Showing posts with label facebook. Show all posts
Showing posts with label facebook. Show all posts

Sunday, October 18, 2020

Përballë Përbindëshave 1

 Arben Kallamata

Pjesa e parë: Mish për top

(Shënim hyrës: Po bëj një përpjekje që përmes një shkrimi të ndarë në disa pjesë të hedh pak dritë në marrëdhëniet tona me teknologjinë moderne, posaçërisht me gjigandët e teknologjisë që i kemi çdo ditë përpara syve – Internetin, Google, Facebook, Twitter, YouTube, Snapchat, Netfix, etj. Idetë e shprehura këtu nuk janë aspak origjinale. Unë jam përpjekur të përmbledh, përshtas në shqip dhe organizoj mendime që ka kohë që i shqetësojnë njerëzit.)

Në një sallë të madhe kontrolli ngarkuar me kompjutera të fuqishëm punojnë të përqëndruar mbi njëqind specialistë të ITsë dhe psikologjisë. Ata studiojnë dhe përpunojnë mendjet e miliarda njerëzve, duke analizuar deri në detaje prirjet dhe dëshirat e secilit prej tyre dhe duke i drejtuar mendimet andej nga duan ata.

Duket si skenë e marrë nga ndonjë film fantastiko-shkencor, por në fakt është realitet. Prej vitesh salla të tilla kontrolli janë pjesë e trurit të gjigandëve të teknologjisë si Google, Facebook, YouTube, Snapchat, etj. Studimi dhe përpunimi i mendimit të miliarda njerëzve nuk kryhen thjesht për kurreshtje shkencore. Ato janë pjesë e modelit të biznesit, mënyrës se si kompanitë teknologjike i fitojnë triliardat e dollarëve.

Një prej specialistëve që ka punuar si eticist projektues për Google pikërisht në një nga këto salla është Tristian Harris. Deri para pak kohësh ai kujdesej për ruajtjen e normave të etikës në procesin e përpunimit dhe drejtimit të mendimit të njerëzve për qëllime fitimprurëse. Duke e kuptuar se ishte e pamundur të realizohej një gjë e tillë, pasi etika njerëzore binte ndesh me interesat e punëdhënësit të tij, ai u tërhoq dhe tani, me biseda, artikuj, dhe podcaste përpiqet t’iu shpjegojë sa më shumë njerëzve mënyrën se si funksionojnë gjigandët e teknologjisë dhe rrugët më të efektshme për t’i detyruar ata t’i respektojnë vërtet normat e etikës.

Përmes celularëve, tabletëve dhe kompjuterave ne i përdorim shërbimet falas të kompanive teknologjike pa e vrarë mendjen të dijmë se si kanë arritur ato të bëhen organizmat më të pasura të planetit. Ne e përfytyrojmë veten si klientë tyre, si përdorues legjitimë të shërbimit që ata ofrojnë, duke harruar se kur shërbimi të jepet falas nuk mund të quhesh klient. Ne nuk e fusim dorën në xhep kur kërkojmë të dhëna në Google; nuk paguajmë abonim mujor apo vjetor për t’u lidhur me miqtë në Facebook, apo për të dëgjuar muzikë dhe parë video në YouTube. Nga dalin fitimet?!

“Reklamat,” do të thotë dikush, ata i nxjerrin fitimet nga reklamat. Po si? Cili është malli që na shitet ne me aq shumicë saqë gjigandët e teknologjisë arrijnë të nxjerrin fitime të papërfytyrueshme? Si arrijnë reklamat të shkojnë aty ku duhet në një masë kaq të madhe përdoruesish?

Modeli i biznesit të kompanive të mëdha IT është origjinal dhe fitimprurës pikërisht ngaqë nuk ndjek rrugën tradicionale – unë publikoj reklama për përdoruesit në tërësi, dhe reklamuesit e mallrave më japin mua para. Përballë miliarda përdoruesve të internetit, reklamuesit kanë nevojë për ndarje të audiencës, për seleksionim, në mënyrë që ata ta drejtojnë reklamën e tyre pikërisht te njerëzit që kanë potencialin për të blerë mall, përndryshe reklama nuk ka efekt. Ata kërkojnë grupime sipas interesave dhe piketim sa më të saktë të objektit të reklamave të tyre.

Pikërisht këtë punë marrin përsipër të bëjnë gjigandët e teknologjisë. Ato iu japin reklamuesve grupime njerëzish sipas interesave të reklamuesve, audiencë me potencialin më të lartë blerës. Ata iu japin atyre të dhëna nga më të detajuarat për secilin prej nesh. Për këtë ata përdorin inteligjencën artificiale të superkompjuterave që, përmes algoritmave janë në gjendje jo vetëm të analizojnë të dhëna pa fund për një numër të pakufizuar përdoruesish, por edhe të ndikojnë në këndvështrimin e njerëzve.

