Shëtitja në Facebook
Boulevard duhet të ketë diçka më shumë se çmallja dhe shkëmbimi i
përshëndetjeve. Përndryshe bëhet mërzitshëm. Edhe kur takohesh vërtet me miq
për një kafe ke
nevojë të shkëmbesh mendim për çka ndodh përreth, të marrësh e të japësh, të
mësosh dhe të përcjellësh përvojë.
Në Facebook Boulevard
gjen plot tema diskutimi, nganjëherë edhe stimuluese për trurin. Shkruhet për
politikën (shqiptare e botërore), për luftrat dhe terrorizmin, të drejtat dhe
të padrejtat e njeriut, filosofinë dhe fenë, historinë e të ardhmen, sportin,
artin, ekonominë, ushqimin - për gjithçka që i intereson njeriut.
Por a jemi gjithmonë në gjendje të zhvillojmë biseda
normale, të qeta, pa fyerje vetjake, përputhur me rregullat mirësjelljes dhe
respektit për njëri-tjetrin? Kam përshtypjen se po bëhet përherë e më e
vështirë të mbash një bashkëbisedim të qytetëruar, të shkëmbesh dy mendime të
thjeshta të kundërta, pa marë ndonjë të sharë apo goditje. Në çdo cep të Facebook Boulevard do të gjesh njerëz të
gatshëm që, me të dëgjuar një ide që nuk përputhjet me bindjet e tyre të hidhen në grykë e të fyejnë. Zhgënjimi më i madh është kur
sheh që në këtë lojë futen edhe njerëz për mendimin e të cilëve ke respekt.
Përse ndodh kjo? Së pari, edhe në jetën e përditëshme ne nuk
e kemi zhvilluar ende sa duhet kulturën e shkëmbimit të mendimeve. Këtu ndikon
ndoshta prejardhja nga struktura shoqërore ku shprehja e mendimit dhe diskutimi
i lirë kanë qënë tabu. Por as mënyra
se si është ndërtuar Facebook nuk
ndihmon për ruajtjen e rregullave të njerëzillëkut. Përdoruesit më së shumti
ndihen të shkëputur fizikisht dhe, për pasojë, edhe emocionalisht nga bashkëbiseduesit.
Kjo ndjesi iu krijon përshtypjen e gabuar se nuk është e domosdoshme të ndjekin
të njëjtat rregulla mirësjelljeje apo qytetarie që do të kishin ndjekur po të
ishin fizikisht përballë njëri-tjetrit.
Nga ana tjetër, në Facebook Boulevard ne vetë i lejojmë vetes të
shëtisim dhe të shkëmbejmë fjalë me lloj-lloj njerëz të panjohur, të cilët për
një arsye apo për një tjetër i kemi futur në listën e atyre që në anglisht
quhen ‘friends’ dhe në shqip përkthehen si miq apo shokë, por që në realitet
nuk janë të tillë. Madje nuk janë as të njohur të rastit. Shumë prej tyre
nuk kanë as kulturë në përgjithësi, as kulturën e të shprehurit me shkrim dhe
as shkollimin apo edukatën qytetare për të shkëmbyer mendime. Këta njerëz
ose duhen shkolluar (gjë që është e vështirë në një klimë kur të gjithë
mendojnë se i dinë të gjitha) ose duhen hequr nga lista. Le të shëtisin diku
gjetkë.
Në këtë këndvështrim, marrëdhëniet midis njerëzve në
Facebook Boulevard i ngjajnë më tepër marrëdhënieve të njerëzve që ngasin
makina, se sa atyre që janë ballë për ballë me njëri-tjetrin. Kur janë në timon,
brenda makinës së tyre, njerëzit priren të jenë shumë më të ashpër, më të
pasjellshëm, më arrogantë me të tjerët përreth. Krejt ndryshe nga sa do
të ishin në kushtet e një përballjeje të drejtpërdrejtë. Brenda makinës ata
shajnë me të madhe, kërcënojnë, nuk hapin rrugë, fyejnë, pa pasur asnjë
konsideratë se kush mund të jetë në makinën ose makinat përreth. Kur dalin nga
makina dhe përballen me njerëzit që kanë sharë, e ndjejnë veten keq.
Po sjell një shembull për ta ilustruar mendimin e mësipërm.
Tre vetë ulen në një lokal. Përballë është një ndërtesë e re, e porsa ngritur,
për të cilën fillojnë të diskutojnë. Biseda e tyre mund të marrë dy drejtime:
1.
A - Sa e
bukur kjo ndërtesë. Ia ka ndryshuar pamjen gjithë lagjes.
B – Vërtet
të duket e bukur? Mua s’më pëlqen fare gjithë ajo fasadë betoni. Më duket si
bunker. Edhe dritaret janë shumë të vogla. Duket sikur të merr frymën.
C – Unë
pajtohem me A. Kjo lagje ka pasur gjithmonë nevojë për diçka të re dhe të freskët,
diçka moderne….
2.
A - Sa e bukur kjo ndërtesë. Ia ka ndryshuar
pamjen gjithë lagjes.
B – E ku merr vesh ti nga arkitektura? Ty të pëlqen sepse je
gati t’i dalësh në mbrojtje çdo gjëje që ndërtojnë këta të korruptuarit që janë
në pushtet. Po të kishe shije estetike ti do të dije të kombinoje ngjyrën e
kravatës me të këmishës. Por edhe këmishën e ke të palarë.
C – Juve komunistëve nuk iu pëlqen asgjë që bëhet sot. Na hëngrët
shpirtin për pesëdhjetë vjet, dhe tani vazhdoni me avazin tuaj. Ti flet kështu
sepse edhe yt atë, edhe xhaxhai yt kanë qënë të lidhur me regjimin…
Pa dyshim biseda 1 ka më shumë të ngjarë të zhvillohet në një
kafene të zakonshme qyteti, ndërsa biseda 2 është nga më të rëndomta në Facebook Boulevard. Pyetja është: A mund
të arrijmë ta ruajmë frymën etike të bisedës 1 edhe në mjedisin ku zhvillohet
biseda 2? Them se po, por duhet shumë përpjekje.
Dua të theksoj këtu se për mendimin tim ‘përpjekja’ s’duhet
kurrsesi të synojë shmangien e debatit. Nuk është tema e debatit, nuk është
debati në vetvete ai që na bën të shkelim rregullat e etikës, por është mungesa
e kulturës në debat që nuk na le të shkëmbejmë si duhet idetë.
Unë kam qef të ngacmoj
në facebook. Por kam qef të ngacmoj me përplasje idesh, me mendime të kundërta,
veçanërisht kur e di që ato mund të ngjallin diskutim. Më pëlqen veçanërisht të
gërricem me aksioma të pranuara masivisht
si të padiskutueshme dhe dua t’i bëj bashkëbiseduesit të mendohen pak për të dhënë
argumente për padiskutueshmërinë. Kur ngacmoj unë nuk kursej as miq, as të
njohur, dhe as të panjohur. I trajtoj të gjithë njëlloj, pasi nuk ‘i bije në
qafë‘ (të paktën jo me vetëdije) njeriut, bashkëbiseduesit, por idesë. Njeriu është
i shenjtë dhe nuk duhet fyer kurrë, ndërsa idetë, ngjarjet dhe këndvështrimi për
to, opinionet, figurat historike e politike, të vërteta dhe imagjinare nuk ka përse
të kursehen.
Bazuar në këtë, mendoj se janë disa këshilla që mund të
ndiqen për të ruajtur qytetarinë dhe mirësjelljen në një bashkëbisedim virtual.
1.
Mos ia thuaj kurrë tjetrit atë që s’do t’ia
thoje po ta kishe përballë.
2.
Bashkëbiseduesi nuk duhen fyer, idetë nuk duhen
kursyer.
3.
Nuk kursehen as figurat politike, publike,
historike (imagjinare apo reale).
4.
Mos iu përgjigj sulmeve personale me sulme
personale.
5.
Të pranosh gabimin dhe të kërkosh falje është
forcë karakteri, jo dobësi.
6.
Mbaje
mendjen e hapur për ta ndryshuar.
7.
Çdo
gjë e shkruar është e diskutueshme.
8.
Mos
diskuto me citime, por me argumenta.
9.
Të
gjithë njerëzit janë të paditur (injorantë) për shumicën e gjërave.
Në pjesën e
tretë (po qe se ia mbush mendjen vetes që ta shkruaj) do të përpiqem të
shtjelloj më hollësisht disa prej tyre.
No comments:
Post a Comment