Friday, March 30, 2018

Sqarim për një postim


Është zhgënjyese kur shkruan diçka me ironi dhe të tjerët ta marrin seriozisht. Sepse kupton që përtacia intelektuale arrin shkallë që nuk i parashkon dot. Megjithëse ti përpiqesh të shkruash shkurt që të mos iu lodhësh kokën njerëzve, ka shumë që as e marrin mundimin të përpunojnë atë që lexojnë. Nuk e kam fjalën për ata që nuk më lexojnë fare – kushdo ka të drejtë të mos ia hedh sytë statuseve apo shkrimeve të mia. As për ata që lexojnë dhe nuk pëlqejnë. E kam fjalën për ata që të lexojnë, të bëjnë ‘like’, madje të shkruajnë edhe komente, dhe as që marrin mundimin të kuptojnë çke shkruar.   
E hapja një nga postimet e fundit në fb me fjalinë ‘Po na rekrutojnë djemtë dhe vajzat ata të LGTB’ sepse shpresoja të merrej vesh që në fillim se po ironizoja idenë që LGTB mund të rekrutojë. Aq pa kulturë dhe të paditur jemi sa të pranojmë që dikush mund të rekrutohet, të bindet me fjalë për t’u kthyer në gay apo lesbian?!

Të qënit ‘gay’ nuk është parapëlqim ideologjik. Nuk është as modë, siç e ironizoj në fjalinë e tretë të statusit (Pastaj u mendua se mos ishte modë, si moda e pantallonave të ngushta, apo xhaketave dopjo-petë). Është thjesht një gjendje biologjike që i bije për hise një përqindjeje të caktuar të njerëzve por edhe specieve të tjera. Ka ekzistuar gjatë gjithë historisë së njerëzimit, në çdo epokë, në çdo regjim, në çdo kulturë, pavarësisht nëse është luftuar me ligje, nganjëherë edhe shumë të ashpra, apo është parë me tolerancë nga shoqëria. Është provuar shkencërisht që një individ që lind ‘gay’ nuk mund të kthehet në heteroseksual. Siç është e vërtetë edhe e kundërta – dikush që lind heteroseksual, nuk mund të kthehet në ‘gay’, sado propagandë dhe punë rekrutuese t’i bësh. Siç është e vërtetë që ka edhe njerëz ‘bi-seksualë‘, domethënë që mund të bëjnë seks edhe me burra edhe me gra (gërma B në LGTB).
Të qënit ‘gay’ nuk është sëmundje që të mund të kurohet me ilaçe apo kemoterapi. Në fjalinë e dytë të statusit tim shkruhej : Deri tani frika ishte se mos homoseksualiteti ishte thjesht sëmundje ngjitëse, ose të paktën e trashëgueshme – domethënë që dy baballarë ose dy nëna homoseksuale po të adoptojnë një fëmijë jo homoseksual, e kthejnë në të tillë.Qëllimisht kam lënë jashtë logjikën në pjesën e dytë të fjalisë. Dy baballarë homoseksuale nuk mund të kenë fëmijë me njëri-tjetrin. Ata mund të adoptojnë, por fëmija i adoptuar nuk mund të jetë kurrsesi fëmija gjenetik i dy etërve homoseksualë. Nuk ka asnjë logjikë të thuash që homoseksualiteti është i trashëgueshëm gjenetikisht.
Në fjalinë e fundit të statusit shkruaja: ‘Tani që e kuptuam ç’është, dijmë edhe si ta luftojmë - me ideologji dhe partishmëri. Kjo fjali shpreh formën më të pastër të budallallëkut, siç edhe shpreh formën më të shëmtuar të tifozllëkut të verbër partiak. Nuk ka idiotësi më të madhe se të mendosh që t’i përqasesh çështjes së homoseksualitetit me partishmëri dhe ideologji. Nëse ndokush nga miqtë e mij në facebook mendon që këtë unë rresht mund ta shkruaj seriozisht, atëherë i këshilloj që të më heqë nga lista, pasi nuk e meritoj. Nëse nuk e kuptojnë që po shkruaj me ironi, ndoshta jam unë që duhet t’i heq. I vetmi justifikim që mund t’iu jap në këtë rast është se përtojnë të lexojnë, iu hedhin një sy të përciptë rreshtave përmes ekraneve mikroskopikë të celularëve dhe pastaj bëjnë ‘like’ apo komentojnë si ua pret mendja.  

Shënim: Postimi i plotë - Po na rekrutojnë djemtë dhe vajzat e gjimnazeve ata të LGTB. Deri tani frika ishte se mos homoseksualiteti ishte thjesht sëmundje ngjitëse, ose të paktën e trashëgueshme – domethënë që dy baballarë ose dy nëna homoseksuale po të adoptojnë një fëmijë jo homoseksual, e kthejnë në të tillë. Pastaj u mendua se mos ishte modë, si moda e pantallonave të ngushta, apo xhaketave dopjo-petë. Tani po del që qënka ideologji, dhe LGTB është parti politike me objektiva të përcaktuara qartë - ta kthejë popullin shqiptar në homoseksual (larg-qoftë). Për këtë kanë vënë në përdorim gjithë pasurinë e Xhorxh Sorosit, i cili ka për strategji shkatërrimin e botës me anë të skalioneve të homoseksualëve shqiptarë, dhe diplomacinë e shthurrur eoro-amerikane. Tani që e kuptuam ç’është, dijmë edhe si ta luftojmë - me ideologji dhe partishmëri.

Monday, March 26, 2018

Dashuri qorrazi


Vendi nuk bëhet duke mbështetur qorrazi një grup politikanësh për t'iu vërsulur një grupi tjetër politikanësh. Vendi bëhet duke qënë të vëmendshëm për të mos lënë asnjë politikan të bëjë pisllëqe dhe abuzojë ligjin në kurriz të njerëzve që jetojnë aty.
Çdonjëri prej nesh duhet të shohë ç’bëhet, qoftë edhe me dëshirën për të ndihmuar krahun që mbështet. Edhe tifozët e futbollit kur analizojnë ekipin e vet mendojnë se qendërmbrojtësin nuk e kanë shumë të mirë, se mesfusha duhet të bëjë nja dy ndërrime dhe se kur nuk jep rezultat duhet hequr edhe trajneri.
Para dy javësh revista amerikane Mother Jones botoi një artikull të gjatë në të cilin shkruhej se veprimtaria lobiste në Shtetet e Bashkuara e një agjenti përfaqësues të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha financohej nga burime ruse.  
Mother Jones është e njohur për shkrimet hetimore. Gazetari hetimore, që fatkeqsisht ne në Shqipëri nuk e kemi të zhvilluar, do të thotë që një gazetari, ose një ekipi iu jepen mjete financiare dhe kohë për të hetuar thellësisht një temë të caktuar. Hetimi kërkon mbledhje faktesh, vërtetim të tyre dhe sigurim provash bindëse, pasi temat janë delikate dhe përbëjnë subjekte gjyqesh e dënimesh që mund të shkatërrojnë reputacionin dhe ekonominë e revistës. Botimet me emër e marrin seriozisht këtë punë. Natyrisht, ka pasur raste kur edhe mediat më të njohura kanë gabuar dhe kanë kaluar hetime të paverifikuara e të pavërteta, por këto numërohen me gishta.
Revista si Mother Jones, trajtojnë tema që i interesojnë lexuesve amerikanë, tema të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore në SHBA, si edhe tema ndërkombëtare, kur në to përfshihen aktorë të rëndësishëm të arenës politike dhe ekonomike botërore. Ato nuk ka aspak të ngjarë të shpenzojnë dollarë dhe kohë për t’u marrë me hetimin e veprimtarisë së kryetarit të partisë që aspiron të marrë pushtetin në një vend të vockël të Ballkanit Perëndimor. Nuk ka asnjë pikë interesi në asnjë përqindje të përfillshme të lexuesve të Mother Jones për të lexuar ç’bëhet në pika të vogla dhe për ta pa rëndësi të globit. Pra, Mother Jones as që mund të përfytyrohet të hedhë ndonjë kacidhe për t’u marrë me një temë nga Shqipëria, e aq më tepër t’i shtojë kësaj edhe rrezikun e humbjes së emrit të mirë dhe të milionave dollarëve në gjyqe duke gënjyer apo duke përhapur ‘fake news’ për Lul Bashën.
Kjo është situata që duhet ta marrë parasysh çdokush kur vihet të lexojë artikullin e Mother Jones. Duhet të dijë edhe që porositja e artikujve të tillë nga miliarderi Xhorxh Soros është po ashtu jashtë çdo lloj logjike. Edhe vetë Sorosi nuk do të kishte përse t’i shpenzonte paratë e veta në një mënyrë aq pak të efektshme për t’i bërë dëm kryetarit të opozitës shqiptare.
Këto të bëjnë të mendosh se ato që përshkruhen në atë artikull janë të besueshme. Për ata që përtojnë të lexojnë origjinalin historia është pak a shumë e tillë: Lulëzim Basha pajton agjentin amerikan Nik Muzin që të kryejë veprimtari në mbështetje të PDsë në SHBA. Muzin, ish punonjës i fushatës elektorale të Presidentit Trump regjistrohet pranë Departamentit të Drejtësisë si lobist i PDsë, procedurë kjo e rregullt dhe normale në Washington. Në fund të Marsit 2017 Muzin përgatit vizitën e Bashës në Amerikë dhe i organizon takime, ndër të cilat edhe ftesën në një darkë donatorësh organizuar nga Guvernatori Republikan i Miluokit, Skot Walker me të ftuar nderi Presidentin Trump. Këtu, po të paguaje 20,000 dollarë mund të dilje në fotografi me Trumpin. Basha doli në fotografi me Trumpin, megjithëse nuk iu është përgjigjur pyetjeve të Mother Jones se si ka paguar për këtë foto.
Basha nuk përgjigjet, por agjentët që punojnë në Uashington për qeveri apo parti jashtë Amerikës janë të detyruar t’i deklarojnë të ardhurat si edhe të përshkruajnë veprimtarinë që kanë kryer. Prej tyre rezulton se gjatë tre muajve që ka punuar për PD-në Nik Muzin ka marrë 675000 dollarë. Gjithashtu rezulton që paratë janë paguar jo vetëm nga Basha dhe PD, por edhe nga një burim tjetër, nga kompania Biniatta Trade, me bazë në Edinburg të Skocisë. Biniatta Trade është një kompani fantazëm, që drejtohet nga individë rusë me para që vijnë nga Rusia. Ajo ka nënshkruar edhe një kontratë tjetër me Muzin për t’i paguar atij tre këste nga 150 mijë dollarë dhe një shumë prej 500 mijë dollarë për të ndihmuar veprimtaritë në dobi të Shqipërisë.
E ndërsa lexuesit amerikan të Mother Jones kjo aferë i intereson vetëm përsa i përket lidhjeve të dyshimta të një ish-punonjësi të fushatës së Trumpit me burime financiare ruse, lexuesin shqiptar  duhet ta shqetësojë pyetja se ku i gjen Basha qindar-mijëra dollarë për të mbështetur lobizmin pro PD në SHBA? Nëse lexuesi është anëtar apo simpatizant i PDsë, ai do të dojë të dijë a e ka Lulzim Basha mbështetjen e bazës së partisë për shpenzimin e këtyre dollarëve, apo ka vepruar në kokë të vet, si edhe të llogarisë sa i efektshëm ka qënë ky shpërdorim parash nga ana e Bashës që i humbi zgjedhjet. Për të gjithë lexuesit shqiptarë, mbështetës apo jo të PDsë, duhet të bëhet e qartë cilat janë lidhjet e Bashës me Biniatta Trade dhe përse është e gatëshme një kompani ruse të financojë veprimtaritë e PD-së, duke përfshirë edhe çfarë i kanë kërkuar rusët Bashës si shkëmbim për paratë e dhëna. Ndërsa populli i varfër shqiptar, populli më i varfër në Europë, fare mirë mund të pyesë nëse është ekonomikisht e pranueshme që një parti politike shqiptare të shpenzojë shuma të tilla për veprimtari që ndodhin dhjetra-mijëra kilometra larg.
Por në vend që të shtrojnë këto pyetje, anëtarë dhe simpatizantë të PDsë kanë hyrë në garë për të na mbushur mendjen se ka ardhur koha që Shqipëria t’i rikthehet dashurisë së dikurshme për rusët.
Natyrisht, partitë individët, partitë politike dhe vetë shtetet kanë të drejtë t’i ndërrojnë prioritetet e marrëdhënieve të tyre politike, të rishikojnë e të ripërcaktojnë marrëdhëniet me të tjerët përreth. PD ka të drejtë të kthehet e të rishikojë qëndrimin që mban ajo ndaj Rusisë dhe të kërkojë krijimin e marrëdhënieve normale me atë vend. Por a pasqyron ndërrimi i papritur i qëndrimit ndaj Rusisë vendime të marra në interes të elektoratit të PDsë, në interes të Shqipërisë - pra një qëndrim të menduar mirë gjeopolitikisht dhe të përcaktuar qartë nga strukturat përkatëse të PDsë - apo është thjesht mënyra për të justifikuar veprimtarinë e fshehtë dhe ligjërisht të dyshimtë ekonomike të kreut të saj?
Për partitë politike dhe politikanë marrëveshjet e fshehta, të pista dhe të ndyra nuk janë diçka e padëgjuar. Ato bëhen në kurriz të interesave të votuesve, në kurriz të interesave të përkrahësve politikë të të dyja krahëve, në kurriz të interesave të popullit në përgjithësi; bëhen që të përfitojnë politikanët. As turmat e pozicionuara prapa partive, as grupet e entuziastëve të verbër që janë gati të gëlltisin dhe të pranojnë gjithçka që iu servirin liderët partiakë nuk janë të padëgjuara. Ato i gjen kudo. Por vendet me demokraci të zhvilluar kanë edhe një shtresë njerëzish të arsyeshëm, të qetë dhe të ndërgjegjshëm, të arsimuar dhe të edukuar, që mbi interesin e partisë dhe të kreut venë interesin vendit, ose të paktën interesin e vetes dhe të familjeve të tyre. Këta janë ata janë në gjendje dhe duhet t’i gjykojnë objektivisht politikanët. Këta janë ata që e ndryshojnë votën e tyre. Këta janë pjesa likuide e elektoratit, pjesa që mendon dhe s’ta jep votën po s’e binde. Sa më e madhe dhe e ndërgjegjshme të jetë kjo shtresë, aq më patundshme është demokracia.
Në Shqipëri kjo shtresë është jo vetëm e pakët në numër por, ajo që është më shqetësuese, edhe tepër indiferente – nuk i qaset kutive të votimit. Përdersa ajo të vazhdojë të qëndrojë indiferente, fatet e vendit do t’i kenë në dorë dy grupime politike me shumë probleme. Nëse bëhen aktivë, këta kanë fuqi t’ua tundin votat para turinjve politikanëve dhe të ushtrojnë presion mbi ta, t’iu kërkojnë t’i mbajnë vithet drejt e të mos shkelin ligjet e normat, t’i mbajnë vazhdimisht përpara përgjegjësisë. Në të kundërt, nëse politikanët janë të bindur se, çfarëdo që të bëjnë do të kenë mbështetjen e pakushtëzuar të turmave të eksituara të tifozerisë, atëherë korrupsioni do vazhdojë të lulëzojë i pafrenuar.
Në fund të fundit, fajin për korrupsionin nuk e kanë të gjithin politikanët. Fajin e kanë edhe ata që rreshtohen qorrazi pas tyre dhe që i brohorasin si heronj edhe kur ata korruptohen.