Sunday, October 18, 2020

Përballë Përbindëshave 1

 Arben Kallamata

Pjesa e parë: Mish për top

(Shënim hyrës: Po bëj një përpjekje që përmes një shkrimi të ndarë në disa pjesë të hedh pak dritë në marrëdhëniet tona me teknologjinë moderne, posaçërisht me gjigandët e teknologjisë që i kemi çdo ditë përpara syve – Internetin, Google, Facebook, Twitter, YouTube, Snapchat, Netfix, etj. Idetë e shprehura këtu nuk janë aspak origjinale. Unë jam përpjekur të përmbledh, përshtas në shqip dhe organizoj mendime që ka kohë që i shqetësojnë njerëzit.)

Në një sallë të madhe kontrolli ngarkuar me kompjutera të fuqishëm punojnë të përqëndruar mbi njëqind specialistë të ITsë dhe psikologjisë. Ata studiojnë dhe përpunojnë mendjet e miliarda njerëzve, duke analizuar deri në detaje prirjet dhe dëshirat e secilit prej tyre dhe duke i drejtuar mendimet andej nga duan ata.

Duket si skenë e marrë nga ndonjë film fantastiko-shkencor, por në fakt është realitet. Prej vitesh salla të tilla kontrolli janë pjesë e trurit të gjigandëve të teknologjisë si Google, Facebook, YouTube, Snapchat, etj. Studimi dhe përpunimi i mendimit të miliarda njerëzve nuk kryhen thjesht për kurreshtje shkencore. Ato janë pjesë e modelit të biznesit, mënyrës se si kompanitë teknologjike i fitojnë triliardat e dollarëve.

Një prej specialistëve që ka punuar si eticist projektues për Google pikërisht në një nga këto salla është Tristian Harris. Deri para pak kohësh ai kujdesej për ruajtjen e normave të etikës në procesin e përpunimit dhe drejtimit të mendimit të njerëzve për qëllime fitimprurëse. Duke e kuptuar se ishte e pamundur të realizohej një gjë e tillë, pasi etika njerëzore binte ndesh me interesat e punëdhënësit të tij, ai u tërhoq dhe tani, me biseda, artikuj, dhe podcaste përpiqet t’iu shpjegojë sa më shumë njerëzve mënyrën se si funksionojnë gjigandët e teknologjisë dhe rrugët më të efektshme për t’i detyruar ata t’i respektojnë vërtet normat e etikës.

Përmes celularëve, tabletëve dhe kompjuterave ne i përdorim shërbimet falas të kompanive teknologjike pa e vrarë mendjen të dijmë se si kanë arritur ato të bëhen organizmat më të pasura të planetit. Ne e përfytyrojmë veten si klientë tyre, si përdorues legjitimë të shërbimit që ata ofrojnë, duke harruar se kur shërbimi të jepet falas nuk mund të quhesh klient. Ne nuk e fusim dorën në xhep kur kërkojmë të dhëna në Google; nuk paguajmë abonim mujor apo vjetor për t’u lidhur me miqtë në Facebook, apo për të dëgjuar muzikë dhe parë video në YouTube. Nga dalin fitimet?!

“Reklamat,” do të thotë dikush, ata i nxjerrin fitimet nga reklamat. Po si? Cili është malli që na shitet ne me aq shumicë saqë gjigandët e teknologjisë arrijnë të nxjerrin fitime të papërfytyrueshme? Si arrijnë reklamat të shkojnë aty ku duhet në një masë kaq të madhe përdoruesish?

Modeli i biznesit të kompanive të mëdha IT është origjinal dhe fitimprurës pikërisht ngaqë nuk ndjek rrugën tradicionale – unë publikoj reklama për përdoruesit në tërësi, dhe reklamuesit e mallrave më japin mua para. Përballë miliarda përdoruesve të internetit, reklamuesit kanë nevojë për ndarje të audiencës, për seleksionim, në mënyrë që ata ta drejtojnë reklamën e tyre pikërisht te njerëzit që kanë potencialin për të blerë mall, përndryshe reklama nuk ka efekt. Ata kërkojnë grupime sipas interesave dhe piketim sa më të saktë të objektit të reklamave të tyre.

Pikërisht këtë punë marrin përsipër të bëjnë gjigandët e teknologjisë. Ato iu japin reklamuesve grupime njerëzish sipas interesave të reklamuesve, audiencë me potencialin më të lartë blerës. Ata iu japin atyre të dhëna nga më të detajuarat për secilin prej nesh. Për këtë ata përdorin inteligjencën artificiale të superkompjuterave që, përmes algoritmave janë në gjendje jo vetëm të analizojnë të dhëna pa fund për një numër të pakufizuar përdoruesish, por edhe të ndikojnë në këndvështrimin e njerëzve.

Në marrëdhëniet midis reklamuesve dhe gjigandëve të teknologjisë (Facebook, Google, Twitter, etj.) ne, përdoruesit nuk jemi klientët. Ne jemi malli. Jemi malli që kompanitë IT i shesin kompanive të reklamave. Malli që shitet është thjesht mendja jonë. Gjigandët e Tekut i bëjnë fitimet duke iu shitur mendjet tona atyre që reklamojnë mallra. Nga pikëpamja e tyre ne jemi thjesht mish për top.

Kur ne përdorim me orë të tëra në ditë Facebook, Youtube, Google, Twitter, Snapchat, kompjuterat regjistrojnë dhe mësojnë për ne shumë më tepër se sa dijmë ne për veten tonë. Ata i kanë të gjitha të dhënat për të analizuar çfarë na pëlqen dhe çfarë nuk na pëlqen ne; çfarë e tërheq vëmendjen tonë, dhe çfarë na kalon shkarazi, pa i kushtuar rëndësi. Ata njohin parapëlqimet tona për ngjyrat, për muzikën, për artin, për artistët, për filmat, për veshjet, për ushqimin dhe për pijet, për vendet ku duam të pushojmë, për mënyrën se si duam ta dekorojmë banesën, për problemet sociale, për fenë dhe, sidomos edhe, për politikën. 

(Këtu mbaron pjesa e parë. Në pjesën e dytë do të shohim se si kompanitë e mëdha teknologjike arrijnë të ndikojnë në zgjedhjet dhe parapëlqimet tona, si arrijnë të na detyrojnë të bëjmë atë që duan ata.)

No comments: