…ka lindur në 6 Maj?
Arben Kallamata
A kemi
nevojë që vorbullës së gënjeshtrave që na vërtiten dita ditës t’i shtojmë edhe
ditëlindjen e Skënderbeut? A ia vlen që shprehjes së përditshme të padijes dhe
krenarisë për të qënin të paditur t’i shtojmë edhe një dëshmi tjetër? A
nxjerrim ndonjë dobi duke i shtuar fakteve të shumta për mungesën e kulturës
dhe etikës, për mosnjohjen e parimeve më të thjeshta morale të të drejtës dhe të
vërtetës, edhe një mashtrim tjetër? A nuk mjafton që shtiremi sikur jemi, pa qënë
aspak ekspertë në politikë, filosofi, letërsi, art, sport, mjekësi, ingjineri,
sociologji, gazetari, gjuhësi, sizmologji, por duam të dalim edhe si specialistë
në fushën e historisë duke shpikur apo përhapur gënjeshtra për data që nuk i ka
përcaktuar dot asnjë shkencëtar deri më sot? Apo ndoshta imazhi që i kemi
krijuar vetes si patriotë, nacionalistë, atdhetarë, shqiptaromëdhej nuk ndihet
shumë i sigurt pa i ngjeshur edhe disa mballoma rrenash që as vetë nuk i dijmë
kush i ka sajuar?
A duhet të zgjedhim cili është heroi komnbëtar? |
Dita e saktë
e lindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut nuk është gjetur
ende. Të paktën deri sot nuk ka dalë në dritë asnjë dokument që ta vërtetojë
atë. Përcaktimi i 6 Majit është një veprim arbitrar, propagandistik, keqdashës dhe
i dëmshëm që shfrytëzon injorancën tonë për të zënë rrënjë. Ai është edhe një
veprim i ulët, tinzar, krejtësisht anti-shqiptar.
Gjergj
Kastriotit nuk i dihet dita e lindjes. Ky është fakt, është një e vërtetë. Të vërtetat
nuk hidhen poshtë me gënjeshtra. Ato hidhen poshtë me fakte. E vërteta që
Gjergj Kastriotit nuk i dihet dita e lindjes nuk mund të hidhet poshtë duke
shpikur ditë lindje sipas dëshirave dhe interesave të grupimeve të caktuar dhe duke
ftuar sa më shumë vetë që ta pranojnë gënjeshtrën. Të vërtetën që Gjergj
Kastriotit nuk i dihet dita e lindjes mund ta hedhësh poshtë vetëm me një të vërtetë
tjetër – duke gjetur një dokument që e vërteton atë. Përderisa nuk je në
gjendje ta gjesh, atëherë më mirë hesht.
Fakti që
Gjergj Kastriotit nuk i dihet dita e lindjes – madje as muaji i lindjes;
madje-madje, as viti i lindjes – nuk ia ul aspak vlerat atij si Hero Kombëtar i
shqiptarëve. Ai mbetet figura historike më e rëndësishme e kombit, simboli dhe
frymëzimi i krijimit të tij.
As përpjekjet
për t’i caktuar arbitrarisht një datë lindje atij nuk ia ulin rëndësinë figurës
së Gjergj Kastriotit. Ato na ulin vlerat dhe rëndësinë ne, sepse na paraqesin
si një tufë injorantësh emocionalë të papërgjegjshëm, që jemi gati të gëlltisim
çdo lloj karameleje që na shërbejnë. Duke i shpërndarë këto broçkulla ne
s’bëjmë gjë tjetër veçse iu japin argumente për të vërtetuar tezat e tyre anti-shqiptarëve,
ose anti-Kastriotëve.
Dhe, meqë
ra fjala e sa për sqarim të gjithë patriotëve të flaktë, 6 Maji është zgjedhur
pikërisht për t’ua hequr shqiptarëve heroin kombëtar dhe për ta kthyer atë në
një figurë të ortodoksëve sllavë të Ballkanit. 6 Maji është caktuar
arbitrarisht si ditëlindja e Gjergj Kastrioti Skëndërbeut pasi është data kur Serbët,
Kroatët, Maqedonët, Bullgarët – përgjithësisht sllavët ortodoksë të Ballkanit
festojnë Shën Gjergjin.
Po ta shohësh
me kujdes kjo është për të vënë duart në kokë. Shën Gjergji i Krishtërimit është
një figurë gjysmë-imagjinare, si shumë shenjtorë të tjerë, që mendohet se ka
ekzistuar diku në shekullin e dytë, të tretë, të pestë ose të gjashtë. Hapni çdo
enciklopedi, kontrolloni Wikipedian në Internet (dy minuta kohë) për të parë sa
pasaktësi ka për shekullin kur ka jetuar ai. Shën Gjergji nihet si ushtar romak
i krishterë që mposhti kuçedrën, ose dragonin (sipas Kishës në përgjithësi). Për
detajet, Kishat ndahen sipas denominacioneve. Katolikët, protestantët dhe ortodoksët
grekë ngulin këmbë që Shën Gjergji është
vrarë në 23 Prill (dijnë datën, por nuk e kanë fare idenë as për vitin, as
shekullin kur ka ndodhur). Ortodoksët rusë
thonë se është fikur diku në Shtator. Ndërsa sllavët e Ballkanit ia festojnë
ditën e vdekjes në 6 Maj.
Dita kur ai
është vrarë festohet si dita e Shën Gjergjit.
Pra, për
hir të këtij Shën Gjergjit që paska vrarë kuçedrën (përrallë me bisht), që ka
jetuar në shekullin e (oh, nuk dihet shekulli), por që është vrarë ose në 23
Prill, ose në 6 Maj, ose në Shtator, ne duhet t’i marrim pikërisht datën 6 Maj,
atë datë kur ortodoksët sllavë të Ballkanit mendojnë se është vrarë heroi i tyre që vrau kuçedrën dhe t’ia veshim
atë si ditëlindje Gjergj Kastriotit, heroit tonë Kombëtar. Pse? Sepse kështu na serviret nga kisha
ortodokse e cila kërkon ta kthejë atë nga heroin kombëtar të shqiptarëve që
hodhi themelet e identitetit kombëtar shqiptar, në hero të krishterimit.
Ja këtu të
çon padija e veshur me kostum patriotizmi. Prandaj përpara se ta postoni dhe
ripostoni çdo 6 Maj atë përshëndetje patriotike gjithë pathos për ditëlindjen
imagjinare të Gjergj Kastriotit, mendohuni pak në emër të kujt po gënjeni.