Tuesday, July 23, 2013

Kërpaçë



E dini kush është problemi me Shqipërinë sot? Kërpaçët. Jetën shqiptare e kontrollojnë kërpaçët. Me kërpaç nënkuptoj dikë që s’di ose di shumë pak nga fusha në të cilën ha bukë. Kërpaçë në politikë, kërpaçë në drejtësi, kërpaçë në media, kërpaçë në biznes, në sport, kudo. Njerëz që s’dijnë, s’kanë pasur kohë, dëshirë, apo vullnet për të mësuar gjë, krejt papritur hiqen si ekspertë dhe iu japing mend të tjerëve. Politikanë që s’marrin vesh nga politika, juristë që s’marrin vesh nga ligji, yje të medias që s’dijnë asgjë nga gazetaria japin mendime qesim, të bindur që ata i dijnë gjërat më mirë se kushdo tjetër.
Nuk më intereson fare sa erudit, sa i kulturuar, sa mendjehapur apo mendjembyllur është Fatos Lubonja. Në gazetari ai është thjesht kërpaç dhe, e keqja e madhe është se, ashtu si ata që ai vetë shpotit dhe kritikon në politikë, ka njëzet vjet që ka pushtuar median shqiptare me kërpaçllëkun e vet, duke u bërë një shembull i keq për këdo që përpiqet t’i hyjë profesionit të nderuar të gazetarit.
Lubonja mund të dijë të shkruajë libra me kujtime – dy prej të cilave i kam lexuar dhe i vlerësoj vërtet. Ai mund të dijë të shkruajë trajtesa filosofike, romane, tregime, poezi, apo gjëra të tjera që kanë të bëjnë me kujtesën, përfytyrimin, apo imagjinatën. Por ai nuk di ABCnë e gazetave, nuk merr vesh nga parimi bazë i gazetarisë që është e vërteta.
Gazetaria është profesion që bazohet te fakti. Nuk bazohet as te përdredhja e fjalës, as te rrumbullakimi i frazave, as te shprehjet “e forta”, as te mendimet origjinale, as te shkalla e frymëzimit, krijimtarisë, dhe as te autoriteti i atij që shkruan. Pothuajse të gjithë llojet e shkrimit në gazetë, që nga lajmi i thjeshtë e deri te  reportazhet dhe shkrimet analitike bazohen në fakte. I vetmi përjashtim bëhet me shkrimet e opinioneve dhe editorialet, si dhe me letrat e lexuesit, të cilat megjithëse përpiqen t’i mbushin mendjen lexuesit se pasqyrojnë të vërtetën, kanë shumë më tepër hapësirë për përsiatje se sa për argumentim. Megjithatë, çdo gazetë serioze dhe çdo gazetar serioz bën përpjekje për t'i ndarë dhe dalluar qartë shkrimet që pasqyronë realitetin nga përsiatjet e autorëve.  
Fakti merr edhe më tepër rëndësi kur futesh në hullitë e asaj që quhet ‘gazetari hetimore’ – fushë të cilës Lubonja nuk me duket se ia ka as idenë as kohën apo vullnetin për ta lëvruar. Nëse nuk bazohet te faktet, gazetaria hetimore është ose hiç, ose një fushë e minuar me probleme ligjore.
Gazetaria hetimore merret me hetimin (investigimin) e fakteve që janë të vështira dhe të rrezikshme për t’u gjetur, nuk merret me opinione dhe me interpretime të librave që ke lexuar. Është një fushë krejtësisht e veçantë nga natyra, që kërkon aftësi të veçanta profesionale, kohë, përkushtim, studim. Ndërsa Lubonja nuk ka asnjë nga këto. Lubonja di vetëm të shkruajë qesim, të nxijë mbi letër mendime që i vjen në kokë. Profesioni i tij është të mbushë sa më shumë faqe gazetash, të paraqitet në sa më shumë emisione televizive, të debatojë dhe të kundërshtojë me sa më shumë njerëz të kallëpit të vet. Ai nuk i ka as njohuritë profesionale, as kohën për t’u marrë me gazetari hetimore. Jo vetëm kaq, por hiqet edhe si ekspert.  
Dalja para disa ditësh me një artikull ku akuzohet ish-kryeministri i Kosovës dhe bashkë me të e gjithë UÇK për krime monstruoze ndaj serbëve, shqiptarëve etj., pavarësisht nga vendimi në të kundërt i gjykatës ndërkombëtare të Hagës është, së paku, shprehje e dukshme e kërpaçllëkut profesional. Lubonja bën akuza serioze në një shkrim që duhet t'i përkiste patjetër gazetarisë hetimore dhe që do të kërkonte medoemos mbështetje në fakte serioze dhe jo disa citime gjysmake të një libri të Karla Del Pontes. 
Lexuesi në përgjithësi mund të mos dijë shumë as për fajësinë as për pafajësinë e Hardinajt. Por shumica e shqiptarëve duhet ta dinë që ai ka qënë një ndër drejtuesit e luftës së Kosovës; që është akuzuar për krime lufte dhe, ndryshe nga të akuzuarit serbë që për vite të tëra iu fshehën drejtësisë si minj skutave të Beogradit, ai lëshoi vullnetarisht detyrën si Kryeministër i zgjedhur i vendit të tij dhe u paraqit në Hagë i gatshëm për t’u gjykuar si qytetar i thjeshtë. Ndoshta ky veprim i dha më shumë legjitimitet se gjithçka tjetër. Gjykata e Hagës e gjeti të pafajshëm dhe ky është fakt. Parimi bazë i drejtësisë është: I akuzuari konsiderohet i pafajshëm derisa të shpallet fajtor nga gjykata. Haradinaj është shpallur i pafajshëm nga gjykata. Ndërsa Lubonja e shpall atë fajtor. Në një gazetë gjermane. Pa fakte.
Sa për të sjellë një shembull se sa të besueshme janë ato që shkruan Lubonja mjafton të kapesh me një frazë lehtësisht të verifikueshme në të njëjtin shkrim: “…është fjala për autostradën e ndërtuar nga Berisha, që lidh Shqipërinë me Kosovën…” shkruan ai.  Rruga që lidh Shqipërinë me Kosovën nuk është ndërtuar nga Sali Berisha. Ajo as nuk është ideuar nga Sali Berisha. Rruga që lidh Shqipërinë me Kosovën është një rrugë që duhej të ishte ndërtuar shumë kohë më parë, ndoshta shekuj më parë. Është një nga krimet e komunizmit që ajo nuk u ndërtua gjatë diktaturës. Ajo ka qënë e ndërtuar gjithmonë në kokën e çdo shqiptari normal, ndërsa zyrtarisht është shpallur për herë të parë si projekt nga Kryeministri Pandeli Majko. Sali Berisha ka qënë Kryeministër i Shqipërisë në kohën kur ajo është inaguruar, siç do të jetë edhe Edi Rama e kushdo tjetër kryeministër në kohën që ajo do të mirëmbahet. Duket se Lubonja e lidh qëllimisht ndërtimin e rrugës me Berishën, për të mbrojtur idenë e tij fikse të një konspiracioni ultranacionalist shqiptar.  
Është vërtet e mjerueshme dhe për të ardhur keq kur edhe njerëz inteligjentë dhe të talentuar i bashkëngjiten klubit të kërpaçëve.


No comments: