Thursday, January 20, 2022

Shkopi dhe karrota*

Britanikët, që kanë përvojë jo të pakët në punët e perandorimit – domethënë të nënshtrimit të të tjerëve, përdorin shprehjen idiomatike: carrot and stick (edhe karrotën, edhe shkopin) e dëgjuar rëndom krahas fjalës diplomaci. Është një formë përqasje në marëdhëniet dypalëshe që nuk e kanë shpikur anglezët dhe nuk e kanë përdorur vetëm ata. Në jetë të jetëve ka qënë një metodë e efektshme e shteteve, individëve dhe organizmave (kryesisht të jashtligjshme, mafjoze) për të ushtruar kontroll mbi të tjerët, për t’i detyruar ata të bëjnë atë që do ti.

Ne shqiptarët jemi aq për të qarë hallin saqë të gjithë ata që merren me ne kanë tundimin për të futur në punë shkopin dhe karrotën. Kushdo që ka pasur interes dhe i është dhënë mundësia e ka përdorur. Megjithatë, të jesh vend i vogël nuk do të thotë se je i dënuar të bëhesh viktimë . Në botë gjen raste plot të kombeve më të pakët në numër që dijnë t’i bëjnë ballë shkopit dhe karrotës. Sekreti është të kesh politikanë të aftë dhe të ndërgjegjshëm, që punojnë për të mirën e vendit, mendje të mprehta dhe zemra të ndjeshme. Këta ne na kanë munguar. Ahmet Zogu, me gjithë dinakërinë dhe dëshirën e tij për të bërë diçka, kafshoi më shumë se ç’duhej nga karrota e Italisë, i bindur se do shpëtonte. Atë e gënjeu mendja se Italia nuk do ishte aq e çmendur sa t’i sillte anijet dhe tanket në portet e Durrësit dhe Vlorës. Por, për fatin e tij të keq fqinjët i kontrollonte Musolini, prandaj ne hëngrëm shkopin, shkopin që solli si pasojë hoxhën. Ky, nga ana e vet iu fut si i babëzitur karrotës jugosllave. Pastaj, iu kthye asaj sovjetike. Për t’i shpëtuar drurit të tyre u lëshua pas kinezëve. Në fund fare, e la fare karrotën, e lëshoi popullin e vet të hante bar dhe të duronte shkopin që ai e shmangu nga vetja. Të tjerët që erdhën pas tij as e kanë pasur idenë ç’bëjnë. Ne vazhdojmë të vuajmë nga politikanë jo profesionistë, që nuk kanë asgjë të qartë në lidhje me interesat e vendit dhe që veprojnë me instinkte bajraktarësh, pavarësisht se turma që iu vete nga pas nuk e ka për gjë t’i cilësojë si burra shteti.

Kaq për ne. Të hidhemi te turku. Erdogani është thjesht një diktator. Pa pretenduar se e njoh mirë historinë e Turqisë, unë e shoh Erdoganin si e kundërta e Ataturkut, krijuesit të Turqisë moderne. Ataturku, nga ana e vet, ishte e kundërta e sulltanatit, e kundërta e perandorisë osmane dhe kalifatit. Ai përfaqësonte rrymën politike që e ktheu Turqinë nga monarki islamike në republikë laike dhe e kërkonte zhvillimin e saj jo duke u bazuar te përhapja gjeografike, por te ruajtja e kufijve të një shteti pak a shumë etnik dhe te modernizimi i kombit. Rezultati ekonomik dhe, pak-a-shumë shoqëror, i këndvështrimit të Ataturkut është Turqia e sotme moderne.

Ataturku e njihte mendësinë e popullit që drejtonte, e dinte nostalgjinë e një pjese të turqve për periudhën ‘e lavdishme’ të perandorisë otomane dhe, lidhur ngushtë me këtë, edhe për lidhjen e tyre me fenë (Sulltani ishte njëkohësisht edhe Kalif). Për Turqinë moderne rikthimi i nostalgjikëve në pushtet dhe ringjallja e ëndrrave të vjetra të sulltanatit mbetën gjithmonë rrezik real. Prandaj Ataturku ishte i detyruar të krijonte një sistem të dyfishtë - demokratiko-diktatorial, që të ndalonte pikërisht rikthimin e nostalgjikëve të Perandorisë Otomane në pushtet. Roli i gjykatësit dhe policit për të përcaktuar se kush ishte nostalgjiku që rrezikonte demokracinë iu la ushtrisë turke. Këta ndërhynin me grusht shteti sa herë bindeshin që një parti në pushtet fillonte të vinte ligje dhe merrte masa që dëmtonin vizionin e shtetit laik. Detyrë që ata e kryen për një shekull, derisa doli një njeri dinak si Erdogani, që shfrytëzoi rrethanat për ta thyer sistemin. Jo rastësisht, goditja më e madhe ishte shkatërrimi i ushtrisë, arrestimi i mbi 6000 ushtarakëve në vitin 2016.  

Erdogani është e kundërta e Ataturkut. Ai është nga ata diktatorët e rinj, që përpiqen të ruajnë maskën e njeriut të zgjedhur me vota të lira dhe që shfrytëzojnë çdo lloj pjese gri të ligjit për të mbajtur pushtetin. Ashtu si Putini, ai është hedhur nga zyra e kryeministrit në atë të presidentit dhe anasjelltas për të zgjatur në pafundësi qëndrimin në krye (pelivanllëk që e kanë praktikuar edhe të tjerë, nëse iu kujtohet).  Erdogani është tipiku i nostalgjikut që do ta kthejë vendin në lavdinë e dikurshme, në një perandori të madhe islamike. E gjithë praktika e diplomacisë ndërkombëtare të Erdoganit ka këtë drejtim. Turqia duket se ka hequr dorë përfundimisht nga përpjekjet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian; ajo i ka acaruar marrëdhëniet me partnerët e saj Europianë, madje edhe me Naton dhe është lëshuar me forcë drejt ekspansionit ushtarak, diplomatik, e kulturor.

Le t’i kthehemi shkopijve dhe karrotave. Ndihma e dhënë për tërmetin është pjesë e karrotës. Edhe vizitat që bën Erdogani në Shqipëri (begenisja) duhet parë si karrotë. Ajo xhamija e madhe e ngritur në mes të Tiranës (bashkë me shumë të tjera) janë dhënë si karrotë, megjithëse ato minaret e larta kanë pamjen e shkopijve, hujve. Filmat dhe serialet turq që kanë mbytur programet e televizioneve më të mëdha shqiptare janë padyshim karrota.

Shkopijtë, druri i vërtetë nuk ka nisur dhe ndoshta nuk do të nisë për një kohë të gjatë deri sa të ketë aq shumë shqiptarë që të kenë ngrënë aq shumë karrota sa të jenë të gatshëm t’i ngrenë vithet përpjetë për të pranuar hurin. Ardhja e Erdoganit në Tiranë pikërisht në 17 Janar është një shkop i vogël, shkop prove. Sa për të parë se sa mban kurrizi i shqiptarëve tani për tani. Emërtimi i lagjes “Erdogan” është gjithashtu pjesë e shkopit – dhe një pjesë e ndyrë, e pështirë, sepse ato 450 milion Euro ndihmë i ka dhënë shteti turk, populli turk, jo Erdogani nga xhepi i vet.

Erdogani dhe ata që bëjnë politikën turke e kanë më se të qartë se ç’është Skëndërbeu për shqiptarët. Ata e dijnë që nuk është thjesht një prijës që ka luftuar osmanët para 500 vjetëve, por është simboli, frymëzimi që Rilindasit zgjodhën për të krijuar kombin. Për krijimin e kombit të tyre grekët u frymëzuan nga qytetërimi i lashtë grek; italianët nga qytetërimi i lashtë romak, bullgarët nga lavdia e perandorisë bullgare, serbët dhe sllavët nga pansllavizmi. Shqiptarët e ngritën kombin me fytyrën e Skënderbeut. Të gjitha këto Erdogani i di mirë. Ai zgjodhi pikërisht përvjetorin e Skënderbeut për të ardhur diku aty afër, në Laç dhe për t'iu kujtuar shqiptarëbe se ishte ai që po i mban me karrota. Ndërkohë, shkopi i tij tatonte pulsin patriotik, maste durimin, kontrollonte shkallën e tolerancës ose, për të qënë më të saktë, të nënshtrimit.

Erdoganit dhe erdoganizmit ndoshta mund të mos i vijë kurrë rasti ta përdorë shkopin kundër Shqipërisë ashtu siç e përdori Musolini. Por ndoshta edhe mund t’i vijë. Ku i dihet? Numri i dashnorëve të Babës sa vjen e rritet. Deri para njëzet vjetëve vështirë se gjeje njeri që i qante syri për të. Të paktën askush nuk e shprehte dashurinë publikisht. Sot haxhiqamilët i gjen në të katër anët. Ku dihet ç’ndodh nesër?

_____________

*Meqë pakkush mbeti pa dhënë mendim për vizitën në Shqipëri të presidentit turk në 17 Janar thashë se s’do bëhej gjëma po ta jepja edhe unë dylekshin tim.