E keqja është që në shqip ne nuk kemi asnjë
fjalë me të cilën të përkthejmë termin “bigot”. Unë u përpoqa me “google
translate” dhe më doli “fanatik.” Jo, “bigot” nuk është fanatik. Më pranë
kuptimi është me fjalën “racist”, por edhe ky nuk është i saktë. Bigot është një
njeri që padrejtësisht urren një grup njerëzish të tjerë; ose që nuk pranon si
të barabartë pjestarët e një ose disa grupeve të caktuara për shkak të racës,
fesë, përkatësisë etnike apo krahinore, etj.
Për shembull Maks Velo. Maks Velo është
shembull i shkëlqyer i një njeriu që mund ta quash me plot gojën BIGOT.
Natyrisht, Velon mund ta quash
“anti-verior”, “anti-islamist”, “anti-shqiptar” dhe shumë anti të tjera. Por
asnjëra nga këto nuk e përcakton atë aq saktë sa fjala “bigot”. Bigot nënkupton
dikë që niset nga parimi se një grupim njerëzish janë më superiorë, ose më
inferiorë se një grup tjetër, për shkak të një përkatësie të caktuar. Përkatësia
mund të jetë çfarëdo – kombëtare, etnike, apo krahinore, ngjyrë e lëkurës, formë
apo ngjyrë e syve, lartësi e shtatit, spërdredhje ose e flokëve, dialekt në të
folur, besim apo mosbesim fetar, parapëlqime për ekipe futbolli.
Bigotizmi është i lidhur ngushtë me
racizmin, diskriminimin dhe paragjykimin, me vlerësimin e individëve në bazë të
karakteristikave imagjinare të të gjithë grupit. Në shqip kjo përkthehet me
shprehjen “i fut të gjithë në një thes”. Për shembull, Maks Velo s’e ka për gjë
që t’i fusë të gjithë në një thes, ose t’i ndajë të gjithë sipas thasëve që ka
në kokë. Një thes e mbush me veriorë, një tjetër e mbush me jugorë. Pastaj, nuk
mjaftohet me këtë, por krijon thasë të tjerë: thasë me muslimanë, me ortodoksë,
me katolikë. Pastaj iu ve etiketa thasëve: thes i mirë, thes i keq. Thes me
hajdutë, thes me të ndershëm. Thes me terroristë, thes me tolerantë. Thes me të
qytetëruar, thes me njerëz të egër. Thes me drogaxhinj, thes me punëtorë. Thes
i dashur, thes i urryer.
Logjikës prej bigoti të Maks Velos nuk mund
t’i përgjigjesh me logjikë prej bigoti. Nuk mund t’i thuash Maks Velos që i ka
vënë etiketat e thasëve gabim, që thesi që ai ka etiketuar si “thes i mirë“
duhet të jetë “thes i keq” dhe anasjelltas. E keqja nuk qëndron te etiketimi i
gabuar i thasëve. E keqja qëndron te ideja e përdorimit të thasëve, pra qëndron
që në thelbin e logjikës prej bigoti të Maks Velos apo të kujtdo tjetër. Pra nuk
mund t’i përgjigjesh një logjike të gabuar me një logjikë po aq të gabuar. Nuk
mund t’i përgjigjesh as me argumentin që te “thesi i keq” i Maks Velos ka shumë
shembuj njerëzish të mirë, njerëzish të qytetëruar. Këtë logjikë Maks Velot nuk
e marrin vesh.
Fatkeqsisht, nuk është vetëm Maks Velo bigot.
Më parë kam shkruar që shumë nga ne shqiptarët jemi racistë. Tani e pranoj
gabimin. Duhet të kisha përdorur që atëherë fjalën bigotë. Sidoqoftë, dua të
përsëris që ka ardhur, ose ka kaluar koha, që ta pranojmë këtë problem dhe t’i
drejtohemi atij, si shoqëri me dëshirën dhe vullnetin për ta luftuar. Përndryshe
do t’i kemi punët pisk.
Reagimet ndaj komenteve prej bigoti të Maks
Velos ishin më së shumti bigotiste. Disa me dëshirën e mirë për të mbrojtur
pastërtinë dhe virtutet e veriorëve, ose të muslimanëve. Të tjerët me batakun e
argumentave të qelbur që edhe jugorët dhe ortodoksët nuk janë më të mirë, ose
janë më të këqinj.
Bigotizmi te Maks Velot dhe te shumë
shqiptarë mbizotëron në qëndrimin ndaj krahinave – të gjitha krahinave, ndaj
feve, të gjitha feve, ose mungesës së tyre, me qëndrimin ndaj grave,
homoseksualëve, egjiptianëve, romëve, arumunëve, serbëve, grekëve, maqedonasve,
afrikanëve, kinezëve, çifutëve, çekëve, fshatarëve, provincialëve, katnarëve –
në një popullsi çuditërisht të vogël gjen aq forma racizmi sa të merren mendtë.
Bigotizmi vërtitet haptazi nëpër mediat shoqërore dhe faqet e gazetave, me ngrefje
për superioritetin e shqiptarëve, lashtësinë e shqiptaro-iliro-pellazgëve,
parësinë e gjuhës shqipe, e turli budallëqesh të tjera pa mbarim. E gjen te
përpjekjet qesharake për t’i nxjerrë shqiptarë të gjithë personalitetet e
kulturës dhe shkencës botërore dhe për t’i sharë me rrënjë e degë futbollistët
që nuk pranojnë të luajnë me përfaqësuesen e Shqipërisë apo të Kosovës.
Prandaj ajo që thotë Velo nuk të çudit
shumë. Të revolton, t’i sjell zorrët te goja, por nuk të çudit. Ajo që të çudit
është se si një gazetë serioze si Mapo vazhdon ta konsiderojë Velon si
intelektual dhe ta botojë fjalë për fjalë. Velo është njeri i mbaruar nga ana
intelektuale. Ai është i matufepsur. Një njeri që dërdëllit budallëqe të tilla
tregon mirëfilli që nuk ka asnjë lidhje me zhvillimet intelektuale të botës të
paktën këto 50 vjetët e fundit. Intelektualisht, Velo është një matuf që s’ngre
dot pantallonat.
Bigotizmi i tipit të Velos mund të pritet,
për shembull, nga një njeri që nuk di asnjë gjuhë të huaj; që nuk lexon, nuk
dëgjon, dhe nuk ia ka idenë se ç’bëhet përtej urës së Dalanit, për një
kokëtharë që s’ka lidhje me asnjë njeri të mençur dhe që e kalon kohën duke
pirë raki me fërgesë. Por nuk mund të pritet nga një njeri që mbahet si
intelektual.
Nëse Mapos do t’i trokiste në derë një
batakçi dhe t’i thoshte fjalë për fjalë broçkullat që ka lëshuar nga goja Maks
Velo, me siguri që redaktorët do ta kishte nxjerrë me shqelma përjashta dhe
s’do t’iu kishte shkuar për asnjë çast mendja ta botonin. Por Mapo ia boton
Velos të njëjtat fjalë sepse Velo mbahet si intelektual, si pasuri e kombit. Pikërisht
këtu qëndron gabimi i Mapos. Velo nuk është intelektual dhe nuk duhet
konsideruar si i tillë. Ai mund të ketë qënë dikur intelektual. Ndërsa sot është
thjesht një Bigot i Matufepsur dhe atij i duhet kushtuar po aq vemendje sa
meriton një bigot i matufepsur. As më shumë, as më pak.
Këtu s’bëhet fjalë për liri të shprehuri.
Nuk bëhet fjalë as për të qënë “korrekt politikisht”. Këtu bëhet fjalë për të
qënë në rregull nga trutë e kokës. Nëqoftëse dikush është matufepsur – dhe
është krejtësisht e pranueshme që një njeri, qoftë nga mosha, qoftë për shkaqe
të tjera, edhe do matufepset – atëherë gazeta s’ka asnjë detyrim moral që ta
botojë. Ne mund të na vijë keq për Velon, të kujtojmë me nostalgji kohën kur
atij i punonte mendja në rregull (nëqoftëse vërtet ka pasur një kohë të tillë),
por jo më shumë se kaq.
Ndërkohë duhet t’i vemë gishtin kokës dhe të
mendojmë seriozisht se sa nga bigotizmi dhe matufepsja e Velos na ka mbetur neve
vetë në kokë. Sepse kam frikë se na ka mbetur goxha.
Si fillim, le të përpiqemi ta kuptojmë
përkufizmin e fjalës “bigot” dhe ta fusim atë në fjalor.
No comments:
Post a Comment