Monday, August 19, 2013

Arti i Rilindjes Italiane



Arti i Italisë (ose shkurt Arti) mori një hov të paparë zhvillimi pas viteve 1400, në periudhën e Rilindjes. Padyshim, kryeqendra e Rilindjes së Artit është Firence dhe shtysa kryesore e kësaj lëvizje është familja Mediçi. Këto janë disa shënime për këndvështrimin tim mbi artin e Rilindjes mbështetur edhe në përshtypjet e udhëtimit në Itali (Korrik-Gusht 2013).
Cimabue_Maestà, 1280-1285, Uffizi Gallery, Florence
Arti mesjetar (pas-romak) si çdo veprimtari tjetër intelektuale ishte pronë e Kishës Katolike. Vetëm Kisha kishte në dorë aq kapital sa të financonte krijimin e artit dhe kishte interes qe ta zhvillonte atë. Pikturat e kohës ishin të gjitha ilustrime të temave fetare. Brenda çdo pikture jepej zhvillimi i një episodi biblik. Kjo ishte mënyra se si Kisha dhe priftërinjtë e shkolluar komunikonin me njerëzit e thjeshtë, analfabetë. Pikturat ishin filmat e kohës që propagandonin Biblën.
Ato ishin të gjitha dy-dimensionale, siç e tregon edhe Maesta e Benvenuto di Giuseppe’s.

Giotto "Lamentation"
I pari artist që krijoji piktura tre-dimensionale ishte Giotto, një ndër pararendësit e piktorëve të mëdhenj të Rilindjes. Pikturat e kësaj periudhe krijoheshin mbi fletë të holla ari, të cilat nxirreshin
nga monedha ari të rrahura me çekan. Në këtë vështrim, pikturat duhet të kenë qënë jashtëzakonisht të shtrenjta për t’u prodhuar.
Ndoshta jo të gjitha, por pjesa më e madhe e zhvillimeve të artit të
Palazzio Vecchio e familjes Mediçi
Cosimo di Giovani De Medici
Rilindjes filluan në Firence. Kjo për arsyen e se aty zotëronte familja Mediçi, ndoshta familja më e rëndësishme e botës për një periudhë katër-pesë shekullore. Mediçit ishin të fuqishëm dhe me ndikim të gjithanshëm. Ata zhvilluan sistemin e parë bankar modern. Duke pasur një pasuri të pallogaritshme, Mediçit ishin ndoshta të vetmit rivalë të Kishës Katolike në grumbullimin e kapitalit. Padyshim, njeriu më i rëndësishëm për mbështetjen financiare të artit të rilindjes është Cosimo di Giovani De Medici (1389 – 1464). Ai ishte i pari që e përdori një pjesë të pasurisë së tij të madhe për artin dhe artistët në mënyrë të pavarur nga Kisha apo nga Mbretërit, traditë që u ndoq më vonë nga shumica e pasardhësve të tij.

Lindja e Venusit e Botticellt e merr temën nga mitologjia Romake
Pavarësia financiare e krijuar nga familja Mediçi për artin pati efekt të trefishtë - se pari, nxiti më shumë artistë që t’i përvishen seriozisht këtij profesioni; së dyti, e shkëputi gradualisht artin nga kufizimi tematik i Kishës – artistët filluan ta hidhnin vështrimin te mitologjitë para-kristiane dhe, veçanërisht, te njeriu, si subjekte të veprave të tyre; së treti, duke shmangur peshën e censurës, krijoji hapësira të paimagjinueshme perceptimi artistik. Krerët e familjes Mediçi i dhanë udhë të lirë diskutimit etik. Mendimi i artistëve të mëdhenj të kohës filloi të bëhej gjithmonë e më vendimtar për formën dhe përmbajtjen e krijimeve.

Dëshmi e padiskutueshme e këtij zhvillimi është pasuria e paparë artistike që gjendet edhe sot në një rreze të vogël rreth shtëpisë së familjes Mediçi (Palazzo Vecchio në Firence) – në Galleria Degli Uffizi, në Piazza della Signoria.


Përpara statujës së Leonardos, Milano
Ky zhvillim solli edhe dy gjigandët e Rilindjes – Leonardo dhe Mikelanxhelon, që, natyrisht, kanë pasur rivalitet me njeri-tjetrin. Lindur njëzetetre vjet më parë se rivali i tij artistik, Leonardo Da Vinçi konsiderohet si kuintesenca e Rilindjes Europiane. Një gjeni shumëplanësh, ai hapi shtigje të pashkelura në shkencë, inxhinjeri, arkitekturë, art. Leonardo kishte etjen, inteligjencën, diturinë dhe mendjehapësinë për të eksploruar çdo aspekt të natyrës.
Leonardo dhe njohja nga afër me veprën e tij ishte për mua një nga shtysat e udhëtimit në Itali, veçanërisht në Firence dhe Milano. Përpos njohjes nëpërmet leximeve, albumeve dhe internetit, kisha parë ekspozitën “Gjeniu Da Vinçi” si dhe “Mona Lizën” në Luvër. Tani mezi prisja të shihja “Darkën e Fundit” dhe vepra të tjera.

Leonardo Da Vinci - Annunciazione
Në Galerinë Uffici shoqëruesi ishte një djalë i ri adhurues i Leonardos. Ai na ndali pranë një kryevepre, “Annunciazione” dhe na shpjegoi se si, e parë nga përballë dy muret paralele prapa Marisë të krijonin përshtypjen sikur Leonardo nuk e njihte mirë perspektivën. Por nëse piktura vihej në një qoshe lart, majtas, atëherë gjithçka ishte e përsosur. Dhe ashtu qe vërtet. Këndi i vështrimit ndryshonte gjithçka dhe vërtetonte edhe njëherë gjenialitetin e Leonardos.

Leonardo Da Vinci - Darka e Fundit
Pasi sheh “Mona Lisën”, “Darkën e Fundit”, “Annunciazione”  
dhe vepra të tjera të Leonardos bindesh për forcën e madhe të artit të tij. Megjithatë, bindja që të përcjell Leonardo është bindje logjike, intelektuale.



Mikelanxhelo - Davidi, Galleria Dell' Accademia, Firence
Ndryshe ndodh me Mikelanxhelonpër mua përbën befasinë më të madhe të këtij udhëtimi. Nuk e kisha imagjinuar se një pikturë apo një skulpturë mund të të ndikonte aq fort emocionalisht. Pak njerëz në botë mund të mos e kenë parë imazhin e “Davidit”. Vetëm në Firence ai ndodhet në tre kopje me përmasa origjinale – një kopje bronzi në Piazzale Michelangelo, një kopje në Piazza della Signoria, dhe natyrisht origjinali, në Galleria Accademia. Ti sheh kopjet dhe mrekullohesh. Por kur hyn në sallë dhe shikon origjinalin, ke një ndjenjë të papërshkrueshme. Ke ndjesinë që ndodhesh përpara diçkaje të jashtëzakonshme, të përkryer, të paarritshme.
Në dallim nga Leonardo, që studionte gjithçka përreth tij, Mikelanxhelo e përqëndroi gjeniun e tij te njeriu, te natyra njerëzore. Dhe rezultati është i dukshëm. Davidi është përsosmëria e shprehjes artistike të njeriut; një statujë mbi pesë metra përmasat e të cilës ti nuk i vë re, pasi ke përshtypjen se ajo bukuri aty po lëviz dhe është pjesë organike e masës së njerëzve që ka ardhur për ta parë. Michelangelo ka arritur të kthejë mermerin e ftohtë në një qenie të gjallë njerëzore – në një qenie të përsosur njerëzore.   
Mahnitja ime e dytë me Mikelanxhelon ishte në Vatikan – por jo me Qelën Sistine. Ndoshta për shkak të njerëzve të shumtë përreth, tensionit që krijonin policët që vërtiteshin si të ndërkryer dhe një zë nervoz dhe i ashpër që kërkonte me ngulm qetësi dhe mosshkrepje aparatesh fotografikë, unë nuk arrita ta shijoj si duhet atë kryevepër që zbukuron tavanin e Qelës. Detajet e saj i kam pare shpesh në albume dhe në Internet, përmbajtjen e saj e njoh. Por nuk mund të them se e kam përjetuar emocionalisht si vepër arti.  
Ajo që më la përsëri pa frymë ishte një tjetër skulpturë tjetër kryevepër e Mikelanxhelos, “Pieta”.
Mikelanxhelo - Pieta, Bazilika e Shën Pjetrit, Vatikan
Diku në krahun e djathtë në hyrje të Bazilikës së Shën Pjetrit, Pieta nuk tërhiqte edhe aq shumë vizitorë – të paktën jo aq sa duhej të tërhiqte për vlerat e saj. Te unë ajo pati të njëjtin efekt si edhe Davidi.
Ndërkohë që Davidi e merr temën nga mitologjia e Testamentit të Vjetër, Pieta i drejtohet mitologjisë së Testamentit të Ri. Skulptura pasqyron çastin kur Maria mban në prehër trupin pa jetë të Krishtit, shpirti i të cilit ka fluturuar në qiell për t’u bashkuar me të atin, ose me vetveten – Zotin. Skulptura e Mikelanxhelos është një kryevepër në çdo milimetër të saj. Ajo që të bije në sy është kontrasti midis trupit pa jetë të Krishtit, dhe shprehjes emocionale të Maries. Nëse Davidi përfaqëson jetën njerëzore dhe të mahnit me gjallërinë e tij, trupi i pajetë i Krishtit të mahnit me mungesën e jetës. Ndërkohë, figura e gjallë në atë skulpturë, Maria, nuk kontraston aspak me lëvizje energjike, apo me emocione të forta. Ajo kontraston me një shprehje dëshpërimi të lehtë, nënshtrimi ndaj fatit, keqardhje, hutimi. Nëse dikush ka lindur një fëmijë që mendon se është fëmija e zotit, nëse e ka rritur dhe adhuruar gjithë jetën atë fëmijë si fëmijën e zotit, dhe nëse vjen një ditë që shpirti i kësaj fëmije do t’i kthehet zotit dhe nënës do t’i mbetet në dorë vetëm trupi pa jetë i tij, atëherë pikërisht kjo do të ishte shprehja e nënës. Te “Pieta” Mikelanxhelo është gjenial në konceptim dhe në realizim. Konceptimi është jashtëzakonisht i guximshëm, revolucionar, ndërsa realizimi i përsosur, i paarritshëm.

Wednesday, August 14, 2013

Oruell shpjegon “1984



Oruell shpjegon “1984
Në 1944, tre vjet para se të shkruante dhe pesë vjet para se të botonte ‘1984’, Xhorxh Oruell ka hartuar një letër në të cilën jep detaje mbi bazën e romanit të tij të madh. Letra, që paraljmëron rrezikun e shteteve policore që “do të thonë se dy edhe dy bëjnë pesë“, është ribotuar në librin ‘Xhorxh Oruell: Jetë në Letra’, redaktuar nga Piter Davison dhe botuar nga Liveright.
Drejtuar Noel Willmett
18 Maj 1944
10a Mortimer Crescent NW 6
I dashur Z. Willmett,
Ju falenderoj shumë për letrën që më dërgonit. Ju pyesni nëse totalitarizmi, adhurimi i udheheqësve e të tjera janë vërtet dukuri në rritje dhe sillni si shembull faktin që ato nuk janë edhe aq të dukshme në këtë vend apo në SHBA.
Duhet të them se besoj, ose kam frikë se, duke marrë parasysh botën në tërësi këto dukuri janë në rritje. Nuk ka dyshim se Hitleri do bjerë shpejt, por ama në kurriz të forcimit të (a) Stalinit, (b) milionerëve Anglo-Amerikanë dhe (c) një morie fyhrerash të vegjël të tipit të de Golit. Të gjithë lëvizjet kombëtare, kudoqofshin, duke përfshirë edhe ato që i kundërvihen dhunës gjermane, duken sikur po marrin forma jo-demokratike dhe po grumbullohen rreth ndonjë fyrheri supernjeri (Hitleri, Stalini, Salazari, Franko, Gandi, De Valera, e një mori shembujsh të tjerë të ngjashëm) dhe duket se e kanë tepër për zemër teorinë se qëllimi justifikon mjetin. Në të gjithë botën vihet re një lëvizje drejt ekonomive të përqëndruara, të cilat mund edhe të kenë një farë ecurie në kuptimin ekonomik, por nuk janë të organizuara në mënyrë demokratike dhe kanë prirjen të mbështesin një sistem kastash. Këtyre iu bashkangjiten tmerret e nacionalizmit emocional dhe një prirje për të mos besuar ekzistencën e të vërtetës objektive, sepse të gjithë faktet duhen shtrembëruar për t’iu përshtatur fjalëve dhe parashikimeve të fyrherave të pagabueshëm. Në një farë mënyre historia ka rreshtur së ekzistuari, që do të thotë se nuk ka diçka që të shihet si histori e kohës sonë e pranuar nga të gjithë, ndërkohë që shkencat e sakta do të rrezikohen në çastin kur makina ushtarake nuk do të jetë më e interesuar për zhvillimin e tyre. Hitleri mund të dalë e të thotë që luftën e filluan çifutët dhe, po arriti të mbijetojë, kjo do të kthehet në histori zyrtare. Ai nuk do të thotë që dy edhe dy bëjnë pesë, sepse për interestat e, le të themi, balistikës, atij do t’i duhet të bëjnë katër. Por nëqoftëse bëhet realitet ajo botë që unë e kam frikë, një botë me dy apo tre supershtete që e kanë të pamundur të pushtojnë njëri-tjetrin, dy edhe dy mund të bëjnë pesë, nëqoftëse do t’i vijë për shtat fyrherit. Me ç’po shoh unë, ne ia kemi hyrë mirë kësaj rruge megjithëse, natyrisht, procesi është i kthyeshëm.
