Është zhgënjyese
kur shkruan diçka me ironi dhe të tjerët ta marrin seriozisht. Sepse kupton që
përtacia intelektuale arrin shkallë që nuk i parashkon dot. Megjithëse ti përpiqesh
të shkruash shkurt që të mos iu lodhësh kokën njerëzve, ka shumë që as e marrin
mundimin të përpunojnë atë që lexojnë. Nuk e kam fjalën për ata që nuk më
lexojnë fare – kushdo ka të drejtë të mos ia hedh sytë statuseve apo shkrimeve
të mia. As për ata që lexojnë dhe nuk pëlqejnë. E kam fjalën për ata që të
lexojnë, të bëjnë ‘like’, madje të shkruajnë edhe komente, dhe as që marrin mundimin
të kuptojnë çke shkruar.
Të qënit ‘gay’
nuk është parapëlqim ideologjik. Nuk është as modë, siç e ironizoj në fjalinë e
tretë të statusit (Pastaj u mendua se mos ishte modë, si moda e
pantallonave të ngushta, apo xhaketave dopjo-petë). Është thjesht një gjendje
biologjike që i bije për hise një përqindjeje të caktuar të njerëzve por edhe specieve
të tjera. Ka ekzistuar gjatë gjithë historisë së njerëzimit, në çdo epokë, në çdo
regjim, në çdo kulturë, pavarësisht nëse është luftuar me ligje, nganjëherë
edhe shumë të ashpra, apo është parë me tolerancë nga shoqëria. Është provuar shkencërisht
që një individ që lind ‘gay’ nuk mund të kthehet në heteroseksual. Siç është e
vërtetë edhe e kundërta – dikush që lind heteroseksual, nuk mund të kthehet në ‘gay’,
sado propagandë dhe punë rekrutuese t’i bësh. Siç është e vërtetë që ka edhe
njerëz ‘bi-seksualë‘, domethënë që mund të bëjnë seks edhe me burra edhe me gra
(gërma B në LGTB).
Të qënit ‘gay’
nuk është sëmundje që të mund të kurohet me ilaçe apo kemoterapi. Në fjalinë e
dytë të statusit tim shkruhej : ‘Deri tani frika ishte se mos
homoseksualiteti ishte thjesht sëmundje ngjitëse, ose të paktën e trashëgueshme
– domethënë që dy baballarë ose dy nëna homoseksuale po të adoptojnë një fëmijë
jo homoseksual, e kthejnë në të tillë.’ Qëllimisht kam lënë jashtë
logjikën në pjesën e dytë të fjalisë. Dy baballarë homoseksuale nuk mund të kenë
fëmijë me njëri-tjetrin. Ata mund të
adoptojnë, por fëmija i adoptuar nuk mund të jetë kurrsesi fëmija gjenetik i dy
etërve homoseksualë. Nuk ka asnjë logjikë të thuash që homoseksualiteti është i
trashëgueshëm gjenetikisht.
Në fjalinë e fundit të
statusit shkruaja: ‘Tani që e kuptuam ç’është, dijmë edhe si ta luftojmë - me
ideologji dhe partishmëri.’ Kjo fjali shpreh formën më të pastër të
budallallëkut, siç edhe shpreh formën më të shëmtuar të tifozllëkut të verbër
partiak. Nuk ka idiotësi më të madhe se të mendosh që t’i përqasesh çështjes së
homoseksualitetit me partishmëri dhe ideologji. Nëse ndokush nga miqtë e mij në
facebook mendon që këtë unë rresht
mund ta shkruaj seriozisht, atëherë i këshilloj që të më heqë nga lista, pasi
nuk e meritoj. Nëse nuk e kuptojnë që po shkruaj me ironi, ndoshta jam unë që
duhet t’i heq. I vetmi justifikim që mund t’iu jap në këtë rast është se përtojnë
të lexojnë, iu hedhin një sy të përciptë rreshtave përmes ekraneve mikroskopikë
të celularëve dhe pastaj bëjnë ‘like’ apo komentojnë si ua pret mendja.
Shënim: Postimi i plotë
- Po na rekrutojnë djemtë dhe vajzat e gjimnazeve ata të LGTB. Deri tani frika
ishte se mos homoseksualiteti ishte thjesht sëmundje ngjitëse, ose të paktën e
trashëgueshme – domethënë që dy baballarë ose dy nëna homoseksuale po të
adoptojnë një fëmijë jo homoseksual, e kthejnë në të tillë. Pastaj u mendua se mos
ishte modë, si moda e pantallonave të ngushta, apo xhaketave dopjo-petë. Tani
po del që qënka ideologji, dhe LGTB është parti politike me objektiva të
përcaktuara qartë - ta kthejë popullin shqiptar në homoseksual (larg-qoftë).
Për këtë kanë vënë në përdorim gjithë pasurinë e Xhorxh Sorosit, i cili ka për
strategji shkatërrimin e botës me anë të skalioneve të homoseksualëve
shqiptarë, dhe diplomacinë e shthurrur eoro-amerikane. Tani që e kuptuam
ç’është, dijmë edhe si ta luftojmë - me ideologji dhe partishmëri.
No comments:
Post a Comment