Wednesday, July 16, 2014

Galeria e Horrave – Njihuni me Papët



Stephen Van Eck
As vetë katolikët nuk i njohin si duhet Papët e tyre. Po t’i njihnin, me siguri që do të çuditeshin me numrin e madh të palaçove dhe horrave që e kanë zënë historikisht atë vend pune. Dhe po të pyesnin Pse, do të rrezikonin të humbisnin besimin te fjala e pagabueshme e Shpirtit të Shenjtë. Më poshtë jepet një përmbledhje e disa prej rasteve më interesante. Kini parasysh se asnjë prej tyre nuk është shpallur ndonjëherë “Antipapë“ – një tjetër grup horrash që kanë hipur në fron me rrugë të paligjshme – këta këtu janë të gjithë të ligjshëm. Megjithatë, vështirë të imagjinohet se si të paligjshmit mund të kenë qënë më të këqinj se këta.
Shën Kallikstus (217-222) – Kur banka e krishterë që ai drejtonte humbi shuma të mëdha parash në, ua vuri fajin çifutëve dhe ia plasi sherrit në mes të një sinagoge. Shpalli se pronarët kishin të drejtë ligjore, si në martesë, që të bënin seks me skllevërit. U përmbys nga një grup kundërshtarësh, të cilët e kapën dhe mbytën në pus.
Shën Fabiani (236-250) – U zgjodh Papë sepse i ndaloi një pëllumb në majë të kokës, gjë të cilën njerëzit e morën si shenjë hyjnore. (Është e vërtetë, dikur Peshkopët zgjidheshin me votë të drejtpërdrejtë nga populli).
Shën Marcelinus (296-304) – Bëri gabimin e pafalshëm që i dorëzoi arkivat e Kishës autoriteteve romake. Gjatë një ceremonie publike iu ofroi temjan perëndive romake. Sinodi nuk e hoqi dot qafe, megjithëse më vonë ai i pranoi mëkatet. Megjithatë, e kanonizuan. Më vonë Augustini e mohoi që ai kishte bërë mëkate, ndërkohë që ngriti pretendimin arrogant se mëkatin e një Pape mund ta gjykojë vetëm Papa vetë.
Shën Leo i Madh (440-467) – Përse mbahet si i madh? Sepse i mbushi mendjen Atilës së Hanëve që të mos plaçkiste Romën. Por kisha nuk e tregon të gjithë historinë, domethënë që marrëveshja ndodhi pas Betejës së Troyes, kur Hatilës i ishte shkatërruar ushtria, dhe kur për t’u bindur u desh të premtoheshin edhe shuma të mëdha. Gjithashtu mbahet si hero edhe se i mbushi mendjen Gjenserikut që të mos e vandalizonte Romën, por vetëm sa ta plaçkiste. Leo ka pasur rol kyç në shpalljen e Doktrinës Petrinë, sipas të cilës Kisha e Romës kishte përparësi mbi gjithë Krishtërimin. Në vitin 445 ai arriti të bindte Perandorin që ta pranonte Doktrinën, dhe pastaj e ratifikoi në Këshillin e Kalkedonin. (Që nga ajo kohë fillon zyrtarisht edhe numërimi i Papëve). Së fundi, ai shpalli mëkat edhe seksin brenda martesës.
Stefani II (725-757) – Fallsifikoi dokumentin e Donacionit të Shën Pjetrit, duke i kaluar në mënyrë të paligjshme autoritetit të Papës një sipërfaqe të mëdha tokash të quajtura Toka Papore. Këtë mashtrim e hëngri edhe Pepini (i Shkurtër, Mbreti i Frankëve), i cili, së bashku me Sharlemainin pranuan të mernin rolin krahut të fortë të pushtetit papor.
Adriani I (772-795) – Është përgjegjës për Donacionin e Kostandinit, document tjetër i fallsifikuar që i kalonte Kishës pjesën më të madhe të Italisë. Kur u zgjodh ai ishte thjesht dhjak.
Stefani IV (986-7) – Nxorri përpara gjyqit kufomën e pararendësit të tij Formosus me akuzën se ishte zgjedhur në mënyrë të parregullt. (Ai në fakt ishte zgjedhur në mënyrë të njëzëshme). Pastaj, i preu kufomës tre gishtërinjtë e përdorur për Bekim, dhe e hodhi pjesën tjetër të trupit në ujë.
Serxhio III (904-911) – Vrau pararendësin. Kurvar me nam; dashnorja e tij zemërkeqe Teodora bënte ligjin bashkë me vajzën e saj zemërkeqe Marozia, e cila vrau Papën Xhon X. Djali i saj kopil u bë Papa Xhoni XI (931-936), hyri në burg dhe…
Papa Gjoni XII (955-963) – Papa adoleshent. Ktheu në kuplara Pallatin Apostolik Lateran; mburrej se adhuronte Satanin në altar; krenohej që kishte bërë seks me të ëmën dhe motrat.
Leo VIII (963-964) – Vdiq duke bërë seks.
Silvesteri II (999-1003) – Ishte nga ata që vunë në përdorim mashtrimin ndërrimit të mijëvjeçarit për t’i bindur njerëzit se botës i kishte ardhur fundi dhe do të shpëtonin vetëm po t’i dhuronin prona Kishës. Kur botës nuk i erdhi fundi, as që ua vuri veshin kërkesave të atyre që kishin mbetur me gisht në gojë. (Të njëjtën dredhi, vetëm se në shkallë më të vogël, kishte përdorur edhe Shën Gregori i Madh në vitin 500).
Adriani IV (1154-1159) – Anglez. I dhuroi Anglisë Irlandën, megjithëse kjo nuk ishte prona e tij, duke përgatitur kështu teatrin e konflikteve dhe viktimave shekullore.
Inocenti II (1198-1216) – Emër vërtet ironik. Papa më i pushtetshëm në botë. Ndër bëmat e tij: Filloi Inkuizicionin; këshilloi Mbretin Xhon të anullonte Manja Kartën (madje edhe i kërkoi Mbretit të Francës të pushtonte Anglinë për këtë punë); nxiti masakrën famëkeqe të Albigensianit, për të cilën kujtohet me thënien famëkeqe: “Vritini të gjithë - Zoti do t’i njohë të vetët.” Në fund fare, tha ca fjalë të mira për Kryqëzatën e Fëmijëve, duke e përdorur atë për të nisur një tjetër Kryqëzatë, atë për të rriturit.
Grigori IX (1227-1240) – Zyrtarizoi përfundimisht Inkuizicionin.
Martini IV (1281-1289) – Hante ngjala si i babëzitur, derisa i plasi stomaku dhe vdiq.
Shën Celestini IV (1294) – Një hermit dhe asket shumë i admiruar që u zgjodh Papë, por që shumë shpejt provoi se nuk i përballonte dot përgjegjësitë administrative (për të mos përmendur se sa i paditur ishte nga ana ligjore). Sidoqoftë, filloi t’ia shpërndante pasurinë e Kishës të varfërve, duke vulosur kështu fatin e vet. Kardinali Benedeto Gaetano arriti të instalonte një tub në dhomën ku ai flinte, përmes të cilit i fliste natën: “Unë jam Shpirti i Shenjtë. Hiq dorë nga Papati.” Ai i gjori e hëngri dhe dha dorëheqjen, ndërsa Gaetano u bë …
Papa Boniface VII (1294-1303) – Një tjetër emër ironik që do të thotë “bamirësi”. Papa i ri hodhi Celestinën burg, ku ky vdiq i harruar. Boniface na ka dhuruar dekretin “Unam Sanctam”, sipas të cilit të gjithë njerëzit shpalleshin subjekte të Papës. Një nga thëniet e tij më të famshme: “S’ka përfitim që s’i kemi nxjerrë kësaj fabulës së Krishtit.” Kur vdiq e gjykuan dhe dënuan pas vdekjes për pederasti dhe vrasje.
Gregori IX (1370-1378) – Pajtoi me pagesë Robertin e Gjenevës, Kasapin e Cezenës, që të bënte kasaphanë në shtetet e rebeluara papale. Thirrja e Robert Kasapit në betejë: “Gjak, sa më tepër gjak.”
Urbani VI (1378-1389) – “Urbani i Tmerrshëm”. Natyra e tij e egër dhe shpesh herë e papërmbajtur i bindi Kardinalët që ishte i çmendur, prandaj ata u përpoqën ta rrëzonin. Por iu mungonte mekanizmi ligjor. U zëvendësua për një kohë të shkurtër nga Kasapi i Cezenës ose Antipapa Klementi VII – tjetër emër ironik. Thuhet se ka vrarë pesë Kardinalë që e kundërshtonin.
Aleksandri VI (1492-1503) – Nga familja famëkeqe e Borxhave, familja e parë mafjoze. E mori pushtetin me rryshfet, megjithëse nuk është konsideruar ndonjëherë anti-papë. Dihej që kishte katër fëmijë të paligjshëm, që të katërt të kalbur moralisht. Organizonte rregullisht orgji në Vatikan.
Leo X (1513-1522) – Kishte një admirim të sëmurë për djemka lakuriq.
Pali III (1534-550) – Bëri Kardinalë nipat e tij adoleshentë. Me urdhërin e pasuesit të vet, Pal IV vuri në Itali modelin spanjoll të inkuizicionit.
Piu IV (1559-1566) – Nxorri dekret anti-semit.
Gregori XIII (1572-1582) – Jo vetëm që e mbështeti Masakrën e Ditës së Shën Bartolomeut, por edhe e uroi Mbretin e Francës dhe nxorri një medalje përkujtimore për masakrimin tragjik të 10,000 Hugenotëve.
Sikstus V (1585-1590) – Mbante një Bibël personale gjithë gabime, gafat e të cilës përpiqej t’i mbulonte një Kardinal i lartë. Kaq për pagabueshmërinë e Papës.
Urbani VIII (1623-1644) – Detyroi Galileon të përgënjeshtronte herezinë e sistemit djellor, gabim të cilin Kisha Katolike e pranoi vetëm katërqind vjet më vonë.
Benedikti XIV (1740-1758) – Nxorri qarkore anti-Semite.
Piu IX (1846-1871) – Pa i luajtur qerpiku shpalli doktrinën e pagabueshmërisë së Papës. Armik i betuar i gjithçkaje modern. Me Syllabusin e Gabimeve shpalli si armiqësore demokracinë, tolerancën fetare, edukimin publik dhe shtetin laik. Rrëmbeu një djalë të vogël çifut dhe e rriti si Katolik, derisa e bëri edhe prift.
Leo XIII (1879-1903) – Mbrojtës i Dënimit me Vdekje për heretikët dhe “dëmtues të tjerë të unitetit fetar”. Tepër pranë kohëve moderne për t’u pranuar.
Dhe tani, Gjon Pali II (1978-2005) – Një pjesë e proçesit të kanonizimit përfshin edhe një funksion që quhet Avokati i Djallit, i cili ka për detyrë të sjellë të dhëna kundër shenjtërimit të kandidatit duke paraqitur gjithë informacionin negativ që mund të mblidhen për të. Po të isha Avokati i Djallit kundër Papës Gjon Pali II, do të sillja këto fakte:
1.       Kur një Komision Papor nën Papën Pali VI do të votonte për të lejuar përdorimin e kontraceptivëve, Peshkopi Karol Vijtila luajti rol vendimtar në miratimin e një Raporti Minoritar me anë të cilit nxitej Palin VI që të nxirte qarkoren Humanae Vitae. Kjo shpallte se, që të quhej moralisht i vlefshëm, çdo akt seksual duhej të ishte “i hapur për transmetimin e jetës.” Që nga ajo kohë, kjo qarkore idiote e ka bërë çorap politikën, duke kërcënuar pavarësinë e individit dhe autoritetin laik. (Pa të nuk do të kishte ndodhur gjithë ajo rrëmujë rreth përfshirjes së kontraceptivëve në Obamacare.)
2.       Kaloi në heshtje vdekjen e dyshimtë, pas vetëm 34 ditëve në pushtet, të pararendësit të tij. (Dyshohet se vdekja kishte lidhje me skandalin bankar të Vatikanit, në të cilini ndërthurej, ndër të tjera, një lidhje mafjoze si edhe një bankjer që u gjend i vrarë. Trupi i Papës mund të jetë lëvizur te shtrati i tij dhe të jetë lënë aty që të duket sikur kish vdekur nga shkaqe natyrore.)
