Monday, December 29, 2025

Art i brishtë

Duke shfletuar në internet një listë librash të botuar më zuri syri këtë titull: “Arti i brishtë i not giving a f*ck.”

Në tetë fjalë të titullit, katër janë anglisht, origjinal anglisht, jo huazime në shqip nga anglishtja.
Si mund të arrijë përtacia intelektuale deri në atë pikë sa të mos marrësh mundimin të përkthesh titullin? Përse mund t’i shkojë mendja një njeriu të përkthejë dhe të botojë një libër të tërë, kur nuk është në gjendje të kapërcejë pengesën e parë, kapakun?
A është vërtet aq e vështirë? Not giving a f*ck, në përkthimin më të butë mund të ishte: të mos e vrasësh mendjen. Por mund të thuash: të mos e çash kokën. Ose, po të duash të jesh më pranë origjinalit në regjistër: të mos e çash b*thën, të mos e çash tr*apin, të mos e çash…Shqipja ka me bollëk shprehje të mirësjellta dhe të ndyra që mund të përdoren për ta dhënë këtë ide.
A thua përkthyesi e ka zotëruar aq shumë përmbajtjen e librit saqë ka arritur në pikën kur nuk e çan më menderen për të përkthyer si duhet titullin? Po atëherë përse e ka çarë menderen dhe e ka përkthyer të gjithë librin? Dhe, nga ana tjetër, përse duhet të çajë menderen lexuesi ta blejë dhe ta lexojë këtë paçavure?
Mund të mendohet që titulli është lënë qëllimisht gjysmë i papërkthyer ose për të dhënë idenë se përkthyesit nuk i intereson çfarë mendon lexuesi, ose të kundërtën, që përkthyesi e njeh aq mirë lexuesin saqë është i sigurt që ai ose ajo kupton aq anglisht sa ta marrë vesh humorin e shprehjes. Nëse është kjo e dyta, atëherë lexuesi fare mirë mund ta marrë e ta lexojë librin në origjinal.
Nuk e imagjinoj dot se si dikush mund t’i kushtojë orë të tëra përkthimit të një libri, ta bëjë gati atë, ta lexojë dhe rilexojë, ta redaktojë dhe korrektojë, pa mundur të përkthejë si duhet titullin. Pasi ka mbaruar punë, pastaj shkon te botuesi dhe i thotë: Shiko, kam përkthyer një libër të shkëlqyer. Ma boto.
Botuesi, pasi pyet për titullin dhe përmbajtjen e librit dhe merr përgjigjen “Arti i brishtë i not giving a f*uck”, pa i bërë syri tërr, e miraton librin për botim – domethënë e çon në shtypshkronjë dhe i ve në dispozicion bojë dhe letër – pemë të tëra të prera.
Ky është mendimi im, por ndoshta jam i gabuar. Ndoshta kemi të bëjmë me një risi, me një vlerë të re të përkthimit. Mbase vërtet duhet të mos give e f*ck. Në këtë rast duhet t’i kthehemi përkthimeve të disa kryeveprave botërore dhe t’ua redaktojmë titujt. Unë po e nis me disa:
Njëqind vjet de soledad, nga Gabriel Garsia Markez
Njëmijë e nëntëqind e eighty four, nga Xhorxh Oruell
Krim dhe nakazanije, nga Fjodor Dostojevski
Lufta dhe mir, nga Leo Tolstoi
Gjethe of grass, nga Uolt Uitman
80 ditë le tour du monde, nga Zhul Vern
Njeriu që rit, nga Viktor Hugo
Në kërkim të du temps perdu, nga Marsel Prust
Për të perifrazuar Zhvejkun, ç'më duhet mua çfarë shkruaj unë?!

No comments: