Kjo puna e patronazhistitëve është shqetësuese në disa plane. Shumë prej nesh janë skandalizuar nga shkelja flagrante e ligjit dhe për këtë kanë të drejtë. Por ka edhe anë të tjera për të cilat duhet të na dalë gjumi natën. Për shembull kur mendon se sa të paaftë jemi.
Aq të paaftë saqë edhe një spiunllëk të thjeshtë si puna e patronazhimit nuk e bëjmë si duhet. Të paaftë dhe dembela. Po ta shikosh me vëmendje patronazhistët kanë marrë përsipër diçka fare të thjeshtë, që kërkon shumë pak punë e, megjithatë, as asaj nuk i shkojnë dot deri në fund. Pasi kanë kopjuar të dhënat personale të njerëzve të vjedhura nga ndonjë database shtetërore, e vetmja punë që iu mbetej për të bërë ka qënë verifikimi i parapëlqimit politik. Kaq.
Pra, e vetmja gjë që iu është kërkuar të bëjnë, të vetmen punë për të cilën janë paguar, apo kanë marrë urdhër partie, apo kanë dalë vullnetarë, apo janë detyruar me metoda mafjoze – nuk i di detajet – të vetmen detyrë që iu është caktuar ka qënë përcaktimi i anësisë apo paanësisë politike të viktimave që kanë pasur në patronazh. Pikërisht këtë ose nuk e kanë bërë fare, ose e kanë bërë keq, shkel e shko duke ia futur kot. Jo vetëm unë dhe familiarët e mij, por edhe shumë që njoh unë, dhe shumë të tjerë në rrjete sociale, dëshmojnë se patronazhistët i kanë rënë shkurt duke i regjistruar njerëzit si simpatizantë të PS-së kur nuk janë, por edhe nganjëherë si të PD-së, kur janë thjesht të paanshëm.
Kjo është vërtet serioze sepse vërteton që ne nuk jemi në gjendje të bëjmë asgjë, as si individë, as si shtet, as si parti, as si çdo lloj organizimi tjetër. Kjo tregon se jemi njerëz krejtësisht të papërgjegjshëm dhe nuk mund të na zihet besë.
Më keq nga të gjithë ne, si popull, si popull spiun-patronazhist, ka dështuar Ai, organizatori, kreu, Kreuministri. Ai është përpjekur të organizojë një sistem (sado i paligjshëm e mafioz qoftë) që t’i shërbejë atij dhe grupimit që e mbështet atë, e megjithatë nuk ka arritur ta bëjë. Ka ngritur rrjetin e spiunëve vullnetarë (ose e ka riaktivizuar atë), iu ka dhënë detyrën dhe përgjegjësinë përkatëse, iu ka shpjeguar rëndësinë, dhe…hiç, asnjë rezultat. Gjithë ajo punë, gjithë ai mund, gjithë ato energji, gjithë ai investim moral (imoral) i shkuar dëm!
Prandaj, në vend që t’iu dalë në mbrojtje patronazhistëve dhe të na mallkojë ne të tjerëve duke thënë ‘Iu marrshi të keqen patronazhistëve’, Kryeministri duhet të jetë i hapur dhe të pranojë që patronazhistët nuk e kanë kryer hiç atë detyrë që ai iu ka ngarkuar dhe që, në këtë kuptim, si kreu i tyre, si kryepatronazhist, edhe ai vetë ka dështuar me turp. Ata që punojnë për të dhe i shërbejnë atij kanë po aq (pak) respekt për të sa edhe të tjerët që duan ta heqin qafe. Megjithatë, Kryepatronazhisti nuk duhet ta marrë si fyerje personale. Eshtë thjesht shprehje e dembelizmit dhe e paaftësisë sonë për të bërë një punë si duhet – qoftë për ta mbajtur, qoftë për ta hequr qafe atë vetë si Krye-i-pa-aftë.
No comments:
Post a Comment