I ndodhur në
Kanada por me kokën e kthyer nga Shqipëria nuk mund të mos bëj shpesh herë
krahasime për ngjarje me ndikim në të dy vendet. E tillë ishte edhe fenomeni
suedez Greta Thunberg, 16 vjeçarja autiste me protestën e saj të jashtëzakonshme
kundër indiferencës agresive të politikës ndaj ndryshimit të klimës. Teksa te
kanadezët në përgjithësi, (siç e tregoi edhe demonstrimi i mbi treqindmijë vetëve
në Montreal të Premtem e 27 Shtatorit) spikati përkrahja e gjerë ndaj thirrjes
emocionale të adoleshentes suedeze, reagimi i shumë shqiptarëve në rrjetet
sociale ishte i krejt i kundërt.
Burra e gra
pesëdhjetë-gjashtëdhjetë vjeçarë duket sikur gjetën rastin të tregonin epërsinë
e tyre intelektuale duke u tallur me vajzën e thjeshtë suedeze, duke shfryrë e
turfulluar, duke sharë e ankuar, a thua Greta po iu sillte ndonjë gjëmë të
paparë.
Përpara
disa javësh Greta Thunberg u nis me një varkë me vela nga Europa në Amerikë. Ishte
një udhëtim simbolik pa konsum energjie për të protestuar në Asamblenë e Përgjithshme
të Kombeve të Bashkuara kundër ndotjes së mjedisit që sjell ndryshimën e klimës.
Thirrja e Gretës ishte e thjeshtë: unë jam 16 vjeç dhe shanset janë që të jem
unë ajo që do t’i trashëgoj pasojat e ndotjes së mjedisit që po sjell indiferenca
e politikanëve të sotëm dhe jo ju pleqtë e politikës. Brezi juaj nuk ka të
drejtë të pasurohet në kurriz të të ardhmes të brezit tim.
Nuk është
shumë e vështirë të kuptohet pse shumë shqiptarë nuk e besojnë atë që është
provuar tanimë nga mijëra shkencëtarë në botë që planeti po ngrohet edhe si
rezultat i veprimtarisë njerëzore, kryesisht përmes ndohtjes së atmosferës. Njerëz
që kanë besuar Suden, Shemsien dhe Xhaferrin, që besojnë te parashikimi i tërmetit
nga Çim Peka dhe gdhijnë natën përjashta, mund ta kenë të vështirë të besojnë përfundimet
e studimeve të shkencëtarëve seriozë nga të katër anët e botës. Eshtë punë
besimi dhe dihet që besimin s’e çan dot me logjikë dhe me shkencë, përpjetë të
hidhesh.
Ajo që
s’kuptoj unë është se ç’patën me Gretën?! Ç’të keqje, çfarë kërcënimi iu solli
Greta? Çfarë telash iu ngacmoi kaq keq ajo vazja 16 vjeçare nga Suedia?
Shqiptarëve
nuk ka se si t’iu vijë asnjë e keqje nëse dikush lufton për ta mbajtur të
pastër mjedisin, pavarësisht nëse besojnë apo nuk besojnë te ndryshimi i klimës.
Ndryshe është puna në Shtetet e Bashkuara ku kjo çështje është bërë pjesë e një
loje politike në të cilën përballen interesat e bizneseve të mëdha të naftës,
ose industrive gjigande që shkaktojnë ndotjet më të mëdha, me të dhënat e
shkencave dhe me masën e njerëzve që janë të ndërgjegjshëm për atë që po ndodh
me planetin. Atje është pjesë e politikës dhe mbështetësit e Partisë Republikane
nuk e besojnë, ose nuk marrin mundimin ta besojnë ngrohjen e tokës, pasi kështu
iu thotë partia, siç edhe demokratët e besojnë ca ngaqë janë të vetëdijshëm, të
tjerë ngaqë kështu iu thotë partia. Por kjo s’ka përse të jetë pjesë e politikës
në Shqipëri.
Edhe në
Kanada ajo është pjesë e politikës por në një formë tjetër. Ndër kanadezët, më
të vendosurit kundër luftës për mjedisin janë kryesisht banorë të provincës së
Albertës të cilët kanë interesa ekonomikë të lidhur ngushtë me prodhimin asaj që
quhet ‘naftë e pisët’. Ky grupim ndikon te politikanët e të dy partive
kryesore, pasi janë të fuqishëm, domethënë kanë para dhe vota. Prandaj, në mënyrë
të tërthortë ose jo përkrahen nga të dyja palët, edhe nga konservatorët, edhe
nga liberalët. Por pjesa dërrmuese e kanadezëve janë të vetëdijshëm që ngrohja
e planetit është realitet. Aq i gjerë është mirëkuptimi midis kanadezëve në këtë
pikë, saqë të dyja partitë, pavarësisht nga pazarllëqet dhe prapaskenat që bëjnë
me naftëprodhuesit e Albertës, në programet e tyre janë të detyruar ta pranojnë
që ndryshimin e klimës është realitet. Si ilustrim të kësaj, po sjell
shembullin e Kryeministrit Liberal Justin Trudo, i cili e paraqet veten si luftëtar
i flaktë për mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që bëri ç’kishte në dorë për të
ndihmuar projektin e tubacioneve të naftës së prodhuar në Alberta. Pikërisht për
këtë qëndrim të dyfishtë, kur u takuan të Premten në Montreal Greta nuk
ngurroi t’ia thoshte në fytyrë Trudosë se ai nuk është ai që paraqitet, duke vërtetuar
edhe një herë që vajza e re nga Suedia nuk lufton për partitë politike por për
mjedisin.
Po shqiptarët
ç’kanë? Shqipëria nuk është prodhues i madh nafte dhe nuk duket të ketë shumë
shqiptarë që përfitojnë nga ai lëngu i zi që nxirret në Patos apo në Kuçovë.
I vetmi
shpjegim që mund të jepet është që shqiptarëve iu duket sikur Greta po prek
interesat e tifozllëkut të tyre,
po iu prek telat e dashurisë për Babën e rradhës. Me Babë të rradhës nënkuptoj
atë që kohë më parë ka qënë Babë Sulltani, pastaj u bë Babë Musolini dhe më vonë
u shndërru në Babë Hitler, Babë Tito, Baba Stalin, Baba Mao Ce Dun, Baba Bush
(i ati dhe i biri) dhe që sot është Babë Trampi. Greta dhe fushata e saj për
mbrojtjen e një mjedisi të pastër është kundër Trampit dhe gjithçka që ai përfaqëson – biznesit të
madh, industrive gjigande, naftës së Teksasit dhe Arabisë Saudite, trillionëve
pa fund që nxirren duke shkatërruar mjedisin.
Normalisht, lufta për
një mjedis të pastër, për një planet të shëndetshëm do të ishte në interes të
gjithë shqiptarëve. Ne jemi një vend i vogël, pa kurrfarë industrie që do të mund
të prekej nga lëvizja mjedisore. Ne jemi të interesuar të zhvillojmë turizmin,
duke ruajtur sa më shumë natyrën, pasurinë më të madhe që kemi, si në bregdet,
ashtu edhe në thellësi të vendit, në male. Ne kemi interes më tepër se kushdo
që të kemi shumëllojshmëri bimësh dhe kafshësh, të kemi një det të pastër pa
mbeturina plastike, të kemi liqej dhe lumej të kulluar pa mbeturina kimike, të
kemi ajër të shëndetshëm pa smog dhe tymra. Gjëja më e bukur, gjëja më me
vlerë, gjëja e vetme që mund t’iu ofrojmë ne të tjerëve është natyra jonë e
bukur, janë prodhimet e pastra bujqësore dhe blegtorale, janë plazhet e
mrekullueshme me rërë të pastër, janë lëndinat dhe malet e mbushura me pemë. Pikërisht
këto gjëra kërkon edhe Greta dhe brezi i saj, të cilat duan ta gëzojnë planetin
pasi shumë nga pleqtë trutharë të politikës së sotme të jenë kalbur nën tokë
bashkë me llogaritë e tyre të qelbuara bankare.
Ç’të keqe
na sjell Greta ne?!