Britanikët, që kanë përvojë jo të pakët në punët e
perandorimit – domethënë të nënshtrimit të të tjerëve, përdorin shprehjen
idiomatike: carrot and stick (edhe karrotën, edhe shkopin) e dëgjuar rëndom
krahas fjalës diplomaci. Është një formë përqasje në marëdhëniet dypalëshe
që nuk e kanë shpikur anglezët dhe nuk e kanë përdorur vetëm ata. Në jetë të
jetëve ka qënë një metodë e efektshme e shteteve, individëve dhe organizmave (kryesisht
të jashtligjshme, mafjoze) për të ushtruar kontroll mbi të tjerët, për t’i detyruar
ata të bëjnë atë që do ti.
Ne shqiptarët jemi aq për të qarë hallin saqë të gjithë ata
që merren me ne kanë tundimin për të futur në punë shkopin dhe karrotën. Kushdo
që ka pasur interes dhe i është dhënë mundësia e ka përdorur. Megjithatë, të jesh
vend i vogël nuk do të thotë se je i dënuar të bëhesh viktimë . Në
botë gjen raste plot të kombeve më të pakët në numër që dijnë t’i bëjnë ballë
shkopit dhe karrotës. Sekreti është të kesh politikanë të aftë dhe të ndërgjegjshëm,
që punojnë për të mirën e vendit, mendje të mprehta dhe zemra të ndjeshme. Këta
ne na kanë munguar. Ahmet Zogu, me gjithë dinakërinë dhe dëshirën e tij për të
bërë diçka, kafshoi më shumë se ç’duhej nga karrota e Italisë, i bindur se do
shpëtonte. Atë e gënjeu mendja se Italia nuk do ishte aq e çmendur sa t’i
sillte anijet dhe tanket në portet e Durrësit dhe Vlorës. Por, për fatin e tij
të keq fqinjët i kontrollonte Musolini, prandaj ne hëngrëm shkopin, shkopin që
solli si pasojë hoxhën. Ky, nga ana e vet iu fut si i babëzitur karrotës
jugosllave. Pastaj, iu kthye asaj sovjetike. Për t’i shpëtuar drurit të tyre u
lëshua pas kinezëve. Në fund fare, e la fare karrotën, e lëshoi popullin e vet
të hante bar dhe të duronte shkopin që ai e shmangu nga vetja. Të tjerët që
erdhën pas tij as e kanë pasur idenë ç’bëjnë. Ne vazhdojmë të vuajmë nga politikanë
jo profesionistë, që nuk kanë asgjë të qartë në lidhje me interesat e vendit
dhe që veprojnë me instinkte bajraktarësh, pavarësisht se turma që iu vete nga pas
nuk e ka për gjë t’i cilësojë si burra shteti.
Kaq për ne. Të hidhemi te turku. Erdogani është thjesht një
diktator. Pa pretenduar se e njoh mirë historinë e Turqisë, unë e shoh Erdoganin
si e kundërta e Ataturkut, krijuesit të Turqisë moderne. Ataturku, nga ana e
vet, ishte e kundërta e sulltanatit, e kundërta e perandorisë osmane dhe
kalifatit. Ai përfaqësonte rrymën politike që e ktheu Turqinë nga
monarki islamike në republikë laike dhe e kërkonte zhvillimin e saj
jo duke u bazuar te përhapja gjeografike, por te ruajtja e kufijve të një
shteti pak a shumë etnik dhe te modernizimi i kombit. Rezultati ekonomik dhe,
pak-a-shumë shoqëror, i këndvështrimit të Ataturkut është Turqia e sotme
moderne.
Ataturku e njihte mendësinë e popullit që drejtonte, e dinte nostalgjinë e një pjese të turqve për periudhën ‘e lavdishme’ të
perandorisë otomane dhe, lidhur ngushtë me këtë, edhe për lidhjen e tyre me fenë
(Sulltani ishte njëkohësisht edhe Kalif). Për Turqinë moderne rikthimi i
nostalgjikëve në pushtet dhe ringjallja e ëndrrave të vjetra të sulltanatit mbetën gjithmonë rrezik real. Prandaj Ataturku ishte i detyruar të
krijonte një sistem të dyfishtë - demokratiko-diktatorial, që të ndalonte pikërisht
rikthimin e nostalgjikëve të Perandorisë Otomane në pushtet. Roli i gjykatësit
dhe policit për të përcaktuar se kush ishte nostalgjiku që rrezikonte
demokracinë iu la ushtrisë turke. Këta ndërhynin me grusht shteti sa herë
bindeshin që një parti në pushtet fillonte të vinte ligje dhe merrte masa që dëmtonin
vizionin e shtetit laik. Detyrë që ata e kryen për një shekull,
derisa doli një njeri dinak si Erdogani, që shfrytëzoi rrethanat për ta thyer
sistemin. Jo rastësisht, goditja më e madhe ishte shkatërrimi i ushtrisë,
arrestimi i mbi 6000 ushtarakëve në vitin 2016.
Erdogani është e kundërta e Ataturkut. Ai është nga ata
diktatorët e rinj, që përpiqen të ruajnë maskën e njeriut të zgjedhur me vota të
lira dhe që shfrytëzojnë çdo lloj pjese gri të ligjit për të mbajtur pushtetin.
Ashtu si Putini, ai është hedhur nga zyra e kryeministrit në atë të presidentit
dhe anasjelltas për të zgjatur në pafundësi qëndrimin në krye (pelivanllëk që e
kanë praktikuar edhe të tjerë, nëse iu kujtohet). Erdogani është tipiku i nostalgjikut që do ta
kthejë vendin në lavdinë e dikurshme, në një perandori të madhe islamike. E gjithë praktika e diplomacisë ndërkombëtare të Erdoganit ka
këtë drejtim. Turqia duket se ka hequr dorë përfundimisht nga përpjekjet për
t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian; ajo i ka acaruar marrëdhëniet me partnerët
e saj Europianë, madje edhe me Naton dhe është lëshuar me forcë drejt
ekspansionit ushtarak, diplomatik, e kulturor.
Le t’i kthehemi shkopijve dhe karrotave. Ndihma e dhënë për
tërmetin është pjesë e karrotës. Edhe vizitat që bën Erdogani në Shqipëri
(begenisja) duhet parë si karrotë. Ajo xhamija e madhe e ngritur në mes të
Tiranës (bashkë me shumë të tjera) janë dhënë si karrotë, megjithëse ato
minaret e larta kanë pamjen e shkopijve, hujve. Filmat dhe serialet turq që kanë
mbytur programet e televizioneve më të mëdha shqiptare janë padyshim karrota.
Shkopijtë, druri i vërtetë nuk ka nisur dhe ndoshta nuk do të
nisë për një kohë të gjatë deri sa të ketë aq shumë shqiptarë që të kenë ngrënë
aq shumë karrota sa të jenë të gatshëm t’i ngrenë vithet përpjetë për të
pranuar hurin. Ardhja e Erdoganit në Tiranë pikërisht në 17 Janar është një
shkop i vogël, shkop prove. Sa për të parë se sa mban kurrizi i shqiptarëve tani për
tani. Emërtimi i lagjes “Erdogan” është gjithashtu pjesë e shkopit – dhe një
pjesë e ndyrë, e pështirë, sepse ato 450 milion Euro ndihmë i ka dhënë shteti
turk, populli turk, jo Erdogani nga xhepi i vet.
Erdogani dhe ata që bëjnë politikën turke e kanë më se të qartë se ç’është Skëndërbeu për shqiptarët. Ata e dijnë që nuk është thjesht një prijës që ka luftuar osmanët para 500 vjetëve, por është simboli, frymëzimi që Rilindasit zgjodhën për të krijuar kombin. Për krijimin e kombit të tyre grekët u frymëzuan nga qytetërimi i lashtë grek; italianët nga qytetërimi i lashtë romak, bullgarët nga lavdia e perandorisë bullgare, serbët dhe sllavët nga pansllavizmi. Shqiptarët e ngritën kombin me fytyrën e Skënderbeut. Të gjitha këto Erdogani i di mirë. Ai zgjodhi pikërisht përvjetorin e Skënderbeut për të ardhur diku aty afër, në Laç dhe për t'iu kujtuar shqiptarëbe se ishte ai që po i mban me karrota. Ndërkohë, shkopi i tij tatonte pulsin patriotik, maste durimin, kontrollonte shkallën e tolerancës ose, për të qënë më të saktë, të nënshtrimit.
Erdoganit dhe erdoganizmit ndoshta mund të mos i vijë kurrë
rasti ta përdorë shkopin kundër Shqipërisë ashtu siç e përdori Musolini. Por
ndoshta edhe mund t’i vijë. Ku i dihet? Numri i dashnorëve të Babës sa vjen e rritet.
Deri para njëzet vjetëve vështirë se gjeje njeri që i qante syri për të. Të
paktën askush nuk e shprehte dashurinë publikisht. Sot haxhiqamilët i gjen në
të katër anët. Ku dihet ç’ndodh nesër?
_____________
*Meqë pakkush mbeti pa dhënë mendim për vizitën në Shqipëri të presidentit turk në 17 Janar thashë se s’do bëhej gjëma po ta jepja edhe unë dylekshin tim.
No comments:
Post a Comment