Funksioni është i thjeshtë dhe nuk do ndonjë shkencë të
madhe për t’u kuptuar. Përgjithësisht ata që përdorin Facebook e dijnë fare mirë
ç’efekt ka. Problemi është me kulturën, ose me etikën e tagimit.
Tagu përdoret rëndom për foto. Kur disa vetë dalin bashkë në
fotografi, ai që ka pasur kamerën e poston atë dhe i bën tag edhe të tjerëve.
Disave iu pëlqen të shpërndahen kopje të fotove të tyre, disa të tjerëve jo.
Prandaj duhet kujdes.
Por shumë njerëz bëjnë tag edhe video, shkrime, ose thënie të
mençura apo jo dhe aq të mençura. Këtu problemi është edhe më i madh, pasi
mendimet se sa të mençura apo idiote janë videot, shkrimet apo thëniet
ndryshojnë shumë. Nuk është aspak e udhës të bësh tag njerëz që nuk i njeh mirë
dhe s’ua di shijet.
Para disa ditësh dikush të cilin unë e njoh shumë pak më
kishte bërë tag një video të një gruaje që e kishte zënë vapa dhe hiqte njëra
pas tjetrës rrobat e trupit. Duke e bërë tag te unë dhe te nja 28 të tjerë, ai
e kishte vënë këtë video në muret tona, në mënyrë që të gjithë miqtë e mij dhe
të atyre të tjerëve ta shikonin. Natyrisht unë e bëra veten “un-tag” dhe, me
mend, i nxorra kartonin e verdhë personit.
Po kështu, një zonjëzë e nderuar më bëri para një jave tag
një kartolinë ku dallohej një urim për krishtlindjet dhe gërmat 25 të shkruara në
mënyrë simetrike, nën të cilat lexohej: ka vetëm një ditlindje të përjetshme –
që nënkuptonte 25 dhjetorin që festohet nga një pjesë e të krishterëve si ditëlindja
e Jezu Krishtit.
Nuk jam as kundër festimit të Krishtlindjeve, as kundër
urimeve që njerëzit i bëjnë njëri-tjetrit për krishtlindje. Edhe unë kam uruar
këto ditë dhjetori me dhjetra herë: Gëzuar Krishtlindjet. Madje unë jam edhe
kundër atyre që e zëvendësojnë urimin “Gëzuar Krishtlindjet” me “Gëzuar Festat”.
Megjithatë, ata që më njohin drejtpërdrejt, ose përmes
facebook-ut mund ta kenë vënë re, për shembull, që kam një si prirje për ta bërë
dallimin midis përrallave dhe fakteve historike, të vërtetave dhe imagjinatave.
Në kartolinën në fjalë, për shembull, shkruhej se ka vetëm një ditëlindje të përjetshme.
Po ta mendosh, kjo shprehje ka pasaktësi dhe mungesë të theksuar humanizmi. Unë
iu përkas atyre njerëzve që nuk janë të bindur që Krishti, si person historik, të
ketë ekzistuar vërtet. Për mua s’ka pasur as ditë lindje as ditë vdekje të
personit në fjalë. Por edhe po të lëshoja pe për hir të argumentit dhe të
pajtohesha me ata njerëz që janë të bindur se ka ekzistuar një njeri me emrin
Jezu Krisht, përsëri do të ngulja këmbë nuk ka asnjë të dhënë të vetme
historike, ose nuk ka asnjë mundësi të tërthortë që të provojë se ai ka lindur
në 25 dhjetor. Edhe historianët më të përkushtuar të krishtërimit e pranojnë që
data 25 dhjetor është caktuar arbitrarisht për konveniencë astrologjike, pasi përkon
me fillimin e vitit të ri më shumë se data 1 Janar, të cilës i është dhënë ky
status nga Papa Gregori. Shumica e historianëve fetarë të Krishtërimit hamendësojnë
se Virgjëresha Mari duhet të jetë çliruar diku nga fundi i pranverës ose
fillimi i verës.
Nga ana tjetër, nga këndvështrimi i trinitisë së shnjtë
Krishti është edhe i biri i Zotit, edhe Zoti vetë, edhe Shpirti i Shenjtë. Ky është
një koncept tepër i ndërlikuar, të cilin mendja ime e thjeshtë vdekatare, dhe e
gjithë të tjerëve, është e supozuar që të mos e kuptojë, por ta pranojë si
thelbin e dogmës. Megjithatë, unë kuptoj kaq gjë - që Krishti është edhe Zoti,
pra që ditëlindja e Krishtit duhet të jetë e njëjtë me atë të Zotit – i cili
presupozohet të ketë ekzistuar gjithmonë, dhe jo të ketë lindur në 25 janar të
ndonjë viti diku rrotull vitit 0. Nuk po e zgjas me këtë arsyetim, sepse kam
frikë se më pëlcet koka.
Por t’i kthehemi anës humanitare dhe pretendimit që 25
Dhjetori, ditëlindja imagjinare (e një personi imagjinar) na qënka data më e rëndësishme
e vitit. Kjo mua më duket revoltuese, pasi unë mund të numëroj me dhjetra ditëlindje,
vetëm në Dhjetor, që janë shumë më të rëndësishme se sa kjo. Për shembull,
dihet saktësisht që unë kam lindur në 3 dhjetor; gruaja ime ka lindur po në
dhjetor; siç kanë lindur në dhjetor edhe shoqet e mija të tetëvjeçares Ina dhe
Teuta, ose Mishel Koçiu, ose Lasgush Poradeci. Në 25 dhjetor ka lindur edhe një
njeri që, sipas Neil deGrasse Tyson, kur arriti moshën 30 vjeç do të
transformonte botën në mënyrë të pakthyeshme – Isak Njutoni. Të gjithë këta
njerëz, që për atë zonjëzën që më bën tag mua kartolinën që përmenda mund të
mos jenë fare të rëndësishëm, për mua kanë shumë më tepër se sa ai tjetri që
mund të ketë ose mund të mos ketë ekzistuar dymijë e ca vjet më parë. Pra, ajo
nuk ka të drejtë të postojë në murin tim një kartolinë në të cilën thuhet se
data 25 dhjetor, kur mendohet se ka lindur miku i saj imagjinar me datëlindje
imagjinare, qënka më e rëndësishme se sa datat e tjera, kur kanë lindur miqtë e
mij realë, Lasgush Poradeci, Isak Njutoni dhe, pa pikë modestie, edhe unë. Ajo
zonjëza ka të drejtën e saj që kartolinën ta postojë në murin e saj dhe të kënaqet
sa të dojë. Por ajo nuk ka asnjë të drejtë ta postojë në murin tim, pasi
sistemi i vlerave të murit tim është krejtësisht i papajtueshëm me sistemin e
vlerave të saj. Te muri i saj unë mund ta pëlqej ose ta kaloj në heshtje, edhe
po s’e pëlqeva. Ndërsa te muri im, duket sikur unë i jap vulën e miratimit tim
personal, sikur unë e mbështes idenë që shpreh ajo. Kur në fakt unë nuk e mbështes
fare.
Ne të gjithë kemi nga një shtëpi në rrugën imagjinare të
quatur Rruga Facebook. Secili nga ne ka nga një mur në këtë rrugë. Unë vë në
këtë mur çfarë të më dojë qefi mua. Por kur bëj ‘tag’ dikë, atëherë një kopje
të asaj që kam vënë te muri im, unë e vë pa lejen e tjetrit, te muri i tij, ose
i saj. Në këtë rast, përpara se ta kryej një veprim, gjëja më normale do të
ishte të pyesja veten: A do t’i pëlqejë atij ose asaj që në murin e vet të ketë
diçka të zgjedhur nga unë?
Sa për saktësim, këtë shkrim, si dhe shumë të tjerë, nuk ia
kam bërë “tag” asnjë njeriu.
Sinqerisht,
Gëzuar Krishtlindjet, Vitin e ri, Festivus, Hunakkah, Yaldan,
Kwanzan, Omisokan, Saturnalian, Pancha Ganapatin dhe gjithë festat e tjera të
dhjetorit!
No comments:
Post a Comment