Thursday, May 19, 2016

Pyesni veten



Debati i fundit mbi të drejtat e homoseksualëve mori hov nga presion i Bashkimit Europian për legalizimin e martesave të tyre. Europa, ajo Europë të cilën dikur kërkonim me aq pasion ta bënim model për Shqipërinë vazhdon të na vërë kushte që për shumë prej nesh janë të paktën të sikletshme dhe na bëjmë të përpëlitemi. Nuk është aspak për t’u çuditur që megjithë dëshirën e mjegullt për t’u bërë si Europa, në përpëlitjet tona mbizotëron homofobia dhe intoleranca. Burra e gra të egërsuar shkruajnë e shpallen me pasion kundër “modës”, “sëmundjes së keqe mendore”, “degjenerimit moral”, “perversitetit” homoseksual, aq sa s’ke se si të mos pyesësh: a e kanë të qartë këta njerëz se çfarë janë duke thënë?
Duke lënë mënjanë rastet e indoktrinimit politik e fetar, problem më i rëndomtë me homofobët është pasiguria – pasiguaria seksuale e njerëzve që s’ndihen shumë rehat nën lëkurën e tyre. Nuk do të ishte keq që, në këtë rast, çdo individ t’i bënte një provë të thjeshtë vetes. Për shëmbull, ai zotëria me mustaqe, me mjeker, pa mjekër, me kokë të thinjur apo tullace, që shfryn gazetave, televizorëve dhe rrjeteve shoqërore kundër perversitetit seksual dhe ajo zonjëza e nderuar, që na tund përpara fytyrës Biblën, teserën e partisë, fotografinë e Papës ose të Enver Hoxhës, nuk do të bënin keq të ndaleshin për një sekondë dhe ta pyesnin veten se çfarë janë ata vetë?
Seriozisht e kam. Njeriu duhet të gjejë një çast qetësie, të shkojë në dhomën e gjumit, ose në një dhomë tjetër ku nuk iu shqetëson kërkush, të mbyllë dyert dhe dritaret, të ulë perdet dhe pastaj të ulet edhe vetë, i qetë dhe i sigurt që askush nuk e përgjon e nuk e dëgjon. Pastaj t’i bëjë vetes pyetjen e thjeshtë – pa zë, ose me zë të brendshëm, që të mos iu dëgjoj kush. «A do të desha unë të puthesha, ose të bëja dashuri me një njeri të të njëjtës gjini?» Dhe po të dojë ta ndihmojë veten për t’i dhënë një përgjigje më të saktë, le ta përfytyrojë veten në shtrat me Xhorxh Klunin, ose Brad Pit, ose me kryetarin e partisë për të cilën voton, po të jetë burrë, ose me Kim Kardashian, po të jetë grua. Dhe ta pyesë veten seriozisht: a do t’i shijonte apo jo? 
Një pyetje e thjeshtë që kërkon një përgjigje të thjeshtë, por të sinqertë. Duke qënë vetëm askush nuk ka arsye që të gënjejë apo të tregohet hipokrit, askush nuk ka arsye të trembet nga përgjigja, pasi atë do ta dijë vetëm ai ose ajo
Pyetja ka vetëm dy përgjigje: «Po», ose «Jo».
Nëse përgjigja është «Po», atëherë del që që personi në fjalë është homoseksual ose biseksual. Në këtë rast nuk ka vend fare për t’u alarmuar. Në botë ka me miliona homoseksualë dhe biseksualë.
Nëse përgjigja është «Jo», atëherë personi është heteroseksual. Përsëri nuk ka vend për t’u shqetësuar. Në botë ka me miliarda heteroseksualë.
Por çdo njeri, në një çast të caktuar të jetës është e mira t’ia bëjë këtë pyetje vetes dhe të marrë një përgjigje të qartë. Perballja me këtë pyetje të ndihmon të jesh më pak hipokrit, më mendjehapur, më i mençur, më tolerant.  
Sepse, nëqoftëse dikush i përgjigjët pyetjes me «Po» dhe ende vazhdon të bërtasë me të madhe kundër të drejtave të homoseksualëve atëherë është hipokrit. Jo thjesht hipokrit i heshtur, pasiv, por hipokrit agresiv dhe i dëmshëm. Hipokrit i ndyrë.
Hipokrizia ka disa shkallë dhe, deri në një masë të caktuar, ajo mund të mos përbëjë problem. Në fund të fundit, të gjithë jemi nga pak hipokritë. Shoqëria është ndërtuar në mënyrë të tillë që në anë të veçanta të saj e kërkon hipokrizinë. Që të vegjël, në familje, ne na mësojnë dhe na edukojnë të jemi gënjeshtarë dhe hipokritë. Jo për të përfituar, por për t’u vetëmbrojtur. Për shembull, ata që e kanë jetuar kohën e komunizmit e dijnë mirë që prindërit i mësonin fëmijët që të mos i shprehnin kurrë hapur mendimet e tyre pasi ato mund të binin ndesh me vijën e Partisë dhe të të sillnin telashe. Përfundoje në burg, ose më keq. Prandaj edhe të gjithë duartrokisnin, pavarësisht se ç’mendonin. Të qënit hipokrit ishte domosdoshmëri. Për të gjithë. Edhe për ata që ishin homoseksualë. Homoseksualiteti dënohej me burg. Dhe jo vetëm në Shqipëri e në vendet komuniste. Deri vonë është dënuar edhe në Perëndim.
Por sot ka ardhur një kohë kur s’ka nevojë të jesh hipokrit në lidhje me parapëlqimet seksuale. Mund të kesh ndrojë për t’i shpallur ato hapur, por askush nuk të kërkon të jesh hipokrit dhe të bërtasësh më shumë se të tjerët kundër homoseksualëve, duke qënë vetë i tillë.
Nga ana tjetër, ata që i përgjigjen pyetjes me “Jo” padyshim që nuk janë homoseksualë. Janë heteroseksualë. Ata që janë heteroseksualë e dijnë fare mirë që nuk ka asgjë në botë që t’ua mbushë mendjen të bëjnë seks me dikë të të njëjtës gjini. Sepse nuk bëjnë dot.
Njeriu nuk bëhet dot «gay» për mode; nuk bëhet dot «gay» për të eksperimentuar, nuk bëhet dot “gay” sepse ia ka mbushur mendjen një shok apo një shoqe. Askush nuk bëhet dot gay pa qënë gay. Njeriu nuk bëhet “gay” duke lexuar gazeta dhe duke parë filma dhe porno gay në internet.
Çka të çon te përfundimi që ta që janë homoseksualë janë të tillë sepse ashtu janë, jo ngaqë duan të jenë. Asnjë nuk ka qënë heteroseksual dhe është kthyer në homoseksual vullnetarisht, siç edhe askush që ka qënë homoseksual nuk ka arritur të kthehet në heteroseksual, megjithëse shumë vetë a pranojnë se janë përpjekur seriozisht ta bëjne këtë. Njerëzit nuk e zgjedhin seksualitetin e tyre. Atë e kanë të përcaktuar në ADN që në konceptim. Të qënit homoseksual është thjesht gjendje e lindur, nuk është as modë, as zgjedhje e vetëdijshme, as sëmundje mendore apo fizike, ngjitëse ose e trashëguar.
Dhe tani le të mendojmë pak qetësisht për ata që janë homoseksualë dhe që ia kanë pranuar vetes këtë. Burra që, nuk bëjnë dot dashuri me gra dhe gra që nuk bëjnë dot dashuri me burra. Të lindur të tillë. Jo me sëmundje, jo me zgjedhje, jo me difekt. Por thjesht të lindur ndryshe. A ka të drejtë ndokush që t’ua mohojë atyre të drejtën për të jetuar dhe për të bërë dashuri? A duhen vrarë, zhdukur, dënuar me burg, syrgjynosur, izoluar, anatemuar vetëm sepse kanë lindur me preferenceë tjetër seksuale? A mund t’iu hiqet atyre e drejta për një jetë normale? Duhet të jesh fare i pashpirt të thuash që po.  
Dhe le të vijmë te martesa. Martesa është bashkëjetesa e dy njerëzve e përcaktuar me ligj. Ligjet i bëjnë njerëzit – disa njerëz që zgjidhen në një organ ligjvënës që quhet parlament. Historikisht, njerëzit janë lidhur me njeri-tjetrin dhe kanë bashkëjetuar në martesë për arsye nga më të ndryshmet – për t’u kujdesur për fëmijët, sepse e duan njeri-tjetrin, për interesa ekonomike, për të mposhtur vetminë, nga frika e të qënit pa të tjerë pranë, për interesa politike, ushtarake, fetare. Ka kombinime pa fund. Ka interpretime pa fund – ligjore, shkencore, filosofike, teologjike, humanitare, sentimentale. Por thelbi mbetet i njëjtë: martesa është bashkëjetesë e dy njerëzve që duan të jetojnë me njeri-tjetrin.
Atëherë, nëse dy njerëz duan të jetojnë bashkë - sepse e duan njeri-tjetrin, sepse nuk duan të jetojnë vetëm, sepse duan ta ndihmojnë dhe të ndihmoen nga tjetri, sepse duan të përfitojnë nga njëri-tjetri, apo sepse thjesht kështu iu ka hipur në kokë - ç’të drejtë kanë të tjerët, që janë të martuar, ose që kanë të drejtë të martohemi – t’ua mohojnë atyre të drejtën për të jetuar bashkë? As unë, as ti, as politikani, as prifti, as hoxha, askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në liritë dhe të drejtat e një individi tjetër për ta bërë jetën ashtu si do ai. Natyrisht me përjashtim të rasteve kur ata ndërhyjnë në të drejtat tona. Por praktikisht, homoseksualët nuk ndërhyjnë dhe nuk kanë se si të ndërhyjnë në të drejtat e heteroseksualëve. Arsyetimi se ata po prishin, po degjenerojnë shoqërinë, është bosh dhe pa kuptim. Heteroseksualët nuk kthehen dot në homoseksualë dhe anasjelltas. Askush nuk mund të arrijë ta bindë tjetrin të kapërcejë gardhin dhe të kalojë në kampin tjetër. Në këtë rast, e vetmja zgjidhje e logjikshme, njerëzore, do të ishte që të lihej çdo individ të gëzonte jetën e tij, në mënyrën e tij, që ne të gjithë të tolerojmë njëri-tjetrin dhe të jetojmë në paqe me njeri-tjetrin.
Ne shqiptarët e kemi parë dhe e shohim Europën jo vetëm si zhvillim ekonomik, por edhe si liri. Mbi të gjitha si liri. Le të përpiqemi ta kuptojmë këtë liri në të gjitha përmasat e saj, duke përfshirë edhe atë të të drejtës së homoseksualëve për një jetë si gjithë njerëzit e tjerë.

No comments: