A ka shpirt morri?
Nuk dihet nëse ishte frymëzuar nga filmi i Disney’t
“All Dogs go to Heaven”, apo thjesht kishte pasur ndonjë komunikim me
autoritetin përkatës, por Papa Francesku i befasoi katolikët këtë javë kur,
krejt papritur hapi portat e Parajsës për të lejuar futjen në të të qenve. Papa
e bëri komentin në një çast emocional, kur po fliste me një djalkë të pikëlluar
se i kishte ngordhur qeni. “Mos u mërzit,” i tha ai fëmijës. “Portat e Parajsës
janë të hapura për të gjithë.”
Diskutimi se ç’bëhet me qentë, macet, dhe krijesat
e tjera pas vdekjes i ka cfilitur për mijëra vjet ata që besojnë te ekzistenca
e parajsës dhe ferrit. Që qentë e macet të marin vizë për të vajtur në parajsë
së pari duhet të kenë shpirt. Paraardhësi i Franceskut, Benedikti ishte i
bindur që kafshët nuk kanë shpirt. Gjon Pali II, nga ana e vet, paska lënë diku
të kuptohet se ishte partizan i vajtjes së disa kafshëve në Parajsë. Ndërkohë,
një rradhë e gjatë Papësh e kanë kundërshtuar me forcë idenë që ndonjë krijesë
tjetër veç njeriut të ketë shpirt.
Kundërthëniet e krerëve të kishës pasqyrohen
edhe te besimtarët. Pjesa më konservatore e tyre, ata që quhen nganjëherë edhe
të djathtë ekstremë, ose fondamentalistë, duket se s’para besojnë te vajtja e
qenve dhe maceve në Parajsë. Në rastin konkret, mund të thuhet se këta dalin më
katolikë se Papa.
Ndërsa disa liberalë dhe kryesisht ata që
kanë kafshë shtëpiake – qen, mace, papagall, kanarinë, peshk të kuq, lepur,
minj u gëzuan shumë nga vendimi i Franceskut.
Puna është se duke hapur portën e Parajsës
për qentë dhe macet, Papa nuk mund ta mbajë atë mbyllur për qeniet e tjera.
Bashkë me canis familiaris tani në
parajsë do të kenë të drejtë të hyjnë edhe krokodilët, hienat, gjarpërinjtë,
peshkaqenët, kandilat e detit, kërmijtë, pleshtat, mishkonjat, morrat, çimkat –
gjithçka e gjallë që ekziston dhe që mendohet se është krijesë e Perëndisë. Në
fund të fundit, përderisa qentë kanë shpirt, edhe ato duhet të kenë, apo jo? Përndryshe,
ku është kufiri dhe kush e vendos atë?
Pyetja “A ka shpirt qeni?” me pak imagjinatë
mund të marë edhe formën: “A ka shpirt morri?” Dhe, nëse ka, ose nëse pranojmë
atë që thotë Papa Francesku që ka, a bëjmë mëkat kur shtypim morra? A bëjmë mëkat
kur vrasim brumbuj, miza, pleshta, çimka, etj., thjesht sepse ato na bezdisin
duke shëtitur nëpër lëkurë dhe duke pirë nga një çikë gjak? A mos ne vetë, duke
vrarë këto insekte, që me siguri do të shkojnë në Parajsë, i zvogëlojmë shanset
vetes për të shkuar atje?
Duke lejuar kafshët në Parajsë Papa
Franceskut ka entuziasmuar tej mase organizatat e mbrojtjes së të drejtave të
kafshëve, si PETA. Tani ato kanë një argument më shumë për kauzën e tyre. Por ai
ka ngritur peshë edhe grupet e vegjetarjanëve, të cilët thonë që njerëzit nuk
duhet të ushqehen me mish kafshe, as me peshk, pasi ngrënia e tyre detyrimisht
kërkon edhe vrasjen paraprake të tyre, që do të thotë vrasjen e një qenieje me
shpirt, që sipas Biblës është mëkat. Me një fjalë, që sot e tutje, çdo katolik
i mirë, që beson në ndershmërinë dhe në shenjtërinë e Papa Franceskut, duhet të
kthehet në vegjetarjan. Katolicizmi në këtë rast, bije në kundërshtim me
therrjet masive të qingjave për Pashkë, bije në kundërshtim me ngrënien e
peshkut çdo të premte. Dhe me që ra fjala te peshqit, a bënte mëkat Krishti kur
ushqente gjindjen me peshk? Hmm, gjëra të ndërlikuara vërtet.
Të gjitha këto më çojnë mua detyrimisht te
një nga legjendat më makabre dhe më të tmerrshme të librave të shenjtë, Biblës
dhe Kuranit – legjendës së Sakrifikimit të Isakut (për të krishterët) ose
Ismailit (për muslimanët) nga Abrahami (Ibrahimi). Sipas legjendës, Zoti i kërkoi
Abrahamit të sakrifikonte djalin e tij dhe kur ky, i bindur, po përpiqej ta
therrte për t’i bërë qefin, Zoti ndërhyri dhe i tha të lëshonte djalin. Pastaj
i kërkoi që, në vend të tij, të sakrifikonte një dash, që askush s’e mori vesh
se si u gjend aty pranë. Abrahami therri dashin. Pyetja është, si e lejoji zoti
Abrahamin që t’i merrte jetën një qenieje me shpirt? Ose, për ta vazhduar edhe
më tej, a është shpirti i njeriut, që në këtë rast nuk u sakrifikua, më i vlefshëm
se sa shpirti i dashit. Me sa shpirtra deshësh është i barazvlefshëm një shpirt
njeriu? Sa shpirtra morrash duhen për të…?