(Thuhet se e ka thënë Jezu Krishti)
Shpjegim për miqtë e mij që nuk jetojnë në Kanada
Kanadaja është shtet federal. Kjo do të thotë që në Kanada qeverisja
bëhet në tri nivele: Federal, Provincial, dhe Bashkiak. Në nivelin e parë është
Parlamenti Federal (i të gjithë vendit) i përbërë nga dy dhoma, ajo e Komunave
dhe Senati. Këta nxjerrin ligje që lidhen me drejtimin e të gjithë vendit. Në
krye të shtetit qëndron Mbretëresha, e cila përfaqësohet nga Guvernatori(ja)
i/e Pergjithshëm. Qeverinë e drejton Kryeministri, kryetari i partisë që ka
fituar më shumë vota në zgjedhjet federale.
Çdo provincë dhe territor i Kanadasë ka parlamentin e vet me
fuqi të nxjerrë ligje dhe të kontrollojë se si funksionon qeveria përkatëse. Parlamentet provinciale miratojnë ligje që
zbatohen brenda kufijve të provincës/territorit. Provincat kanë edhe qeverinë e
tyre, të dala nga partitë e provincës, apo të territorit, të cilat mund ose
mund të mos përkojnë në emërtim me partitë federale, por nuk kanë asnjë vartësi
prej tyre. Përfaqësuesi(ja) i/e Mbretëreshës në Provincë/Territor, quhet
Zv.Guvernator(e). Kreu i qeverisë provinciale/territoriale quhet Premier (nuk
po e përkthej).
Pushteti bashkiak përbëhet nga këshillat bashkiake dhe kryetarët
e tyre. Anëtarët e këshillave bashkiake dhe kryetarët e bashkive nuk janë të
lejuar të kenë lidhje partiake. Ata nuk zgjidhen si përfaqësues të ndonjë
partie, por si përfaqësues të vetvetes.
Me përjashtim të imigracionit, bujqësisë dhe mjedisit, ku i
bashkërendojnë veprimet, pushteti federal dhe ai provincial kanë detyra krejtësisht
të ndara në fushat e tjera. Qeveria federale merret me mbrotjen e vendit,
politikën e jashtme, qytetarinë, tregëtinë ndërkombëtare, çështjet
aborigjinale, policinë dhe drejtësinë kriminale. Provincat kujdesen për arsimin,
shëndetësinë, burimet natyrore, autostradat, të drejtat e pronës dhe ato
qytetare.
Në dallim nga mënyra se si kryhen punët në Shqipëri,
pushtetet në Kanada janë të pavarura nga njëra-tjetra. Domethënë që
Kryeministrit nuk ia var njeri kur vjen puna për përgjegjësi të Provincave apo
të Bashkive. Kryeministrin dhe partinë e tij nuk e pyet njeri se kush do zgjidhet
në krye të provincave apo bashkive edhe në rastet kur partitë e provincave që
fitojnë kanë të njëjtën emërtim me atë të partisë federale. Gjithashtu, pushtetit
federal nuk i merret dora për projekte, politika apo plane që janë përgjegjësi
e provincës. Kjo mund të jetë një pikë paksa e vështirë për t’u kuptuar nga
shqiptarët, por është e rëndësishme. Nuk mund të kalohet thjesht duke thënë “i di
unë hilet e këtij vendi, se vij nga Europa Lindore.”
Kanadaja ka 10 provinca dhe 3 territore. Pavarësisht se sot
pushtetin federal e kanë me pakicë Liberalët, provincat dhe territoret kanë
qeveri ose konservatore, ose liberale, ose të ndonjë partie tjetër. Në provincën
më të madhe, për shembull, në Ontario, të njëjtët votues zgjedhin një qeveri
federale liberale dhe një qeveri provinciale konservatore. Vitet e fundit
liberalët e Ontarios kanë qënë partia e tretë në zgjedhje, pavarësisht se
partia me të njëjtën emër në shkallë vendi ka qënë në pushtet. Nga 10 provinca,
vetëm njëra prej tyre, Newfoundland e Labrador ka qeveri Liberale, ndërsa
gjashtë të tjera kanë qeveri konservatore.
