Në vitin
2004 CBC organizoi një emision televiziv për të shpallur Kanadezin më të shquar
të të gjitha kohëve. Emisioni u ndoq me shumë interes dhe për javë të tëra anembanë
Kanadasë u diskutua me zjarr për të përcaktuar se kush do ta meritonte këtë
nder. Ndër kandidatët ishin legjenda e Hokeit Wayne Gretzky, shpikësi i
telefonit Aleksander Graham Bell, kryeministri i parë i vendit Sir John A.
Macdonald, shkencëtari David Suzuki, zbuluesi i Insulinës Frederick Banting,
ish kryeministri i famshëm Pierre Trudeau dhe Terry Fox, djaloshi me një këmbë
që ndërmori Maratonën e Shpresës duke vrapuar nga një anë e Kanadasë në tjetrën.
Fitues u shpall Tomi Daglas (Tommy Douglas), anëtar i Parlamentit në
vitet 40të dhe krijues i Sistemit Shëndetsor Universal në Kanada.
Tomi Daglas lindi në Skoci dhe, kur ishte 6 vjeç bashkë me
familjen emigroi në Winnepeg, Kanada. Që kur ishte në vendlindje ai kishte dëmtuar
gjurin duke luajtur dhe mjekët atje nuk kishin arritur t’ia kuronin dot. Në
Winnepeg gjendja u keqësua dhe prindërit po përpiqeshin t’i gjenin shërim.
Derisa arritën përpara një alternative të tmerrshme: t’i prisnin këmbën për t’i
shpëtuar jetën, që mund të përballohej nga të ardhurat e familjes, ose t’i nënshtroheshin
një operacioni shumë të shtrenjtë, ekonomikisht të papërballueshme për emigrantët
e rinj. Fatmirësisht, në atë kohë u gjend një mjek i cili pranoi ta operonte
gjurin falas, me kusht që ta përdorte procedurën si demonstrim për studentët.
Familja pranoi dhe mjeku arriti t’i shpëtonte dhe jetën, edhe këmbën.
Ndërsa djaloshit Daglas i mbeti e fiksuar në kokë
alternativa e tmerrshme përpara të cilës ishin vënë prindërt e tij. Ai vendosi t’ia
përkushtonte jetën dhe karrierën punës për të bërë të mundur që kjo alternativeë
të mos i vihej më përpara asnjë nëne, asnjë prindi në Kanada. Me këtë synim pasi
kreu studimet në Brandon University të Skocisë e në McMaster University, pasi
mori Doktoraturën në Universitetin e Chicagos Daglasi iu fut politikës duke u
zgjedhur disa herë deputet i Parlamentit kanadez dhe Kryetar i Qeverisë së
Provincës së Saskaçuanit. Ai idoi dhe luftoi për miratimin e një ligji për Shërbimin Mjekësor Universal – që
do të thotë shërbim mjekësor falas për të gjithë. Pavarësisht kundërshtimeve të
shumta, ligji u miratua dhe u zbatua me sukses fillimisht në provincën e Saskaçuanit
e, më vonë, në të gjithë Kanadanë. Është pikërisht ai shërbim që e gëzojnë të
gjithë sot, duke përfshirë emigrantët dhe refugjatët që porsa shkelin në vend. Jo
vetëm ajo që ai ka arritur, por edhe mënyra se si e ka arritur e bëjnë Tomi
Daglas njerium më të madh që ka nxjerrë Kanadaja.
Po sjell këtu të përkthyer një nga perlat politike të Tomi
Daglasit, një fjalim në formë fabule alegorike të mbajtur në vitin 1944, i cili
është aktual edhe për gjendjen politike në vende të tjerë.
Fjalimi i Tomi Daglas për Miushërinë
Dua t’i tregoj për një vend të quajtur Miushëri. Miushëria
ishte një vend ku jetonin, luanin, lindnin e vdisnin gjithë mijtë e vegjël.
Jetonin pak a shumë siç jetoni edhe ju.
