Stephen Van Eck
As vetë katolikët nuk i njohin si duhet Papët e tyre. Po
t’i njihnin, me siguri që do të çuditeshin me numrin e madh të palaçove dhe horrave
që e kanë zënë historikisht atë vend pune. Dhe po të pyesnin Pse, do të
rrezikonin të humbisnin besimin te fjala e pagabueshme e Shpirtit të Shenjtë.
Më poshtë jepet një përmbledhje e disa prej rasteve më interesante. Kini
parasysh se asnjë prej tyre nuk është shpallur ndonjëherë “Antipapë“ – një tjetër
grup horrash që kanë hipur në fron me rrugë të paligjshme – këta këtu janë të
gjithë të ligjshëm. Megjithatë, vështirë të imagjinohet se si të paligjshmit
mund të kenë qënë më të këqinj se këta.
Shën Kallikstus
(217-222) – Kur banka e krishterë që ai drejtonte humbi shuma të mëdha
parash në, ua vuri fajin çifutëve dhe ia plasi sherrit në mes të një sinagoge. Shpalli
se pronarët kishin të drejtë ligjore, si në martesë, që të bënin seks me skllevërit.
U përmbys nga një grup kundërshtarësh, të cilët e kapën dhe mbytën në pus.
Shën Fabiani
(236-250) – U zgjodh Papë sepse i ndaloi një pëllumb në majë të kokës, gjë
të cilën njerëzit e morën si shenjë hyjnore. (Është e vërtetë, dikur Peshkopët
zgjidheshin me votë të drejtpërdrejtë nga populli).
Shën Marcelinus
(296-304) – Bëri gabimin e pafalshëm që i dorëzoi arkivat e Kishës
autoriteteve romake. Gjatë një ceremonie publike iu ofroi temjan perëndive
romake. Sinodi nuk e hoqi dot qafe, megjithëse më vonë ai i pranoi mëkatet.
Megjithatë, e kanonizuan. Më vonë Augustini e mohoi që ai kishte bërë mëkate,
ndërkohë që ngriti pretendimin arrogant se mëkatin e një Pape mund ta gjykojë
vetëm Papa vetë.
Shën Leo i Madh
(440-467) – Përse mbahet si i madh? Sepse i mbushi mendjen Atilës së Hanëve
që të mos plaçkiste Romën. Por kisha nuk e tregon të gjithë historinë, domethënë
që marrëveshja ndodhi pas Betejës së Troyes, kur Hatilës i ishte shkatërruar
ushtria, dhe kur për t’u bindur u desh të premtoheshin edhe shuma të mëdha.
Gjithashtu mbahet si hero edhe se i mbushi mendjen Gjenserikut që të mos e
vandalizonte Romën, por vetëm sa ta plaçkiste. Leo ka pasur rol kyç në shpalljen
e Doktrinës Petrinë, sipas të cilës Kisha e Romës kishte përparësi mbi gjithë
Krishtërimin. Në vitin 445 ai arriti të bindte Perandorin që ta pranonte Doktrinën,
dhe pastaj e ratifikoi në Këshillin e Kalkedonin. (Që nga ajo kohë fillon
zyrtarisht edhe numërimi i Papëve). Së fundi, ai shpalli mëkat edhe seksin
brenda martesës.
Stefani II (725-757)
– Fallsifikoi dokumentin e Donacionit të Shën Pjetrit, duke i kaluar në mënyrë
të paligjshme autoritetit të Papës një sipërfaqe të mëdha tokash të quajtura
Toka Papore. Këtë mashtrim e hëngri edhe Pepini (i Shkurtër, Mbreti i Frankëve),
i cili, së bashku me Sharlemainin pranuan të mernin rolin krahut të fortë të
pushtetit papor.
Adriani I (772-795)
– Është përgjegjës për Donacionin e Kostandinit, document tjetër i fallsifikuar
që i kalonte Kishës pjesën më të madhe të Italisë. Kur u zgjodh ai ishte
thjesht dhjak.
Stefani IV (986-7)
– Nxorri përpara gjyqit kufomën e pararendësit të tij Formosus me akuzën se
ishte zgjedhur në mënyrë të parregullt. (Ai në fakt ishte zgjedhur në mënyrë të
njëzëshme). Pastaj, i preu kufomës tre gishtërinjtë e përdorur për Bekim, dhe e
hodhi pjesën tjetër të trupit në ujë.