3.       Si Papë, GjPII nuk bëri sa duhet për t’iu kundërvënë epidemisë së dhunimeve seksuale nga ana e klerikëve (për të mos përmendur përpjekjet sistematike të kishës për t’i mbuluar ato). Dështim i pafalshëm. Jo vetëm kaq, por ai ishte mik i ngushtë - madje edhe mbështetës – i Marcial Macielit, themeluesit të Legjionarëve të Krishtit (një urdhër anti-modern me një doktrinë reaksionare; njeri që jetoi një jetë të shturrur me fonde që mblidheshin për misionet, përdorues droge, që kishte të paktën dy fëmijë të paligjshëm, dhe që kishte një histori të gjatë përdhunimesh. Frontline, Shkurt 2014). GJPII me vetëdije e lavdëronte në publik, duke e vështirësuar edhe më shumë punën e Ratzingeriy që ishte ngarkuar ta hetonte.
4.       I dha prelaturën, një status të veçantë nderi brenda Vatikanit, organizatës pro-fashiste, vetë-torturuese Opus Dei. (Ndërkohë që duhet ta kishte nxjerrë të paligjshme). Madje shkoi deri atje sa edhe të kanonizonte themeluesin e tyre, Jose Maria Escriva.
5.       Deklaroi se është mëkat për burrin edhe kur ndjen tërheqje seksuale ndaj gruas së tij (?). Budallëqet seksuale të Kishës s’kanë të mbaruar.
6.       Si kreu i një kishe që përzihet në politikën amerikane, urdhëroi Atë Drinanin të jepte dorëheqjen nga Kongresi (pa pyetur fare për pëlqimet e zgjedhësve). Ai miratoi urdhërin e Ratzingerit drejtuar Thomas Reese, redaktor liberal i revistës jezuite Amerika që të jepte dorëheqjen (pa pyetur fare për lirinë e shtypit). I mbylli gojën telologut liberal Hans Kung (pa pyetur fare për lirinë akademike).
7.       Në vitin 1994 Papa shenjtëroi dy gra italiane: Xhana Beretta Molla dhe Elisabeth Canori Mora. E para kishte vdekur me tumor në mitër në vitin 1962 pasi nuk kishte pranuar të bënte një operacion që do t’i kishte shpëtuar jetën asaj vetë duke i dhënë fundë shtatzënisë. Ajo la pas disa fëmijë jetimë. E dyta u nderua për qëndresën në një martesë jashtëzakonisht të dhunshme. Papa i quajti të dyja “modele të përsosmërisë së Krishterë“. Modele jo dhe aq të mira për gratë me dy para mend në kokë.
Megjithatë, për rastin tim s’ka shpresë, sepse Avokati i Djallit për Papën Gjon Pal II nuk merret fare parasysh. Ai u shenjtërua shumë shpejt (më pak se 9 vjet; në një kohë kur për disa shenjtë janë dashur shekuj) si rezultat i kërkesës nga masa dhe presionit nga Katolikët reaksionarë që e adhuronin.
Ky ishte vetëm një vështrim i shkurtër dhe shumë dashamirës i mbrapshtësive papore. Ka edhe shumë të tjerë që e meritojnë të përmenden, po a ia vlen? Kini parasysh që ky është informacion që njihet historikisht – le pastaj të mendosh se sa maskarallëqe dhe krime të tjera janë bërë dhe kanë arritur të mbahen fshehur.
Shënime:
1. Papët e vërtetë, që e pretendonin këtë pozicion dhe që njiheshin për autoritetin mbi të gjithë kishën (të paktën në Perëndim) nuk kanë ekzistuar deri në shekullin e pestë. Megjithatë, Kisha vetë i rendit si Papë të gjithë kryepeshkopët e Romës para kësaj kohe, duke përfshirë edhe Pjetrin, i cili sipas Shkrimeve jetonte në Judea (dhe përgjigjej përpara Xhejmsit) gjatë kohës që pretendohet se ka qënë Papë në Romë.
