(Nga Kujtim Dashi)
Historia e letërsisë, qoftë e huaj apo ajo shqipe, e njeh dukurinë, që
përbri një emri e mbiemri të një autori të njohur, kur ka dalë prej
tyre ndonjë pinjoll, që ka lëvruar letërsinë si paraardhësi. Ka vijuar
traditën dhe ka korrur sukses, i kanë vënë në kllapa cilësorin i Riu a
Biri natyrisht për t’i dalluar nga paraardhësit, si bie fjala,
Aleksandër Dyma (père) dhe Aleksandër Dyma Biri, apo Gavril Dara i Riu
etj.
Besoj që, përjashtuar veprën tjetër të Arben Kallamatës, të
cilën, për shkak të kaosit të botimtarisë e të distribuimit a të vetë
njohjes tonë, të mungesës së kritikës letrare institucionale apo dhe
pazgjidhshmërisht edhe me hierarkinë katrahurë ireale të atyre vlerave
që krijojnë autorët si brenda, por dhe jashtë vendit, nuk e njohim të
plotë, mbase vetëm romani i tij “Hijet e muzgut”, na jep të drejtën ta
quajmë Kallamata, Biri apo i Riu, duke u nisur nga trashëgimia e vyer në
këtë zhanër e të atit, shkrimtarit të njohur Miço Kallmata, veprën e të
cilit e kemi njohur që në gjallje të autorit dhe, mbase tani, suksesi i
të birit do të bëhet sebep që të nëpërmendet kontributi i të atit në
tërësi, sidomos me veprat e tij të këtij zhanri si, "I fundit i oxhakut"
(1971); "Nën hijen e dordolecëve"(1973), "Asnjanësia e Zotit Lulo"
(1978); si dhe shkrimin kurajoz e jehonëgjerë në vitin 1991 me titull
"Proletarë të të gjitha vendeve - shpërndahuni". Përveçse Fieri që e ka
“kujtuar” duke e bërë “Qytetar nderi” të tij mbi të si për mjaft autorë
të tjerë që nuk janë më fizkisht është hedhur pelerina e harrimit.
Megjithëse ka lëndë jashtëzakonisht të pasur jetësore e tema të
panumërta, në raport me letërsinë satirike të trashëguar, në këto 2-3
dekadat e fundit, letërsia satirike, mendoj, se ka njëfarë prapambetje e
topitje relative, të cilën, mendoj se e “zgjon” suksesshëm ky roman i
Arben Kallamatës, të cilin as s’e njoh e as s’e kam takuar ndonjëherë.
Pa dashur të hyjmë në shkaqet e kësaj prapambetjeje e topitje, do të
veçoja njerën, dominancën e spektakleve televizive, që krijojnë
iluzionin e ezaurimit të problematikës satirike të bollshme në
realitetin shqiptar.
Romani me një titull metaforik e sinjifikativ
për hijet e muzgta të kohëve në diakroni, por që “gjëmon” për kohët
moderne në sinkroni “Hijet e muzgut” në një frymë e stil konician,
demitizues e delegjendarizues mjeshtëror vetëqortues e vetëpërqeshësh,
gjithë humor sarkastik, nuk i “heq pluhurat” realiteteve që fokuson, por
i ka vënë plojën rëndshëm dhe, pamëshirshëm, satirizon dukuritë me të
cilat ndeshemi përditë, sidomos në rrjetet sociale, në grafomaninë
glorifikuese pseudoshkencore, i cili shpesh herë predominohet, përhapet e
shumëfishohet si budallallëk (siç thotë dhe Umberto Eco për përhapjen
epidemike të budallallëkut në rrjetet sociale, që edhe një profani i jep
të drejtën të shprehet në barazi të plotë me një nobelist) nga
gjysmakërstudiues, amatorë “autoktonë” (siç përtallet me këtë term
autori) delirantë, taksativë e çudibërës me 99.99 % siguri në “zbulimet”
e “konkluzionet” e tyre të vonuara në sofrën e historisë, naïve e
ashkencore apo fanataziste, pa asnjë ballafaqim pikëpamjesh apo qoftë
dhe me një fusnotë për shkak të injirancës e megallomanisë të pashoqe,
profanizmit, protagonizmit alibik e fiktiv, rishikimit të historisë së
botës, rajonit e të vendit (edhe sipas, por sidomos në kundërshtim të
hapur e “të vonuar” nga “ex katedra” gjithnjë “autoktone” dhe mbarë të
gjitha versioneve të njohura a të shkruara në librat e shenjtë apo në
veprat shkencore e letrare që nga Homeri e këtej, në mitet e legjendat,
“përparësia” e të cilave synohet të serviret si të vërteta shkencore e
të padiskutueshme më, muhurvënëse a priori, aksiomatike, kështu është e
s’ka ndryshe se “thom û”, na kanë hyrë në hak bota), duke e nxjerrë këtë
të fundit, si kërthiza apo treva (e rajonizuar nga autori brigjeve e
maleve nga kalon Shkumbini, pra Via Egnatia e njohur, apo siç shprehet
po ai në roman:”Zoti u përpoq të vinte në jetë të njëjtin plan edhe me
banorët e kopështit të S’Edinit mes maleve të Xhyrës në rrethinat e
Librazhdit pranë Skampës në luginën e Shkumbinit në kërthizë të botës,
në Ballkanin Perëndimor.) nga është ngjizë e gjithë bota mbarë, apo siç
thojnë kinezët Cungo, apo qendra e botës, si “drita magjike” që ka
shpëndarë e ndritur të gjithë vendet e popujt, është zanafilla e gjeneza
e gjithçkaje, që ka Qy(q)gjijtë Toskë e Gegë më trima, më të mençur, më
vizionarët e të zotët e kësaj dynjaje. Dhe se një mori personazhesh që
ka krijuar autori, si Palloshi, Qygjia, Rufusi (njëfarë Ternardie
shqiptar i satirizuar skajshëm) Helena, Afërdita, Konstanti e
Konstandini, Zana e Malit, Eusebio, Grepi i Madh, vëllezërit Mateo,
Gjin, Mark, Pavllo dhe…Cuf (Atë Kallamata e vizaton bukur: Përjashtim
bënte vëllai Cuf, i cili kishte probleme në funksionimin si “vëlla” dhe
anonte më shumë nga funksionimi si Marie. Vëlla Cufi konsiderohej
krejtësisht i padëmshëm dhe përdorej nganjëherë nga vëllezërit e tjerë
thjesht për të shuar kurreshtjen ose, siç përdorej shprehja midis
vëllezërve, “për të ndërruar gjellë”), të cilët më pas shpallen
Meshkiopë, si Meshkopi Mateo, Meshkopi Gjon, Meshkopi Mark, Meshkopi
Pavllo, përveç Cufit, që ka një « fat » tjetër. e shtatë Marijet,
krijuesi Zot, Lenka e Virgjër e Tepelenës, Pirua, (ia vlen të vëmë në
spikamë etimologjinë e këtij emri të shquar, sipas autorit: “kishte dy
cilësi të shquara që e bënin atë të quhej 'i Madh'. Ai ishte trim i
çartur dhe pijetar i shquar. I pëlqente shumë rakija e rrushit dhe vera e
kuqe. Prandaj edhe emrin ia kishin vënë 'Piro', pasi rrinte gjithë
ditën i pirë. Piroja pinte aq shumë, saqë u desh t’i shtonin edhe një
mbiemër tjetër 'i të Pirit',. Kështuqë e quanin Piroja i Madh i të
Pirit.), Kapedan Sulua, Kapedan Batoja, Kapedan Dashi, Kapedan Kokëmadhi
dhe nja dhjetë kapedanë të tjerë të dorës së dytë. Përkrah Piros së
Madh të të Pirit qëndronte Lame Lëçitësi. etj, etj, apo edhe ato
episodikë, përmes situatave, episodeve, ngjarjeve e batutave të
panumërta të ndërthurura njëra me tjetrën plot humor e satirë të hollë
rindërtojnë marroçshe versionin origjinal të tyre që në zanafillë e
përgjatë gjithë rrjedhave të historisë së vendit, të rajonit e botës, në
gjithçka të kësaj bote deri në teoritë “filozofike” etj.