Serxhio III (904-911)
– Vrau pararendësin. Kurvar me nam; dashnorja e tij zemërkeqe Teodora bënte
ligjin bashkë me vajzën e saj zemërkeqe Marozia, e cila vrau Papën Xhon X.
Djali i saj kopil u bë Papa Xhoni XI (931-936), hyri në burg dhe…
Papa Gjoni XII
(955-963) – Papa adoleshent. Ktheu në kuplara Pallatin Apostolik Lateran;
mburrej se adhuronte Satanin në altar; krenohej që kishte bërë seks me të ëmën
dhe motrat.
Leo VIII (963-964)
– Vdiq duke bërë seks.
Silvesteri II
(999-1003) – Ishte nga ata që vunë në përdorim mashtrimin ndërrimit të mijëvjeçarit
për t’i bindur njerëzit se botës i kishte ardhur fundi dhe do të shpëtonin vetëm
po t’i dhuronin prona Kishës. Kur botës nuk i erdhi fundi, as që ua vuri veshin
kërkesave të atyre që kishin mbetur me gisht në gojë. (Të njëjtën dredhi, vetëm
se në shkallë më të vogël, kishte përdorur edhe Shën Gregori i Madh në vitin
500).
Adriani IV
(1154-1159) – Anglez. I dhuroi Anglisë Irlandën, megjithëse kjo nuk ishte
prona e tij, duke përgatitur kështu teatrin e konflikteve dhe viktimave
shekullore.
Inocenti II
(1198-1216) – Emër vërtet ironik. Papa më i pushtetshëm në botë. Ndër bëmat
e tij: Filloi Inkuizicionin; këshilloi Mbretin Xhon të anullonte Manja Kartën
(madje edhe i kërkoi Mbretit të Francës të pushtonte Anglinë për këtë punë); nxiti
masakrën famëkeqe të Albigensianit, për të cilën kujtohet me thënien famëkeqe:
“Vritini të gjithë - Zoti do t’i njohë të vetët.” Në fund fare, tha ca fjalë të
mira për Kryqëzatën e Fëmijëve, duke e përdorur atë për të nisur një tjetër
Kryqëzatë, atë për të rriturit.
Grigori IX
(1227-1240) – Zyrtarizoi përfundimisht Inkuizicionin.
Martini IV
(1281-1289) – Hante ngjala si i babëzitur, derisa i plasi stomaku dhe vdiq.
Shën Celestini IV
(1294) – Një hermit dhe asket shumë i admiruar që u zgjodh Papë, por që
shumë shpejt provoi se nuk i përballonte dot përgjegjësitë administrative (për
të mos përmendur se sa i paditur ishte nga ana ligjore). Sidoqoftë, filloi t’ia
shpërndante pasurinë e Kishës të varfërve, duke vulosur kështu fatin e vet.
Kardinali Benedeto Gaetano arriti të instalonte një tub në dhomën ku ai flinte,
përmes të cilit i fliste natën: “Unë jam Shpirti i Shenjtë. Hiq dorë nga
Papati.” Ai i gjori e hëngri dhe dha dorëheqjen, ndërsa Gaetano u bë …
Papa Boniface VII
(1294-1303) – Një tjetër emër ironik që do të thotë “bamirësi”. Papa i ri hodhi
Celestinën burg, ku ky vdiq i harruar. Boniface na ka dhuruar dekretin “Unam
Sanctam”, sipas të cilit të gjithë njerëzit shpalleshin subjekte të Papës. Një
nga thëniet e tij më të famshme: “S’ka përfitim që s’i kemi nxjerrë kësaj fabulës
së Krishtit.” Kur vdiq e gjykuan dhe dënuan pas vdekjes për pederasti dhe vrasje.
Gregori IX
(1370-1378) – Pajtoi me pagesë Robertin e Gjenevës, Kasapin e Cezenës, që të
bënte kasaphanë në shtetet e rebeluara papale. Thirrja e Robert Kasapit në
betejë: “Gjak, sa më tepër gjak.”
Urbani VI (1378-1389)
– “Urbani i Tmerrshëm”. Natyra e tij e egër dhe shpesh herë e papërmbajtur i
bindi Kardinalët që ishte i çmendur, prandaj ata u përpoqën ta rrëzonin. Por iu
mungonte mekanizmi ligjor. U zëvendësua për një kohë të shkurtër nga Kasapi i
Cezenës ose Antipapa Klementi VII – tjetër emër ironik. Thuhet se ka vrarë pesë
Kardinalë që e kundërshtonin.
Aleksandri VI
(1492-1503) – Nga familja famëkeqe e Borxhave, familja e parë mafjoze. E
mori pushtetin me rryshfet, megjithëse nuk është konsideruar ndonjëherë anti-papë.
Dihej që kishte katër fëmijë të paligjshëm, që të katërt të kalbur moralisht.
Organizonte rregullisht orgji në Vatikan.
Leo X (1513-1522)
– Kishte një admirim të sëmurë për djemka lakuriq.
Pali III (1534-550)
– Bëri Kardinalë nipat e tij adoleshentë. Me urdhërin e pasuesit të vet, Pal IV
vuri në Itali modelin spanjoll të inkuizicionit.
Piu IV (1559-1566)
– Nxorri dekret anti-semit.
Gregori XIII
(1572-1582) – Jo vetëm që e mbështeti Masakrën e Ditës së Shën Bartolomeut,
por edhe e uroi Mbretin e Francës dhe nxorri një medalje përkujtimore për
masakrimin tragjik të 10,000 Hugenotëve.
Sikstus V (1585-1590)
– Mbante një Bibël personale gjithë gabime, gafat e të cilës përpiqej t’i
mbulonte një Kardinal i lartë. Kaq për pagabueshmërinë e Papës.
Urbani VIII
(1623-1644) – Detyroi Galileon të përgënjeshtronte herezinë e sistemit
djellor, gabim të cilin Kisha Katolike e pranoi vetëm katërqind vjet më vonë.
Benedikti XIV
(1740-1758) – Nxorri qarkore anti-Semite.
Piu IX (1846-1871)
– Pa i luajtur qerpiku shpalli doktrinën e pagabueshmërisë së Papës. Armik i
betuar i gjithçkaje modern. Me Syllabusin e Gabimeve shpalli si armiqësore
demokracinë, tolerancën fetare, edukimin publik dhe shtetin laik. Rrëmbeu një
djalë të vogël çifut dhe e rriti si Katolik, derisa e bëri edhe prift.
Leo XIII (1879-1903)
– Mbrojtës i Dënimit me Vdekje për heretikët dhe “dëmtues të tjerë të unitetit
fetar”. Tepër pranë kohëve moderne për t’u pranuar.
Dhe tani, Gjon Pali
II (1978-2005) – Një pjesë e proçesit të kanonizimit përfshin edhe një funksion
që quhet Avokati i Djallit, i cili ka për detyrë të sjellë të dhëna kundër
shenjtërimit të kandidatit duke paraqitur gjithë informacionin negativ që mund
të mblidhen për të. Po të isha Avokati i Djallit kundër Papës Gjon Pali II, do
të sillja këto fakte:
1.
Kur një Komision Papor nën Papën Pali VI do të
votonte për të lejuar përdorimin e kontraceptivëve, Peshkopi Karol Vijtila
luajti rol vendimtar në miratimin e një Raporti Minoritar me anë të cilit nxitej
Palin VI që të nxirte qarkoren Humanae Vitae. Kjo shpallte se, që të quhej
moralisht i vlefshëm, çdo akt seksual duhej të ishte “i hapur për transmetimin
e jetës.” Që nga ajo kohë, kjo qarkore idiote e ka bërë çorap politikën, duke kërcënuar
pavarësinë e individit dhe autoritetin laik. (Pa të nuk do të kishte ndodhur
gjithë ajo rrëmujë rreth përfshirjes së kontraceptivëve në Obamacare.)
2.
Kaloi në heshtje vdekjen e dyshimtë, pas vetëm
34 ditëve në pushtet, të pararendësit të tij. (Dyshohet se vdekja kishte lidhje
me skandalin bankar të Vatikanit, në të cilini ndërthurej, ndër të tjera, një
lidhje mafjoze si edhe një bankjer që u gjend i vrarë. Trupi i Papës mund të
jetë lëvizur te shtrati i tij dhe të jetë lënë aty që të duket sikur kish
vdekur nga shkaqe natyrore.)
3.
Si Papë, GjPII nuk bëri sa duhet për t’iu kundërvënë
epidemisë së dhunimeve seksuale nga ana e klerikëve (për të mos përmendur përpjekjet
sistematike të kishës për t’i mbuluar ato). Dështim i pafalshëm. Jo vetëm kaq,
por ai ishte mik i ngushtë - madje edhe mbështetës – i Marcial Macielit,
themeluesit të Legjionarëve të Krishtit (një urdhër anti-modern me një doktrinë
reaksionare; njeri që jetoi një jetë të shturrur me fonde që mblidheshin për
misionet, përdorues droge, që kishte të paktën dy fëmijë të paligjshëm, dhe që
kishte një histori të gjatë përdhunimesh. Frontline, Shkurt 2014). GJPII me vetëdije
e lavdëronte në publik, duke e vështirësuar edhe më shumë punën e Ratzingeriy që
ishte ngarkuar ta hetonte.
4.
I dha prelaturën, një status të veçantë nderi
brenda Vatikanit, organizatës pro-fashiste, vetë-torturuese Opus Dei. (Ndërkohë
që duhet ta kishte nxjerrë të paligjshme). Madje shkoi deri atje sa edhe të
kanonizonte themeluesin e tyre, Jose Maria Escriva.
5.
Deklaroi se është mëkat për burrin edhe kur ndjen
tërheqje seksuale ndaj gruas së tij (?). Budallëqet seksuale të Kishës s’kanë të
mbaruar.
6.
Si kreu i një kishe që përzihet në politikën
amerikane, urdhëroi Atë Drinanin të jepte dorëheqjen nga Kongresi (pa pyetur
fare për pëlqimet e zgjedhësve). Ai miratoi urdhërin e Ratzingerit drejtuar
Thomas Reese, redaktor liberal i revistës jezuite Amerika që të jepte dorëheqjen
(pa pyetur fare për lirinë e shtypit). I mbylli gojën telologut liberal Hans
Kung (pa pyetur fare për lirinë akademike).
7.
Në vitin 1994 Papa shenjtëroi dy gra italiane:
Xhana Beretta Molla dhe Elisabeth Canori Mora. E para kishte vdekur me tumor në
mitër në vitin 1962 pasi nuk kishte pranuar të bënte një operacion që do t’i
kishte shpëtuar jetën asaj vetë duke i dhënë fundë shtatzënisë. Ajo la pas disa
fëmijë jetimë. E dyta u nderua për qëndresën në një martesë jashtëzakonisht të
dhunshme. Papa i quajti të dyja “modele të përsosmërisë së Krishterë“. Modele
jo dhe aq të mira për gratë me dy para mend në kokë.
Megjithatë, për rastin tim s’ka
shpresë, sepse Avokati i Djallit për Papën Gjon Pal II nuk merret fare
parasysh. Ai u shenjtërua shumë shpejt (më pak se 9 vjet; në një kohë kur për
disa shenjtë janë dashur shekuj) si rezultat i kërkesës nga masa dhe presionit
nga Katolikët reaksionarë që e adhuronin.
Ky ishte vetëm një vështrim i
shkurtër dhe shumë dashamirës i mbrapshtësive papore. Ka edhe shumë të tjerë që
e meritojnë të përmenden, po a ia vlen? Kini parasysh që ky është informacion që
njihet historikisht – le pastaj të mendosh se sa maskarallëqe dhe krime të
tjera janë bërë dhe kanë arritur të mbahen fshehur.
Shënime:
1. Papët e vërtetë, që e pretendonin
këtë pozicion dhe që njiheshin për autoritetin mbi të gjithë kishën (të paktën
në Perëndim) nuk kanë ekzistuar deri në shekullin e pestë. Megjithatë, Kisha
vetë i rendit si Papë të gjithë kryepeshkopët e Romës para kësaj kohe, duke përfshirë
edhe Pjetrin, i cili sipas Shkrimeve jetonte në Judea (dhe përgjigjej përpara
Xhejmsit) gjatë kohës që pretendohet se ka qënë Papë në Romë.
2. Në fillim, për shekuj me rradhë,
shenjtët zgjidheshin me kërkesë të popullit. Kjo bëri që të shenjtëroheshin jo
vetëm një dorë psikopatësh dhe personazhesh të tjerë legjendarë që nuk kanë
ekzistuar kurrë (por kanë qënë thjesht gojëdhëna mitesh pagane).
No comments:
Post a Comment