2. Në fillim, për shekuj me rradhë, shenjtët zgjidheshin me kërkesë të popullit. Kjo bëri që të shenjtëroheshin jo vetëm një dorë psikopatësh dhe personazhesh të tjerë legjendarë që nuk kanë ekzistuar kurrë (por kanë qënë thjesht gojëdhëna mitesh pagane).

Wednesday, July 2, 2014

Çunat e Tironës – Ata të Vërtetët



“Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun tirone, nga ata të vërtetët, që donte jetën e donte njerëzit,” shkruan Kryeministri i Shqipërisë për Artan Santon.
Nuk e kam njohur Artan Santos dhe s’kam informacion të mjaftueshëm t’iu bashkohem as atyre që po derdhin lot për humbjen e madhe, as atyre që thonë se u qërua mafjozi i rradhës. Mua më bën përshtypje ajo që shkruan Kryeministi: “çun tirone, nga ata të vërtetët”. Ky është Kryeministri që Shqipëria ka vënë në ballë për t’u futur në Europë, por që në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të njëzetenjë flet ende me gjuhën e shëmtuar raciste të shekullit të njëzetë. Ky është Kryeministri që pretendon se po i sjell qytetërimin vendit, që e mban veten si të përparuar, krahasuar me paraardhësin e tij, i cili ishte shpellari, maloku, katnari.
Shprehja e Ramës nuk është rastësi. Në një sistem politik ku partitë politike konkurrojnë pa programe të qarta, ku ndryshimin midis njërës dhe tjetrës e përbëjnë elementë jashtë interesave të vërteta të zhvillimit të vendit, nuk është fare çudi që përkatësia krahinore, prejardhja gjeografike, dialekti, lidhjet fisnore etj., të dalin në plan të parë. Paksa më i shprehur se Nano në këtë pikë, Rama e ka pasur gjithmonë për zemër avazin e përparësisë të lindur të qytetarëve dhe, veçanërisht të kryeqytetarëve ndaj qënieve më të ulëta të lindura në rrethe, në fshatra, në malësi, në veri, veçanërisht në veri, ku nuk ka shtëpia, por vetëm shpella dhe njerëz që bashkëjetojnë me arinjtë.
Shtresëzimi i shoqërisë shqiptare sipas përkatësive ndaj qendrave të banimit duhet të jetë një dukuri e mirëfilltë komuniste – domethënë e sjellë nga regjimi i Enver Hoxhës dhe e kristalizuar nën këtë regjim. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, i gjithë territori i sotëm i Shqipërisë ishte një krahinë e humbur e Perandorisë osmane. Në atë kohë duhet të ketë pasur rëndësi Stambolli, por s’besoj se ka pasur ndonjë ndjenjë ndryshim nëse dikush vinte nga Vlora, nga Durrësi, nga Korça, nga Elbasani, nga Gjirokastra apo nga Shkodra (jo e jo nga Tirana). Nuk besoj se ka pasur ndonjë rëndësi të madhe edhe nëse vije nga ndonjë prej fshatrave apo qyteteve të vogla. Shtresëzimi bëhej në bazë të titujve që jepte pushtuesi turk – Pasha, Bej, etj., në bazë të të pasurisë dhe ndikimeve fisnore. Tirana u caktuar kryeqytet i vendit edhe për të shmangur dhënien e përparësisë ndonjërit prej qyteteve të mësipërm. Pak a shumë ky barazpeshim u ruajt edhe gjatë periudhës së Mbretërisë, pavarësisht se familja mbretërore jetonte në Tiranë dhe atje ishin zyrat më të rëndësishme të shtetit. Por nuk besoj se njerëzit e nderuar që jetonin në qytetet e tjerë të Shqipërisë shiheshin dytësorë ngaqë nuk banonin në Tiranë.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet ndryshoi gjendja. Ata filluan ndërtimin e një sistemi të mbështetur te rrathë bashkëqëndrorë që buronin dhe kontrolloheshin nga Enver Hoxha. Hoxha natyrisht mori modelin stalinist-rus të pushtetit të përqëndruar, por ai s’ishte shumë larg vizionit humoristik të një hoxhe tjetër, Nastradin Hoxhës, i cili thoshte që qendra e botës është te bytha e gomarit tim. Qendra e botës shqiptare ishte Enver Hoxha.
Rreth Enver Hoxhës u krijua i famshmi Bllok, ku banonte ajkëa e ajkës, cipa më të pastër dhe më të vyer e kajmakut komunist, Byroja Politike. (Po të kishte pasur fatin të kishte jetuar në Bllok Edi Rama, s’është çudi që tani të fliste edhe për “çuna blloku, nga ata të vërtetët”). Ata që jetonin në Bllok – kriminelët e Byrosë dhe familjet e tyre, me kuç e me maç, ishin pjesa më superiore e racës superiore shqiptare. Ata ushqeheshin, visheshin dhe jetonin më mirë se të tjerët. Ata kishin mundësi më të mëdha kontakti me botën e jashtme përmes televizorëve, manjetofonëve, revistave, dhe daljes së drejtpërdrejtë. Pas këtyre, vinin të gjithë ata që jetonin në Tiranë, të ndarë, natyrisht sipas vendit ku jetonin. Sepse, po të jetoje në Tiranë të Re, ose rrotull sheshit Skënderbe, ishe racë më e lartë se ata që jetonin te Kinostudio, në Laprakë, ose në Kombinat. Në fakt, vendi ku jetoje fliste për lidhjet që kishe me regjimin – sa më pranë qendrës, sa më pranë bllokut, aq më të forta i kishe lidhjet me ajkën e ajkës. Dhe bashkë me to edhe një dorë privilegjesh të vogla por shumë të rëndësishme për kohën – ndonjë copë mish pa tallon, ndonjë rrugë jashtë shtetit aty-këtu, autorizimi për televizor para të tjerëve, dhe kontakte më të shpeshta me ajkën e racës shqiptare, banorët e bllokut. Kishte edhe tironsa denbabaden, domethënë nga ata që kishin jetuar në Tiranë që kur qyteti ishte ende fshat, ose kishin ardhur aty gjatë kohës së zgjerimit pasi ishte shpallur kryeqytet. Por këtyre, për të përdorur në shprehje të çunave të tironës, atyre të vërtetëve, “s’para ua fuste njeri në pordhë,” sepse jetonin në shtëpia përdhese, hanin groshë vorbulle dhe s’merrnin vesh nga dynjaja. Tirons, në kuptimin e “çunit të tironës, atij të vërtetit”, ishe vetëm po të kishe lidhje të forta dhe të dëgjoje Hiparein (Hit Parade) te italioni. Tironsit pa lidhje, ata që mezi nxirrnin pesëmbëdhjetë ditëshin, s’shkonin në shkolla dhe s’gjenin dot punëra të mira, ata që s’kishin televizor për të parë Sanremon, që s’kishin manjetofon me shirit për të dëgjuar Bitëllsat, nuk ishin çuna tirone, nga ata të vërtetët, për të cilët flet Rama.
Sistemi i rrathëve koncentrikë shtrihej në rrethe, ku në qendër viheshin guvernatorët e Enver Hoxhës, Sekretarët e Parë të Partive. I njëjti sistem vazhdohej edhe me fshatrat.
Me përjashtim të venies së vetes në qendër të gjithçkaje, Hoxha nuk e vriste mendjen të krijonte balanca pushteti – përkundrazi, i shmangte ato. Në këtë vështrim, asnjë rreth nuk favorizohej ndaj tjetrit. Sidoqoftë, historikisht regjimi i Hoxhës ishte mbështetur më shumë në Jugë të vendit se sa në Veri, ku rezistenca ndaj komunizmit kishte qënë shumë më e fortë. Prandaj ndarja Veri-Jugë pasqyrohej edhe në barazpeshimet e pushtetit të tij, si në Tiranë, ashtu edhe në rrethe. Njerëzit më me ndikim në pushtet vinin nga Jugu; Jugu ishte më i privilegjuar sepse këta njerëz i jepnin privilegje lidhjeve të tyre farefisnore; ndërkohë që Veriu nuk gëzonte përkrahje. Në këto kushte, nuk kishte se si të mos lindte edhe një disnivel zhvillimi ekonomik midis Jugut dhe Veriut, me një pjesë të jugorëve që e mbanin veten si racë superiore ndaj veriorëve.
Nuk duhet të harrojmë këtu që Hoxha i ruante të ngrira këto ndarje duke mos lejuar lëvizjen e lirë të njerëzve. Askush nuk kishte të drejtë të lëvizte pa lejen e tij (ose të puthadorëve të tij) nga fshati në qytet, nga qyteti i vogël në atë të madh, nga qyteti në kryeqytet dhe, kuptohet, nga kryeqyteti në Bllok. Ato pak lëvizje që kryeheshin, bëheshin për t’i dhënë dorën ose për të shpërblyer ndonjë sahanlëpirës, për të ndëshkuar dikë (sipas shkallës së ndëshkimit varej edhe distanca e largimit nga qendra) ose, për të shkarthisur kuadrot sipas sistemit të qarkullimit – hiq ata që po mendojnë se e meritojnë privilegjin, dhe sill ca të tjerë që janë më të etur për t’u servilosur dhe më besnikë.
Ky sistem i mbrapshtë “vlerash” (ose më saktë antivlerash), i krijuar nga një pushtet kriminal, krijoji një shtresim që mori përmasa qesharake, deri në racizëm. Njerëzit që lindnin dhe rriteshin në rrethe, përbuzeshin apriori nga “tiranasit”. Ata që lindnin dhe rriteshin në fshat përbuzeshin nga “qytetarët”. Secili e mbante veten më lart se të tjerët. Pothuajse më lart se të gjithë, pas atyre që lindnin dhe rriteshin në Bllok, ishin “çunat e Tironës, ata të vërtetët.” Sistemi krijonte një shtresëzim të imët në rrafshin e mirëqënies dhe edukimit (flitet për edukimin në kushtet e komunizmit), shtresëzim që nuk ishte aspak i bazuar te vlerat reale të njerëzve, por te lidhjet e tyre me sistemin. Kuptohet, nuk flitet për një ndarje të pastër, por për një ndarje që gjithsesi ekzistonte dhe ishte aq e ndjeshme saqë vazhdon të perceptohet edhe sot.
Të vjen të përzjerë që gati njëzetepesë vjet pas rënies së komunizmit, Kryeministri i vendit merret ende me fëlliqësi të tilla. Në vend që të jetë një faktor pajtimi midis të gjithë shqiptarëve – brenda dhe jashtë Shqipërisë - në vend që të përpiqet të sjellë frymën e tolerancës dhe mirëkuptimin, frymën e barazisë shoqërore, të respektit të ndërsjelltë midis qenieve njerëzore ai i bije burisë së superioritetit të çunave të Tironës.
Por nuk është vetëm Kryeministri, as vetëm partia e tij. Njerëz me mendje të ngjashme do të gjesh në të katër anët e spektrit politik në Shqipëri, te të gjithë shqiptarët dhe kudo që janë. Mund të gjesh, për shembull, “çuna Tirone” që hiqen sikur janë “të djathtë“, kundër komunizmit, nga familje të persekutuara në periudhën e komunizmit, nga familje dikur të pasura dhe me tradita, që ngrefen lart e poshtë duke ironizuar “katnarët” (jo katundarët, as katunarët, por “katnarët” – kjo është fjala në kod që përdoret jo për fshatarët, por për këdo që nuk është “çun Tirone, nga ata të vërtetët”). Këta çuna, që tani i kanë kapërcyer të pesëdhjetat, vërtiten nëpër Itali, Amerikë, Kanada, Gjermani, e në të katër anët e botës, dhe vazhdojnë të lëngëzohen plot nostalgji për sistemin e ndyrë shoqëror të krijuar nga komunizmi, dhe njëkohësisht duke u hequr si viktima të komunizmit, si përfaqësues të një aristokracie të mohuar, si gjaku blu i shqiptarëve, që ishte blu në kohën e Turqisë, mbeti blu në kohën e Zogut dhe, për çudi, nuk u skuq fare në kohën e komunizmit, megjithëse ata që e kanë në damare mbetën gjithmonë “çuna Tirone, nga ata të vërtetët”. 
Arben Kallamata