“Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun tirone, nga ata të
vërtetët, që donte jetën e donte njerëzit,” shkruan Kryeministri i Shqipërisë për
Artan Santon.
Nuk e kam njohur Artan Santos dhe s’kam informacion të
mjaftueshëm t’iu bashkohem as atyre që po derdhin lot për humbjen e madhe, as
atyre që thonë se u qërua mafjozi i rradhës. Mua më bën përshtypje ajo që
shkruan Kryeministi: “çun tirone, nga ata
të vërtetët”. Ky është Kryeministri që Shqipëria ka vënë në ballë për t’u
futur në Europë, por që në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të njëzetenjë
flet ende me gjuhën e shëmtuar raciste të shekullit të njëzetë. Ky është
Kryeministri që pretendon se po i sjell qytetërimin vendit, që e mban veten si
të përparuar, krahasuar me paraardhësin e tij, i cili ishte shpellari, maloku,
katnari.
Shprehja e Ramës nuk është rastësi. Në një sistem politik ku
partitë politike konkurrojnë pa programe të qarta, ku ndryshimin midis njërës
dhe tjetrës e përbëjnë elementë jashtë interesave të vërteta të zhvillimit të
vendit, nuk është fare çudi që përkatësia krahinore, prejardhja gjeografike, dialekti,
lidhjet fisnore etj., të dalin në plan të parë. Paksa më i shprehur se Nano në
këtë pikë, Rama e ka pasur gjithmonë për zemër avazin e përparësisë të lindur të
qytetarëve dhe, veçanërisht të kryeqytetarëve ndaj qënieve më të ulëta të
lindura në rrethe, në fshatra, në malësi, në veri, veçanërisht në veri, ku nuk
ka shtëpia, por vetëm shpella dhe njerëz që bashkëjetojnë me arinjtë.
Shtresëzimi i shoqërisë shqiptare sipas përkatësive ndaj
qendrave të banimit duhet të jetë një dukuri e mirëfilltë komuniste – domethënë
e sjellë nga regjimi i Enver Hoxhës dhe e kristalizuar nën këtë regjim. Përpara
krijimit të shtetit shqiptar, i gjithë territori i sotëm i Shqipërisë ishte një
krahinë e humbur e Perandorisë osmane. Në atë kohë duhet të ketë pasur rëndësi
Stambolli, por s’besoj se ka pasur ndonjë ndjenjë ndryshim nëse dikush vinte
nga Vlora, nga Durrësi, nga Korça, nga Elbasani, nga Gjirokastra apo nga
Shkodra (jo e jo nga Tirana). Nuk besoj se ka pasur ndonjë rëndësi të madhe
edhe nëse vije nga ndonjë prej fshatrave apo qyteteve të vogla. Shtresëzimi bëhej
në bazë të titujve që jepte pushtuesi turk – Pasha, Bej, etj., në bazë të të
pasurisë dhe ndikimeve fisnore. Tirana u caktuar kryeqytet i vendit edhe për të
shmangur dhënien e përparësisë ndonjërit prej qyteteve të mësipërm. Pak a shumë
ky barazpeshim u ruajt edhe gjatë periudhës së Mbretërisë, pavarësisht se
familja mbretërore jetonte në Tiranë dhe atje ishin zyrat më të rëndësishme të
shtetit. Por nuk besoj se njerëzit e nderuar që jetonin në qytetet e tjerë të
Shqipërisë shiheshin dytësorë ngaqë nuk banonin në Tiranë.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet ndryshoi gjendja. Ata
filluan ndërtimin e një sistemi të mbështetur te rrathë bashkëqëndrorë që
buronin dhe kontrolloheshin nga Enver Hoxha. Hoxha natyrisht mori modelin stalinist-rus
të pushtetit të përqëndruar, por ai s’ishte shumë larg vizionit humoristik të
një hoxhe tjetër, Nastradin Hoxhës, i cili thoshte që qendra e botës është te
bytha e gomarit tim. Qendra e botës shqiptare ishte Enver Hoxha.
Rreth Enver Hoxhës u krijua i famshmi Bllok, ku banonte ajkëa
e ajkës, cipa më të pastër dhe më të vyer e kajmakut komunist, Byroja Politike.
(Po të kishte pasur fatin të kishte jetuar në Bllok Edi Rama, s’është çudi që
tani të fliste edhe për “çuna blloku, nga ata të vërtetët”). Ata që jetonin në
Bllok – kriminelët e Byrosë dhe familjet e tyre, me kuç e me maç, ishin pjesa më
superiore e racës superiore shqiptare. Ata ushqeheshin, visheshin dhe jetonin më
mirë se të tjerët. Ata kishin mundësi më të mëdha kontakti me botën e jashtme përmes
televizorëve, manjetofonëve, revistave, dhe daljes së drejtpërdrejtë. Pas këtyre,
vinin të gjithë ata që jetonin në Tiranë, të ndarë, natyrisht sipas vendit ku
jetonin. Sepse, po të jetoje në Tiranë të Re, ose rrotull sheshit Skënderbe,
ishe racë më e lartë se ata që jetonin te Kinostudio, në Laprakë, ose në
Kombinat. Në fakt, vendi ku jetoje fliste për lidhjet që kishe me regjimin – sa
më pranë qendrës, sa më pranë bllokut, aq më të forta i kishe lidhjet me ajkën
e ajkës. Dhe bashkë me to edhe një dorë privilegjesh të vogla por shumë të rëndësishme
për kohën – ndonjë copë mish pa tallon, ndonjë rrugë jashtë shtetit aty-këtu,
autorizimi për televizor para të tjerëve, dhe kontakte më të shpeshta me ajkën
e racës shqiptare, banorët e bllokut. Kishte edhe tironsa denbabaden, domethënë
nga ata që kishin jetuar në Tiranë që kur qyteti ishte ende fshat, ose kishin
ardhur aty gjatë kohës së zgjerimit pasi ishte shpallur kryeqytet. Por këtyre,
për të përdorur në shprehje të çunave të tironës, atyre të vërtetëve, “s’para
ua fuste njeri në pordhë,” sepse jetonin në shtëpia përdhese, hanin groshë vorbulle
dhe s’merrnin vesh nga dynjaja. Tirons, në kuptimin e “çunit të tironës, atij të
vërtetit”, ishe vetëm po të kishe lidhje të forta dhe të dëgjoje Hiparein (Hit
Parade) te italioni. Tironsit pa lidhje, ata që mezi nxirrnin pesëmbëdhjetë ditëshin,
s’shkonin në shkolla dhe s’gjenin dot punëra të mira, ata që s’kishin televizor
për të parë Sanremon, që s’kishin manjetofon me shirit për të dëgjuar Bitëllsat,
nuk ishin çuna tirone, nga ata të vërtetët, për të cilët flet Rama.
Sistemi i rrathëve koncentrikë shtrihej në rrethe, ku në
qendër viheshin guvernatorët e Enver Hoxhës, Sekretarët e Parë të Partive. I njëjti
sistem vazhdohej edhe me fshatrat.
Me përjashtim të venies së vetes në qendër të gjithçkaje,
Hoxha nuk e vriste mendjen të krijonte balanca pushteti – përkundrazi, i
shmangte ato. Në këtë vështrim, asnjë rreth nuk favorizohej ndaj tjetrit.
Sidoqoftë, historikisht regjimi i Hoxhës ishte mbështetur më shumë në Jugë të
vendit se sa në Veri, ku rezistenca ndaj komunizmit kishte qënë shumë më e fortë.
Prandaj ndarja Veri-Jugë pasqyrohej edhe në barazpeshimet e pushtetit të tij,
si në Tiranë, ashtu edhe në rrethe. Njerëzit më me ndikim në pushtet vinin nga
Jugu; Jugu ishte më i privilegjuar sepse këta njerëz i jepnin privilegje
lidhjeve të tyre farefisnore; ndërkohë që Veriu nuk gëzonte përkrahje. Në këto
kushte, nuk kishte se si të mos lindte edhe një disnivel zhvillimi ekonomik
midis Jugut dhe Veriut, me një pjesë të jugorëve që e mbanin veten si racë
superiore ndaj veriorëve.
