(Pjesa e Parë)
Çdo ditë, më së shumti disa herë në ditë,
unë bëj shëtitjen e zakonshme virtuale në Facebook
Boulevard. Është si ato xhirot e dikurshme në shëtitoret e qyteteve, ku
dilje për të parë dhe për t’u përshëndetur me të njohur. Ndryshimi është që sot
shëtitjet bëhen pa lëvizur vendit, pra janë më shumë të dëmshme, se sa të dobishme
për gjymtyrët. E vetmja dobi që kërkoj prej saj është t’i bëj të paktën pak
gjimnastikë trurit.
As miqtë e mij në Facebook Boulevard nuk lëvizin fizikisht. Ata presin të gjithë aty,
gjithkush në kjoskën e vet. Facebook Boulevard funksionon nëpërmjet kjoskave
– disa janë shitore, disa janë ekspozita, të tjera janë kënde agjitacioni e
propagande ose skena interpretimi.
Në Facebook
Boulevard unë hyj përmes kjoskës sime. Nëse kam ndonjë ide në kokë apo
ndonjë shkrim gate, i jap dorën e fundit, ngre qepenat e kjoskës dhe e ve në
vitrinë. Me këtë dua t’i them miqve të mij që jam këtu, po iu ra rruga dhe keni
kohë, jeni të mirëpritur të shkëmbejmë ndonje fjalë me njëri-tjetrin. Ose qoftë
edhe një përshëndetje të lehtë nga larg, që në gjuhën e Facebook Boulevardit quhet ‘like’.
Pastaj vazhdoj shëtitjen. Facebook Boulevard është ekonomik. Ai të
jep mundësi të kalosh vetëm nëpërmjet kjoskave të hapura. Nëqoftëse dikush nuk
e hap kjoskën, nuk ve asgjë në vitrinë, ti s’ke përse shpenzon energjitë për të
kaluar përpara saj. Energjitë të duhen për të tjera gjëra, si për shembull për
të kaluar përpara kjoskave që s’paraqesin asnjë lloj interesi për ty.
Eci dhe shikoj me interes se kush ka dalë për
shëtitje, kush e ka hapur kjoskën e me kë mund të përshëndetem. Ja, një miku im
si gjithmonë, ka vënë një thënie të shkurtër të mençur – vetëm një fjali. E
lexoj dhe buzëqesh me vete. I jap një përshëndetje, që në gjuhën e Facebook
Boulevardit quhet ‘like’. Ose, nëqoftëse më vjen ndonjë gjë e këndëshme në
mend, diçka që shkon logjikisht me atë që është thënë, ose që vazhdon në të njëjtin
damar humori, ndalem dhe e shkruaj. Ndalesa të tilla bëhen shpesh shkak për
biseda më të gjata, për ato që unë i quaj ‘kafè
virtuale’.
Te kjoska tjetër dikush ka vënë një
fotografi të vetën me mbesën. Të kënaqet shpirti ta shikosh. I jap një përshëndetje
në formë ‘like’. Nëse është njeri i afërt, ‘like’ e kthej në ‘zemër’.
Pastaj kaloj në rresht, njëra-pas tjetrës,
dy-tre kjoska politikdashësish. Këta janë zakonisht tepër të prerë dhe aspak
tolerantë dhe unë përpiqem të eci me sa më shumë kujdes që të jetë e mundur.
Kjoskat e politikdashësve janë të mbushura me portrete kryetarësh partish, të
cilët pronarët e kjoskave i adhurojnë. Në këto kjoska do të gjesh më shpesh se
kudo shenja vandalizmi – ndërhyrje nga pronarët e kjoskave kundërshtare - një
bojë e hedhur gjithë mllef mbi portretin e udhëheqësit; shkarravitje grafiti
mbi qepenat e kjoskës dhe, jo rrallë, baltë e të pëgëra që hidhen mbi vetë
pronarin e kjoskës. Prandaj edhe këtë të fundit do ta gjesh përherë të gatshëm
të të përgjigjet me nervozizëm, pa pranuar asnjë mendim të ndryshëm. Kjoskat e
politikdashësve lyhen me blu ose të kuqe, me të bardhë ose të zezë. Ngjyra të
tjera nuk pranohen.
Ja edhe kjoska e një mikut tim piktor. Aty
të shlodhet syri. Portrete, peizashe, origjinale dhe të piktorëve të tjerë. E përshëndes
gjithmonë, por nuk i ndalem më për të pirë kafe. Ndoshta e kam gabim, por jam i
bindur që pavarësisht se është piktor i mirë, nuk e meriton t’i bësh koment.
Para nja tre vjetësh, kur sapo u bëmë miq virtualë - kemi qënë dikur miq realë
dhe unë u gëzova që u rilidha me të në Facebook
Boulevard – unë ndalesha shpesh te kjoska e tij dhe lija komentet e mia,
vlerësimet për pikturat e tij. Ashtu si dikur, kur ishim miq të vërtetë dhe
pinim ndonjë kafe te Lidhja e Shkrimtarëve. Por ai asnjëherë nuk përgjigjet.
Thjesht bën një ‘like’ për komentin tim, sa për të thënë që e ka lexuar, por
nuk merr mundimin të më ftojë për kafe, domethënë për të shkëmbyer dy fjalë. Gjithashtu
më ka rënë në sy se ai nuk kalon kurrë përpara kjoskës sime. Ose kalon dhe nuk
ia hedh sytë. Ose kalon, i hedh sytë, por nuk i bënte asgjë përshtypje. Me një
fjalë, nuk merr kurrë mundimin të përshëndeste. Është ndër ata miq që del në Facebook Boulevard vetëm për të marrë
vlerësime, vetëm për të demonstruar, jo për të komunikuar me njeri. Ka respekt
të veçantë për veten, por nuk tregon asnjë shenjë respekti për të tjerët.
Shumë nga ne janë të zënë dhe s’kanë shumë
kohë për ta kaluar në Facebook Boulevard.
Unë e kuptoj këtë. Edhe vetë përpiqem t’i bëj shëtitjet sa më të shkurtra, pasi
jeta ka shumë gjëra të tjera veç bulevardit virtual. Kur bëj shëtitjen e mëngjesit,
në ato pesë ose dhjetë minuta përpara se të nisem për punë, kohën e kam tepër të
kufizuar. Kaloj përpara kjoskave miqve të mij prozatorë që vënë në vitrinë
tregime dhe, megjithëse dua me gjithë shpirt t’i lexoj, jo gjithmonë mundem. E njëjta
gjë ndodh edhe me ata që shkruajnë shkrime relativisht të gjata (si ky që po
shkruaj unë). I lexoj vetëm kur kam kohë dhe shumë prej tyre më shpëtojnë pa lexuar.
Sidoqoftë, diçka ia kam detyruar vetes: ‘Nuk bëj kurrë ‘like’ pa e lexuar tregimin apo shkrimin dhe pa e pëlqyer atë.” Nëqoftëse
unë të përshëndes, të përshëndes se vlerësoj atë që ke ekspozuar. Nëse nuk më pëlqen,
unë bëj sikur s’e shoh ose ndalem dhe nuk përtoj ta them mendimin tim (Për këtë
do shkruaj më gjatë në pjesën e dytë).
Kur shëtis në Facebook Boulevard kam ndjesinë se pronarët e bulevardit – Zukerbergu
me shokë - më vënë gjithmonë dikë që më ndjek nga pas. Unë nuk i kam parë, por
e ndjej praninë e tyre virtuale. Ata ndjekin dhe marrin shënim të gjitha lëvizjet
e mia – në cilat kjoska ndaloj, me cilët njerëz përshëndetem, çfarë pëlqej dhe
çfarë nuk pëlqej. Këta spiunë të Facebook
Boulevardit janë të bezdisshëm, sepse i fusin hundët aty ku s’iu takon. Po
të venë re se jam ndalur dy-tre herë në të njëjtën kjoskë (gjë që unë mund ta kem
bërë pa e pasur mendjen dhe pa ndonjë arsye të veçantë), ata përpiqen të ma nxjerrin
atë kjoskë sa më shpesh përpara në shëtitjen time virtuale. Nëqoftese e kaloj
një kjoskë pa e përshëndetur, të nesërmen ma sfumojnë, ose ma vënë aq larg në
bulevard, saqë shpesh herë nuk kam mundësi ta shoh. Ky zell i tyre për ‘të më
dhënë mua ç’më haet’, ka bërë që shpesh herë të shkëputem për një kohë të gjatë
nga miq të cilët do të desha t’i takoja më shpesh.
Ky është përfytyrimi im për Facebook
Boulevard. Në pjesën e dytë të këtij shkrimi do të përpiqem të shpjegoj se ç’më
tërheq më shumë mua në këtë ritual shëtitjesh dhe pse sillem ashtu siç sillem
kur jam atje.
No comments:
Post a Comment