Wednesday, August 14, 2013

Oruell shpjegon “1984



Oruell shpjegon “1984
Në 1944, tre vjet para se të shkruante dhe pesë vjet para se të botonte ‘1984’, Xhorxh Oruell ka hartuar një letër në të cilën jep detaje mbi bazën e romanit të tij të madh. Letra, që paraljmëron rrezikun e shteteve policore që “do të thonë se dy edhe dy bëjnë pesë“, është ribotuar në librin ‘Xhorxh Oruell: Jetë në Letra’, redaktuar nga Piter Davison dhe botuar nga Liveright.
Drejtuar Noel Willmett
18 Maj 1944
10a Mortimer Crescent NW 6
I dashur Z. Willmett,
Ju falenderoj shumë për letrën që më dërgonit. Ju pyesni nëse totalitarizmi, adhurimi i udheheqësve e të tjera janë vërtet dukuri në rritje dhe sillni si shembull faktin që ato nuk janë edhe aq të dukshme në këtë vend apo në SHBA.
Duhet të them se besoj, ose kam frikë se, duke marrë parasysh botën në tërësi këto dukuri janë në rritje. Nuk ka dyshim se Hitleri do bjerë shpejt, por ama në kurriz të forcimit të (a) Stalinit, (b) milionerëve Anglo-Amerikanë dhe (c) një morie fyhrerash të vegjël të tipit të de Golit. Të gjithë lëvizjet kombëtare, kudoqofshin, duke përfshirë edhe ato që i kundërvihen dhunës gjermane, duken sikur po marrin forma jo-demokratike dhe po grumbullohen rreth ndonjë fyrheri supernjeri (Hitleri, Stalini, Salazari, Franko, Gandi, De Valera, e një mori shembujsh të tjerë të ngjashëm) dhe duket se e kanë tepër për zemër teorinë se qëllimi justifikon mjetin. Në të gjithë botën vihet re një lëvizje drejt ekonomive të përqëndruara, të cilat mund edhe të kenë një farë ecurie në kuptimin ekonomik, por nuk janë të organizuara në mënyrë demokratike dhe kanë prirjen të mbështesin një sistem kastash. Këtyre iu bashkangjiten tmerret e nacionalizmit emocional dhe një prirje për të mos besuar ekzistencën e të vërtetës objektive, sepse të gjithë faktet duhen shtrembëruar për t’iu përshtatur fjalëve dhe parashikimeve të fyrherave të pagabueshëm. Në një farë mënyre historia ka rreshtur së ekzistuari, që do të thotë se nuk ka diçka që të shihet si histori e kohës sonë e pranuar nga të gjithë, ndërkohë që shkencat e sakta do të rrezikohen në çastin kur makina ushtarake nuk do të jetë më e interesuar për zhvillimin e tyre. Hitleri mund të dalë e të thotë që luftën e filluan çifutët dhe, po arriti të mbijetojë, kjo do të kthehet në histori zyrtare. Ai nuk do të thotë që dy edhe dy bëjnë pesë, sepse për interestat e, le të themi, balistikës, atij do t’i duhet të bëjnë katër. Por nëqoftëse bëhet realitet ajo botë që unë e kam frikë, një botë me dy apo tre supershtete që e kanë të pamundur të pushtojnë njëri-tjetrin, dy edhe dy mund të bëjnë pesë, nëqoftëse do t’i vijë për shtat fyrherit. Me ç’po shoh unë, ne ia kemi hyrë mirë kësaj rruge megjithëse, natyrisht, procesi është i kthyeshëm.
Sa për të imunitetin relativ të Britanisë dhe SHBAsë, çfarëdo që mund të thonë pacifistët e të tjerët, ne nuk kemi kaluar ende në totalitarizëm dhe kjo është një simptomë shpresëdhënëse. Siç e kam shpjeguar edhe në librin Luani dhe Njëbrirëshi, unë kam besim të thellë te anglezët dhe te aftësia e tyre për ta përqëndruar ekonominë pa cënuar lirinë. Megjithatë, duhet të kemi parasysh që Britania dhe SHBA nuk janë vënë në provë, ato nuk kanë njohur humbje ose vuajte të skajshme, dhe ka edhe shenja të këqija për të barazpeshuar të mirat. Si fillim mund të thuhet që ndihet një mospërfillje e përgjithshme për rënien e demokracisë. Për shembull, a e keni vënë re që në Angli sot nuk voton asnjeri nën moshën 26 dhe se duket qartë që një masë e medhe e njerëzve të kësaj grupmoshe as që e çajnë kokën? Së dyti është fakt që intelektualët kanë këndvështrim më totalitar se njerëzit e zakonshëm. Inteligjenca angleze në tërësi e kundërshton Hitlerin, por këtë e bën vetëm në kurriz të pranimit të Stalinit. Shumica e tyre janë më se të hapur për metoda diktatoriale, për polici të fshehtë, për falsifikime të vazhdueshme të historisë, etj. me kusht që këto të jenë në interesin ‘tonë‘. Ç’është e vërteta, deklarimi që ne në Angli nuk kemi lëvizje fashiste do të thotë që hë për hë rinia po e kërkon fyrherin diku tjetër. Nuk mund të jesh i sigurt që kjo s’ka për të ndryshuar, siç nuk mund të jesh i sigurt as që pas dhjetë vjetësh njerëzit e thjeshtë nuk do të mendojnë njëlloj si intelektualët e sotëm. Shpresoj që kjo të mos ndodhë, madje kam edhe një besim që kjo s’ka për të ndodhur, por po qe se ndodh atëherë do të jetë me pasoja. Nëse dalim e themi që gjërat bëhen për të mirë, dhe nuk arrijmë ta vemë gishtin te shenjat e liga, atëherë s’bëjmë gjë tjetër veçse ndihmojmë afrimin e sistemit totalitar. 
Ti më pyet që, po qe se mendoj që bota është e prirur drejt fashizmit, atëherë përse e mbështes luftën. Është thjesht zgjedhje mes të këqijash – dhe besoj se të gjitha luftërat kështu janë. Unë e njoh imperializmin britanik aq sa të mos e pëlqej atë, megjithatë kundër nazizmit ose imperializmit japonez do ta mbështesja atë si të keqen më të vogël. Po kështu, do të mbështetja BRSS kundër Gjermanisë sepse mendoj që BRSS nuk do të arrijë t’i shpëtojë të kaluarës së vet dhe të ruajë dot idetë origjinale të revolucionit për t’u kthyer në një fenomen më shpresëdhënës se sa Gjermania Naziste. Mendoj, dhe kam menduar kështu që kur filloi lufta, diku në 1936, se çështja jonë është më e mirë, por ne duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë atë, dhe kjo nënkupton kritikë të vazhdueshme.
Juaji Sinqerisht,
Geo. Orwell

No comments: