Arben Kallamata
Pjesa e dytë: Dopamine
(Shënim
hyrës: Kjo është pjesa e dytë e serisë së shkrimeve që kam përgatitur për marrëdhëniet
tona me teknologjinë moderne, posaçërisht me gjigandët e teknologjisë që i kemi
çdo ditë përpara syve – Internetin, Google, Facebook, Twitter, YouTube,
Snapchat, Netfix, etj. Idetë e shprehura në këto shkrime nuk janë origjinale. Unë
jam përpjekur të përmbledh, përshtas në shqip dhe organizoj mendime që ka kohë
që i shqetësojnë njerëzit. Për ata që nuk e kanë lexuar pjesën e parë, do t’i
rekomandoja që ta bënin këtë.)
Që
të arrijnë të njohin mënyrën se si vepron mendja e secilit prej nesh kompanitë
IT kanë nevojë për ndihmën tonë, për pjesmarrjen tonë në lojën e tyre. Ata nuk
dërgojnë pyetësorë për të matur parapëlqimet tona. Përkundrazi, ata e studiojnë
mendjen e secilit prej nesh përmes mënyrës se si sillemi ne kur përdorim mallin
e tyre – kërkimin në Google, Facebook, videot e YouTube. Gjithçka që ne
klikojmë iu jep kompjuterave të tyre një të dhënë më shumë për mënyrën se si
operon mendja e secilit prej nesh. Sa më shumë klikojmë, aq më shumë gjëra
mësojnë ata rreth nesh.
Tristan
Harris shpjegon se lufta midis kompanive të tekut sot është e përqëndruar te
tërheqja e vëmendjes së përdoruesve, domethënë, sa kohë kalojmë ne në një
mjedis të caktuar. Shuma e përgjithshme vëmendjes së njerëzve nuk është një
madhësi e pakufizuar. Ajo mund të përfytyrohet si një masë e caktuar, gjigande
vërtet, por gjithsesi që i ka kufijtë e saj. Pikërisht për ndarjen e këtij
malli që është vëmendja jonë, për tërheqjen e një thele sa më të majme nga kjo
masë konkurrojnë sot të gjithë, bizneset, shoqatat, politikanët, lojrat, arti,
gjithcka. Por mbi të gjitha, konkurrojnë kompanitë IT që kanë në dorë ta
analizojnë dhe ndikojnë vëmendjen tonë.
Le
të sjellim një shembull. YouTube kërkon të tërheqë sa më shumë vëmendjen e
njerëzve duke i mbajtur ata të lidhur sa më gjatë të fiksuar te videot e veta.
Për ta arritur këtë ata shpikin një marifet të vogël: pas çdo videoje që ti
sheh, ata jo vetëm të rekomandojnë disa të tjera, por edhe fillojnë të luajmë
automatikisht një tjetër. Pa e kuptuar, njerëzit gjejnë veten të ngujuar për
orë të tëra duke parë video në YouTube.
Me
ta parë këtë marifet, Facebook nuk mund të mbetej prapa. Një ditë prej ditësh
ne vumë re që videot e postuara në Facebook filluan të hapen vetë, pa qënë
nevoja t’i klikoje. Ti duhet të klikosh për t’i ndaluar, jo për t’i nisur. Natyrisht, pakkush nga ne e vrau mendjen ta analizonte
përse ndodhte kjo.
Të njëjtën gjë bën edhe Netflix. Ti shikon një episod
të një seriali televiziv dhe, pa e mbaruar ende mirë atë, ata fillojnë të të
çfaqin automatikisht tjetrin. Asgjë nuk është rastësore. Gjithçka është e
llogaritur. Të gjithë janë në gare kush e kush të na mbajë sa më gjatë lidhur
pas aparateve dhe në faqet e tyre.
Dikush mund të thotë se edhe televizionet apo gazetat
dikur kërkonin të njëjtën gjë, pra mënyrën se si t’i mbanin shikuesit apo
lexuesit të lidhur. Por ato nuk kishin salla kontrolli që studionin
shkencërisht se si ta tërhiqnin dhe ta drejtonin vëmendjen e njerëzve. Nuk
kishin njerëz që të studionin emocionet njerëzore dhe t’i shfrytëzonin ato për
t’i mbërthyer njerëzit sa më gjatë pranë pajisjeve elektronike.
Ne lexojmë diçka në Facebook dhe ndihemi të revoltuar.
Revoltimi për secilin nga ne është emocion negativ. Jo për
Zuckerbergun. Për të është emocion që na detyron ne ta bëjmë ‘share’ postimin
në fjalë, t’i themi të tjerëve: lexojeni edhe juve këtë që më ngjalli mua
emocion. Në këtë rast ndjesia e revoltës punon për llogari të Facebookut. Nëse
unë, ose ti, do të kishim mundësi të zgjidhnim për të lexuar ose diçka që na
shkakton revoltë, ose diçka që nuk na bën asnjë përshtypje, ne me siguri që do
të zgjidhnim të parën. Është në natyrën njerëzore. Këtë e dijnë shumë mirë ata
që janë në sallën e kontrollit dhe që kanë në dorë të na ushqejnë atë që duan
të na ushqejnë.
Po
për çfarë dobësish bëhet fjalë? Njerëzit në përgjithësi kanë një nevojë të
brendëshme për të qënë pjesë e diçkaje, një shtytje të brendëshme për status
shoqëror. Prandaj edhe truri i njeriut e trajton çdo informacion për vetveten
si formë shpërblimi. Sistemi i vlerave që kemi në tru aktivizohet sa herë që
sjellja jonë shpërblehet me gjëra të prekshme, si para, apo ushqim. Por ai
aktivizohet edhe kur merr informacion që na prek egon, informacion të cilit i
jepet përgjithësisht përparësi.
(Këtu
mbaron pjesa e dytë. Në vazhdim do të shohim se si na ‘ushqejnë‘ me informacion
të gabuar, me informacion të shtrembëruar e të gënjeshtërt, duke na futur
brenda vathëve, grazhdeve, apo kullotave sipas interesit të përbindëshve të tekut.)