Para disa
kohësh Ilir Seci me bëri “tag” në një urim per ekipin e futbollit të Skëndërbeut
me një shënim të shkurtër ku thuhej se ia drejtonte atë të gjithë miqvet të tij
korçarë në fb. Padyshim Iliri do të jetë çuditur kur unë i shkruajta menjëherë
për t’i thënë se nuk isha korçar dhe nuk kisha lidhje me urimin per ekipin e Skënderbeut.
Ai u tregua zemërgjerë dhe e tërhoqi komentin pa e zgjatur, ndërsa unë që në atë
çast e ndjeva të nevojshme të sqaroj se përse u tregova aq i paduruar dhe
intolerant ndaj një urimi të thjeshtë e dashamirës.
Puna është
se unë jam tifoz i Tiranës, jo i Skënderbeut. Jo vetëm kaq, por tifozlleku im
me Tiranën është zhvilluar kryesisht me shokët e mij tifozë të Skënderbeut.
Njeriu bëhet
tifoz me një ekip për arsye nga më të ndryshmet, por kryesisht për arsye të
vendit ku ka filluar të shohë futboll për herë të parë. Si të gjithë fëmijët e
lindur në Tiranë unë kam pasur zgjedhjen midis Tiranës, Partizanit, ose
Dinamos. U bëra me Tiranën për faktin e thjeshtë që shtëpia ku u rrita ndahej
vetëm nga një mur me shtëpinë e një futbollisti të shquar të Tiranës, Arben
Çelës. Beni ishte më i madh se unë në moshë - unë shkoja në fillore kur ai filloi
luante me Tiranën. Por unë kaloja shumë kohë në shtëpinë e tij. Shpesh, kur
kthehesha shpejt nga shkolla dhe s’kisha njeri në shtëpi, më mbante në shtëpinë
e tyre gjyshja e Benit. Të gjithë ne banorët që ndanim një kompleks prej katër
shtëpish në Rrugën Mihal Grameno ishim si një familje e madhe. Të bëhesha tifoz
me Tiranën për mua ishte jo vetëm zgjedhje, por edhe detyrim rrethanash,
megjithëse jo më larg se njëqind metra nga shtëpia jonë banonte në tjetër
futbollist i shkëlqyer, Ilir Përnaska dhe zgjedhja për Dinamon ishte përsëri në
lagje. Megjithatë, njëqind metra nuk krahasohen me murin ngjitur.
Nga fëmijëria
unë mbaj mend ndeshjet me lagje që organizoheshin te fusha e Mihal Gramenos. Në
ekpin e lagjes sonë ishin Ben Çela, Ilir Përnaska, dhe një futbollist i
Partizanit që më duket se e kishte mbiemrin Ahmetaj, por s’jam i sigurt. Bëheshin
ndeshje shumë të forta dhe ne kalamajtë që rrinin prapa portës i ndiqnim gjithë
qef. Duke i menduar tani, them që ata që luanin futboll me ekipet e para të
kryeqytetit duhet ta kenë pasur me shumë pasion sportin, sepse edhe ato ditë që
kishin pushim i shfrytëzonin për të luajtur me lagjet.
Fati e
deshte (ose më saktë Partia urdhëroi) që familja ime të linte Tiranën dhe të
shkonte në Korçë kur unë po mbaroja klasën e dytë. Por e shkuara në Korçë nuk
mund të më detyronte mua të linja ekipin e Tiranës dhe të kthehesha me Skënderbeun.
Aq më tepër që gjithë shokët e mij të
rinj tani ishin me Skënderbeun dhe unë kisha një rast të mirë për t’u gërricur.
Në fund të fundit tifozllëku i futbollit ka kuptim vetëm kur gërricesh
ose zihesh me dikë. Mjafton të them që kam duruar gjithë ato tallje e ironi për
tifozllekun tim, të cilat vetëm më bënin më të vendosur për të vazhduar të isha
tifoz i Tiranës.
Kur vinte Tirana të luante në Korçë, pas ndeshjeve unë
prisja jashtë stadiumit dhe takoja Benin – jo vetëm si njeriun e afërt, por
edhe si «celebrity». Për një 11 – 12 vjeçar kjo ishte gjë e madhe dhe mua më bënte
të ndjehesha mirë.
Dhe, për të thënë të vërtetën deri në fund, në atë kohë
Tirana ishte ekip shumë më i mire se sa Skënderbeu (Flas për vitet 1970-1980). Ajo
kishte lojtarë si Mema, Dhales, Rizvanolli, Baçi (që krosonte shumë bukur) dhe
i madhi Tit Dibra. Ndërsa më vonë erdhi brezi i Agustin Kolës, Mirel Josës, Ben
Mingës e, për mua, futbollisti më elegant shqiptar, Çim Muça. Ndërkohë që Skëndërbeu,
për kënaqësinë time dhe inatin e shokëve të mi, lundronte vazhdimisht nga fundi
i tabelës.
Në fakt po e ekzagjëroj pak pasi,
kur nuk luante kundër Tiranës, unë bëhesha me gjithë shpirt me Skënderbeun, që
ka pasur disa futbollistë të shkëlqyer (që nga Aleko Pilika, të cilin e kam
arritur vetëm ne pak ndeshje) te Koço Dinella, Jani Kaçi, Teodor Vaso, etj.
Kam kohë që s’e ndjek kampjonatin në Shqipëri,
megjithëse e di që prej disa vitesh kampjon është Skëndërbeu. Kur e gjykoj me
gjakftohtësi, më bëhet qefi. Megjithatë, kur dikush më ngatërron dhe më uron si
tifoz të Skënderbeut, te unë nxjerr krye menjëherë ai instikti i vjetër për të
kundërshtuar dhe për të bërtitur : Ej, unë jam me Tiranën.