Nuk duhet të harrojmë këtu që Hoxha i ruante të ngrira këto
ndarje duke mos lejuar lëvizjen e lirë të njerëzve. Askush nuk kishte të drejtë
të lëvizte pa lejen e tij (ose të puthadorëve të tij) nga fshati në qytet, nga
qyteti i vogël në atë të madh, nga qyteti në kryeqytet dhe, kuptohet, nga
kryeqyteti në Bllok. Ato pak lëvizje që kryeheshin, bëheshin për t’i dhënë dorën
ose për të shpërblyer ndonjë sahanlëpirës, për të ndëshkuar dikë (sipas shkallës
së ndëshkimit varej edhe distanca e largimit nga qendra) ose, për të
shkarthisur kuadrot sipas sistemit të qarkullimit – hiq ata që po mendojnë se e
meritojnë privilegjin, dhe sill ca të tjerë që janë më të etur për t’u
servilosur dhe më besnikë.
Ky sistem i mbrapshtë “vlerash” (ose më saktë antivlerash),
i krijuar nga një pushtet kriminal, krijoji një shtresim që mori përmasa
qesharake, deri në racizëm. Njerëzit që lindnin dhe rriteshin në rrethe, përbuzeshin
apriori nga “tiranasit”. Ata që lindnin dhe rriteshin në fshat përbuzeshin nga
“qytetarët”. Secili e mbante veten më lart se të tjerët. Pothuajse më lart se të
gjithë, pas atyre që lindnin dhe rriteshin në Bllok, ishin “çunat e Tironës,
ata të vërtetët.” Sistemi krijonte një shtresëzim të imët në rrafshin e mirëqënies
dhe edukimit (flitet për edukimin në kushtet e komunizmit), shtresëzim që nuk
ishte aspak i bazuar te vlerat reale të njerëzve, por te lidhjet e tyre me
sistemin. Kuptohet, nuk flitet për një ndarje të pastër, por për një ndarje që gjithsesi
ekzistonte dhe ishte aq e ndjeshme saqë vazhdon të perceptohet edhe sot.
Të vjen të përzjerë që gati njëzetepesë vjet pas rënies së
komunizmit, Kryeministri i vendit merret ende me fëlliqësi të tilla. Në vend që
të jetë një faktor pajtimi midis të gjithë shqiptarëve – brenda dhe jashtë
Shqipërisë - në vend që të përpiqet të sjellë frymën e tolerancës dhe mirëkuptimin,
frymën e barazisë shoqërore, të respektit të ndërsjelltë midis qenieve njerëzore
ai i bije burisë së superioritetit të çunave të Tironës.
Por nuk është vetëm Kryeministri, as vetëm partia e tij.
Njerëz me mendje të ngjashme do të gjesh në të katër anët e spektrit politik në
Shqipëri, te të gjithë shqiptarët dhe kudo që janë. Mund të gjesh, për
shembull, “çuna Tirone” që hiqen sikur janë “të djathtë“, kundër komunizmit,
nga familje të persekutuara në periudhën e komunizmit, nga familje dikur të
pasura dhe me tradita, që ngrefen lart e poshtë duke ironizuar “katnarët” (jo
katundarët, as katunarët, por “katnarët” – kjo është fjala në kod që përdoret
jo për fshatarët, por për këdo që nuk është “çun Tirone, nga ata të vërtetët”).
Këta çuna, që tani i kanë kapërcyer të pesëdhjetat, vërtiten nëpër Itali,
Amerikë, Kanada, Gjermani, e në të katër anët e botës, dhe vazhdojnë të
lëngëzohen plot nostalgji për sistemin e ndyrë shoqëror të krijuar nga
komunizmi, dhe njëkohësisht duke u hequr si viktima të komunizmit, si
përfaqësues të një aristokracie të mohuar, si gjaku blu i shqiptarëve, që ishte
blu në kohën e Turqisë, mbeti blu në kohën e Zogut dhe, për çudi, nuk u skuq
fare në kohën e komunizmit, megjithëse ata që e kanë në damare mbetën gjithmonë
“çuna Tirone, nga ata të vërtetët”.
Arben Kallamata
No comments:
Post a Comment