Tani futemi në temë. Shëndetësia në Kanada është përgjegjësi
e pushtetit provincial/territorial. Masat për ruajtjen e shëndetit publik
merren nga qeveria Provinciale, jo nga ajo federale. Të gjitha masat e mara në
Kanada për mbrojtjen popullsisë nga epidemia e kovidit janë marrë nga
provincat, jo nga pushteti federal. Ontario ka marrë masa që janë të ndryshme
nga ato të Kebekut, të Albertës, apo të Manitobës. Dje u njoftua që Alberta (me
qeveri konservatore) hoqi kufizimin për përdorimin e pasaportave të vaksinimit
dhe planin për të kaluar hap pas hapi në heqjen e kufizimeve të tjera, ndërkohë
që Ontairo (gjithashtu me qeveri konservatore) ende nuk e ka dhënë një njoftim
të tillë.
Maskat, vaksinat, testet, mbylljet, hapjet, kufizimet,
oraret, janë të gjitha masa të marra nga qeveritë e provincave. Natyrisht,
qeveria federale ka bërë punën që i takon në lidhje me gjendjen, kryesisht për
sigurimin (si përgjegjëse për marrëdhëniet dhe tregëtinë me botën) të numrit të
duhur të vaksinave apo maskave. Në këtë funksion ajo ka marrë edhe masat që
mendon se janë të nevojshme për kalimin e kufirit. Këtu hyn edhe pakënaqësia e
kamjonistëve të pavaksinuar me qeverinë federale.
Por kamjonistët, opinionistët, analistët, etj., nuk kanë përse
t’i përvishen qeverisë federale dhe kryeministrit në lidhje me diçka që nuk e
ka përgjegjësi – as për kufizimet në hapjen e mbylljen e kafeneve, klubeve,
palestrave, sallave të koncerteve etj., as për vaksinimin dhe pasaportat përkatëse,
as për maskat dhe as për testet anti-kovid. Këto administrohen tërësisht nga
provincat.
E ndjej të nevojshme të them, megjithëse nuk iam aspak i
detyruar, që unë nuk po i dal në mbrojtje Justin Trudeau-së. Nuk kam votuar
asnjëherë dhe nuk kam ndonjë simpati për të si politikan. Thjesht po i shkruaj
këto sepse kështu është e vërteta. Jepini Qezarit atë që i takon Qezarit.
Çdo ulërimë që dëgjoni e lexoni për kufizime të lirive të qytetarëve
kanadezë nga ana e qeverisë federale si përpjekje e Liberalëve për të vendosur
diktaturë të majtë në Kanada është thjesht një broçkull, një marrëzi pa asnjë
bazë logjike dhe vërtetësie. Fakti që janë shumë vetë që ulërijnë kur e
shprehin këtë marrëzi nuk e bën atë më të vërtetë. Kanadaja është vend ku
demokracia funksionon mirë, pavarësisht se jo çdo gjë është e përsosur. Në fund
të fundit, demokracia është rrugë, nuk është destinacion. Ata që i fryjnë
burive të alarmit ose nuk e njohin gjendjen, ose e njohin por parapëlqejnë ta
injorojnë të vërtetën për motive të tjera, motive që nuk janë aspak demokratike.
Masat kundra kovidit në Ontario ku unë jetoj janë marrë thuajse
të gjitha nga qeveria e saj konservatore me në krye Doug Ford. Për Doug Ford unë
personalisht kam po aq simpati sa edhe për Justin Trudeau (thuajse zero).
Megjithatë, për mendimin tim në periudhën e pandemisë ka vepruar përgjithësisht
mirë, me urtësi. E them këtë, pasi ai ka pasur aq mençuri sa të dëgjojë
specialistët dhe të veprojë sipas këshillave të tyre. Politikanët duhet të dëgjojnë
specialistët. Megjithëse këto kohët e fundit Ontario është në prag të
zgjedhjeve provinciale, Ford vazhdon të ndjekë politika që ia diktojnë
specialistët e fushës. Ndoshta me këtë strategji ai i ka dhënë plot shanse vetes
që të zgjidhet përsëri.
Më sipër shkruajta se ky shpjegim është për miqtë e mij që
nuk jetojnë në Kanada. Shumica e miqve të mij që jetojnë në Kanada i dijnë këto
gjëra, dhe s’kanë nevojë për shpjegime. Ata që nuk i dijnë s’kanë për t’i mësuar
ndonjëherë, pavarësisht se çfarë iu shpjegohet dhe kush ua shpjegon. Ata që i dijnë dhe nuk i marrin parasysh kur shkruajnë dhe komentojnë sepse nuk iu përputhen
me idetë e tyre fikse thjesht janë për të qarë hallin.
No comments:
Post a Comment