Sunday, September 8, 2019

Zanat kosovare të TIFF


Kinematografia kosovare hapi për herë të parë mbrëmë portën prestigjoze të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Toronto (TIFF) me një përplasje emfatike. ‘Zana’ e Antoneta Kastratit ishte debutim shumëplanësh – filmi i parë artistik i regjisores, paraqitja e parë e Kosovëv në TIFF dhe përballja e parë me publikun e autorëve që kryehej pikërisht në një prej festivalëve më të lakmuar të filmit në botë. Po aq shumëplanësh e dinjitoz ishte edhe suksesi.
‘Zana’ sjell te lexuesi dramën e pasojave psikologjike të Luftës së Kosovës. Ndryshe nga paraqitja e drejtpërdrejtë që i bëhet zakonisht luftës në art dhe medja, filmi i Antoneta Kastratit fokusohet te pasojat afatgjata që krimet e luftës lënë në mendjen dhe shpirtërat e njerëzve, pasoja këto që, të gërshetuara edhe me një mjedis shoqëror kulturalisht të pasofistikuar dhe praktikisht të paaftë të kuptojë dhe t’iu drejtohet këtyre pasojave në mënyrë racionale, krijojnë një tragjedi njerëzore.
Ngjarjet e filmit zhvillohen dhjet vjet pas luftës në një fshat të Pejës, ku Lumja (Adriana Matoshi) përballet e vetme me makthet e një krimi që i ka shkatërruar jetën, teksa i shoqi (Astrit Kabashi) dhe nëna e tij Remzie (Fatmira Sahiti), bashkë me mjedisin shoqëror përreth nuk arrijnë ta kuptojnë shkakun e traumës. Në këto kushte, dëshira për të ndihmuar s’bën gjë tjetër veçse përkeqëson gjendjen.
Rolet psikologjike janë sfida të forta për çdo aktor, aq më tepër kur personazhi mban pothuajse gjithë peshën e dramës dhe ndodhet në fokusin e kamerës në 90 na 97 minutat e filmit. Por Adriana Matoshi e ka kapërcyer me sukses sfidën duke na dhënë ndoshta një nga rolet më të bukur dhe më të realizuar të kinematografisë në shqip (dhe këtu unë fut pa pikë hezitimi aktoret dhe aktorët në të dy anët e kufirit). Nëse regjisorja-skenaristja Antoneta Kastrati ka krijuar me mjeshtëri fabulën dhe dinamikën e një lufte të brendëshme, nëse e motra, kinematografja Sevdie Kastrati ka ditur të sjellë në jetë trajtën vizive të kësaj lufte bashkë me pamjet e bukura të natyrës së mrekullueshme të zonës së Pejës, mund të thuhet që Adriana Matoshi është shpirti i vërtetë i filmit me lojën e saj krejt të natyrshme dhe bindëse. Vështirë se mund të kursehen superlativat për lojën e saj, të cilën pa e tepruar mund të them se do ta kishte zili çdo aktore në botë.  
‘Zana’ u çfaq dje, ditën e Shtunë, 7 Shtator në orën 21:30. Do të rishfaqet edhe të Hënën, 9 Shtator në 22:00 dhe të Mërkurën, 11 Shtator në 21:30 në TIFF Bell Lightbox. Personalisht do t’ia rekomandoja të gjithë shqiptarëve në Toronto që ta shihnin. Nuk do të zhgënjeheni. Treshja e zanave kosovare i kanë sjellë një surprizë të bukur Festivalit të Torontos.

No comments: