Gjyshi im nuk ka qënë një nga ata që kanë firmosur
Dokumentin e Pavarësisë. Gjyshi im nuk ka qënë nga ata që pritën Princ Vidin në
Durrës. Gjyshi im nuk ishte ministër i qeverisë së Fan Nolit, Zogut, dhe as i
ndonjë qeverie tjetër para dhe pas tij. As gjyshja ime nuk ka qënë ajo që qëndiste
flamurin që do të ngrihej në Vlorë, Durrës, Elbasan, Shkodër, apo Tiranë.
Gjyshrit e mij nuk kanë pasur toka, prona, lidhje të rëndësishme, për të qënë
njerëz që ngrinin flamurë, firmosnin dokumentë, organizonin beteja të ashpra
fitimtare. Gjyshrit dhe gjyshërit e mij kanë qënë thjesht disa shqiptarë të
zakonshëm, besoj të ndershëm, që iu lanë bijve dhe bijave të tyre, domethënë
edhe prindërve të mij trashëgim gjuhën shqipe dhe vetëdijen shqiptare. Prindërit
e mij m'i përollën këto mua. A s'kam të drejtë edhe unë ta gëzoj 100 vjetorin e
pavarësisë po aq sa nipi apo mbesa e Filan Bëmëmadhit, Fistek Beut, Firmëtar
Nismëtarit, Themelues Bajraktarit, e gjithë këtyre superpatriotëve që po na
mbysin gjithë këtë kohë? A është 100 vjetori i shpalljes së Pavarësisë festë për
të gjithë shqiptarët, apo vetëm për nipërit dhe mbesat e figurave te ndritura
historike? Jo për gjë, po sikur po na troshitët trutë duke iu rënë papushim
gjokseve nëpër televizorë, gazeta, faqe interneti dhe facebook-u.
No comments:
Post a Comment