Sa për të imunitetin relativ të Britanisë dhe SHBAsë, çfarëdo që mund të thonë pacifistët e të tjerët, ne nuk kemi kaluar ende në totalitarizëm dhe kjo është një simptomë shpresëdhënëse. Siç e kam shpjeguar edhe në librin Luani dhe Njëbrirëshi, unë kam besim të thellë te anglezët dhe te aftësia e tyre për ta përqëndruar ekonominë pa cënuar lirinë. Megjithatë, duhet të kemi parasysh që Britania dhe SHBA nuk janë vënë në provë, ato nuk kanë njohur humbje ose vuajte të skajshme, dhe ka edhe shenja të këqija për të barazpeshuar të mirat. Si fillim mund të thuhet që ndihet një mospërfillje e përgjithshme për rënien e demokracisë. Për shembull, a e keni vënë re që në Angli sot nuk voton asnjeri nën moshën 26 dhe se duket qartë që një masë e medhe e njerëzve të kësaj grupmoshe as që e çajnë kokën? Së dyti është fakt që intelektualët kanë këndvështrim më totalitar se njerëzit e zakonshëm. Inteligjenca angleze në tërësi e kundërshton Hitlerin, por këtë e bën vetëm në kurriz të pranimit të Stalinit. Shumica e tyre janë më se të hapur për metoda diktatoriale, për polici të fshehtë, për falsifikime të vazhdueshme të historisë, etj. me kusht që këto të jenë në interesin ‘tonë‘. Ç’është e vërteta, deklarimi që ne në Angli nuk kemi lëvizje fashiste do të thotë që hë për hë rinia po e kërkon fyrherin diku tjetër. Nuk mund të jesh i sigurt që kjo s’ka për të ndryshuar, siç nuk mund të jesh i sigurt as që pas dhjetë vjetësh njerëzit e thjeshtë nuk do të mendojnë njëlloj si intelektualët e sotëm. Shpresoj që kjo të mos ndodhë, madje kam edhe një besim që kjo s’ka për të ndodhur, por po qe se ndodh atëherë do të jetë me pasoja. Nëse dalim e themi që gjërat bëhen për të mirë, dhe nuk arrijmë ta vemë gishtin te shenjat e liga, atëherë s’bëjmë gjë tjetër veçse ndihmojmë afrimin e sistemit totalitar. 
Ti më pyet që, po qe se mendoj që bota është e prirur drejt fashizmit, atëherë përse e mbështes luftën. Është thjesht zgjedhje mes të këqijash – dhe besoj se të gjitha luftërat kështu janë. Unë e njoh imperializmin britanik aq sa të mos e pëlqej atë, megjithatë kundër nazizmit ose imperializmit japonez do ta mbështesja atë si të keqen më të vogël. Po kështu, do të mbështetja BRSS kundër Gjermanisë sepse mendoj që BRSS nuk do të arrijë t’i shpëtojë të kaluarës së vet dhe të ruajë dot idetë origjinale të revolucionit për t’u kthyer në një fenomen më shpresëdhënës se sa Gjermania Naziste. Mendoj, dhe kam menduar kështu që kur filloi lufta, diku në 1936, se çështja jonë është më e mirë, por ne duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë atë, dhe kjo nënkupton kritikë të vazhdueshme.
Juaji Sinqerisht,
Geo. Orwell