Zakonisht, përpara se të shkoj në një qytet, bëj një plan të
detajuar të muzeve dhe vendeve që dua të vizitoj atje bazuar në njohuritë e
mija paraprake dhe në këshillat e udhëtarëve të tjerë që tani i gjen me bollëk
në Internet. Por për Barcelonën nuk parapërgatita asgje. Përse e bëra këtë
gabim?
Nuk e di. Ndoshta ngaqë udhëtimi në Europë këtë verë përfshinte
shumë pika të tjera. Ndoshta ngaqë mendova se atje do të kaloja një javë dhe do
të kisha kohë të planifikoja me të mbërritur. Por ndoshta edhe ngaqë nuk kam qënë
ndonjëherë i tërhequr fort nga kultura spanjolle – me përjashtim të Servantesit
dhe Dalisë. Për Spanjën unë kam pasur njohuri të cekta, ndërsa për Barcelonën
dija shumë pak – kryesisht që ishte qendër e kulturës katalane, që kishte
nxjerrë një arkitekt të famshëm, Gaudin, dhe që, natyrisht, dominonte futbollin
europian. Prandaj veç Gaudit dhe Camp Nou-t, s’prisja të shihja ndonjë gjë të
madhe.
Që në aeroport kuptova se gabimi i bërë duhej korrigjuar
urgjentisht. Kisha mbërritur në një qytet të mrekullueshëm, me hapësira dhe art
pafund. Duke pritur të dilnin valixhet nga avjoni mësova se është i qyteti i
pestë më i madh i Europës, pas Londrës, Parisit, Romës dhe zonës industriale të
Ruhrit. Ka një histori të vjeër dhe tepër interesante, një botë shpirtërore
krejt unike, dhe një kombinim të përsosur midis antikes dhe modernes. Për
vizitorin qyteti është një thesar gjigand që pret të eksplorohet.
1. BCN dhe Gaudi
Gaudi është qytetari më i rëndësishëm në historinë e Barcelonës.
Është, si të thuash, mishërimi i shpirtit të atij qyteti. Një tregues i rëndësisë
së Gaudit janë turmat e pafund të turistëve që vërtiten nëpër qytet sa nga një
vepër e tij në tjetrën, duke hapur kuletat pa kursim dhe duke shkrepur aparatet
fotografikë çdo sekondë.
Antoni Gaudi është një nga superstarët e arkitekturës botërore.
I lindur në mes të shekullit të 19të, mbahet si ushtruesi më i njohur i
Modernizmit Katalan, me vepra që pasqyrojnë tre pasionet më të mëdha të jetës së
tij – arkitekturën, natyrën, dhe fenë.
E nisëm gjurmimin e veprave të Gaudit duke kërkuar Casa
Batllo në Passeig de Gracia që rrezaton nga Plaza de Catalunya (një nga sheshet
kryesore të qytetit). Diku në krah të majtë dallohet qartë i mbiquajturi Blloku
i Mospërputhjes (Manzana de la Discordia), që përbëhet nga ndërtesa të
projektuara prej katër arkitektëve modernistë: Lluis Domenech i Montaner,
Antoni Gaudi, Joseph Puig i Cadafalch dhe Enric Sagner. Secili arkitekt ka
pasur kokën e vet, prandaj ndërtesat nuk përputhen as me njëra tjetrën dhe as
me lagjen përreth. Megjithatë, ato përputhen si vlera artistike dhe përbëjnë një
tërheqje për turistët. Veçanërisht Casa Batllo e Gaudit, që dallohej qartë edhe
nga stili, edhe nga numri i njerëzve të grumbulluara përpara saj.
Rreth 500 metra me tutje ndodhet një nga kryeveprat e Gaudit
– La Pedrera.
Kronologjikisht projekti i fundit i arkitektit, ajo është
konceptuar si ndërtesë me apartamente për të varfërit, qeraja e të
cilës do të
paguhej pjesërisht nga bashkia. Gaudi e bëri aq të bukur, saqë s’mund t’iu
lihej të varfërve – iu kaloi turistëve.Per fat të keq këtë vit fasada e saj po restaurohej, kështuqë patëm mundësi të shijonim vetëm terracën e famshme dhe pjesën e brendshme, apartamentet, të cilët flisnin shumë për mënyrën e jetesës në fillim të shekullit të njëzetë.
