Çohesh në mëngjes dhe nga gjërat
e para që lexon në fb është: “… sepse jane nda gjanat me supremaci edhe race
tashti”. Kjo shprehje pa pikë kuptimi, ky grupim fjalësh që
megjithë idiotësinë e vet përsëri dallohet që është i ndyrë, ishte shkruar diku
poshte statusit të një mikut tim, që komentonte ndeshjen Gjermani dhe Ganë pa
asnjë notë racizmi. E megjithatë, zonja qe e kishte shkruar nuk mund të rrinte
pa nxjerrë në dy rreshta të paorganizuara gramatikisht supremacinë e saj, përbuzjen
për racat e ulta dhe simpatinë për racën arjane. Nuk do t’ia vlente fare të
merreshe me të sikur të ishte rast i veçantë. Por jo rrallë sheh në statuse të
ndryshme shprehje të shëmtuara të racizmit, ngazëllimin e injorancës dhe
inferioritetit me idene e rreme se njerëzit janë të ndarë në superiorë dhe inferiorë,
në raca më të mira dhe më të këqija, më të afta dhe më të paafta. Dhe që,
natyrisht, ne, shqiptarët – pikërisht ne, shqiptarët – ndodhemi atje, në majën
e klasifikimit. Të gjithë atje, në majë, të ndarë në tiranas, shkodranë, vlonjatë,
fshatarë, qytetarë, malokë, fushatarë, të bardhë, evgjitë, romë, çobenj,
vorrabomsa, lapraksa, kombinatas – njëri më superior se tjetri, secili më
superior se të gjithë, të gjithë bashkë më superiorë se sllavët, grekët,
turqit, mongolët, kinezët, indianët, afrikanët, kolumbianët, çifutët, lekurkuqtë,
lëkurverdhët, lëkurzinjtë. Vetëm me gjermanët s’u hakemi dot, po jemi thjesht barabar.
Veçanërisht tani gjatë kampionatit botëror idiotësi të tilla vazhdojnë të dalin
drejtpërdrejt dhe tërthorazi në komentet dhe tifozllëqet raciste ndonëse çdo
logjikë dhe çdo statisticë del kundër tyre.
O njerëz: Brazili mbetet ekipi më
i suksesshëm i të gjitha kohërave; Pele është futbollisti më i madh deri më sot;
lojtarë afrikanë si Essien, Muntari, Drogba, etj. janë njëqind herë më të mirë
se sa çdo lojtar që ka nxjerrë raca “superiore” shqiptare gjatë gjithë historisë
së saj; vetëm Drogba, ka më shumë pasuri të fituar nga futbolli (mbi 90 milion
dollarë) se të gjithë futbollistët shqiptarë të të gjitha kohërave të mbledhur së
bashku. Vende të “prapambetura” afrikane si Ghana, Nigeria, Algjeria, Bregu i
Fildishtë, etj. janë bërë tashmë të rregullt në një kampionat ku ne, superiorët
e botës, raca e pastër arjane e bregut perëndimor të gadishullit ballkanik as
nuk qasemi dot.
Lërini racizmat dhe shijoni
futbollin.
No comments:
Post a Comment