Në marrëdhëniet midis reklamuesve dhe gjigandëve të teknologjisë (Facebook, Google, Twitter, etj.) ne, përdoruesit nuk jemi klientët. Ne jemi malli. Jemi malli që kompanitë IT i shesin kompanive të reklamave. Malli që shitet është thjesht mendja jonë. Gjigandët e Tekut i bëjnë fitimet duke iu shitur mendjet tona atyre që reklamojnë mallra. Nga pikëpamja e tyre ne jemi thjesht mish për top.

Kur ne përdorim me orë të tëra në ditë Facebook, Youtube, Google, Twitter, Snapchat, kompjuterat regjistrojnë dhe mësojnë për ne shumë më tepër se sa dijmë ne për veten tonë. Ata i kanë të gjitha të dhënat për të analizuar çfarë na pëlqen dhe çfarë nuk na pëlqen ne; çfarë e tërheq vëmendjen tonë, dhe çfarë na kalon shkarazi, pa i kushtuar rëndësi. Ata njohin parapëlqimet tona për ngjyrat, për muzikën, për artin, për artistët, për filmat, për veshjet, për ushqimin dhe për pijet, për vendet ku duam të pushojmë, për mënyrën se si duam ta dekorojmë banesën, për problemet sociale, për fenë dhe, sidomos edhe, për politikën. 

(Këtu mbaron pjesa e parë. Në pjesën e dytë do të shohim se si kompanitë e mëdha teknologjike arrijnë të ndikojnë në zgjedhjet dhe parapëlqimet tona, si arrijnë të na detyrojnë të bëjmë atë që duan ata.)

Friday, January 2, 2015

Mos ma zhgaravit murin!

Fjala “Tag” si emër ka kuptimin “etiketë“, “kartë identiteti”, “markë“; ndërsa si folje: “t’i vesh etiketë“ (për shembull mallrave që shiten), ose “të identifikosh” një objekt. Ndërsa në Facebook ka kuptim tjetër: kur bën “tag” një person, atëherë fotografija, ose shkrimi që ke postuar në murin tënd, ripostohet edhe në murin e personit në fjalë. Pra, atë që ti e ke vënë për miqtë e tu, do të jenë në gjendje ta shikojnë edhe miqtë e mikut tënd, të cilin ti e ke bërë “tag”. Jo vetëm kaq, por të gjithë komentet që i bëhen postimit tënd, i dalin në fb edhe personit që ke bërë tag.  

Funksioni është i thjeshtë dhe nuk do ndonjë shkencë të madhe për t’u kuptuar. Përgjithësisht ata që përdorin Facebook e dijnë fare mirë ç’efekt ka. Problemi është me kulturën, ose me etikën e tagimit.

Tagu përdoret rëndom për foto. Kur disa vetë dalin bashkë në fotografi, ai që ka pasur kamerën e poston atë dhe i bën tag edhe të tjerëve. Disave iu pëlqen të shpërndahen kopje të fotove të tyre, disa të tjerëve jo. Prandaj duhet kujdes.

Por shumë njerëz bëjnë tag edhe video, shkrime, ose thënie të mençura apo jo dhe aq të mençura. Këtu problemi është edhe më i madh, pasi mendimet se sa të mençura apo idiote janë videot, shkrimet apo thëniet ndryshojnë shumë. Nuk është aspak e udhës të bësh tag njerëz që nuk i njeh mirë dhe s’ua di shijet.

Para disa ditësh dikush të cilin unë e njoh shumë pak më kishte bërë tag një video të një gruaje që e kishte zënë vapa dhe hiqte njëra pas tjetrës rrobat e trupit. Duke e bërë tag te unë dhe te nja 28 të tjerë, ai e kishte vënë këtë video në muret tona, në mënyrë që të gjithë miqtë e mij dhe të atyre të tjerëve ta shikonin. Natyrisht unë e bëra veten “un-tag” dhe, me mend, i nxorra kartonin e verdhë personit.

Po kështu, një zonjëzë e nderuar më bëri para një jave tag një kartolinë ku dallohej një urim për krishtlindjet dhe gërmat 25 të shkruara në mënyrë simetrike, nën të cilat lexohej: ka vetëm një ditlindje të përjetshme – që nënkuptonte 25 dhjetorin që festohet nga një pjesë e të krishterëve si ditëlindja e Jezu Krishtit.

Nuk jam as kundër festimit të Krishtlindjeve, as kundër urimeve që njerëzit i bëjnë njëri-tjetrit për krishtlindje. Edhe unë kam uruar këto ditë dhjetori me dhjetra herë: Gëzuar Krishtlindjet. Madje unë jam edhe kundër atyre që e zëvendësojnë urimin “Gëzuar Krishtlindjet” me “Gëzuar Festat”.

Megjithatë, ata që më njohin drejtpërdrejt, ose përmes facebook-ut mund ta kenë vënë re, për shembull, që kam një si prirje për ta bërë dallimin midis përrallave dhe fakteve historike, të vërtetave dhe imagjinatave. Në kartolinën në fjalë, për shembull, shkruhej se ka vetëm një ditëlindje të përjetshme. Po ta mendosh, kjo shprehje ka pasaktësi dhe mungesë të theksuar humanizmi. Unë iu përkas atyre njerëzve që nuk janë të bindur që Krishti, si person historik, të ketë ekzistuar vërtet. Për mua s’ka pasur as ditë lindje as ditë vdekje të personit në fjalë. Por edhe po të lëshoja pe për hir të argumentit dhe të pajtohesha me ata njerëz që janë të bindur se ka ekzistuar një njeri me emrin Jezu Krisht, përsëri do të ngulja këmbë nuk ka asnjë të dhënë të vetme historike, ose nuk ka asnjë mundësi të tërthortë që të provojë se ai ka lindur në 25 dhjetor. Edhe historianët më të përkushtuar të krishtërimit e pranojnë që data 25 dhjetor është caktuar arbitrarisht për konveniencë astrologjike, pasi përkon me fillimin e vitit të ri më shumë se data 1 Janar, të cilës i është dhënë ky status nga Papa Gregori. Shumica e historianëve fetarë të Krishtërimit hamendësojnë se Virgjëresha Mari duhet të jetë çliruar diku nga fundi i pranverës ose fillimi i verës.

Nga ana tjetër, nga këndvështrimi i trinitisë së shnjtë Krishti është edhe i biri i Zotit, edhe Zoti vetë, edhe Shpirti i Shenjtë. Ky është një koncept tepër i ndërlikuar, të cilin mendja ime e thjeshtë vdekatare, dhe e gjithë të tjerëve, është e supozuar që të mos e kuptojë, por ta pranojë si thelbin e dogmës. Megjithatë, unë kuptoj kaq gjë - që Krishti është edhe Zoti, pra që ditëlindja e Krishtit duhet të jetë e njëjtë me atë të Zotit – i cili presupozohet të ketë ekzistuar gjithmonë, dhe jo të ketë lindur në 25 janar të ndonjë viti diku rrotull vitit 0. Nuk po e zgjas me këtë arsyetim, sepse kam frikë se më pëlcet koka.

Por t’i kthehemi anës humanitare dhe pretendimit që 25 Dhjetori, ditëlindja imagjinare (e një personi imagjinar) na qënka data më e rëndësishme e vitit. Kjo mua më duket revoltuese, pasi unë mund të numëroj me dhjetra ditëlindje, vetëm në Dhjetor, që janë shumë më të rëndësishme se sa kjo. Për shembull, dihet saktësisht që unë kam lindur në 3 dhjetor; gruaja ime ka lindur po në dhjetor; siç kanë lindur në dhjetor edhe shoqet e mija të tetëvjeçares Ina dhe Teuta, ose Mishel Koçiu, ose Lasgush Poradeci. Në 25 dhjetor ka lindur edhe një njeri që, sipas Neil deGrasse Tyson, kur arriti moshën 30 vjeç do të transformonte botën në mënyrë të pakthyeshme – Isak Njutoni. Të gjithë këta njerëz, që për atë zonjëzën që më bën tag mua kartolinën që përmenda mund të mos jenë fare të rëndësishëm, për mua kanë shumë më tepër se sa ai tjetri që mund të ketë ose mund të mos ketë ekzistuar dymijë e ca vjet më parë. Pra, ajo nuk ka të drejtë të postojë në murin tim një kartolinë në të cilën thuhet se data 25 dhjetor, kur mendohet se ka lindur miku i saj imagjinar me datëlindje imagjinare, qënka më e rëndësishme se sa datat e tjera, kur kanë lindur miqtë e mij realë, Lasgush Poradeci, Isak Njutoni dhe, pa pikë modestie, edhe unë. Ajo zonjëza ka të drejtën e saj që kartolinën ta postojë në murin e saj dhe të kënaqet sa të dojë. Por ajo nuk ka asnjë të drejtë ta postojë në murin tim, pasi sistemi i vlerave të murit tim është krejtësisht i papajtueshëm me sistemin e vlerave të saj. Te muri i saj unë mund ta pëlqej ose ta kaloj në heshtje, edhe po s’e pëlqeva. Ndërsa te muri im, duket sikur unë i jap vulën e miratimit tim personal, sikur unë e mbështes idenë që shpreh ajo. Kur në fakt unë nuk e mbështes fare.

Ne të gjithë kemi nga një shtëpi në rrugën imagjinare të quatur Rruga Facebook. Secili nga ne ka nga një mur në këtë rrugë. Unë vë në këtë mur çfarë të më dojë qefi mua. Por kur bëj ‘tag’ dikë, atëherë një kopje të asaj që kam vënë te muri im, unë e vë pa lejen e tjetrit, te muri i tij, ose i saj. Në këtë rast, përpara se ta kryej një veprim, gjëja më normale do të ishte të pyesja veten: A do t’i pëlqejë atij ose asaj që në murin e vet të ketë diçka të zgjedhur nga unë?

Sa për saktësim, këtë shkrim, si dhe shumë të tjerë, nuk ia kam bërë “tag” asnjë njeriu.

Sinqerisht,

Gëzuar Krishtlindjet, Vitin e ri, Festivus, Hunakkah, Yaldan, Kwanzan, Omisokan, Saturnalian, Pancha Ganapatin dhe gjithë festat e tjera të dhjetorit!