Padyshim kryevepra e Gaudit, ajo që ka përpirë gjithë frymëzimin
dhe gjenialitetin e tij, është
Sagrada Familia, një kishë gjigande e filluar në
19 mars 1882 dhe që vazhdon të ndërtohet edhe sot e kësaj dite. Vizitori i Sagradës nuk di me çfarë të mahnitet më parë, me pamjen e jashtme imponuese, me detajet e pafund në të katër anët, me simbolizmin, apo me pjesën e brendshme që të le pa frymë.
Gaudi nuk shkëput asnjëherë dashurinë për natyrën nga
pasioni i tij per fenë. Kolonat në pjesën e brendëshme të kishës përfaqësojnë
pemët dhe degët e tyre – ato nuk vazhdojnë drejt, por hapen në forma nga më
spektakularet.
Edhe nga jashtë gjen me shumicë motive të pemëve, frutave,
zogjve dhe kafshëve, të gjithë natyrës.
Sagrada përdoret më tepër si atraksion turistik se sa si
faltore. Besoj se mbi 90 përqind e njerëzve që hyjnë aty në një ditë të
zakonshme paguajnë për të parë mrekullinë krijuese të Gaudit dhe jo për t’u
lutur, megjithëse simbolizmi fetar mbizotëron në çdo detaj.
Thuhet se një nga
arsyet përse Sagrada Familja nuk përfundohet, megjithë përparimin e teknologjisë,
është ngaqë Barcelona mendon se ashtu siç është mund të shfrytëzohet më mirë për
turizëm. Ekonomia mbi të gjitha.
Në pjesën e bodrumit të kishës (crypt) është organizuar një
muze interesant që shpjegon me hollësi procesin e krijimit të Sagradës nga
Gaudi, maketet dhe projektet e tij pafund. Mua m’u duk si një shkollë e përsosur
për arkitekturën.
Parku është ndërtuar në një kodër të quajtur EL Carmel, në
lagjen Gracia të Barcelonës dhe kap një sipërfaqe prej 17 hektarësh. U mendua
fillimisht si një bllok banimi ku do të ngriheshin rreth 60 shtëpi, por si
duket projekti nuk eci. Vetëm dy shtëpi përfshihen sot
në këtë park që
gjithsesi është i mrekullueshëm dhe mbrohet nga UNESCO për vlerat e vete
artistike dhe arkitektonike.
Dy fjalë shtesë për Gaudin dhe marrëdhënien e tij me Zotin.
Gaudi padyshim ka qënë një arkitekt dhe artist gjenial dhe ishte i bindur që
gjenialiteti dhe frymëzimi i tij buronin drejtpërdrejt nga i plotfuqishmi.
Prandaj edhe pjesën më të madhe të veprës dhe jetës së tij ia përkushtoi pikërisht
Zotit dhe fesë. Një ditë në vitin 1926, kur ishte 74 vjeç dhe tepër i njohur në
të gjithë botën, Gaudi po kthehej në shtëpi nga kisha ku shkonte rregullisht për
t’iu falur Zotit. I menduar siç ishte, e përfshin një tramvaj dhe e hedh në cep
të rrugës. Disa kalimtarë iu afruan, por nuk e njohën kush ishte. I kontrolluan
xhepat dhe nuk i gjetën asnjë dokument. Atëherë, duke menduar se ishte ndonjë i
varfër i pastrehë, e morën dhe e çuan në një spital për të varfërit. Aty ai
vdiq i vetmuar, pa asnjë njeri të dashur përreth, si një varfanjak pa asnjë
qindarkë në xhep. Sot veprat e Gaudit janë tërheqja kryesore për visitorët
e Barcelonës. Ato i sjellin qytetit dhe qytetarëve katalanas miliona euro të
ardhura, punësojnë me mijëra njerëz dhe kënaqin me qindra-mijëra të tjerë.
No comments:
Post a Comment