Wednesday, November 7, 2018

Librat janë seksi


Një vrull dhe një enthusiazëm i rrallë u ndje në sulmin ndaj Mirela Kumbaros pas postimit të një thënie të John Waters. U ngritën me kuç e me maç për të shprehur mllefin, duke shpalosur jo vetëm shkallën e lartë të etikës, por edhe aftësitë për të përdorur ironinë, sarkazmën dhe humorin shpotitës. Jo të paktë ishin ata që u përpoqën të dëshmonin se ishin në gjendje të bënin seks pa praninë e librave dhe se leximi, ose mungesa e plotë e tij nuk mund t’i pengonte aspak të demonstronin virilitetin. A thua është ndonjë sekret i madh që seks bëjnë edhe zhabat, edhe minjtë, edhe mickonjat, edhe gjithë qëniet e tjera që s’ia kanë haberin e Kafkës, Dostojevskit apo Gabriel Garcia Markezit.
Mirela Kumbaro është Ministre e Kulturës dhe fakti që mban një post politik e bën atë të goditshme për arsye politike. Prandaj kuptohet që gjithçka thotë ajo iu jep kundërshtarëve të saj politikë rastin për ta goditur. Por në këtë rast nuk goditet pozicioni i saj politik, por një nismë që duhet përkrahur, ose të paktën duhet  diskutuar qetësisht pasi është mbi politikën.
Prandaj do të ndalem te mesazhi dhe jo te Ministrja, të cilën as e njoh, as nuk e kam ndjekur si politikane dhe as që më intereson se si ka votuar deri tani në Parlament. Të paktën nuk më intereson për këtë që po diskutoj.
Mesazhi më duket shumë i mirë, i qytetëruar. Citimi i fjalëve të John Waters, “If you go home with somebody, and they don't have books, don't fuck 'em!” është një shprehje me humor e idesë që të qënit i kënduar i bën, ose duhet t’i bëjë njerëzit më tërheqës se sa të qënit kokërr injoranti. Mesazhi i bën thirrje të rinjve të mos tërhiqen thjesht nga muskujt, gjokset e kërcyer, vithet mbledhura dhe flokët dëndur sipër kokëve boshe, por të fillojnë të mendojnë që edhe dija e leximi janë vlera. Ideja për ta bërë leximin ‘cool’ është shprehur qartë. Sot kur vlerësohen kryesisht paratë, kotësia, forca fizike, pushteti, dhe anë periferike të personalitetit dhe kur të qënit njeri i ditur, i lexuar, elokuent shihet edhe me përbuzje, kjo thirrje ka vërtet vlera.
A është vulgare thënia dhe a i shkon një Ministreje ta citojë atë? Kjo mund të diskutohet. E formuluar nga John Waters para pesëdhjetë vjetësh fjalia është cituar dhe stër-cituar nga intelektualë, njerëz të shkolluar e me standarte pak a shumë të pranueshme etike pa ia vrarë veshin kujt. Kumbaro ka bërë mirë që e ka lënë në origjinal, pasi tingëllon më pak ofensiv. Më mirë do të bënte ta kishte vënë në thonjëza, për të treguar që nuk janë fjalët e saj dhe për t’i dhënë të drejtën autorit. Por, ndoshta Twitteri nuk le shumë vend për skrupulozitet akademik.
Mesazhi i drejtohet asaj pjese të shoqërisë që di të lexojë anglisht, ka moshën për të bërë seks, hyn e del nëpër shtëpi shokësh e shoqesh dhe e ka idenë përse bëhet fjalë. Kjo kategori nuk besoj se fyhet nga përdorimi i një fjale që fillon me ‘f’ në anglisht, sepse e ka atë fjalë pjesë të jetës së përditshme, jo tabu. Pra Kumbaro ia ka përshtatur gjuhën audiencës, është ulur në nivelin e saj duke e ftuar atë të ngjitet pak më lart, në nivelin e atyre që lexojnë. Fjala është lejuar, përse jo, edhe për të shkaktuar pak sensacion, publicitet. Edhe ky duket hap i mençur. Unë jo vetëm që nuk shoh asgjë të keqe te postimi i Kumbaros, por përkundrazi, shoh një nismë që duhet përkrahur. Me një fjalë, unë e përkrah idenë që librat janë seksi.

No comments: