Nëse jeni
në apo vizitoni Tiranën, do t’iu rekomandoja të mos lini pa parë Muzeun Bunkart.
Bunkart është
një muze krejt origjinal brenda një prej tuneleve monstruoze që ndërtoi enver hoxha
për të mbrojtur lëkurën e vet dhe të atyre përreth tij në rast lufte. Ndodhet
në Babrru, në brendësi
të Dajtit.
Kilometra të
tëra tuneli me beton të trashë që shkojnë mbi 100 metra nën tokë; dyer të rënda,
sisteme të ndërlikuara ajrimi; punë kolosale skllevërish - bunkeri është i
paimagjinueshëm qoftë për shpenzimin e bërë nga një vend aq i varfër, por edhe
për shkallën e lartë të fshehtësisë dhe, mbi të gjitha, për paranojën,
narcisizmin dhe shpirtligësinë e asaj kaste të ndyrë njerëzish që e mbajti nën
zgjedhë atë popull për 50 vjet dhe ishte gati ta linte në çdo çast në mëshirën
e fatit.
Nuk do
zgjatem në përshkrimin e bunkerit, pasi dua t’ua lë ta kini vetë kënaqësinë e
zbulimit të thesareve. Po ve vetëm disa foto sa për t’iu nxitur
kurreshtjen:
Kjo është zyra e enver hoxhes brenda në bunker. Ndodhet ngjitur me dhomën e fjetjes ku ishte nje shtrat dopjo, një televizor dhe një radio. |
Ndërsa kjo, është banja e komandantit. Kujtoni dushin me vajguri që përdornim dikur! Edhe tualetin, që komandanti e paska dashur të kuq. |
Pamje nga korridoret e tunelit dhe një prej dyerve prej betoni. |
Brenda tunelit, në thellësi, e rrethuar me mure të trasha betoni, ndodhej edhe kjo sallë e madhe – të paktën për ndonja 250 vetë - e planifikuar për mbledhje të rëndësishme. |
Megjithëse popullsia jashtë do ishte shuar nga bombat atomike, shokët e Byrosë
dhe të KQsë do vazhdonin të mblidheshin rregullisht dhe të merrnin vendime të rëndësishme
politike për fatet e kombit që nuk ekzistonte më.
Ndoshta është menduar edhe për
koncerte. Në këtë rast, do të ishte me interes të merrej vesh se cilët artistë
do të zgjidhte komandanti për t’i marrë me vete në bunker në rast sulmi. Apo s’do
merrte asnjë artist të jashtëm, por do ia linte në dorë Nexhit gjithë argëtimin?
Ku i dihet.
No comments:
Post a Comment