Kishin edhe një parlament dhe çdo katër vjetë bënin
zgjedhje…shkonin në qendrat e votimit dhe hidhnin votën. Disave iu binte rasti
të bënin një xhiro me makinë për të qendra e votimit, madje e vazhdonin xhiron
për katër vjet, deri në zgjedhjet e tjera. Njëlloj si unë e si ju. Këshut pra, në
ditën e zgjedhjeve minjtë e vegjël shkonin rregullisht te qendrat e votimit dhe
zgjidhnin qeverinë. Një qeveri të përbërë nga maçokë të mëdhenj, trashaluqë dhe
të zinj.
Tani, po t’iu duket e çuditshme se si minjtë zgjidhnin
qeveri maçokësh, kthejuni pak historisë së Kanadasë këto 90 vjetët e fundit dhe
ndoshta do ta kuptoni se nuk kanë qënë më budallenj se ne.
Të kuptohemi, unë nuk po shaj maçokët. Ata e drejtonin
qeverinë me dinjitet. Miratonin ligje – domethënë ligje që ishin të mira për
maçokët. Vetëm se ligjet që ishin të mira për maçokët, nuk ishin edhe aq të mirë
për minjtë. Një nga ligjet, për shembull, thoshte që vrimat e minjve duhet të
ishin aq të mëdha sa të hynte lirisht putra e maces. Një tjetër ligj përcaktonte
kufizimet e shpejtësisë me të cilën mund të vraponin minjtë – në mënyrë që
maçokët ta siguronin mëngjesin pa sforcim.
Të gjithë ligjet ishin të mirë - për maçokët. Sa për minjtë,
oh, ato ishin të rënda për ta. Dhe jeta sa vinte e vështirësohej. Derisa erdhi
një ditë kur minjtë nuk mund të duronin më dhe arritën në përfundimin se diçka
duhej bërë. Ata votuan për t’i hequr maçokët e zinj nga parlamenti. Në vend të
tyre zgjodhën maçokë të bardhë.
Duhet pranuar se maçokët e bardhë bënë një fushatë të shkëlqyer.
Ata thanë : ‘Miushëria ka nevojë për një vizion të ri.’ Dhe sqaruan:
‘Problemi me Miushërinë qëndron te vrimat e mijve që janë të rrumbullakta. Po
na zgjodhët ne, do t’i kthejmë ato në katrore.’ Dhe e mbajtën fjalën. Vrimat
katrore të mijve tani ishin dy herë më të mëdha se sa ato të rrumbullaktat, dhe
maçokët arrinin t’i fusnin të dyja putrat brenda. Dhe jeta e monjve u vështirësua
më keq se asnjëherë.
Por ama kur iu erdhi në majë të hundës dhe s’mund ta duronin
dot, minjtë votuan për t’i rrëzuar maçokët e bardhë nga pushteti dhe për të
kthyer përsëri të zinjtë. Pastaj iu kthyen përsëri të bardhëve. Pastaj të
zinjve. Madje provuan edhe maçokë gjysmë të zinj e gjysmë të bardhë. Dhe këtë e
quajtën koalicion. Arritën deri atje sa të zgjidhnin edhe një qeveri maçokësh me
pulla: këta ishin maçokë që përpiqeshin të lëshonin zëra si të minjve por
vazhdonin të hanin si mace.
Siç e shikoni të dashur miq, problemi nuk qëndronte te
ngjyra e maçokëve. Problemi ishte te të qënit e tyre maçokë. Dhe duke qënë
maçokë ata kujdeseshin për maçokët dhe jo për minjtë.
Më në fund doli edhe një miush i vogël të cilit i kishte
lindur një mendim në kokë. Të dashur miq, ruhuni nga ai miku i vogël me mendime
në kokë. Ky iu drejtua minjve të tjerë duke thënë : ‘Verini gishtin kokës.
Përse duhet të zgjedhim vazhdimisht qeveri maçokësh? Përse të mos zgjedhim një
qeveri të përbërë nga minjtë?’
‘Ou,’ u
hodhën minjtë e tjerë. ‘Ky qënka Bolshevik. Rraseni brenda!’ Dhe e futën në
burg.
Sidoqoftë,
do desha t’iu rikujtoj se miun ose njeriun mund t’i futësh në burg, por mendimin
nuk e burgos dot.
Tomi
Daglas, 1944