në këtë mënyrë asnjë nga zyrtarët e ministrive apo të të gjithë administratës shtetërore nuk ka përse ta ketë frikë ndërrimin e partisë në pushtet, nuk ka përse i serviloset kësaj apo asaj partie, nuk ka përse kthehet në militant për të ruajtur apo për të marrë vendin e punës. 
Perfundim: Populli shqiptar është përçarë në dy grupime që duken sikur janë gati t’i shqyejnë gurrmazin njëri-tjetrit. Por të gjithë ata janë shqiptarë - demokratë e socialistë, të lëkundur e të pavarur. Të gjithë, nga të dyja anët, janë qënie njerëzore me të mirat dhe të këqijat e tyre, janë të afërt dhe të lidhur me njëri-tjetrin, kanë të njëjtat tipare, të njëjtat karakteristika të përbashkëta, të njëjtën nivel morali dhe inteligjence. Një pjesë mbrojnë socialistët jo se janë budallenj dhe kanë nostalgji për komunizmin. Tjetra mbrojnë demokratët jo sepse janë ‘malokë’ dhe iu hapet barku për Sali Berishën. Njerëzit duan të jetojnë dhe të punojnë, të shkollojnë fëmijët dhe t’iu sigurojnë atyre një të ardhme përmes punës. Po të eliminohet praktika e kapjes apo ruajtjes së vendit të punës përmes politikës do të arrijhet të zgjidhet një nga problemet më të vështira në rrugën për demokraci dhe të shmangen kriza të tjera në të ardhmen.