Monday, February 13, 2017

Dashuria mbi nënshtrimin



Kjo fotografi ka disa vjet që qarkullon në internet duke mahnitur shumë njerëz me aktin e heshtur, por thellësisht të guximshëm të mospajtimit me shumicën. Padyshim, në atë foto mund të ketë edhe shumë të tjerë që nuk e kanë përkrahur, ose nuk e kanë dashur regjimin nazist, por veprimi, ose mosveprimi i atij burri që qëndron duarkryq teksa të tjerët shprehin besnikërinë është i rrallë. Veçanërisht po të kihet parasysh që përballë këtyre njerëzve që përshëndesin me dorën e shtrirë ndodhet vetë Hitleri.
August Landmesser
I pabinduri quhet August Landmesser. Fotoja është marrë në 13 Qershor 1936 në kantjerin detar Blohm + Voss ku ai punonte dhe ku, krejt papritur u çfaq për vizitë vetë Fyrheri. Mesa duket Landmesser nuk ka mundur ta detyrojë veten të ngrerë dorën lart për të përshëndetur një njeri që në atë kohë ai nuk e honepste.
Historia e August Landmesserit është vërtet interesante. Fillimisht, duke dashur të ecte në karrierë ai u regjistrua në rradhët e Partisë Naziste. Por më vonë, ai ra në dashuri me Irma Eckler një vajzë çifute dhe shumë shpejt e kuptoi se duhej të zgjidhte midis dashurisë dhe partisë. Fotoja tregon se ai ka zgjedhur të parën. 
Irma Eckler
Fejesa i solli përjashtimin nga partia. Ata u martuan dhe lindën një vajzë. Në 1937 u përpoqën familjarisht të kalonin në Danimarkë, por nuk mundën, sepse u kapën në kufi. August Landmasser u akuzua për shnderim të racës dhe u fut në burg për një periudhë të shkurtër. Më vonë ata u përpoqën përsëri të dilnin nga Gjermania, dhe përsëri u kapën. Irma u dërgua sa në një burg, në një kamp përqëndrimi, ku edhe lindi vajzën e tyre të dytë. Të dyja vajzat u morën nga shteti dhe iu dhanë për t’i rritur dhe edukuar familje të tjera. Irma vdiq në vitin 1942 në dhomat e gazit në Bernburg. August Landmesser u lirua nga burgu në 1941, por më vonë, kur Gjermania naziste ishte keq për trupa ushtarësh, u mobilizua me forcë në një njësi ish-të burgosurish dhe u dërgua në Kroaci. Aty u vra katër muaj para mbarimit të luftës.
Një histori e dhimbshme ndër shumë të tjera të ngjashme. Megjithatë, nuk mund të mos admirosh forcën e karakterit të këtij njeriu të thjeshtë i cili nuk ia nënshtroi diktaturës dashurinë.
Nuk di ç’paralele mund të bëhen me ne shqiptarët. Përpara disa ditësh hodha për diskutim në një status idenë e nënshtrimit tonë kolektiv në diktaturë. Ne i kemi pasur jashtëzakonisht të paktë zërat kundërshtarë, qoftë edhe të këtij karakteri, të qëndrimit të heshtur e duarkryq kur të tjerët përshëndesnin me zell. Statusi gjeti mbështetje, siç pati edhe shumë reagime e shumë rrahje gjoksi, por ndonjë August Landmesser nuk u çfaq gjëkundi. E keqja është që ata njerëzit që dikur përshëndesnin me dorën lart ose me grushtin pranë ballit, tani kanë ngritur gishtin tregues për t’ia tundur para syve në mënyrë akuzuese njëri-tjetrit. Këta janë trimat që akërrehen dhe ulërasin 30 vjet pasi ka mbaruar davaja.
Megjithatë, nesër është Shën Valentini dhe unë shpresoj që këto rreshta të lexohen si një histori që flet për fitoren e dashurisë mbi nënshtrimin ndaj diktaturës. Në fund të fundit, diktaturat dhe dashuria nuk kanë shkuar kurrë mirë me njëra-tjetrën.

No comments: