Sunday, December 2, 2012

Gjyshi



Gjyshi im nuk ka qënë një nga ata që kanë firmosur Dokumentin e Pavarësisë. Gjyshi im nuk ka qënë nga ata që pritën Princ Vidin në Durrës. Gjyshi im nuk ishte ministër i qeverisë së Fan Nolit, Zogut, dhe as i ndonjë qeverie tjetër para dhe pas tij. As gjyshja ime nuk ka qënë ajo që qëndiste flamurin që do të ngrihej në Vlorë, Durrës, Elbasan, Shkodër, apo Tiranë. Gjyshrit e mij nuk kanë pasur toka, prona, lidhje të rëndësishme, për të qënë njerëz që ngrinin flamurë, firmosnin dokumentë, organizonin beteja të ashpra fitimtare. Gjyshrit dhe gjyshërit e mij kanë qënë thjesht disa shqiptarë të zakonshëm, besoj të ndershëm, që iu lanë bijve dhe bijave të tyre, domethënë edhe prindërve të mij trashëgim gjuhën shqipe dhe vetëdijen shqiptare. Prindërit e mij m'i përollën këto mua. A s'kam të drejtë edhe unë ta gëzoj 100 vjetorin e pavarësisë po aq sa nipi apo mbesa e Filan Bëmëmadhit, Fistek Beut, Firmëtar Nismëtarit, Themelues Bajraktarit, e gjithë këtyre superpatriotëve që po na mbysin gjithë këtë kohë? A është 100 vjetori i shpalljes së Pavarësisë festë për të gjithë shqiptarët, apo vetëm për nipërit dhe mbesat e figurave te ndritura historike? Jo për gjë, po sikur po na troshitët trutë duke iu rënë papushim gjokseve nëpër televizorë, gazeta, faqe interneti dhe facebook-u.

Sipas bathëve



Kur të festohet 150 ose 200 vjetori i Pavarësisë njerëzit do jenë krejt ndryshe nga këta të sotmit - të paktën po aq ndryshe sa jemi ne nga njerëzit e 100 viteve më parë. Me sa duken bathët, edhe vlerat morale do kenë ndryshuar ca, ndërkohë që nuk ka asnjë shenjë që të na bindë se do të ndryshojnë për mirë. Prandaj, po të na duhet të parashikojmë ç'do të ndodhë aty rrotull 150 vjetorit të Pavarësisë, mund të nisemi themi me bindje se Facebook nuk do ekzistojë më - me siguri që do të jetë zëvendësuar me Assbook. Në Assbook do të gjesh statuse të tilla (të shoqëruara ose jo me video apo fotografi dhe video tri-dimensionale):
- Ky është gjyshi im që ka qënë Ministër në inicie të viteve 2000. Manipulonte tendera. Ka fituar aq shumë euro, saqë ka lënë për ne dhe për fëmijët tanë. Auguri Indipendencën!
- Daja. Një nga xhornalistët më brilante televizivë të tranzicionit. Kur inicuan televizionet private, u bë nga më të paguarit në Shqipëri. E dini ç'iu punonte njerëzve të korruptuar? Ua gjente pikën e dobët, i filmonte (zakonisht me ndonje zuskë) dhe pastaj iu kërkonte para per të mos e publikuar videon. Vuri pare me thes. Happy 150 Compleanon!
 - Kjo këtu, djathtas, me legen në dorë, është gjyshja ime patrimoniale. Ai bambinoja i vogël në krah është babai im. Ditën që është marrë fotoja ishte 100 aniversari i Indipendencës. E mbushën legenin me tortë dhe hëngrën gjithë fisi. Babai, kur u rrit, lavoravi në doganë.
- E shikoni këtë femrën kuazi nudo këtu? Eshtë sorrela e gjyshes. Për guston aktuale s'duket gjë, po në tempon e vet ka qënë seks bomba. Pioniere e operacioneve plastike për implantet e gjoksit. Sa ishte e re punoi si sekretare për pesë a gjashtë ministra. Pastaj, u matrimonua me një biznesmen dhe e la punën. U divorcua shpejt. Nuk pati fëmijë, por ama kur vdiq ishte mjaft e pasur. Na ka lënë gjithë ato para. Njerëz si ajo e kanë bërë Shqipërinë kjo që është sot.
- E shikoni këtë mashkullin këtu? Vëllai i gjyshit. Sa ishte ministër - nja dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet - mund të ketë ndërroi mbi tridhjetepesë sekretare. Gjashtë muaj maksimumi dhe hë - tjetra.
- Ja edhe gjyshi im. Politikan me nam. Në kohë të komunizmit ishte anëtar i Partisë së Punës. Pastaj u bë Social-demokrat. Më vonë kaloi me Aleancën Demokratike, me Ballin, me Republikanen, me Partinë e Mbretit, me Kristian Demokratët, me Aleancën Kuq e Zi, me aleancën Blu-Jeshil, me Aleancën...Nuk numërohet sa parti ka ndërruar. Gjashtë herë deputet. Mjeshtër i vërtetë. Gjyshi vuri themelet e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.
- Kjo është teze-madhja. I thomi "teze", pavarësisht nga brezat. Ja, kjo ishte ajo që i piu gjakun atij shikasit mu në mes të sheshit në Vlorë në 1997tën. Më vonë u bë deputete. Hajde fis, hajde! Na nderojnë të gjithë. Nipërit dhe mbesat e saj të gjithë ambasadorë e drejtorë drejtorie u bënë.
Ndërkohë, të gjitha statuset e Assbook-ut do të jenë të shoqëruara nga komente si:
- Uau! E papame!
- Të puç fort! Puç-puç!
- Të jeni krenar për gjyshin! I papam!
- Normal! I papam!......
Lum kush të rrojë, ta shohë Zonjë!