Vendi nuk bëhet duke
mbështetur qorrazi një grup politikanësh për t'iu vërsulur një grupi tjetër
politikanësh. Vendi bëhet duke qënë të vëmendshëm për të mos lënë asnjë
politikan të bëjë pisllëqe dhe abuzojë ligjin në kurriz të njerëzve që jetojnë
aty.
Çdonjëri prej nesh duhet
të shohë ç’bëhet, qoftë edhe me dëshirën për të ndihmuar krahun që mbështet. Edhe
tifozët e futbollit kur analizojnë ekipin e vet mendojnë se qendërmbrojtësin
nuk e kanë shumë të mirë, se mesfusha duhet të bëjë nja dy ndërrime dhe se kur
nuk jep rezultat duhet hequr edhe trajneri.
Para dy javësh revista
amerikane Mother Jones botoi një
artikull të gjatë në të cilin shkruhej se veprimtaria lobiste në Shtetet e
Bashkuara e një agjenti përfaqësues të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim
Basha financohej nga burime ruse.
Mother Jones është e njohur për shkrimet hetimore. Gazetari hetimore, që
fatkeqsisht ne në Shqipëri nuk e kemi të zhvilluar, do të thotë që një
gazetari, ose një ekipi iu jepen mjete financiare dhe kohë për të hetuar thellësisht
një temë të caktuar. Hetimi kërkon mbledhje faktesh, vërtetim të tyre dhe sigurim
provash bindëse, pasi temat janë delikate dhe përbëjnë subjekte gjyqesh e dënimesh
që mund të shkatërrojnë reputacionin dhe ekonominë e revistës. Botimet me emër e
marrin seriozisht këtë punë. Natyrisht, ka pasur raste kur edhe mediat më të
njohura kanë gabuar dhe kanë kaluar hetime të paverifikuara e të pavërteta, por
këto numërohen me gishta.
Revista si Mother Jones, trajtojnë tema që i
interesojnë lexuesve amerikanë, tema të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore
në SHBA, si edhe tema ndërkombëtare, kur në to përfshihen aktorë të rëndësishëm
të arenës politike dhe ekonomike botërore. Ato nuk ka aspak të ngjarë të shpenzojnë
dollarë dhe kohë për t’u marrë me hetimin e veprimtarisë së kryetarit të partisë
që aspiron të marrë pushtetin në një vend të vockël të Ballkanit Perëndimor. Nuk
ka asnjë pikë interesi në asnjë përqindje të përfillshme të lexuesve të Mother Jones për të lexuar ç’bëhet në pika
të vogla dhe për ta pa rëndësi të globit. Pra, Mother Jones as që mund të përfytyrohet të hedhë ndonjë kacidhe për
t’u marrë me një temë nga Shqipëria, e aq më tepër t’i shtojë kësaj edhe
rrezikun e humbjes së emrit të mirë dhe të milionave dollarëve në gjyqe duke gënjyer
apo duke përhapur ‘fake news’ për Lul Bashën.
Kjo është situata që
duhet ta marrë parasysh çdokush kur vihet të lexojë artikullin e Mother Jones. Duhet të dijë edhe që
porositja e artikujve të tillë nga miliarderi Xhorxh Soros është po ashtu jashtë
çdo lloj logjike. Edhe vetë Sorosi nuk do të kishte përse t’i shpenzonte paratë
e veta në një mënyrë aq pak të efektshme për t’i bërë dëm kryetarit të opozitës
shqiptare.
Këto të bëjnë të
mendosh se ato që përshkruhen në atë artikull janë të besueshme. Për ata që përtojnë
të lexojnë origjinalin historia është pak a shumë e tillë: Lulëzim Basha pajton
agjentin amerikan Nik Muzin që të kryejë veprimtari në mbështetje të PDsë në SHBA.
Muzin, ish punonjës i fushatës elektorale të Presidentit Trump regjistrohet
pranë Departamentit të Drejtësisë si lobist i PDsë, procedurë kjo e rregullt
dhe normale në Washington. Në fund të Marsit 2017 Muzin përgatit vizitën e Bashës
në Amerikë dhe i organizon takime, ndër të cilat edhe ftesën në një darkë donatorësh
organizuar nga Guvernatori Republikan i Miluokit, Skot Walker me të ftuar nderi
Presidentin Trump. Këtu, po të paguaje 20,000 dollarë mund të dilje në
fotografi me Trumpin. Basha doli në fotografi me Trumpin, megjithëse nuk iu është
përgjigjur pyetjeve të Mother Jones
se si ka paguar për këtë foto.
Basha nuk përgjigjet,
por agjentët që punojnë në Uashington për qeveri apo parti jashtë Amerikës janë
të detyruar t’i deklarojnë të ardhurat si edhe të përshkruajnë veprimtarinë që
kanë kryer. Prej tyre rezulton se gjatë tre muajve që ka punuar për PD-në Nik
Muzin ka marrë 675000 dollarë. Gjithashtu rezulton që paratë janë paguar jo
vetëm nga Basha dhe PD, por edhe nga një burim tjetër, nga kompania Biniatta
Trade, me bazë në Edinburg të Skocisë. Biniatta Trade është një kompani fantazëm,
që drejtohet nga individë rusë me para që vijnë nga Rusia. Ajo ka nënshkruar
edhe një kontratë tjetër me Muzin për t’i paguar atij tre këste nga 150 mijë
dollarë dhe një shumë prej 500 mijë dollarë për të ndihmuar veprimtaritë në
dobi të Shqipërisë.
E ndërsa lexuesit
amerikan të Mother Jones kjo aferë i
intereson vetëm përsa i përket lidhjeve të dyshimta të një ish-punonjësi të
fushatës së Trumpit me burime financiare ruse, lexuesin shqiptar duhet ta shqetësojë pyetja se ku i gjen Basha
qindar-mijëra dollarë për të mbështetur lobizmin pro PD në SHBA? Nëse lexuesi është
anëtar apo simpatizant i PDsë, ai do të dojë të dijë a e ka Lulzim Basha mbështetjen
e bazës së partisë për shpenzimin e këtyre dollarëve, apo ka vepruar në kokë të
vet, si edhe të llogarisë sa i efektshëm ka qënë ky shpërdorim parash nga ana e
Bashës që i humbi zgjedhjet. Për të gjithë lexuesit shqiptarë, mbështetës apo
jo të PDsë, duhet të bëhet e qartë cilat janë lidhjet e Bashës me Biniatta
Trade dhe përse është e gatëshme një kompani ruse të financojë veprimtaritë e
PD-së, duke përfshirë edhe çfarë i kanë kërkuar rusët Bashës si shkëmbim për
paratë e dhëna. Ndërsa populli i varfër shqiptar, populli më i varfër në Europë,
fare mirë mund të pyesë nëse është ekonomikisht e pranueshme që një parti
politike shqiptare të shpenzojë shuma të tilla për veprimtari që ndodhin
dhjetra-mijëra kilometra larg.
Por në vend që të
shtrojnë këto pyetje, anëtarë dhe simpatizantë të PDsë kanë hyrë në garë për të
na mbushur mendjen se ka ardhur koha që Shqipëria t’i rikthehet dashurisë së
dikurshme për rusët.
Natyrisht, partitë
individët, partitë politike dhe vetë shtetet kanë të drejtë t’i ndërrojnë
prioritetet e marrëdhënieve të tyre politike, të rishikojnë e të ripërcaktojnë
marrëdhëniet me të tjerët përreth. PD ka të drejtë të kthehet e të rishikojë qëndrimin
që mban ajo ndaj Rusisë dhe të kërkojë krijimin e marrëdhënieve normale me atë
vend. Por a pasqyron ndërrimi i papritur i qëndrimit ndaj Rusisë vendime të
marra në interes të elektoratit të PDsë, në interes të Shqipërisë - pra një qëndrim
të menduar mirë gjeopolitikisht dhe të përcaktuar qartë nga strukturat përkatëse
të PDsë - apo është thjesht mënyra për të justifikuar veprimtarinë e fshehtë dhe
ligjërisht të dyshimtë ekonomike të kreut të saj?
Për partitë politike
dhe politikanë marrëveshjet e fshehta, të pista dhe të ndyra nuk janë diçka e
padëgjuar. Ato bëhen në kurriz të interesave të votuesve, në kurriz të
interesave të përkrahësve politikë të të dyja krahëve, në kurriz të interesave
të popullit në përgjithësi; bëhen që të përfitojnë politikanët. As turmat e
pozicionuara prapa partive, as grupet e entuziastëve të verbër që janë gati të
gëlltisin dhe të pranojnë gjithçka që iu servirin liderët partiakë nuk janë të
padëgjuara. Ato i gjen kudo. Por vendet me demokraci të zhvilluar kanë edhe një
shtresë njerëzish të arsyeshëm, të qetë dhe të ndërgjegjshëm, të arsimuar dhe
të edukuar, që mbi interesin e partisë dhe të kreut venë interesin vendit, ose
të paktën interesin e vetes dhe të familjeve të tyre. Këta janë ata janë në
gjendje dhe duhet t’i gjykojnë objektivisht politikanët. Këta janë ata që e ndryshojnë
votën e tyre. Këta janë pjesa likuide
e elektoratit, pjesa që mendon dhe s’ta jep votën po s’e binde. Sa më e madhe
dhe e ndërgjegjshme të jetë kjo shtresë, aq më patundshme është demokracia.
Në Shqipëri kjo shtresë
është jo vetëm e pakët në numër por, ajo që është më shqetësuese, edhe tepër
indiferente – nuk i qaset kutive të votimit. Përdersa ajo të vazhdojë të qëndrojë
indiferente, fatet e vendit do t’i kenë në dorë dy grupime politike me shumë
probleme. Nëse bëhen aktivë, këta kanë fuqi t’ua tundin votat para turinjve
politikanëve dhe të ushtrojnë presion mbi ta, t’iu kërkojnë t’i mbajnë vithet
drejt e të mos shkelin ligjet e normat, t’i mbajnë vazhdimisht përpara përgjegjësisë.
Në të kundërt, nëse politikanët janë të bindur se, çfarëdo që të bëjnë do të
kenë mbështetjen e pakushtëzuar të turmave të eksituara të tifozerisë, atëherë
korrupsioni do vazhdojë të lulëzojë i pafrenuar.
Në fund të fundit, fajin
për korrupsionin nuk e kanë të gjithin politikanët. Fajin e kanë edhe ata që
rreshtohen qorrazi pas tyre dhe që i brohorasin si heronj edhe kur ata
korruptohen.
No comments:
Post a Comment