(Mendime për një film dhe një reagim)
Arben Kallamata
a.
Filmi mbaroi, në ekran u çfaqën shkronjat e
krediteve, ndërkohë që nga salla u dëgjuan vetëm pak duartrokitje. Me sa dukej
shikuesit e Vergine giurata nuk ishin
shumë enthusiastë për atë që kishin pare.
Paksa e çuditshme po të kesh parasysh që një
pjesë e mirë e të pranishmëve në premjerën e filmit të çfaqur në kornizën e
Festivalit të Filmit të Bashkimit Europian në Toronto ishin shqiptarë dhe miq të
ftuar nga shqiptarët.
E ndoqa reagimin e publikut me po aq vëmendje
sa edhe vetë filmin pasi për mua përbën një dukuri interesante. Kam përshtypjen
se shumica e bashkatdhetarëve që kishin ardhur të djelën në kinemanë “Royal” të
Torontos ishin nisur jo aq nga tema që kishte lidhje me Shqipërinë, por edhe
nga fakti që filmi bazohej te një libër i suksesshëm i një shkrimtareje
shqiptare, Elvira Dones. Shkrimtare me të cilën shumë nga pjesmarësit identifikoheshin
drejtpërdrejt, pasi i përkisnin të njëjtit brez, të njëjtës prejardhje
kulturore dhe madje një pjesë, duke më përfshirë edhe mua, kishin njohje
personale.
Ishte, si të thuash, një rast i mirë për
t’u ndjerë mirë.
Për vetë specifikën e kombit tonë këtë
nevojën për t’u ndjerë mirë përmes identifikimit me përfaqësues të suksesshëm
prej rradhëve tona ne e kemi të zhvilluar paksa me tepri. Dua të them që jemi
shumë më tepër të gatshëm t’iu tregojmë të tjerëve që jemi bashkëkombës të Nënë
Terezës, se sa të Martin Shkrelit. Gëzohemi kur na përmendin Kadarenë dhe
nxihemi kur flitet për Enver Hoxhën.
Por ajo që s’durojmë dot, ajo që na bën të
ndihemi më keq se gjithçka është, padyshim, prapambetja. E kemi për qamet të
identifikohemi me fshatarë shqiptarë, me gra të mbuluara me shamija, me atë
fotografinë e atij burrit të ri që ecën me cigare në gojë dhe dorën në xhep, kur nga prapa i
vjen gruaja e kërrusur nën peshën e një mali me shkarpa të mbledhura.
Ma do mendja që ai reagim i ftohtë ndaj Vergine Giurata në Toronto erdhi pikërisht
nga kjo ndjenjë, dhe jo nga vlerësimi ose mosvlerësimi i elementëve artistikë të
filmit. Unë nuk e di çfarë prisnim ne të na tregonte një film me temën e marë
nga zonat më të thella malore të Shqipërisë dhe me fabul të mbështetur te një
prej tradititave më të vjetra dhe më të pazakonta – kthmi i grave në burra dhe
të betuarit për të qënë gjithë jetën të virgjëra. Nuk pritej që filmi të merrej
me baret më luksoze të kryeqytetit. As me vendet më piktoreske dhe plazhet më
ndjellëse të bregdetit. Filmi do të merrej pikërisht me këto – me rite dhe
zakone të ngrira në shekuj, me ngecje të orës në ato kohëra kur ende ajo
s’ishte shpikur.
Skena më tronditëse në këtë vështrim ishte
padyshim ajo e gjamës së maleve. Duhet ta pranoj që ajo skenë më
befasoi dhe mua. Jo sepse dukej ashiqare që vinte drejtpërdrejt nga para-mesjeta;
as me sepse të dukej e pabesueshme që diçka e tillë vazhdonte të ushtrohej edhe
sot e kësaj dite në mes të Europës (gjeografike). Por ngaqë unë nuk kisha pasur
asnjëherë rastin ta shihja më parë dhe as ia kisha idenë një rituali të tillë.
Sinqerisht më vjen turp që s’e kam ditur më pare dhe më vjen inat për atë dreq
propagande dhe informacioni që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi, që nuk është në
gjendje t’i informojë qytetarët e vet se ç’bëhet në atë një pëllëmb vend. Siç
edhe ia di për nder filmit Vergine
Giurata që më mësoi diçka që s’e dija dhe që duhet ta dija.
Reagimi im i parë ishte “Kjo s’mund të jetë
e vërtetë!” Por, nga ana tjetër, logjika ma thoshte që regjisorja, sado e
guximshme, nuk mund ta shpikte një gjë të tillë. Ndaj edhe vajta e verifikova
dhe, kur e gjeta origjinalin në youtube
u binda që rituali ishte paraqitur me shumë realizëm dhe mjaft artistikisht në
film.
b.
Po filmi
vetë si ishte? Mua m’u duk i mirë.
Jo shumë i mirë, por i mirë. Pamjet filmike, kinematografia, ishin të shkëlqyera.
Alpet e Shqipërisë ishin filmuar aq bukur sa të linin pa frymë. Zotëronin
skenat me një dëborë që binte gjysmë e shkrirë; me re të errëta, të dëndura, që
nuk linin të shihje majat e kreshtave të malësisë por që ta krijonin fare qartë
në kokë imazhin e magjishëm të madhështisë së tyre.
Filmi vetë kishte një
ritëm të shtruar, por jo të zvarritur. Vetëm se fabula ishte tepër e sheshtë
dhe pa momente dramatike, siç do të pritej nga trajtimi i një teme të tillë. Në
fund të fundit, shndërrimet nga vajzë në burrë dhe, më pas, nga burrë në grua,
nuk mund të jenë kalime të thjeshta, të lëmuara, pa drama të brendëshme
psikologjike.
Vergine Giurata nuk merrej thuajse fare me kulminacione
dramatike. Kthimi i Hanës në Mark u krye pa ndonjë shtrëngesë të dukshme shoqërore
(siç ndodh rëndom në Malësi). Hana paraqitet si një vajzë e interesuar për të
gjuajtur me pushkë, disi e revoltuar nga padrejtësia e të qënit e pabarabartë
me djemtë dhe burrat, por pa ndonjë vuajtje të madhe për gjendjen. Ajo nuk
duket të ndjejë asnjë lloj nxitje apo detyrimi nga familja adoptuese e saj. Mua
më duket se regjisorja nuk ka qënë në gjendje ta nxjerrë në pah dramën e këtij
kapërcimi dhe se kjo është një mangësi serioze e filmit.
Sa për kapërcimin e
dytë, them se ai është paraqitur qëllimisht si i lehtë, pa shumë tronditje.
Është një kapërcim thjesht biologjik, fiziologjik. Megjithëse me flokë të prera
shkurt, me gjoks të përmbledhur nga një shirit i gjatë bezeje dhe me një të
ecur paksa të përkulur si burrë, Marku në thelb ka mbetur Hana, grua. Dhe
natyra e thërret të sillet si grua. Kalimi bëhet në formën më të rëndomtë të
mundshme, pa shumë zbukurime, pa bërtitje, pa dramacitet. Kjo pjesë më pëlqeu
dhe m’u duk si gjetje e mirë. Hana ndjehet grua, ka shkuar në Milano të jetojë
si njeri i lirë, sillet si njeri i lirë dhe bën ç’të dojë me jetën e saj. Edhe
njerëzit përreth saj e kuptojnë dhe e miratojnë heshturazi. Prej tyre s’ka
asnjë presion për të kundërtën. Kalimi nga Mark në Hana është dhënë qëllimisht
si fare i rëndomtë. Natyra bën të vetën. Në këtë vështrim ata personazhe
shqiptarë që mbushin pjesën më të madhe të filmit mua më duken se dalin shumë të
qytetëruar, njerëzorë dhe gjithë vlera.
Filmi ishte në
italisht dhe në shqip. Pjesët shqip ishin kryesisht në dialektin e veriut dhe
tingëllonin natyrshëm, pavarësisht se në disa çaste dukej sikur ishin përkthyer
me vështirësi nga italishtja.
Përfundimisht mendoj
se Vergine Giurata meritonte disi më
shumë duartrokitje nga ç’mori atë natë në Toronto. Dhe do t’i merrte me siguri
nëqoftëse ne të gjithë që ishim në atë sallë do të kishim arritur ta shihnim
filmin si artdashës dhe jo si shqiptarë. Por, nganjëherë gjërat janë vështirë
të ndahen.
Vergine Giurata ishte një rast i mirë për
t’u ndjerë mirë.
No comments:
Post a Comment