Nga Rubrika “Në 70 vjetorin e çkërdhimit të Vendit”
Sipas Federiko Lombardit, drejtor i zyrës së shtypit të
Vatikanit, qëllimi i parë i vizitës së Papës në Shqipëri do të jetë nderimi i viktimave të komunizmit. Qëllime
dytësore do të jenë theksimi i marrëdhënieve të mira midis krishterimit dhe
islamit dhe kujtimi i Nënë Terezës.
Qofsha i gabuar, por qëllimi kresor i vizitës së Papës duket
sikur po anashkalohet nga shtypi shqiptar. Ndoshta ata që janë në pushtet nuk
kanë shumë qef që t’i vihet kaq shumë theks nderimit të viktimave të
komunizmit, në një kohë kur ata janë përfshirë në një fushatë për nderimin e shkaktarëve
të këtyre viktimave, duke përfshirë edhe kryekriminelin Enver Hoxha.
Pritja e Papës që tani është mbushur me hipokrizi e
maskarallëk. Zyrtarisht duhet të dalë Kryeministri që mbyll sytë ndaj hosanave
që po i bëhen Enver Hoxhës dhe bandës së tij me rastin e 70 vjetorit të ardhjes
në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare. Por mund ta prese edhe kryetari i Kuvendit
Popullor, Ilir Meta, bashkë me ministrin e Drejtësisë Nasip Naço dhe tufat e
pinonierëve të Enverit, të rinj e pleq, që po mbushin kohet e fundit faqet e
gazetave dhe ekranet me ngjyrën e gjakut shqiptar të derdhur nga komunistët. Ndoshta
do të ketë edhe historianë si puna e Paskal Milos e politikanë si Gramoz Ruci.
Në këtë rast s’do të bënin keq ta mbushnin sheshin me njerëz të besuar të
Partisë, veteranë dhe të rinj të apasionuar pas idealit komunist, sepse këta do
të ishin të gjithë gati për të duartrokitur. S’do ishte keq të vinin edhe
ndonje “Albanian Celebrity” si puna e Nexhmije Hoxhës, si për t’i vënë kapak
gjithë muhabetit.
Nuk di se çfarë efekti mund të ketë nderimi që poi u bën
Papa viktimave të komunizmit (bulevardi kryesor qënka mbushur me portrete priftërinjsh
të vrarë, a thua këta janë të vetmit) kur përballë tij do të jenë përkrahësit e
flaktë të atyre që i shkaktuan këto viktima. Një gjë dihet me siguri – sapo Papa
t’i hipë avjonit për t’u kthyer në Vatikan, qeveritarucët shqiptarë do t’i
rikthehen punës për përgatitjen e festimeve të 70 vjetorit të çkërdhimit të
vendit. Dhe s’kanë faj, do të kenë humbur një ditë të vyer nga puna e tyre
intensive dhe realizimi i detyrave të planit.
No comments:
Post a Comment