Sunday, February 18, 2018

Facebook Boulevard

Pjesa e dytë
Shëtitja në Facebook Boulevard duhet të ketë diçka më shumë se çmallja dhe shkëmbimi i përshëndetjeve. Përndryshe bëhet mërzitshëm. Edhe kur takohesh vërtet me miq për një kafe ke nevojë të shkëmbesh mendim për çka ndodh përreth, të marrësh e të japësh, të mësosh dhe të përcjellësh përvojë.
Facebook Boulevard gjen plot tema diskutimi, nganjëherë edhe stimuluese për trurin. Shkruhet për politikën (shqiptare e botërore), për luftrat dhe terrorizmin, të drejtat dhe të padrejtat e njeriut, filosofinë dhe fenë, historinë e të ardhmen, sportin, artin, ekonominë, ushqimin - për gjithçka që i intereson njeriut.
Por a jemi gjithmonë në gjendje të zhvillojmë biseda normale, të qeta, pa fyerje vetjake, përputhur me rregullat mirësjelljes dhe respektit për njëri-tjetrin? Kam përshtypjen se po bëhet përherë e më e vështirë të mbash një bashkëbisedim të qytetëruar, të shkëmbesh dy mendime të thjeshta të kundërta, pa marë ndonjë të sharë apo goditje. Në çdo cep të Facebook Boulevard do të gjesh njerëz të gatshëm që, me të dëgjuar një ide që nuk përputhjet me bindjet e tyre të hidhen në grykë e të fyejnë. Zhgënjimi më i madh është kur sheh që në këtë lojë futen edhe njerëz për mendimin e të cilëve ke respekt.
Përse ndodh kjo? Së pari, edhe në jetën e përditëshme ne nuk e kemi zhvilluar ende sa duhet kulturën e shkëmbimit të mendimeve. Këtu ndikon ndoshta prejardhja nga struktura shoqërore ku shprehja e mendimit dhe diskutimi i lirë kanë qënë tabu. Por as mënyra se si është ndërtuar Facebook nuk ndihmon për ruajtjen e rregullave të njerëzillëkut. Përdoruesit më së shumti ndihen të shkëputur fizikisht dhe, për pasojë, edhe emocionalisht nga bashkëbiseduesit. Kjo ndjesi iu krijon përshtypjen e gabuar se nuk është e domosdoshme të ndjekin të njëjtat rregulla mirësjelljeje apo qytetarie që do të kishin ndjekur po të ishin fizikisht përballë njëri-tjetrit.
Nga ana tjetër, në Facebook Boulevard ne vetë i lejojmë vetes të shëtisim dhe të shkëmbejmë fjalë me lloj-lloj njerëz të panjohur, të cilët për një arsye apo për një tjetër i kemi futur në listën e atyre që në anglisht quhen ‘friends’ dhe në shqip përkthehen si miq apo shokë, por që në realitet nuk janë të tillë. Madje nuk janë as të njohur të rastit. Shumë prej tyre nuk kanë as kulturë në përgjithësi, as kulturën e të shprehurit me shkrim dhe as shkollimin apo edukatën qytetare për të shkëmbyer mendime. Këta njerëz ose duhen shkolluar (gjë që është e vështirë në një klimë kur të gjithë mendojnë se i dinë të gjitha) ose duhen hequr nga lista. Le të shëtisin diku gjetkë.
Në këtë këndvështrim, marrëdhëniet midis njerëzve në Facebook Boulevard i ngjajnë më tepër marrëdhënieve të njerëzve që ngasin makina, se sa atyre që janë ballë për ballë me njëri-tjetrin. Kur janë në timon, brenda makinës së tyre, njerëzit priren të jenë shumë më të ashpër, më të pasjellshëm, më arrogantë me të tjerët përreth. Krejt ndryshe nga sa do të ishin në kushtet e një përballjeje të drejtpërdrejtë. Brenda makinës ata shajnë me të madhe, kërcënojnë, nuk hapin rrugë, fyejnë, pa pasur asnjë konsideratë se kush mund të jetë në makinën ose makinat përreth. Kur dalin nga makina dhe përballen me njerëzit që kanë sharë, e ndjejnë veten keq.  
Po sjell një shembull për ta ilustruar mendimin e mësipërm. Tre vetë ulen në një lokal. Përballë është një ndërtesë e re, e porsa ngritur, për të cilën fillojnë të diskutojnë. Biseda e tyre mund të marrë dy drejtime:
1.      
A - Sa e bukur kjo ndërtesë. Ia ka ndryshuar pamjen gjithë lagjes.
B – Vërtet të duket e bukur? Mua s’më pëlqen fare gjithë ajo fasadë betoni. Më duket si bunker. Edhe dritaret janë shumë të vogla. Duket sikur të merr frymën.
C – Unë pajtohem me A. Kjo lagje ka pasur gjithmonë nevojë për diçka të re dhe të freskët, diçka moderne….
2.
A -  Sa e bukur kjo ndërtesë. Ia ka ndryshuar pamjen gjithë lagjes.
B – E ku merr vesh ti nga arkitektura? Ty të pëlqen sepse je gati t’i dalësh në mbrojtje çdo gjëje që ndërtojnë këta të korruptuarit që janë në pushtet. Po të kishe shije estetike ti do të dije të kombinoje ngjyrën e kravatës me të këmishës. Por edhe këmishën e ke të palarë.
C – Juve komunistëve nuk iu pëlqen asgjë që bëhet sot. Na hëngrët shpirtin për pesëdhjetë vjet, dhe tani vazhdoni me avazin tuaj. Ti flet kështu sepse edhe yt atë, edhe xhaxhai yt kanë qënë të lidhur me regjimin…

Pa dyshim biseda 1 ka më shumë të ngjarë të zhvillohet në një kafene të zakonshme qyteti, ndërsa biseda 2 është nga më të rëndomta në Facebook Boulevard. Pyetja është: A mund të arrijmë ta ruajmë frymën etike të bisedës 1 edhe në mjedisin ku zhvillohet biseda 2? Them se po, por duhet shumë përpjekje.
Dua të theksoj këtu se për mendimin tim ‘përpjekja’ s’duhet kurrsesi të synojë shmangien e debatit. Nuk është tema e debatit, nuk është debati në vetvete ai që na bën të shkelim rregullat e etikës, por është mungesa e kulturës në debat që nuk na le të shkëmbejmë si duhet idetë.
Unë kam qef të ngacmoj në facebook. Por kam qef të ngacmoj me përplasje idesh, me mendime të kundërta, veçanërisht kur e di që ato mund të ngjallin diskutim. Më pëlqen veçanërisht të gërricem me aksioma të pranuara masivisht si të padiskutueshme dhe dua t’i bëj bashkëbiseduesit të mendohen pak për të dhënë argumente për padiskutueshmërinë. Kur ngacmoj unë nuk kursej as miq, as të njohur, dhe as të panjohur. I trajtoj të gjithë njëlloj, pasi nuk ‘i bije në qafë‘ (të paktën jo me vetëdije) njeriut, bashkëbiseduesit, por idesë. Njeriu është i shenjtë dhe nuk duhet fyer kurrë, ndërsa idetë, ngjarjet dhe këndvështrimi për to, opinionet, figurat historike e politike, të vërteta dhe imagjinare nuk ka përse të kursehen.
Bazuar në këtë, mendoj se janë disa këshilla që mund të ndiqen për të ruajtur qytetarinë dhe mirësjelljen në një bashkëbisedim virtual.
1.       Mos ia thuaj kurrë tjetrit atë që s’do t’ia thoje po ta kishe përballë.
2.       Bashkëbiseduesi nuk duhen fyer, idetë nuk duhen kursyer.
3.       Nuk kursehen as figurat politike, publike, historike (imagjinare apo reale).
4.       Mos iu përgjigj sulmeve personale me sulme personale.
5.       Të pranosh gabimin dhe të kërkosh falje është forcë karakteri, jo dobësi.
6.       Mbaje mendjen e hapur për ta ndryshuar.
7.       Çdo gjë e shkruar është e diskutueshme.
8.       Mos diskuto me citime, por me argumenta.
9.       Të gjithë njerëzit janë të paditur (injorantë) për shumicën e gjërave.

Në pjesën e tretë (po qe se ia mbush mendjen vetes që ta shkruaj) do të përpiqem të shtjelloj më hollësisht disa prej tyre. 

Friday, February 9, 2018

Facebook Boulevard

(Pjesa e Parë)
Çdo ditë, më së shumti disa herë në ditë, unë bëj shëtitjen e zakonshme virtuale në Facebook Boulevard. Është si ato xhirot e dikurshme në shëtitoret e qyteteve, ku dilje për të parë dhe për t’u përshëndetur me të njohur. Ndryshimi është që sot shëtitjet bëhen pa lëvizur vendit, pra janë më shumë të dëmshme, se sa të dobishme për gjymtyrët. E vetmja dobi që kërkoj prej saj është t’i bëj të paktën pak gjimnastikë trurit.
As miqtë e mij në Facebook Boulevard nuk lëvizin fizikisht. Ata presin të gjithë aty, gjithkush në kjoskën e vet. Facebook Boulevard funksionon nëpërmjet kjoskave – disa janë shitore, disa janë ekspozita, të tjera janë kënde agjitacioni e propagande ose skena interpretimi.
Facebook Boulevard unë hyj përmes kjoskës sime. Nëse kam ndonjë ide në kokë apo ndonjë shkrim gate, i jap dorën e fundit, ngre qepenat e kjoskës dhe e ve në vitrinë. Me këtë dua t’i them miqve të mij që jam këtu, po iu ra rruga dhe keni kohë, jeni të mirëpritur të shkëmbejmë ndonje fjalë me njëri-tjetrin. Ose qoftë edhe një përshëndetje të lehtë nga larg, që në gjuhën e Facebook Boulevardit quhet ‘like’.
Pastaj vazhdoj shëtitjen. Facebook Boulevard është ekonomik. Ai të jep mundësi të kalosh vetëm nëpërmjet kjoskave të hapura. Nëqoftëse dikush nuk e hap kjoskën, nuk ve asgjë në vitrinë, ti s’ke përse shpenzon energjitë për të kaluar përpara saj. Energjitë të duhen për të tjera gjëra, si për shembull për të kaluar përpara kjoskave që s’paraqesin asnjë lloj interesi për ty.
Eci dhe shikoj me interes se kush ka dalë për shëtitje, kush e ka hapur kjoskën e me kë mund të përshëndetem. Ja, një miku im si gjithmonë, ka vënë një thënie të shkurtër të mençur – vetëm një fjali. E lexoj dhe buzëqesh me vete. I jap një përshëndetje, që në gjuhën e Facebook Boulevardit quhet ‘like’. Ose, nëqoftëse më vjen ndonjë gjë e këndëshme në mend, diçka që shkon logjikisht me atë që është thënë, ose që vazhdon në të njëjtin damar humori, ndalem dhe e shkruaj. Ndalesa të tilla bëhen shpesh shkak për biseda më të gjata, për ato që unë i quaj ‘kafè virtuale’.
Te kjoska tjetër dikush ka vënë një fotografi të vetën me mbesën. Të kënaqet shpirti ta shikosh. I jap një përshëndetje në formë ‘like’. Nëse është njeri i afërt, ‘like’ e kthej në ‘zemër’.
Pastaj kaloj në rresht, njëra-pas tjetrës, dy-tre kjoska politikdashësish. Këta janë zakonisht tepër të prerë dhe aspak tolerantë dhe unë përpiqem të eci me sa më shumë kujdes që të jetë e mundur. Kjoskat e politikdashësve janë të mbushura me portrete kryetarësh partish, të cilët pronarët e kjoskave i adhurojnë. Në këto kjoska do të gjesh më shpesh se kudo shenja vandalizmi – ndërhyrje nga pronarët e kjoskave kundërshtare - një bojë e hedhur gjithë mllef mbi portretin e udhëheqësit; shkarravitje grafiti mbi qepenat e kjoskës dhe, jo rrallë, baltë e të pëgëra që hidhen mbi vetë pronarin e kjoskës. Prandaj edhe këtë të fundit do ta gjesh përherë të gatshëm të të përgjigjet me nervozizëm, pa pranuar asnjë mendim të ndryshëm. Kjoskat e politikdashësve lyhen me blu ose të kuqe, me të bardhë ose të zezë. Ngjyra të tjera nuk pranohen.
Ja edhe kjoska e një mikut tim piktor. Aty të shlodhet syri. Portrete, peizashe, origjinale dhe të piktorëve të tjerë. E përshëndes gjithmonë, por nuk i ndalem më për të pirë kafe. Ndoshta e kam gabim, por jam i bindur që pavarësisht se është piktor i mirë, nuk e meriton t’i bësh koment. Para nja tre vjetësh, kur sapo u bëmë miq virtualë - kemi qënë dikur miq realë dhe unë u gëzova që u rilidha me të në Facebook Boulevard – unë ndalesha shpesh te kjoska e tij dhe lija komentet e mia, vlerësimet për pikturat e tij. Ashtu si dikur, kur ishim miq të vërtetë dhe pinim ndonjë kafe te Lidhja e Shkrimtarëve. Por ai asnjëherë nuk përgjigjet. Thjesht bën një ‘like’ për komentin tim, sa për të thënë që e ka lexuar, por nuk merr mundimin të më ftojë për kafe, domethënë për të shkëmbyer dy fjalë. Gjithashtu më ka rënë në sy se ai nuk kalon kurrë përpara kjoskës sime. Ose kalon dhe nuk ia hedh sytë. Ose kalon, i hedh sytë, por nuk i bënte asgjë përshtypje. Me një fjalë, nuk merr kurrë mundimin të përshëndeste. Është ndër ata miq që del në Facebook Boulevard vetëm për të marrë vlerësime, vetëm për të demonstruar, jo për të komunikuar me njeri. Ka respekt të veçantë për veten, por nuk tregon asnjë shenjë respekti për të tjerët.    
Shumë nga ne janë të zënë dhe s’kanë shumë kohë për ta kaluar në Facebook Boulevard. Unë e kuptoj këtë. Edhe vetë përpiqem t’i bëj shëtitjet sa më të shkurtra, pasi jeta ka shumë gjëra të tjera veç bulevardit virtual. Kur bëj shëtitjen e mëngjesit, në ato pesë ose dhjetë minuta përpara se të nisem për punë, kohën e kam tepër të kufizuar. Kaloj përpara kjoskave miqve të mij prozatorë që vënë në vitrinë tregime dhe, megjithëse dua me gjithë shpirt t’i lexoj, jo gjithmonë mundem. E njëjta gjë ndodh edhe me ata që shkruajnë shkrime relativisht të gjata (si ky që po shkruaj unë). I lexoj vetëm kur kam kohë dhe shumë prej tyre më shpëtojnë pa lexuar. Sidoqoftë, diçka ia kam detyruar vetes: ‘Nuk bëj kurrë ‘like’ pa e lexuar tregimin apo shkrimin dhe pa e pëlqyer atë.” Nëqoftëse unë të përshëndes, të përshëndes se vlerësoj atë që ke ekspozuar. Nëse nuk më pëlqen, unë bëj sikur s’e shoh ose ndalem dhe nuk përtoj ta them mendimin tim (Për këtë do shkruaj më gjatë në pjesën e dytë).
Kur shëtis në Facebook Boulevard kam ndjesinë se pronarët e bulevardit – Zukerbergu me shokë - më vënë gjithmonë dikë që më ndjek nga pas. Unë nuk i kam parë, por e ndjej praninë e tyre virtuale. Ata ndjekin dhe marrin shënim të gjitha lëvizjet e mia – në cilat kjoska ndaloj, me cilët njerëz përshëndetem, çfarë pëlqej dhe çfarë nuk pëlqej. Këta spiunë të Facebook Boulevardit janë të bezdisshëm, sepse i fusin hundët aty ku s’iu takon. Po të venë re se jam ndalur dy-tre herë në të njëjtën kjoskë (gjë që unë mund ta kem bërë pa e pasur mendjen dhe pa ndonjë arsye të veçantë), ata përpiqen të ma nxjerrin atë kjoskë sa më shpesh përpara në shëtitjen time virtuale. Nëqoftese e kaloj një kjoskë pa e përshëndetur, të nesërmen ma sfumojnë, ose ma vënë aq larg në bulevard, saqë shpesh herë nuk kam mundësi ta shoh. Ky zell i tyre për ‘të më dhënë mua ç’më haet’, ka bërë që shpesh herë të shkëputem për një kohë të gjatë nga miq të cilët do të desha t’i takoja më shpesh.
Ky është përfytyrimi im për Facebook Boulevard. Në pjesën e dytë të këtij shkrimi do të përpiqem të shpjegoj se ç’më tërheq më shumë mua në këtë ritual shëtitjesh dhe pse sillem ashtu siç sillem kur jam atje.