Ia vlen të
citojmë një nga “deduksionet” më interesante e të jeremosura të
romanit:” Pellazgët kanë themeluar Romën, kanë themeluar Trojën, kanë
themeluar Butrintin, kanë themeluar Athinën, kanë themeluar Aleksandrinë
dhe tani po themelojnë Kostandinopojën. Pellazgët kanë vënë bazat e
qytetërimit të botës dhe nuk do të lejojnë njeri t’i marrë nëpër këmbë. »
apo
« …kishte të dhëna të sakta se një bashkim panpellazgjik nuk
kishte sy për qabe të ndodhte në ndonjë të ardhme të afërt ose të
largët. » apo
« Këta njerëz (të katakombeve në Romë, ku i cvendos
ngjarjet romancieri), shumica pa punë e pa zanat kishin të paktën të
siguruar strehën falas nëpër labirintet e katakombeve dhe hanin po falas
duke u mbështetur kryesisht në ekonominë ndihmëse të vjedhjeve, lypjeve
dhe prostitucionit, veprimtari që kërkonin shkallën më të ulët të
vetëvlerësimit, nivelin më bazë të kërkesave morale dhe…. »
Që t’i
rprodhojmë këtu do të ishte një ndërmarrje e vështirë po aq sa dhe të
vetëpërmbahesh për të mos bërë një gjë të tillë, se i takon thuajse të
rishkruash krejt tekstin, herë me gjithë kontekst e herë jashtë tij,
thjesht ndoshta për një batutë pikante nga një pafundësi e tyre, kur nuk
të ndahet për një çast buzagazi, por mendoj se botimi i këtij romani
dhe jehona e tij e mirëmenaxhuar, do të jetë një kontrapunkt
letraro-artistik dhe përpjekje e suksesshme për t’i kthjelluar e vënë
disi fre këtyre përçartjeve megallomane të takëmit të sipërpërmendur, që
në çdo gjë, në çdo zbulim e në çdo fjalë empirikisht e në mënyrë
komike, do të gjejnë medoemos gjurmë pellazge e të pellazgjishtes, lavdi
a heroizma të paqena a të ekzagjeruara, pra si produkte “Made in
Pellazgjia!” të historisë që deri më tani na paskësh hyrë në hak, por në
suazën e një recence ndonjë batutë pikante edhe mund ta zëmë në gojë,
për të ritheksuar vlerat satirike që përcjell autori në këtë roman, si
bie fjala, Siç na dogjën, do t’i djegim, si “kredo gjenetike” që në
zanafillë ndër ne shqiptarët;
- Ah, Mama, Mama. Qygjia ishte njeriu
i parë që foli. Qygjia foli shqip, gjuhën e parë, nënën e gjuhëve.
Qygjes i vinin fjalët vetvetiu – nuk kishte nevojë t’i kërkonte apo t’i
mësonte nga njeri;
Helena
“Nëse hetojmë prejardhjen e fjalës
“Hellas” do na çojë dhe kjo se helenët nuk vijnë nga jugu, siç thotë
Kordati, por nga Iliria.
Studiues…e nxjerrin prejardhjen e “Hellas”
nga rrënja pellazge “el-“ që do të thotë ose ndoshta ka kuptimin e
lartësisë dhe e hasim në një numër të konsiderueshëm toponimesh të botës
pellazge, që nga Italia Qendrore deri në Azi të Vogël;
Tjetrin
(Zoti) e vuri në mes të disa maleve të bukur, zhytur në pyje të
gjelbëruar dhe pemë të panumërta, në një tokë me dhè të kuqërremtë, në
një kopësht të cilin e quajti S’Edin. Njeriun e dytë e quajti Qygj.
Kopështi i S’Edinit ishte diku në Ballkanin Jug-Perëndimor, në Europën
Jug-Lindore, pranë një lumi të vogël shkumbues që quhej Shkumbin, diku
rrotull një pike që quhej Xhyrë.
Të dy njerëzit e parë ishin burra,
pasi Zoti i krijoi sipas shëmbëlltyrës të vet dhe Zoti dihet mirëfilli
që është burrë, me qime të ashpra dhe lesh në të katër anët, me koqe e
me gjithçka tjetër që vjen me paketën e një burri. Sepse zoti mund të
vijë në tre forma, si Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, por që të tri
format janë burra. Asnjë nga format nuk është grua. Prandaj edhe dy
njerëzit e parë që u krijuan ishin burra, sepse Zoti ishte i vendosur
t’i krijonte dy të njerëzit e parë në shëmbëlltyrën e vet.…Apo:
Fitorja e Piros. Fitorja e leshit. Nuk mbeti burrë në këmbë. Nuk mbeti
kalë në këmbë. Nuk mbeti bagëti në këmbë. E përse? Për një kurvickë që u
kthye me dobiç nga Italia.
Sa sipër, do të thosha që vepra të
tilla si kjo që kemi në shqyrtim, për shkak të temës së trajtuar
gjerësisht dhe nivelit artistik, humorit e satirës për të cilën është i
etur lexuesi, pa bërë krahasime dhe spostime hiearkike vlerash, do të
thosha se shpesh kanë fatin, bie fjala, si të Zylos së Dritëroit,
përthithen shpejt e mirë nga lexuesi dhe ushtrojnë ndikim jo të vogël
tek ai dhe në mjedisin shoqëror, duke u bërë shpesh popullor personazhet
e tyre apo dhe referenca për kundërvënie situatash të ngjashme që
vazhdojnë ende.
Kallamata Biri apo i Riu me mjeshtëri artistike e
gjuhë shprehëse të zhanrit me një fantazi të shfrenuar dhe humor e
sarkazëm, që nuk e ndeshim fort shpesh as në vepra
“revizionuese-satirike” letrare apo dhe kinematografike, që mendoj se
është më e zhvilluar prej shumë kohësh në botë, kryesisht, ku kanë
gjetur terren për ta përcjellë të shkuarën me gaz e jo më me patetizma,
me shtrembërime flagrante fitimtarësh, me të pavërteta etj, jep
“versionin” e tij të krijimit të botës në tërësi dhe të asaj shqiptare
dhe të çdo zanafille tjetër të jetës sociale, përmes situatave e
batutave që të shkrijnë së qeshuri shpesh herë në një mënyrë të tillë
saqë sikur të mos vezullojë ndonjë batutë, episod a ngjarje në rrjedhën
narrative t’i vënë në dyshim njohuritë që ke marrë në bankat e shkollës e
në jetë dhe të duket ky triller satirik të bëhet aq i besueshëm si i
tillë saqë të duket sikur është e vërtetë, e vetmja madje si e tillë dhe
siç na ka rastisë të lexojmë Ungjillin sipas Jezu Krishtit, Gjonit,
Mateut, Lukës, Markut, për analogji dhe humor do të thoshim tani edhe
Bota në tërësi dhe Bota shqiptare në veçanti, sipas Arben Kallamtës.
Kësisoj përveç një narratori që përhap satirikisht rishkrimin e botës
mbarë me epiqendër Epirin e Ilirinë, apo kryeqendrën e Tepelenës,
Xhyrën, Romën etj, Kallamata i Riu ose Biri në roman kthehet edhe si një
guidë a udhërrëfyes i historisë, duke përcjellë informacione “serioze”
për kohën, vende, njerëz e ngjarje me një “saktësi” historike që të
shkrin së qeshuri.
Romani “Hijet e muzgut” përveçësohet edhe për
strukturën e tij kompozicionale e ndarë në pjesë, për emërtimet e
këndshme të krerëve, si (Pjesa e Parë – Pellazgët) dhe Pjesa e Dytë - Të
Pirët – Tëpiriotët, Helena e Dytë dhe Piroja i Madh Tëpirit, Kthesa 263
EeRe, Lind një yll 267 EeR, Rryma të nëndheshme 290 – 285 PER Në Romë
271 EeR, Konstandini i ri 275 EeR, Lekoja i Madh, Rrëfim në 281 PER
për ngjarje të viteve 336 – 323 PER Në Aleksandri 326 EeR, Fitorja e
Piros 2, Shtriga 326 EeR, 80 PER, Kompromise të mëdha 279 PER, Ariusi325
EeR, INTERMEXO 2 – TOKE DJERRE Pjesa e Tretë – të Lirë, Mbretëresha e
Detit etj. për poezitë e përshtatura a të krijuara enkas në aperturë të
kapitujve, të cilat të gjitha në tërësi janë funksionale e në funksion
të nëra tjetrës. Në roman gjithçka “flet” çdo detaj me humor e satirë.
Gjuha e përdorur nga autori është mjaft e pasur dhe e përzgjedhur për
individualizimin e karakterizimin e personazheve e të situatave. Stili i
të shkruarit rrjedh bukur e natyrshëm, duke ndërthurur mirë kohët
narrative dhe në disa raste duke e bërë edhe lexuesin pjesë aktive të
rrëfimit të vet. Ka një dialog të shkathët, dinamik e “folës” me satirë.
Autori në tekst nuk e ka shkruar postulatin a fjalinë “salvaxhente” që
“Çdo ngjashmëri me persona e ngjarje reale është krejt e rastit”, pasi
s’ia ka nevojën, romani është vepër zgjuese për kush do ta lexojë
përsëmbari dhe shumë kush nga areali shqiptar ka për të parë veten në
këtë vepër të rëndësishme satirike.
Siç mund të jetë kuptuar nga
përmbajtja e kësaj recence, e cila nuk e analizon hollësisht veprën, por
cek gjërat më esenciale, mendoj që romani është i botueshëm dhe do të
jetë, besoj, një sukses i dyanashëm, i autorit dhe i vetë Botimeve
Toena, aq më tepër kur mendon zbrazëtinë që ekziston në këtë zhanër.
Tiranë, më 8 prill 2019
________
Recenca e fundit që bëra, kur punoja për disa vite(lexohet edhe ndryshe
konfidencialisht, ama) part time në Botimet Toena. U gëzova shumë që e
gjeta në dok. e mia të kompjuterit. Ua sugjeroj ta lexoni romanin “Hijet
e Muzgut” të Arben Kallamatës.